nga Gazmend Krasniqi
Kritika në Austri nuk u ndikua nga fakti se nuk qe pritur mirë nga kritika në SHBA musical-i Drakula, sepse e përshëndeti atë shfaqje. Shfaqja u dha në Gratz, në kërthizën botës ku kishte gëluar besimi i ekzistencës së atyre qenieve të frikshme. Kjo të sjell ndërmend një fakt historik: dekretin e kaluar nga perandoresha Maria-Theresa, i cili ndalonte hapjen e varreve për të kërkuar vampirët, ekzistencën e të cilëve ia kishte mohuar mjeku i saj personal. Të mos harrojmë se në atë kohë ajo mund të lexonte te enciklopedia franceze atë që kishte shkruar Voltaire-i, i cili shprehej për vampirët si për diçka që ekzistonte me të vërtetë dhe për mënyrën se si e shprehnin këtë ekzistencë? Ai përmendte edhe emrat e vendeve ku ato ekzistonin, të cilat qenë në Europën Qendrore dhe Lindore, pra jo në ndonjë skutë të humbur të kontinentit.
Ai dekret ndaloi cenimin e varreve, por, sigurisht, e plotfuqishmja Maria-Theresa, e cila, para prusianëve luftarakë, ia kishte dalë për të mbajtur në këmbë një perandori pa ekzistencën e linjës mashkullore, nuk mund ta ndalonte ekzistencën e vampirëve në krijimtarinë artistike apo besimet lokale.
Është e njohur gjerësisht se ikona e vampirizmit mbetet konti rumun Drakula, siç e përshkroi në libër britaniku Bram Stoker, edhe se muzeu që mban kujtimin e tij nuk është ndonjë kështjellë reale, por ajo që përshkroi ky shkrimtar. Fantazia e ka zëvendësuar heroiken, sepse, as më pak as më shumë, është fjala për një hero kombëtar të atij populli. Jemi në Ballkan, vend që ka prodhuar heronj më shumë se sa i duheshin. Heronj ose histori, që është e njëjta gjë. Edhe Ballkani e njihte perandorinë, por kjo ishte e turqve. Ajo perandori sfidante që, kur mori Kostandinopojën dhe pushtuesi e quajti veten Çezar i Romës, pra pasardhës i Kostandinit, që dikur e solli Romën këtu, ia bëri Vjenës me dije se Europa duhej të kishte vetëm një perandori, që do të thotë vetëm një perandor. Por pushtuesit (si edhe të gjithë pasardhësve të tij), i mbeti vetëm Kostandinopoja, përndryshe nuk do të kishim Maria-Theresa-n, gruan që kaloi ligjin e lartpërmendur.
Dëshmohet nga kronistë perëndimorë dhe turq që, kur mori Kostandinopojën, sulltan pushtues (Mehmeti II) i lejoi vetes luksin që të zhdukej prej qytetit të madh për më shumë se tridhjetë ditë. I japim të drejtë një njeriu që ka bërë pluhur një perandori mbi njëmijëvjeçare, duke i ndërruar hartën njërës prej zonave më të njohura të antikitetit, por nuk e dimë nëse ka peshuar më shumë suksesi apo përgjegjësia para asaj ngjarjeje botërore. Ndërkohë, i kishte dhënë vetes aq pushtet sa u bë i pari sulltan që ligjëroi vëllavrasjen: pra nuk mund t’i ngatërrohej nëpër këmbë as gjaku më i afërt.
Mund të imagjinojmë se si i ndihet një i vdekshëm që e gjen veten te fjalët e profetit e vet, i cili, sipas një hadithi, kishte thënë për ata që do të pushtonin këtë qytet një frazë si kjo:
Çfarë udhëheqësi dhe çfarë ushtrie do të jenë!
(Sipas kësaj, arabët e donin këtë qytet që në fillimet e tyre.)
Mund ta imagjinojmë gjithashtu se nga emrat që i mbërrinin deri në atë vendin jashtë Kostandinopojës, qenë edhe këta: Janosh Huniadi, Gjergj Kastrioti dhe Vladi III ose konti Drakula. Këta tre armiq që ia kishte lënë i ati, i kujtonin se duhej t’i shtypte, nëse duhej ta mendonte veten zoti i kësaj pjese të botës. Ka mundësi që t’i njihte të dytin dhe të tretin, pasi ata qenë rritur dhe edukuar në oborrin e sulltanit, duke njohur edhe islamizimin, sidoqoftë, nuk qe çështje individësh, sepse ata, publikisht, përfaqësonin vullnetin e krishterimit në përgjithësi.
Sot, Gjergj Kastrioti është hero i shqiptarëve, ndërsa Janosh Huniadi është hero i hungarezëve dhe i rumunëve, sepse me të parët i bëri betejat, kurse me të dytët ka lidhje gjaku. Edhe Drakula u shpall atlet i Krishtit, por nuk u imunizua sa dy të parët, sepse qe e pamundur t’i harrohej mizoria e vrasjes së mbi njëqindmijë njerëzve, shifër që mbrojnë disa nga njohësit e tij, apo njëqindmijë evropianëve dhe njëqindmijë turqve, siç duan të thonë disa të tjerë.
Ekuestrot e Skënderbeut te shqiptarët (tiranë e Krujë), e Huniadit te hungarezët (Pecs) dhe e Mehmetit II te turqit (Edirne), bëhen gjithnjë e më të afërta, nga pikëpamja e veçorive të zhanrit, kur sheh një portret skulptural të kontit Drakula. Kur sheh atë portret, sikur të kujtohet ai bastuni që konti ua ngulte në trup armiqve të vet.
Dimë se, për të qenë bindës për mbretin hungarez, se qe kthyer armik i Mehmetit II, në një letër ka dëshmuar: Vramë 23 000 turq… Mizorinë e kishte edhe për ata të krishterë që i kishin vrarë babanë dhe verbuar të vëllanë. Por edhe për gjermanët saksonë, të cilët zotëronin disa miniera dhe tregtinë e vendit. Janë këta gjermanë që i dhanë jehonë emrit të tij të keq, me anën e disa inkunabulave të atij shekulli.
Jemi dëshmitarë se, megjithëse heronjtë e secilit popull “kalërojnë” sot e kësaj dite në sheshe kryesore, në kohën e sotme, po të hysh nëpër librari apo videoteka, shikon se shija e mizorisë është më e pranishme: ky zhanër modern qarkullon e shitet me shumicë. Eposet flenë në programet shkollore.
Mund të mendojmë se, nëse historia do të ndërpritej te sulltan Murati II, nuk do ta njihnim zhanrin e ri të vampirëve, kështu siç e njohim. Gjithashtu, një farë shkrimtari Bram Stoker nuk do të mbahej mend për ndonjë gjë.
Sipas historianëve perëndimorë, megjithëse e kishte rrethuar Kostandinopojën nga të gjithë anët, Murati II nuk kishte ndërmend ta prekte fronin e saj, por këtë e kundërshtojnë lindorët mbështetës të hadithit të lartpërmendur. Kështu, përveç asaj që ka ndodhur një natë në haremin e Muratit II dhe marrjes së Kostandinopojës, dallojmë gjëra për të cilat nuk mund të flitet me siguri.
Biem dakord edhe që ky sulltan nuk mund të mendonte se gjendeshin fije lidhëse mes pjellës së tij dhe një zhanri të ri letraro-artistik. Këtë nuk e dinte as vetë koka e Drakulës: as kur e kishte trupin me vete, as kur po shkonte fill e vetme, tashmë për herë të fundit, në Kostandinopojë.
Megjithëse ishte për të dëshmuar një nga rastet e rralla kur letërsia (fiksioni) fitonte mbi historinë.