Nga Ylljet Aliçka
Kritikë-ese mbi romanin “Koha e ngrirë” të shkrimtares austriake Anna Kim
Ka një cak në tragjeditë njerëzore ku nuk mund të pyetet më, kur nuk mund të flitet më dhe ku perceptimi ynë nuk ka fuqi të kapërcejë cakun e të pakapërcyeshmes. Atë cak ku dhembja gërryen tërë qenien e brendshme, pa u lodhur, në majë të gishtave, dhe kur vetë qenia njerëzore harron krejtësisht vetveten.
Çfarë dimë, apo çfarë nuk dimë ne për njeriun që duam apo për dhembjet e shpirtit pas humbjes së njeriut që duam? Kësaj dukurie më mirë se kushdo i përqaset letërsia, falë hapësirës që buron nga vetë natyra e saj.
Këtë gjë bën shkrimtarja austriake Anna Kim në romanin e saj të fundit “Koha e ngrirë”, historia e trishtë e një burri kosovar, emigrant ekonomik në Austri, i cili sapo zbulon zhdukjen e gruas në Kosovën e vitit 1999, ngrin në një kohë të ngrirë apo ekzistencë të ngrirë, mbase në një përjetim minutash, ditësh, muajsh të caktuar, në një lakore të pafundme.
Burri përpiqet të rifitojë ndjesinë se po jeton duke kundërshtuar botën, por e kaluara nuk pranon të ketë të bëjë me të tashmen. Ai përpiqet t’i japë jetës së tij një histori të re, por shpejt kupton se është i paaftë t’i kontrollojë, depozitojë a shprehë kujtimet e tij. Sepse kujtimi është ndjenjë dhe si çdo ndjenjë është i vështirë për t’u shprehur dhe ashtu i terrorizuar nga pamje të pamëshirshme, teksa përfytyron gjëra të panjohura apo fantazma me syze dielli, i dobësuar nga pritja, burri vret veten nga padurimi i dhembjes.
Më shumë si një rrugëtim psikik, romani duket si një përrua i ndërgjegjes rrotull vdekjes dhe pavdekësisë, një përshkrimi gjuhësor të frikës, një kolovitje mes kujtimeve dhe humbjes së kujtimeve, mes përpjekjeve për të ruajtur dinjitetin e burrit dhe gërryerjes së brendshme mes vetëdijes dhe pavetëdijes, mes kohës së ngrirë…
Thënë ndryshe, fjala është për një histori vdekjeje, trajtuar sipas parimit: më trego mënyrën e vdekjes të të them se kush je, apo të të tregoj identitetin e qenies njerëzore. Sipas Kim, për të fituar lirinë, më parë duhet të mësosh se si të vdesësh.
Shkruar me një stil e frymë lirike, dhe nën një vështrim me ngjyresa habie, herë-herë spërkatur me hare depërtuese, autorja përpiqet maksimalisht të jetë e paanshme, pa shprehur hapur asnjë indinjatë apo zemërim moral, sipas parimit: shmangiu ndjenjave, kërko vetëm fakte, bjeri rrotull dhimbjes, i vdekuri ekziston për të tjerët.
Shkrimtarja e re, e cila s’i ka mbushur ende të dyzetat, ka punuar si punonjëse sociale në projektin humanitar Ante mortem data– projekt ky që merret me identifikimin e mbetjeve humane, dhe Individualitetin e kufomave, pas lufte.
Me një intuitë të spikatur femërore ndaj të padukshmes, si dhe falë një ndjeshmërie supreme ndaj së drejtës, autorja e shkruan këtë roman në një kohë kur e vërteta e katastrofës masive kosovare ende nuk është shpalosur në tërë dimensionin e saj të vërtetë dhe kur jo rrallë kujtimi dhe harresa shndërrohen në institucione manipulimi të së vërtetës, për ta mbuluar atë me tisin e harresës apo veshur me ngjyrat e virtytit.
Asaj të vërtete të cilën ndërgjegjja njerëzore, të paktën pas Luftës së Dytë Botërore, duket nuk po ka ende fuqi ta perceptojë realisht.
Ashtu siç dhe truri i njeriut është i paaftë të rrokë konceptin e hapësirës kozmike në pafundësinë e saj, ashtu dhe Kim zbulon pafuqinë e gjuhës dhe arsyes për të realizuar se si dikush nga një aksh etni i çan barkun një gruaje shtatzënë nga një tjetër etni dhe para se ta therë e përdhunojë, e bën film erotik dhe i skalit mbi mishin e gjinjve nga një kryq; apo se si theret një fëmijë dyvjeçar dhe i pihet gjaku në sy të nënës së tij, se si detyrohet babai të përdhunojë vajzën e tij, apo vëllai motrën në prani të anëtarëve të familjes….
Këto nuk janë fantazi, por realitete dhe dëshmi që, qoftë për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të ndrojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet (….kur zëri i dhembjes përpiqet të krehë me ngurrim heshtjen…shkruan Kim,) ti bindesh se ende nuk ka dalë krejtësisht në vëmendje të opinionit publik ndërkombëtar tërë ai krim masiv, polimorf dhe i shumëfishtë, në një kohë kur me qëllim apo kinse spontanisht, me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë përpiqet të fshihet, qoftë dhe duke i kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik. Të asaj mjeshtërie instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë “armikun objektiv” të kombit serb, nëpërmjet “vizioneve profetike” në lidhje me të ardhmen e ndritur të popullit serb në Ballkan.
Kim e shkruan këtë roman-akuzë, në të njëjtën kohë dhe vend kur kolegu i saj i njohur austriak Peter Handke, në tallazin e betejave të perceptimeve të opinionit publik, tek sodiste nga një distancë komode stivosjen e pasforcuar të maleve me kufoma, fillimisht u përpoq të vinte shenjën e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet dhe mbijetesë të viktimave kosovare, për të kaluar më pas në një përqasje kokësëprapthi të atij që ai e quan: “Universi serb i dhembjes”.
“Serbia është viktima e vërtetë e luftërave ballkanike”, deklaron hapur Handke dhe “Shekulli i 21 nuk duhet të pranojë lemerinë që u bëhet serbëve nga shqiptarët e Kosovës”.
Paradoksalisht, këtyre deklaratave i doli për mbrojtje dhe nobelistja Elfriede Jelinek.
Por fatmirësisht, Handke u bë më transparent në keqardhjen e tij të mbrapshtë ndaj dhembjes së kombit serb, atëherë kur mori rrugën për të përcjellë arkivolin e diktatorit Millosheviç drejt banesës së tij të fundit, duke i vendosur përsipër një trëndafil të kuq (sa shpesh është keqpërdorur e kuqja nga njerëzimi…! Y.A.) dhe deklaroi: “Jam i lumtur që përkulem para këtij burri që mbrojti popullin e tij.”
Më kujtohet se pas kësaj deklarate, po atë vit Marcel Bozonnet, drejtor i Teatrit të njohur parisian “Vieux-Colombier”, në lagjen e njohur Quartier Latin,hoqi përfundimisht nga repertori i teatrit të tij pjesët e shkrimtarit Handke, vendim ky që i çau më dysh intelektualët francezë në interpretimet e tyre morale, intelektuale dhe juridike ndaj së drejtës dhe dhembjes ballkanike. “Do të ishte një fyerje për viktimat e Kosovës”, deklaroi Bozonnet në vitin 2007 për të përditshmen “Le Monde”.
Tek mbyll faqen e fundit të këtij romani, vetvetiu provokon dilema dhe mëdyshje të shumta mbetur pezull për një kohë të gjatë: Ç’duhet bërë me kujtesën e vonë ? Cila është detyra e kujtesës dhe ritmi i saj? Përtej emocioneve njerëzore, cili është interesi i bashkëjetesës në Ballkanin e sotëm, harrimi i krimit dhe vështrimi ndaj së ardhmes, apo pranimi i tij dhe përpjekjeve të të kuptuarit mes popujve? Dilema që ende rrinë pezull mbi ndërgjegjen njerëzore të popujve të Ballkanit dhe institucionet ndërkombëtare.
Dhe së fundi nuk mund mos të bjerë në sy diku në roman një nga portretizimet më përkëdhelëse që i janë bërë gjuhës sonë nga të huajt. “Një gjuhë, – shkruan Anna Kim, – që mund veç të pëshpëritet, pasi tingujt e saj merren me mend, një gjuhë që i ngjan një vogëlushi bubulak”.
[Shënim: Këtë shkrim autori e dërgoi posaçërisht për blogun, me ç’rast i jemi mirënjohës dhe e falënderojmë. Titulli është i PTF; titulli i origjinalit: Viktimat nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre të fundit]