Në pamje të parë dy janë armiqtë e pyjeve: në verë janë zjarret, në dimër janë prerjet. Në Shqipëri prej vitesh po bëhet kërdia mbi pyjet, si gjatë stinës së verës ashtu edhe gjatë dimrit; madje në mënyrë proporcionale, sa më e nxehtë është vera, aq më shumë bie zjarri në pyje, sa më i ftohtë është dimri aq më shumë i bie sëpata drurëve.
Po t’i referoheshim fjalëve, pyjet do të ishin sot pothuajse të paprekura. Kur flitet për pyjet, te gjithë e pranojmë se përbëjnë pasuri kombëtare, me vlera të pallogaritshme për çdo banor dhe në tërësi për bashkësinë. Figurativisht nuk mungojnë as lotët, as klithmat, në kuptimin që nuk mungojnë njerëzit të cilëve u dhembin vërtet pyjet, sikurse nuk mungojnë ata që e kanë ngritur zërin lart prej kohësh. Megjithatë, çdo vit, sipas stinës, pyjet i nënshtrohen masakrimit ritual me bazë stinore.
“Gjirokastër, abuzime me prerjet ilegale, dëmtohen 50% e pyjeve” shkruante para ca kohësh një e përditshme shqiptare (Shqiptarja, 9 janar 2014). Ata që e njohin sadopak gjeografinë shqiptare, e dinë fare mirë se zona e Gjirokastrës nuk është shquar ndonjëherë për pyje, as për prodhim drunor. Megjithatë e ka sipërfaqen e vet të pasur me pyje. Tani, edhe kjo zonë është prekur nga “sëmundja” e dëmtimit të pyjeve. Kjo do të thotë se në zona të tjera, ku ka traditë të shfrytëzimit pyjor, sëpata do të ketë rënë edhe më keq. Në lajmin e mësipërm përcillet deklarata e Shërbimit Pyjor Rajonal, i cili njofton se janë bllokuar katër ngarkesa me lëndë drusore të prera në mënyrë ilegale dhe se janë gjobitur personat përgjegjës. Tani, bllokimi i katër ngarkesave me lëndë druri nuk është ndonjë fitore e madhe, po të mendosh se janë dëmtuar gjysma e pyjeve në atë zonë. Por më e rëndësishme është të kuptojmë se nuk do të jenë masat ndëshkimore ato që do ta ndërpresin agoninë e pyjeve.
Folëm më sipër për zjarrin në verë e për prerjet në dimër. Nuk duhet fantazi për ta imagjinuar se prapa shkrepëses e sëpatës është gjithnjë dora e njeriut. Kush kujton se zjarret në verë bien nga vapa duhet ta ndryshojë mendimin, sepse specialistët e kanë vërtetuar se dukuria e zjarrit për shkaqe natyrale ndodh në vende me kushte klimatike te ndryshme nga ato të vendit tonë. Për prerjet nuk ka pse zgjatemi, e dimë të gjithë se as ariu, as ujku, nuk e presin degën ku janë ulur, siç bën ndonjëherë njeriu.
Siç jemi vënë në dijeni herë pas here nga masmediat, nuk janë kursyer as parqet kombëtare e as masivet me vlera te veçanta turistike, mjedisore e shkencore, si ato gjatë bregdetit, por edhe në Dajt, Lurë, Theth, Valbonë, Qafshtamë, Llogara, Priskë, etj. Madje nuk janë kursyer as lloje drurësh me vlera te jashtëzakonshme, siç është për shembull gështenja.
Meqë ra fjala, me rastin e prezantimit të librit “Gështenja. Një mike e harruar”, u zhvillua edhe një konferencë ndërkombëtare me titull “Të kultivojmë të bukurën, të mirën, shëndetin, zhvillimin. E ardhmja e pylltarisë prodhuese”, që më shumë se titull ishte program. Më pati rënë në sy atëherë se titulli i librit për gështenjën mund të ndërrohej në “Pylli. Një mik i harruar”, çka nuk do të shkonte larg nga qëllimet e botimit. Në një farë mënyre, gështenja është emblematike: hijeshon, jep ushqim, ofron lëndë drusore. Duket pedante ta përsëritësh, por pyjet janë të lidhura ngushtë me turizmin, mjedisin, shëndetin, ekonominë, etj. Pra me jetën e njeriut.
Në Strategjinë Shqiptare për zhvillimin e sektorit të Pyjeve e Kullotave theksohet me të drejtë se “Pyjet dhe kullotat përbëjnë një trashëgimi me vlera jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e më gjerë. Ajo duhet të mbrohet dhe të qeveriset në mënyrë të tillë që të mundësojë një zhvillim më të madh ekonomik në të ardhmen, duke kontribuar në uljen e nivelit të varfërisë, pa prishur ekuilibrat biologjike natyrore”. Mirëpo, me sa duket, jemi në nivelin e fjalëve, të formalitetit verbal. Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Por jo pylli, i cili rrezikon të zhduket.
Kur lexoj akoma se në Shqipëri pyjet vazhdojnë të dëmtohen, kam frikë se ato nuk janë harruara aspak, sepse zjarret dhe prerjet nuk ndodhin nga moskujdesi, ose nga harresa, por nga babëzia për fitim, ose për shfrytëzim personal. Mbrojtja e pyjeve do të arrihet nga formimi i një kulture të re, jo nga masat e ndryshme administrative që janë të nevojshme, por jo vendimtare.
Personalisht nuk kam pasur kurrë një vizion të skajshëm për pyjet e natyrën, në kuptimin që nuk më tremb shfrytëzimi racional i tyre, përkundrazi më duket se pylltaria moderne është ajo që e respekton pyllin, madje e ndihmon atë të ripërtërihet duke i shërbyer më mirë njeriut. Pyllin dhe njeriun i shoh si dy aleatë, që jetojnë e lulëzojnë në harmoni pranë njëri tjetrit, duke i shërbyer njëri tjetrit. Mirëpo, a mund të ketë harmoni kur tjetri merr në dorë sëpatën e çakmakun?
Problemi i prerjes ne dimer dihet qe vjen si pasoje e ngrohjes. Robi do ngrohet dhe nuk pyet, per ekologji jo jo e jo, por as per shtet. Me sa di une parapelqehen trungjet e trashe, per arsye praktike (kane me shume volum). Kjo eshte pozitive, meqe u jepet kohe fidaneve te rriten. Meqe shteti nuk e zgjidh dot problemin, pasi me pare i duhet te zgjidhe çeshtjen shume te mprehte te ngrohjes ne dimer, mund te investoje ne ripyllezim (meqe fidanet nuk para i prekin, per arsyen e mesiperme).
Shteti fle gjume, por edhe problemi i ngrohjes eshte i pazgjidhshem, prandaj kush ngrohet me dru, kush duke vjedhur energji elektrike e kush me batanije.
Nga ana tjeter, shtepite private/perdhese jane kallkan ne dimer e ne fshat apo periferi te qyteteve jane te gjitha private.
Qeveria mund edhe te shpalle ndalimin e prerjes se pemeve per 2 apo 3 vjet, mirepo kam frike se do ndodhe ndonje revolucion e s’ka per t’i mbijetuar as dimrit te pare.
Interesi ekologjik nuk eshte ne interes te te interesuarit per ngrohje. Kur flet sepata, njerezia eshte ne hall te madh, per t’i qare hallin.
Qytetarëve u duhen dhënë alternativa për ngrohje. Nëpër pyje duhet të këndojnë zogjtë, jo të dëgjohen zhurmat vrastare të sëpatave ilegale. Prerja pa kriter e pyjeve na dëmton të gjithëve, edhe ata që sot ngrohen me to. E nuk po flas vetëm nga këndvështrimi ekologjik, që më intereson relativisht.
Tek fjalia e pare qendron gjithe problemi. Alternativat duhen dhene, çka do te thote qe derisa te jepen, dynjaja do te prese pemet per ngrohje, si ka bere njeriu keto 700 mije vjetet e fundit, qekur zbuloi miresine e zjarrit.
Nqs do te kishte alternative, s’do te kishte prerje per ngrohje, meqenese eshte shume me komode qe ngrohja te te vije ne shtepi sesa ta gjesh ne pyll.
E verteta eshte se alternativa, realisht,nuk ka. Ngrohja me energji elektrike eshte shume e shtrenjte, jo vetem ne Shqiperi, por ne gjithe boten. Ngrohja me gaz, meqe gazi eshte relativisht i lire, supozon nje infrastrukture shume te shtrenjte per privatin (nqs s’do te asfiksohesh me metodat rrethanore).
Problemi eshte me i thelle, sepse kap jo vetem shtepite private/perdhese, por edhe gjithe pallatet, te vjetra e te reja, te cilet s’e kane te parashikuar fare ne strukture ngrohjen e qenderzuar (sikunder ndodh jashte).
Ky eshte problem i pazgjidhshem, as qe mund te mendohet ngrohja e gjithe ambjenteve te shtepise,madje problemi eshte i pazgjidhshem edhe per nje mjedis te vetem, pa shkuar tek metodat e tipit, sepaten pemes, grabit energji apo batanijen supeve.
Pemet jane per zogjte, por keta bejne mire te emigrojne jashte shtetit, derisa ne Shqiperi te krijohen kushtet per njerezit. Ketej s’ka kushte per njerezit, ti thua po zogjte.
Ky lloj fatalizmi na çon në përfundimin se asgjë nuk mund të bëhet, deri sa të rrëzohet edhe pema e fundit nga goditjet e sëpatës. Ka njëzet vjet që mungojnë alternativa bindëse. Pyjet sa vijnë e shkatërrohen e pyllëzime të reja masive nuk ka. Unë jam i bindur se më me leverdi është të përdorim gazin se sa drutë. Shkatërrimi i pyjeve ka efekte afatgjatë, e kur flas me ndonjë krahasim figurativ (si puna e zogjve) e kam fjalën se sëpatës nuk duhet t’i dëgjohet zëri, nuk duhet lejuar të bjerë pa kriter, të presë dru që nuk duhen prerë. Specialistët e pyjeve i dinë mirë këto punë. Unë flas për pylltari prodhuese, çka do të thotë se ka vend edhe për sëpatën, por atje ku duhet.
Analiza jote më duket pak e cekët, sepse mund të jetë e vërtetë që fshatarit afër pyllit t’i leverdisë t’i bjerë sëpatës, por kjo llogari është miope se na shpie në shfarosjen graduale të pyjeve; në këtë rast, mjafton që shteti të financojë për kategori të caktuara konsumin e gazit, duke e bërë të leverdishme konsumin e tij e të paleverdisshëm drurin për zjarr. Por ka edhe masa të tjera që mund të merren.
Nuk e kam të qartë: këto pyje që priten kështu egërsisht, janë prona publike (shtetërore) apo të fshatarëve vetë?
Me sa di unë, pyjet që priten nuk janë pronë e fshatarëve, por kryesisht e shtetit e në ndonjë rast edhe e komunave. Me ligj, në Shqipëri, nuk ka pyje private. Me fjalë të tjera, askush nuk ka tapi për pyje.
Ndoshta këtu është problemi, pra – dhe këtu duhet kërkuar zgjidhja. E kuptoj që mund të ketë probleme me titujt e pronësisë si të tillë, por prona shtetërore fare mirë mund t’i jepet fshatit në përdorim për një periudhë (p.sh. 100 vjet): jo fshatarit, por fshatit. Ashtu, një pronë e përbashkët, si commons, mund të ndihmojë edhe për të rindërtuar jo vetëm pyjet, por edhe komunitetet e masakruara nga ndarjet e pronave së fundi. Lexojeni edhe shembullin këtu.
