Ndodh shumë shpesh që kur një artist shqiptar shënon një sukses në ndonjë hapësirë muzikore europiane e perëndimore, rrjetet mediatike shqipfolëse i kushtojnë lajmit një vëmendje të veçantë .
Rasti më i fundit ishte ai i Shkëlzen Dolit dhe ‘shpirtit shqiptar’ që u dëgjua gjatë koncertit të Vjenës. Pasoi një seri artikujsh, bisedash, komentesh që e vlerësuan në mënyrë euforike këtë moment dhe rolin e Dolit si ambasador të trashëgimisë kulturore shqiptare (Artikulli më i fundit ishte intervista te gazeta Shekulli). Nga reagimet e shumta, më shumë nga të gjithë më ngacmoi dokumentari Exclusive i Top-Channel. Kjo sepse nxirrte në pah disa qëndrime që mbahen ndaj muzikës shqiptare në media dhe në opinionin publik tek të cilat më duket me vend që të ndalem.
Më bëri përshtypje që dokumentari ishte përgatitur prej kohësh dhe ishte gati për t’u servirur në momentin e duhur si një ëmbëlsirë. Ishte dessert-i, për të treguar – në mënyrë pak si shumë të sheqerosur – Vjenën, muzikën “e saj” dhe “tonën” dhe pa dyshim, realizimin e videoklipit “Der Boulevard – Die Wiener Ringstraße 1865-2015”.
Pavarësisht faktit që tema kyçe ishte muzika tradicionale shqiptare, kjo mbetej ‘gjëja’ së cilës i kushtohej më pak vëmendje. Mund të ngjajë si paradoks, por ja që është kështu. Muzika aty paraqitej si ‘send’, si ‘diçka’ që duhej vlerësuar, mburrur e lavdëruar. Ky lloj qëndrimi shfaqet shpesh mes njerëzve, sidomos kur bie fjala për këndvështrimin kombëtarist. Ajo që konstatoj është se përfytyrimi i njerëzve lidhet shumë shpesh me objektin, pra me një korpus këngësh, melodish, vallesh, lëvizjesh, ose instrumentesh që në një moment të dhënë ngjitet në skenë apo serviret diku. Dhe ngacmimet bëhen akoma më të mëdha kur ‘diku-ja’ është Vjena dhe aq më tepër koncerti i fillim vitit.
Kjo mënyrë të menduari e shkëput këtë produkt nga ‘lëngu i tij amniotik’, nga ajo kulturë e cila e ka zanafillën te aftësitë e njerëzve për të marrë elemente të caktuar tingullorë, për t’i modeluar e për t’i përdorur ato si mjete shprehëse të botës së tyre: ndjenjave, mendimeve, botëkuptimeve, identiteteve, jetës dhe vendit që një individ ose një grup mendojnë se kanë në një shoqëri të caktuar. Në muzikën shqiptare, ndodh shpesh që ‘produkti’ popullor ose tradicional të shfaqet, të punohet, të rikrijohet, apo ritrajtohet në mënyra të ndryshme, ndërsa ‘lëngu amniotik’ të cilit ai i përket të shpërfillet, të anashkalohet.
Nëse do të ishte ndryshe, krahas këtij dokumentari të parafabrikuar, do të kishte edhe dokumentarë të tjerë që të tregonin interes të ngjashëm fjala vjen, për praktika të ndryshme muzikore dhe repertore përkatëse tradicionale të Shqipërisë dhe pse jo, edhe të vendeve përreth nesh. Po kështu, do të ishte edhe interesi për njohjen e muzikëbërësve që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri, qofshin këta të repertorit klasik me repertoret e kultivuara, qofshin ata tradicionalë.
Nëse do të ishte ndryshe, interesi i madh i ngritur ndaj Shkëlzen Dolit nuk do të përqendrohej kaq te klipi në vetvete, i cili në pikëpamje të muzikës kishte mangësitë e veta, sidomos te lidhja e këtyre materialeve me njëri-tjetrin; te trajtimi i tyre instrumental, orkestrimi. Me pak njohje dhe kërkim do të arrihej te disa regjistrime të tijat që janë publikuar si album në Kosovë, por që gjenden edhe në YouTube.
Në këto regjistrime[1] ai merr përsipër të interpretojë materiale burimore tradicionale të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Duke bërë një gjë të tillë, ai ‘riformaton’ lojën violinistike: nga ajo e një artisti që ka marrë një edukatë muzikore europiano-perëndimore, në lojën e një muzikanti tradicional. Kjo kërkon një punë më vete në pikëpamje të teknikës, emetimit të tingullit dhe mbi të gjitha lojës në violinë si përçuese e një psikologjie të caktuar interpretative. Sa ia del në një nismë të tillë dhe sesi e ‘shet’ këtë produkt të tijin Doli, kjo është një çështje që kërkon trajtim më vete. Ajo çka duhet nënvizuar është se kemi të bëjmë me ‘botë’ muzikore të ndryshme dhe Doli arrin gjithsesi që të përshtatet brenda secilës, falë inteligjencës, talentit dhe përvojës që ka.
