nga Gjergji Shuka
Ky shkrim i bashkëngjitur në pdf dhe të tjerë që do ta pasojnë, janë disa kapituj – që u menduan si më të mirët – e një vepre më të gjerë dhe të papërfunduar, e cila synon propozimin e ngjarjeve dhe personazheve historikë të legjendarizuar në disa këngë të vjetra epike. Në fillim shkrimet mund të duken të vështirë për t’u lexuar për shkak të mënyrës si janë ndërtuar, por u zgjodh kjo paraqitje dhe vendosja e këngëve në planin e parë, për arsye të rëndësisë së jashtëzakonshme të këtyre veprave të trashëguara prej shekujsh; sot elementë ndër më të mbresëlënësit e gjithë bashkësisë së kulturës sonë, dhe më parë tekste orale që mbartnin historinë dhe vlerat e shoqërive paramoderne.
Udha e këtij studimi të ri nisi me historinë e perandorit Justin I: Ngjarjet e emigrimit të Justinit dhe dy të rinjve dardanë, Zimarkut dhe Ditibishtit, drejt Konstandinopojës në fundin e shekullit V, korrespondojnë me pjesën e parë të shumë legjendave të vjetra shqiptare, ku rrëfimi nis njëlloj me episode emigrimi të tre shokëve apo tre vëllezërve drejt dheut të huaj. Gjithashtu rinia e perandorit bizantin dhe puna e tij e parë si bari derrash dhe buajsh, na kujtojnë motive të Cikleve më të vjetra epike shqiptare dhe sllavojugore të cilat i përshkruajnë dy heronjtë më të rëndësishëm, Gjeto Basho Mujin dhe Marko Krajleviçin, si barinj të thjeshtë që ruanin në rini kafshët e zotërinjve më të pasur. Megjithëse Markua është lindur në një familje mbretërore, dhe Muji nuk mund të imagjinohet veçse si një prijës shumë i rëndësishëm arbër i mesjetës së hershme nëse konsiderojmë numrin e jashtëzakonshëm të vargjeve, motiveve dhe personazheve kundërshtarë, shpesh mbretër, me të cilët ndërthuren legjendat e ndërtuara rreth tij.
Korespondenca të tjera mes historisë së Justinit dhe motiveve të kujtesës popullore, qëndrojnë sidomos:
– Në faktin se perandori ka sunduar mbi Bizantin në fillimin e shekullit VI; një kohë e afërt me shekujt VII-VIII që janë hapësira historike e menduar prej studiuesve të mëparshëm të epikës shqiptare, si Koha e Parë e saj.
– Në afërsitë antroponimike; të emrit Justin me atë të Dukagjinit gjithashtu personazh qëndror i kujtesës orale shqiptaro-sllave. Për shqiptarët Dukagjini është krijuesi legjendar i ligjeve orale të malësoreve; dhe për sllavojugorët, hero këngësh epike në të cilat emri i tij transmetohet si Dukadin, apo gjithashtu si Dojçin. Dhe në ato toponimike; të emrit të mëparshëm të kryeqytetit të Ilirikut, Justiniana Prima, me emrin e sotëm me të cilin e njohin banorët e vendit, Caričin Grad; apo edhe me vetë formën Jutbinë, kjo e fundit e aktualizuar me shumë gjasa prej malësorëve sllavojugorë.
– Dhe sigurisht në origjinën dardane të perandorit, që do të arsyetonte krijimin dhe transmetimin e këngëve nga iliro-arbrit dhe nga pasardhësit e tyre shqiptarë dhe sllavë.
Përndryshe armiqtë apo kundërshtarët e perandorëve Justin I dhe Justiniani i Madh janë në historiografi mjaft të ndryshëm nga heronjtë kundërshtarë në epos. Përgjithësisht kreshnikët e Ciklit shqiptar luftojnë mbretërit apo komandantët sllavë, arabë dhe magjarë në bjeshkët dhe qytezat bregdetare të Ballkanit perëndimor, ashtu siç edhe duhet të ketë ndodhur vërtetë në mesjetën e errët të shekujve VII-IX, kur fatkeqësisht dëshmitë pothuajse inekzistente nuk lejojnë njohjen e historisë të arbërve të kohës.
Megjithë vështirësitë që paraqet njohja e limituar e mesjetës arbëre; ishte ndërkohë e mundur që të ndiqeshin drejtime të tjera për të kërkuar. Poemat e gjesteve përmbajnë shpesh një dimension gjenealogjik; janë familjet e mëdha feudale që mundësojnë krijimin e këngëve mbi të Parin e tyre, ndaj prijësi qendror të cilin e njohim nën emrin Gjeto Basho Muji, u besua se mund t’i përkiste familjes së Justinit ose që të parët e tij e kanë marrë legjitimitetin e drejtimit të territoreve iliro-arbëre prej Justinit, Justinianit apo perandorëve pasardhës të dinastisë dardane. Gjithashtu fatmirësisht historia e mbretërve sllavë të Antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme – që duhet të kenë qenë jo rrallë kundërshtarë të të parëve të bartësve të eposit – dëshmohet disi më mirë.
Me shpresën se edhe ndonjë detaj i historisë së kreshnikëve arbër do të ishte ruajtur; kërkimi në rrafshin historik u vijua në dy drejtime; mbi historinë e trashëgimtarëve të lisit të gjakut të Justinit, dhe në atë të prijësve mesjetarë sllavë me emra që sjellin ndërmend personazhe kundërshtarë në këngë dhe legjenda shqiptare apo fjalë kuptimplota të gjuhës shqipe, siç janë emrat e dy mbretërve mesjetarë; Musokius dhe Perbundos.
Dhe u ndal në dy personazhe të rëndësishëm të perandorisë bizantine të shekujve VI-VII; në historitë e kundërshtarit të mbretit Musokius, perandorit Murrik Tiberi; dhe në atë të gjeneralit Germanus Anici, djalit të një motre të padëshmuar historikisht të perandorit Justin I; të vetmit në fakt prej familjes së justinëve që ka pasur një trashëgimi të gjatë mashkullore.
Legjendarizimi apo poemizimi i Murrikut, Germanusit dhe familjeve të tyre dallohet shumë qartë, dhe mund të thuhet se pasiguritë për sa ju përket qëndrojnë vetëm në interpretimin e detajeve të rrëfimeve tradicionale, shpesh të thjeshtëzura dhe të ndërrthuara me të dhëna të tjera të epikës kur paraqisnin ngjashmëri narrative.
Në një stad të parë këngët apo poemat shqiptare kanë mbartur elementë të shumtë që i referoheshin fesë së krishterë; antroponimi të krishterë dhe sidomos mrekulli të caktuara Krishtit apo shenjtorëve – siç është për shembull episodi hyjnor i zgjedhjes së perandorit Murrik mes mbretërisë së qiellit dhe asaj të tokës, episod i dëshmuar gjerësisht prej kronikave dhe hagiografive bizantine dhe i ndeshur sot në eposin serb – por tashmë mbishtresa e periudhës osmane dhe procesi i evitimit të elementëve të krishterë, e bëjnë gjithashtu shpesh të vështirë kuptimin e zanafillës të disa pjesëve të epikës.
Një hipotezë tjetër që do të paraqitet; është që këngët më të vjetra të malësorëve shqiptarë dhe sllavojugorë nuk janë krijuar në periudhën e ngjarjeve që rrëfejnë, por ka pasur një krijim të parë shumë të rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit IX ose vitet e para të shekullit X – të mbështetur në kronika të mëhershme historike, mes të cilave dallohen, vepra e Prokopit të Cezaresë dhe “Historia Langobardorum” e Paul Diakonit – dhe kjo hipotezë do të arsyetohet duke filluar prej shkrimit pasues.
Kapitullin e plotë të studimit mund ta lexoni këtu.
Shënim: po fillojmë të botojmë në blog pjesë nga studimi i zgjeruar i Gjergji Shukës për epikën mesjetare shqiptare, të cilin autori pati mirësinë të na e dërgonte të plotë. Përmbledhja e secilës pjesë do të shoqërohet nga kapitulli i plotë, në formatin PDF. Shuka ka formuluar një hipotezë të guximshme për raportet e materialeve të epikës mesjetare me ngjarjet historike, të cilën e mbështet me material të gjerë nga kultura popullore e vendeve të ndryshme të Mesdheut dhe më gjerë të Europës. [2Xh]
Mbreselenese !! Pa fjale…, ne pritje te vazhdimit.
ps- permbledhja eshte jotja Xhaxha?
Jo, edhe përmbledhja është e autorit. Gjetëm një rrugë të mesme midis botimit të materialit të plotë (që do ta rëndonte blogun) dhe botimit të përmbledhjes vetëm – që nuk mjafton për t’i përcjellë analizat dhe hipotezat e tekstit. Kështu lexuesi merr një ide për kapitullin dhe pastaj mund ta lexojë në PDF nëse ngacmohet.
Gjergj,
Po behet gjithmone e me interesante por edhe me bindese. Gjithmone kam pasur prirjen te mendoj se zanafilla e eposit duhet te kishte nje lidhje me kohen e dyndjeve sllave dhe kjo gjetja juaj duket e mirearsyetuar. Pune fort e bukur, urime dhe falemnderit.
Me poshte nja dy komente qe ,kushedi, mund t’ju sherbejne.
Nga materiali : “Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë «i lartë, fisnik», që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.”
Tek Cabej, Stud.etim.II,fq.33 gjejme: Alá “fort mire ,bukur” ,..Prej turq. Álá. Pedersen 106 i cili i jep edhe formen aljá….Sot e vjeteruar.
Kete /aljá/ mund ta lexojme lehte edhe /alia/
Cabej thote se mungon tek G.Meyer-i por tek ky ne fq.44 tek “ allá” gjen : “…prej turq. Alá,I forte,madheshtor, veshtire se qellon ne shenje …”
Nga materiali : “Një hipotezë tjetër, është që fjala “Muj” mund të jetë në vetvete një epitet ose titull i
mëhershëm i harruar. Lahutarë shqiptarë u kanë shpjeguar mbledhësve në fillimin e shekullit
XX, se; “nuk ka pasë vetëm një Muj, në kohët e vjetra emri Muj i jepej çdo burri të fortë”
Tek fjalori I Gazullit ,fq.271-272 gjen :
mujshem-i,adj.njeri i mujshem…
Dhe me pas:
“mujshi-ja,mujçi-ja,shperdorimi i fuqis; kush sundon me mujshi ka me pase mbrapa breshën e stuhi!
Germ. Gewalttatigheit,it.prepotenza,violenza,vessazione.”
Duket qarte qe rrenja eshte muj dhe pastaj i mujshem,si tek: i fuqishem prej fuqi.
Nga materiali : “Vendi njihet me emrin Caričin Grad. Fjalët “car” dhe “grad” (qytet) tregojnë se i referohet emrit të mëparshëm perandorak, ndërsa “çin” mbetet kështu të jetë forma vendase e emrit të perandorit, e prejardhur prej diminutivit të tij në shqipe, “Gjin”
Caricin eshte po ashtu emri i vjeter i Vollgogradit(Stalingradit) dhe sigurisht ketu s’mund te kerkohet nje ‘gjin’ ne rrokjen e fundit.
Ngjashemria e fjales brenda sllavishtes per nga ortografia por jo nga kuptimi do te kerkonte nje koment. Besoj se duhet kerkuar ne sllavishten e vjeter ku pjesa e fundit e fjales mund te rezultoje mbase si ndonje prapashtese. Nuk kam ndonje njohje per sllavishten po druaj se mos kerkimi i ‘gjin’ tek ‘čin’ eshte i tepruar.
Sidoqofte me teper se verejtje eshte nje pyetje
Nga materiali : “Sot në gjuhën shqipe “imshtë” i referohet përveçse një pylli të vogël edhe grykës nga ku derdhet drithi prej koshit të mullirit në mokër, dhe sipas gjuhëtarëve Eqerem Çabej dhe më pas Vladimir Orel; e ka zanafillën pikërisht në “imtë / i imët. Për më shumë Orel V. E. Albanian Etymological Dictionary. Leiden: Brill, 1998, fq”
Eshte edhe tek Gazulli ,fq.181 :
Ipësht-a, 1.ipësht ahash,imshti ahash;lisni ahash se rij,vend me lisa te rij,ipshtak. 2.lugu ku prej gurit te mullinit derdhet mielli i bluem,dishtë-a(krh. slav. diza)
Interpretimi kuptimor ketu mund te behet edhe ‘I ngushte’ , pra nje vend i ngushte, ngushtice qe mund te kaperxehet me lehte..
Faleminderit Fatma
Pasi të jenë hedhur në blog edhe disa kapituj të tjerë; disa pjesë të eposit do të nisin të jenë shumë më të qarta dhe në fund do të mbeten gjithnjë problemet e vërteta të studimit; interpretimet e disa prej të dhënave të këngëve. Unë arrita deri në njëfarë stadi, por më tej shumë gjëra më duken të komplikuara, dhe ndërhyrjet janë vërtetë të mirëpritura. Madje ç’është e vërteta e shoh më shumë studimin tim si një dritare që duhet zgjeruar më pas nga studiues të tjerë dhe ku duhet ndarë prej kujt mundet, e vlefshmja nga e pavlefshmja, ashtu siç ndodh gjithnjë me çdo teori.
Për « imshtë » është mjaft interesante ideja e « ngushticë» dhe për « muj » ideja se më parë mund të ketë qenë një epitet që i referohej « personit që ka fuqinë ose pushtetin », por natyrisht në këtë stad dhe me këto të dhëna që kemi, vetëm mund të spekulojmë.
Për sa i përket fjalës “Alia”, mu duk profetike vendosja e emrit të Halilit dhe atij të Gjergj Elez Alisë në të njëjtin pasazh prej Frano Prendit, ndaj e citova duke e menduar fjalën si një huazim të latinishtes altus (i lartë). Njëkohësisht burimin e konsiderova si mëse të mjaftueshëm dhe nuk kërkova më tej. Gjithsesi mbetet hipoteza e kalimit gjatë periudhës osmane prej Alia në Halil. Po shtoj se në një këngë tjetër (Halili merr gjakun e Mujit) ku e gjithë antroponimia është përcjellë relativisht mirë, emri Halil zëvendëson një emër të mëparshëm longobard “Helmegis” dhe një hipotezë e tretë është që “halil” mund të jetë aktualizuar fillimisht në këtë këngë.
Për sa i përket Carićin, mënyra e duhur për të kuptuar mirë origjinën e toponimit duhet të jetë studimi i sllavishtes së vjetër; dhe përkatësisht, çfarë do të jepte një kalim i shqipes Gjin në këtë gjuhë. Kam lexuar një material mbi këtë vendbanim ku shkruhej edhe për toponimin rus dhe të dy shpjegoheshin nëpërmjet fjalës perandorëshë (carici); por arsyetova se meqë emri i ruajtur në kujtesë si “Carićin grad” korrespondon në dy pjesë me emrin e vjetër të të njëjtit vendbanim atëherë duhet të korrespondojë logjikisht edhe në pjesën e tretë. Dhe njëkohësisht duke menduar se disa këngë mbi heroin Dojçin paraqesin paralelizma me historinë e Justiniant II, them se Gjin ka dhënë Çin në një kohë të hershme në gjuhët sllavojugore.
Po shtoj edhe diçka tjetër megjithëse gjithnjë druhem se do të më duhet të hyjë në zinxhirë shpjegimesh për të cilat duhet shumë kohë për t’jua nxjerrë fundin. Flas për mbretër dhe perandorë të tjerë që pak gjëra i lidh me arbrit mesjetarë, por duhet pasur parasysh se edhe në këngët e vjetra sllavojugore transmetohet shpesh informacioni mbi një « kronikë të vjetër mbretërish » të krijuar nga një diakon ndonjëherë i quajtur Jovan ose ndonjëherë Đače samouče (diakoni autodidakt). Dhe kronika apo epopeja e parë arbre e cila ka ndjekur (më shkurtimisht besoj) shpesh udhën e kronikave të Prokopit dhe Paul Diakonit, mendoj se duhet të ketë qenë pikërisht një histori prijësish dhe gjestesh, e përqëndruar rreth familjes Anici apo sundimtarëve arbër të shekujve VI-IX, siç është vetë Historia Langobardorum për shembull. Për Justinianin II ka shumë të dhëna në epikë dhe në legjenda ; besoj pasi në krye të arbrve në të njëjtën kohë ka qenë dikush shumë i rëndësishëm mbi të cilin ka pasur edhe shumë informacion. Gjithsesi këto që shkruaj tani mund të duken pohime të pabesueshme, por me rradhë dhe me kohë, jam i sigurtë se këngët tona epike dhe historia jonë mesjetare do të sqarohet mjaft mirë.