Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DHJETORI I NOBELIT

nga Gazmend Krasniqi

Muaji dhjetor është muaji i Nobelit, si çmim, por edhe si përkujtim i njeriut që e bëri të mundur këtë ngjarje të rëndësisë botërore, sepse ai vdiq me datën dhjetë të këtij muaji. Në këtë kuadër futet edhe ligjërata e fituesit të vitit, të cilat priten me një kureshtje të justifikuar.

Impresionon përkufizimi i dhënies së çmimit Nobel për prozatoren kanadeze Alice Munro, sepse thuhet: “Mjeshtre e tregimit modern”. Kriter më të pastër letrar nuk gjen, kur dihet se historikisht ky çmim ka pasur ngarkesa të ndryshme. Njohësit e historikut të Çmimit (nga brenda dhe jashtë) thonë se kemi ardhur gradualisht te çmimi si i tillë, pra letrar. Ky proces i gjatë ka njohur shumë diskutime, kundërshtime, çka është normale për atë që prej mbi 100 vjetësh qëndron si çmimi kryesor i botës. Për më tepër, gjatë kësaj kohe as qasja ndaj letërsisë nuk ka mbetur në vend, por ka evoluar në mënyrë graduale, nga dekada në dekadë.

Një akuzë e fortë për çmimin ka ardhur nga një studiuese franceze që thotë: një çmim francez që jepet nga suedezët. Kjo ironi përkthehet me mbrojtjen që i bën studiuesja konceptit të letërsisë mbi të cilin jepet dhënia e çmimit, pra diçka që suedezët e kanë importuar nga Franca.

Një akuzë tjetër është ajo e “imperializmit kulturor”. Duke dalë nga eurocentrizmi (një tjetër akuzë) Akademia ka lauruar shkrimtarë të tillë si Orhan Pambuk apo Gao Zingjian. Turqit ankohen se ky shkrimtar nuk është zgjedhja e tyre, çka nënkupton se kanë të tjera koncepte për zgjedhjen. Kinezët nuk e pranojnë laureatin si të tyrin, duke shkuar deri aty sa t’i çojnë përgëzime Francës. Ideja është se mund të ndryshojë kuptimi i kanonit në vend dhe jashtë tij. Për shembull, Çehovi dhe Pushkini nuk gëzojnë të njëjtin kanon si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit, sepse i pari peshon më shumë në Perëndim, ndërsa i dyti në vendin e vet, një ide që ngre diskutime edhe mbi veprën e njohur “Kanoni perëndimor” e kritikut Harold Bloom.

Një akuzë tjetër është ajo e përzgjedhjeve të dobëta. Me hapjen e dokumentacionit, që shkon deri në pesëdhjetë vitet e fundit, Akademia edhe është justifikuar për raste të veçanta. Një i tillë është ai i laureatit John Steinbeck, për të cilin amerikanët qenë ankuar, duke e parë si autor jo të rëndësishëm, nga ata që e ndikojnë një letërsi, apo dhe me oshilacione në krijimtarinë e tij letrare. Hapja e dokumentacionit vërtetoi se ai kishte qenë “më i miri midis të këqijve”, pasi katër konkurruesit e tjerë (nga maji deri në dhënien e çmimit shqyrtohen vetëm pesë autorë të përzgjedhur), qenë edhe më të parëndësishëm.

Vetëm një panoramë e gjerë e historikut të çmimit do të ndihmonte për të kuptuar se si kanë funksionuar gjërat. Në fillimet e veta çmimi është bazuar në konceptin gëtean të Weltliteratur (letërsi e përbotshme), koncept që i kishte bazat te filozofë gjermanë para tij, por drejtimet që merrte çmimi janë përcaktuar nga njerëzit në krye të Akademisë.

Faza 1901-1012 e shihte çmimin Nobel me optikën e idealizmit konservator ala hegelian, që i kishte të shenjta kishën, shtetin dhe familjen. Kjo prirje, që lidhet me qenien e sekretarit në krye të Akademisë, e çoi vlerësimin te shkrimtarë si Bjorstierne Bjornson, Rudyard Kipling dhe Paul Heyse, duke mbajtur larg shkrimtarë si Tolstoi (i konsideruar si shkrimtar i rëndësishëm, por “antikulturë”), Henrik Ibsen (i konsideruar negativ dhe shpirttrazues), Emile Zola (i konsideruar “cinik”), Henry James (i akuzuar si i turbulluar me motive të papastra – ajo që në fakt na tërheq sot) apo Thomas Hardy (heroina e të cilit konsiderohej imorale), sepse nuk i plotësonin kushtet e mësipërme.

Politika e neutralitetit (e lidhur me Luftën I Botërore) që ndoqi Akademia në këtë periudhë, u dha shans shkrimtarëve nga vende të vogla: si Suedia (Verner von Heidenstam), Danimarka (Karl Gjallerup) dhe Norvegjia (Henrik Pontoppidan).

Në vitet ’20 ndodh kthesa te ideja e parë, por këtë herë duke i hapur rrugë shkrimtarëve të tillë, të parë si humanistë, si Romain Rolland dhe George Bernard Show, të cilët nuk mund të përfitonin në faza të tjera.

Në vitet ’30 Akademia përcaktoi kriterin e “dobisë universale”, ku përfituan shkrimtarë si Sinclair Lewis apo Pearl Buck por mbetën jashtë Paul Valery e Paul Claudel. (Një ide që qarkullon për këtë kohë është edhe: pse Buck e jo Virginia Woolf?!)

Në mesin e viteve ’40 (mbase edhe nga vënia në dyshim e disa vlerave morale mbi të cilat bota mendonte perëndimore se mbështetej deri në Luftën II Botërore) sekretari i ri i Akademisë orientoi evidentimin e “pionierëve”, diçka që po ndodhte në fushën e shkencave. Teoria e dobisë universale u interpretua ndryshe: u kërkua kandidati që e pajiste letërsinë botërore me mundësi të reja në pikëvështrim dhe në gjuhë. Paul Valery nuk e kishte fatin të laureohej, sepse nuk ishte gjallë.

Lista e re fillon me Hermann Hesse që një dekadë më parë kishte mbetur jashtë me etiketa të llojit “anarki etike” dhe vazhdon me Zhide, Eliot dhe Faulkner. Duhet theksuar se, ndryshe nga Gabriel Garsia Markes më vonë, i brohoritur ndërkombëtarisht si pionier i letërsisë së realizmit magjik, duke qenë një autor shumë i njohur, Faulkner-i u brohorit si një mjeshtër ekselent i prozës moderne kur ishte një autor thuajse i panjohur.

Zbulimi i mjeshtërve, pothuajse të panjohur për publikun ndërkombëtar lidhet edhe me epokën ku evidentohen emra si Isaac Bashevis Singer, Odiseas Elitis, Elias Canetti dhe Jaroslav Seifert.

Poezia shpërthen në periudhën 1990 – 1996 – Octavio Paz, Dereck Walkot, Seamus Heaney dhe Wislava Szymborska.

Shpërndarja e çmimit nëpër botë, pra ikja nga eurocentrizmi, lidhet me emra si Wole Soyinka, Nadine Gordimer, Kenzaburo Oe, Dereck Walcott, Tony Morrison apo Gao Xingjian.

Kthimi i çmimit si pastërtisht letrar shihet viti 1999, kur ai shkoi te gjermani Gunther Grass. Që në vitin 1972, kur u laurua vetë, Heinrih Boell pat thënë: “Pse jo Grass-i?”. Po atëherë Grass-i qe një mjeshtër i vetmuar, qenë shpallur dishepuj të tij të paktën tre nobelistë: Gabriel Garcia Markes, Nadine Gordimer dhe Kenzaburo Oe. Pra, ndërkohë kishte zënë vend mes “pionierëve”.

Direktivën e re për anën letrare të çmimit e shpreh Sekretari aktual i Akademisë duke folur për “agimin e një kanoni të ri”. Ai shprehet për dhënien e çmimit si një “ngjarje”, për tërheqjen e vëmendjes së botës për zgjedhjen, duke mbështetur idenë se një libër i madh, pavarësisht gjuhës dhe bekgraundit të tij, i përket lexuesve të të gjithë botës. Letërsia e përbotshme mund të marrë formën e një liste leximesh, duke përmbledhur krenarinë dhe identitetin e çdo vendi. Sidoqoftë, thotë ai, nuk është fjala për një hierarki veprash që japin konvencionin e të përkryerës, por më fort të një hapësire letrare: më fort një paraqitje sesa një traditë të veçantë apo kredo estetike. Diçka që ka ekzistuar në fakt, pavarësisht vërejtjeve të shumta, sepse ka më shumë utopi, sesa përmbushje të qëllimit.

Sidoqoftë, një qëllim ngrihet mbi të tjerët: çmimi Nobel shpalos pushtetin e letërsisë së madhe që thyen kufijtë kombëtarë dhe pushton largësitë në hapësirë, kohë dhe kulturë.

Çmimi që i ka shkuar një autoreje tregimesh si Alice Munro, tregon se ai është ndikuar nga evoluimi i konceptit të letërsisë, dhe se, gjithashtu, do t’ia kthejë forcën e vet ndikuese vetë konceptit të letërsisë, diçka që tregu i lirë e ka penguar me forcë, por, sigurisht, pa ia dalë të thyejë ligjet e zhvillimit të brendshëm të kësaj hapësire të krijimit njerëzor.

Ia vlen të kujtohet ky model edhe për ata shqiptarë që ngrenë në këmbë çmime, edhe për ata të rinj që sapo kanë nisur vrapin në tatëpjetat e letërsisë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin