Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

KAZALSI DHE BAHU (IV)

nga Ilir Polena

Është plotësisht e vërtetë që, siç thotë Kazalsi “ me ekzekutimin e muzikës nuk mund të ketë shembuj shprehjeje të cilat nuk duhen përdorur, po ashtu si në fjalën njerëzore, në të cilën nuk duhet të përjashtohen ato nuanca, të cilat e përforcojnë dhe e pasurojnë atë”.

Njihet në interpretimin e Kazalsit përdorimi i spiccatos, kur interpreton disa nga suitat e Bahut. Sigurisht në kohën e Bahut, nuk përdorej spiccato, por “pse të mos e përdorim atë kur e kërkon vetë muzika” pyet Kazalsi duke bërë njëkohësisht dhe argumentimin e këtij veprimi teorikisht dhe praktikisht. pra nëpërmjet lojës.

Që të kuptohet një artist i madh si Bahu dhe të interpretohet drejt, është e domosdoshme të njihet epoka në të cilën ai jetoi dhe krijoi, por Kazalsi, i cili e aprovon kërkesën e mësipërme, shton gjithashtu se “artisti i vërtetë duhet të vlerësojë para së gjithash ndjenjën e vet muzikore, që të kuptojë me saktësi se çfarë përmbajtje ka një vepër muzikore”. Dhe sa interesante po aq dhe të ndërlikuara janë problemet e ekzekutimit të veprave të epokave të kaluara, sodomos kur periudha historike është aq e largët sa që teknologjia e instrumentave të saj është shumë e ndryshme nga ajo e sotmja.

Prandaj në këtë rast lindin probleme që zgjidhen në mënyra nga më të ndryshmet. Kështu për shembull Shvejcer arsyeton se, meqënëse mekanizmi i klaviçembalit nuk lejon tempin e allegros së sotme, allegro e periudhës së Bahut duhet konsideruar e barabartë me “ allegro moderato” e sotme. Dhe në të kundërt vëren Shvejcer: “Adagio, Grave, Lento, janë të barabarta me Moderato”. Megjithëse bie dakord me mendimin e saktë dhe shkencor të Shvejcerit, Kazalsi paraqet dhe mendimin e tij origjinal i cili na duket më artistik, por dhe paksa afër intuitivizmit: “Në çështjet e tempit artisti duhet të udhëhiqet gjithmonë nga intuita”.

Për Kazalsin nuk është e mundshme praktikisht gjetja e një “ tempi të vërtetë”, ekzekutuesi e përcakton atë sipas rrethanave. “E rëndësishme ,- thotë ai,- është të gjesh një temp, që të kënaqë dhe ndjenjën e ekzekutuesit, por dhe kërkesat e veprës që luhet”. Pra në disa raste, në mendimet që jep Kazalsi për interpretimin, një rëndësi të madhe i jep intuitës, gjë që spjegohet edhe me qëndrimin e tij luftarak ndaj përfaqësuesve “të stilit filologjik, muzeal”, por duhet të ketë lidhje dhe me ndikimin e filozofisë së intuitivizmit, të përfaqësuar në atë kohë nga Bergson. Dhe ekzistojnë dëshmi se ai është njohur me këtë filozof dhe ka zhvilluar biseda të gjata shkencore mbi probleme të ndryshme.

Por problemi më delikat i interpretimit të Bahut ka qenë dhe mbetet “ Rubato”. Mendimi i studiuesve dhe loja e interpretuesve më të mëdhenj realistë të kohës tregon se ajo nuk mund të jetë aq e dukshme, sa në muzikën romantike dhe në atë të kohës. Një konkluzion i tillë është i besueshëm se, meqenëse tek Bahu nuk ka kundërvënie temash si tek Bethoveni apo kompozitorë të tjerë, nuk do të ketë as ndryshime të mëdha të shpejtësisë së lëvizjes.

“Ekzekutuesi – thotë Shvejcer – duke respektuar me rigorozitet ritmin, mund të ndrrojë paksa tempin e mbështetur mbi një rubato të hollë.” Megjithatë Kazalsin sikur e ndrydhin rregullat. Ai paksa i nervozuar, thotë për arsyetimin e mësipërm se “ky mund të shërbejë si rregull për të gjithë muzikën!”. Kjo s’do të thotë se ai është në përgjithësi kundër çdo lloj rregulli apo orientimi të përgjithshëm, megjithatë vend kryesor i jep intuitës, ndjenjës muzikore të vetë ekzekutuesit.