Une di se edhe ne kohen e Zogut, pronesia private mbi pyjet shkonte tek 5%, qe le shtetin pronar ne mbi 95 % te siperfaqes se pyjeve. Nje pjese e tyre dhe kullotave tani u eshte u kaluar komunave (40% ne mos gaboj) si prone ne modelin e commons.
Por pyjet qe shfrytezohen me shume per qellime negative jane ata qe ngelen prone shteterore dhe u jepen privateve me koncesion. Dhe shpesh demi i madh behet tani per prodhimin e qymyrit.
Po behen 20 vjet qe ngrihet ne shtyp problemi i prerjes se pemeve dhe s’eshte ngritur asnjehere te vetme problemi i ngrohjes (per t’u mbajtur mend, se ndonje ze qyqeje edhe mund te jete degjuar). Po behen 20 vjet qe ngrihet ne shtyp problemi i prerjes se pemeve, po si per inat, ato jo vetem nuk mbarojne, po as duket se do t’i vije fundi ndonjehere, sado qe behet kerdia per eksport.
Shqiperia ka qene ngrohur gjithnje me dru dhe kjo s’ka sjelle asnjehere problem, as perben ky ndonje problem. Po ashtu persa i perket zonave ku rreshket dheu, i dhemb me shume shtepia atij banorit, sesa ty e mua.
Problem mund te jete ripyllezimi, gje qe duhet ta beje shteti.
Shteti nuk duhet te financoje konsumin e gazit, por infrastrukturen e gazit, se aty çalon gomari, aty jane kostot e medha. Po hajde dhe krijo infrastrukture gazi ne gjithe Shqiperine, (tubacione e kaldaja) po ta mbajti. Leqe duke pare si (nuk) funksionojne gjerat, ky propozim eshte si te thuash, shko hidh ne ere Shqiperine. Pra, ngado te vertitesh, zgjidhje nuk ka, te pakten per nja 20-30 vjet sa te behet Shqiperia.
Kush ngrohet me gaz, me mjete rrethanore, po e ben me koston e shendetit te vet.
Sidoqofte, per t’u rikthyer tek fjalia e pare, problemi i vertete eshte ai i ngrohjes, se dynjaja rri me shume veshur brenda sesa jashte, po marrin femijet plevit dhe te rinjte reumatizem. Nqs duam miopi, bej llogari kostot shendetesore te shqiptareve vetem prej problemit te ngrohjes.
Pyjet i ofrojnë shërbime të pallogaritshme njeriut. Ndër to edhe prodhimi i lëndës drusore. Për të përfituar nga të mirat e pyllit, specialistët thonë se pyjet duhen menaxhuar, pra duhen shfrytëzuar e kultivuar. Pikërisht për këtë ekzistojnë shkencat e pyjeve. Në vendin tonë kemi një Fakultet të posaçëm (Fakulteti i Pyjeve, Universitetui Bujqësor i Tiranës) që përgatit çdo vit me qindra specialistë pyjesh.
Po të menaxhohen mirë pyjet, plotësohen pa problem nevojat për lëndë ndërtimi, dru zjarri, mbrojtjen e tokës, etj. E kundërta ndodh kur ato priten pa kriter e në kundërshtim me teknikën. Dikur Shqipëria ngrohej me dru, por sipërfaqja pyjore ka qenë më e madhe, bëheshin prerje selektive dhe mbilleshin me miliona fidanë çdo vit. Edhe zjarret nuk kanë qenë kaq të shumta si sot. Po kështu ndërtimet pa kufi që janë bërë këto vjet, për të cilat është përdorur lëndë drusore marrë nga pyjet pa asnjë kriter.
Kush mendon se pyjet janë pasuri e pambarueshme në rastin më të mirë është naiv. Një tregues indirekt është çmimi i drurit për zjarr në qytet, i cili është shumëfishuar, madje në disa raste më i lartë se gazi dhe se energjia. Specialistët thonë se zona të tëra pyjore, janë zhdukur nga sipërfaqja e Shqipërisë.
Tani edhe ky artikull i Rexhep Ndreut te Shekulli, që më duket relevant për temën:
http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=40958&kat=92