Te dokumentari në fjalë ka dy personazhe që do të meritonin më shumë vëmendje: Shkëlzen Doli dhe Hekuran Xhamballi. I pari, violinist dhe i dyti klarinetist. I pari ka studiuar muzikë, pra lexon dhe shkruan mbi bazën e notacionit muzikor perëndimor; i dyti është autodidakt; nuk e njeh notacionin muzikor, por është në gjendje të luajë përmendësh materiale tradicionale. Doli është interpretues i një repertori të kultivuar të muzikës europiane; Xhamballi është përfaqësues i një brezi muzikantësh që me lojën e tyre kanë krijuar një profil unik dhe në disa raste të papërsëritshëm në muzikën tradicionale të Shqipërisë. Mjafton të përmendim fjala vjen, Laver Bariun, Remzi Lela-Çobanin dhe Novruz Nuren-Lulushi. Te kjo përballje ose më saktë bashkëpunim i tyre qëndron edhe elementi ekskluziv, një tipar që fjala vjen një këngëtare si Eda Zari ka arritur ta përsosë në mënyrë graduale, por shumë kuptimplotë në artin e saj.
Në atë identitet muzikor sui generis që Shkëlzen Doli përpiqet të krijojë për veten e vet, ‘fshihen’ mjeshtra të caktuar, të cilët vazhdojnë ende të bëjnë “jetën” e tyre aktive artistike; disa të shkolluar dhe disa autodidaktë. Nga loja e njërit prej tyre, violinistit Aurel Qirjo, Shkëlzen Doli merr gjithashtu shumë elementë. Por, më mirë se fjalët, thelbin e çështjes besoj e tregon ky material audio. Në atë tingëllimin e vet pak të ashpër, intonacionin jo krejt purist, të ‘pa kuruar’ artificialisht në studiot e regjistrimit apo të mbështetur nga bukuria e imazheve shtesë besoj shpreh shumë për atë çka ngelet për t’u vënë në vëmendje, për t’u njohur dhe për t’u kuptuar rreth ‘shpirtit’ bashkëveprues të muzikës dhe praktikave që e bëjnë atë, qofshin këto në Shqipëri, në Austri, apo në Zelandën e Re.
Kaba nga Aurel Qirjo- violinist; Zhani Struga- klarinetë, Agron Murati- llautë, Agron Hakiu- dajre, Romeo Ibrahimi- fizarmonikë.
[1] Vlen të përmendet që producenti muzikor i këtyre regjistrimeve dhe kuratori i tyre është Edi Balili.
Per bese, personalisht, nuk jam ne gjendje as ta lidh e as ta zgjidh sa me siper, pa le pastaj t’i jap dum se cfare ka dashur te thote Maroperhitura (ndoshta duhet te jesh edhe specialist i fushes se muzikes qe te shkoqisesh kete paragraf qe une hic se marr vesh).
Duhet te turren nje vrap ne Korce o gjetiu, per te gjetur keto saze(si per dasma) e per t’i treguar Vienes e botes: – “Harrojeni Dolin, shkoni ne origjine, se atje eshte muzika e vertete. Doli vecse eshte munduar t’i kopjoje, te marre elemente nga “shpirti” i sazexhive lokale. Harroje ate violinen e tij dhe arranxhimet alla europe dhe repertorin e zgjedhur qe i solli publikut muziken e shpirtit shqiptar.”
Nuk e nxjerrin disa inatin kollaj me violinen e Dolit ne Vjene dhe cudine qe i ofroi botes e shqiptareve. Do te vazhdojme te degjojme perseri e perseri.
Opinioni i nje specialisti te fushes si Vaso Tole, ndoshta i ndryshon mendjen shume inatcoreve qe nuk dine te qetesojne inatin. Tole permend edhe nje fakt domethenes qe e ema e Shkelzenit vjen prej njeres nga kryeqendrat e kabase, Permetit. Linku: http://vizionplus.al/muzika-shqiptare-ne-vjene/
Gjeta dhe video te tjera te sazeve(bjeri o mjeshter bjeri) ku eshte pjese Aurel Qirjo si me poshte. Akoma se kuptoj se perse duhet te krahasojme, aq me teper per nivele kaq te ndryshme muzikantesh e talentesh.
https://www.youtube.com/watch?v=Yxn2duX978s
https://www.youtube.com/watch?v=29Eve3M1jvs
Violina e Shkelzenit ,kur e degjova per here te pare tek “Albanian soul”, me surprizoi pasi i afrohej shume tingullit te klarinetes qe eshte nje vegel frymore primare ne kete lloj zhanri muzikor (kaba). Pra, e vecanta apo risia qe ai sjell ne interpreimin e ketyre kengeve sa te vjetra dhe te njohura eshte zevendesimi i klarinetes si tingull primar me ate te violines. Dhe nese pjeset instrumentale popullore qe ai interpreton me violine arrijne te pelqehen edhe me shume sesa nga versionet klasike/tradicionale me klarinete, atehere do te thote se mundimi apo coveri nuk ka shkuar dem, perkundrazi i ka dhene nje dimesion te ri versionit origjinal.