Edhe në rastin kur Shvejcer mundohet të gjejë një rregull si p.sh. “sipas masës së ndërlikimit të endjes muzikore, duhet të kërkohet një temp shumë ekzakt dhe sipas masës së thjeshtimit mund t’i afrohemi tempit të lirë”, përsëri Kazalsi e konsideron këtë parim “ të përgjithshëm për të gjithë muzikën”. Megjithatë është detyra dhe e drejta e shkencës muzikore “si dije e mbështetur në ligje e parime”, që të përcaktojë disa orientime bazë të interpretimit të Bahut. Shvejcer formulon tre aksioma, (siç i quan ai) të cilat ndihmojnë në interpretimin e Bahut.

1. Veprat e Bahut fillojnë mbarojnë me të njëjtën forcë bazë të tingëllimit; çdo efekt “pianissimo” në fillim dhe në fund të veprës është kundër stilit të muzikës. Por Kazalsit kjo aksiomë i duket e tepërt dhe mendon se përjashtimet nuk janë të pakta: “Nëqoftëse mua – thotë ai për interpretimin me violonçel të suitave- më duket se shkon loja në piano në fillim. unë e luaj pa u menduar gjatë” duke parashtruar edhe një herë rëndësinë e intuitës muzikore.

2. Megjithatë Kazals është dakord me “aksiomën II” se “ kalimi nga forte në piano nëpërmjet diminuendos duhet të shmanget dhe se kundërvënia piano-forte duhet të jetë një nga elementët kryesorë të ekzekutimit të Bahut.

3. Atij i pëlqen dhe aksioma III e cila ndalon fillimin e fugës në piano dhe kalimin në forte në mënyrë graduale deri në fund, të cilën e ka parasysh dhe në lojën e tij.

Në dhjetëvjeçarët e fundit specialistët i ka shqetësuar shpesh zgjidhja e pyetjeve: “A ka evoluar interpretimi? A janë arritur sot majat e interpretimit violinistik të Paganinit apo qoftë edhe të artit pianistik të Listit ?”. Vështirësitë e zgjidhjes përfundimtare të këtyre problemeve janë të mëdha qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se janë të pamundura analizat e fakteve konkrete, të cilat mungojnë (kemi parasysh inçizime të Paganinit apo Listit).

Megjithatë duke pasur parasysh progresin artistik, si një fenomen të pranuar dialektik, është i përhapur në përgjithësi mendimi se interpretimi ka kaluar dhe po kalon nivele më të larta cilësore se sa në epokat e mëparshme. I kësaj pikëpamjeje është dhe Kazalsi, i cili e lidh interpretimin e lartë cilësor sidomos “me të kuptuarit sa më të plotë të muzikës që do të ekzekutohet”.

I nisur nga këto ide, ai bën një pyetje të papritur çarmatosëse “A mund ta kuptojmë ne më mirë se sa pasardhësit tanë muzikën e Bahut dhe të Moxartit?” Siç shihet përgjigja është shumë e vështirë, megjithatë kuptimplote për rëndësinë e dorës së parë që i jep Kazalsi të kuptuarit të përmbajtjes muzikore, si kusht bazë i interpretimit cilësor.

Së fundi në vend të konkluzioneve tona për këtë figurë të shquar, po paraqisim disa konsiderata të personaliteteve të mëdha përparimtare të kohës, që e kanë njohur personalisht Pablo Kazalsin.

“ Kazalsi ishte me të vërtetë një artist i hollë dhe i thellë, thellësisht muzikal në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale… Kazals është interpretuesi më i madh nga të gjithë ata që kam dëgjuar.” Eugjen Izai

“ Kush nuk e ka dëgjuar Kazalsin, nuk mund ta dijë se si mund të tingëllojë një instrument harqesh. Ai është një bashkim i bukurisë shpirtërore dhe materiale në mënyrën më të papërsëritëshme”. Vilhelm Furtvengler

“Kazals mbetet për të gjithë ne një mësues” . Zhorzh Enesku

“Kazalsi është mbreti i harkut” . Fric Krajsler

”Unë e konsideroj Kazalsin si violoncelistin më të madh të të gjitha kohrave. Ai jo vetëm e çoi teknikën e instrumentit të tij në majat më të larta, por arriti tek ky instrument humanizmin më të madh, i cili mund të arrihet vetëm nga artistë me të vërtet të mëdhej”. Jan Sibelius

[fund]

Pa Komente

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin