Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PRITSHMËRI

Mbledhjet e qeverisë Edi Rama – ende e paformalizuar nga pikëpamja institucionale –, në Vlorë e në Shkodër, nxitën interpretime të shumta. Konteksti i veçantë politiko-kushtetues dhe mbulesa e munguar mediatike ofruan terren pjellor për hamendjet nga më të ndryshmet lidhur me qëllimet e mbledhjeve të mësipërme. Natyrisht, mediat e etura për informacion nuk e shuan dot etjen e tyre për “faj” të vendimit të qeverisë së re, e cila i zhvilloi punimet praktikisht me dyer të mbyllura, duke lënë të rridhte aty këtu ndonjë pikë informacioni në formë imazhi ose cicërimi.

Dashamirësit e Qeverisë Rama panë në dy mbledhjet informale dëshirën për të realizuar sa më shpejt premtimet e fushatës elektorale. Si në mbledhjen e Vlorës, ashtu edhe në atë të Shkodrës, sipas tyre u fol për përparësitë e qeverisjes dhe për programet qe parashikohen të zbatohen nga 100 deri në 300 ditët e para. Kryeministri i ardhshëm shqiptar, Edi Rama, komentoi së fundi në rrjetet sociale: “Piketa të qarta për 100 ditët e para, si edhe për 300 ditët që do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënies me njerëzit”.

Kundërshtarët e koalicionit fitues e akuzuan liderin e PS-së për protagonizëm të pazakontë, madje mbledhjet e qeverisë së re u interpretuan si antikushtetuese, për sa kohë ekziston në fuqi një qeveri tjetër edhe pse për pak kohë. Pati edhe kritikë që e panë veprimtarinë e Ramës si orvatje demagogjike për të bindur elektoratin dhe vendin se po bëhet diçka, ndërkohë që nga opozita u ngritën zëra të ashpër për ta akuzuar se mezi po pret për të marrë pushtetin me qëllim revanshi ndaj kundërshtarëve të vet.

Interpretimi i lëvizjeve të fundit politike, në veçanti të mbledhjeve qeveritare, është disi i vështirë. Kjo vihet re edhe në komentet e ndryshme në media e internet. Me mbledhjet qeveritare, në qoftë se mund t’i quajmë kështu, Edi Rama politikisht me një gur vret dy zogj. Nga një anë i jep përgjigje kërkesës që i vjen nga ana e elektoratit të vet, duke i ofruar si Vlorës (ku u zgjodh si deputet), ashtu edhe Shkodrës, vëmëndje maksimale. Risia e dy mbledhjeve qeveritare ka gjasa të shihet me simpati nga qytetarët e interesuar. Nga ana tjetër, me këto mbledhje informale, Edi Rama mbush zbrazëtinë politike që krijohet në periudhën e stafetës së pushtetit. Këto mbledhje i shërbejnë edhe për t’i shtrënguar radhët e koalicionit, për ta nxehur motorin e qeverisë së ardhshme, duke ia kolauduar mekanizmat, me qëllim që në momentin e duhur të niset me shpejtësi.

Ka edhe mesazhe implicite që vijnë nga mbledhjet e Vlorës dhe të Shkodrës: i drejtohen opozitës dhe qeverisë ende në fuqi të Berishës, duke i treguar se vendimet e saj janë llafe pa vlerë, përderisa ka një qeveri tjetër të ngarkuar nga vota për administrimin e vendit. Kumtet i shkojnë gjithashtu Presidencës dhe aleatëve.

Nëse do ta linim mënjanë idenë e sinqeritetit në politikë, e po ta kishim hundën e ndjeshme, gjithsesi të pamësuar me retorikën e kalbur që përdoret në politikën shqiptare, me siguri do të nuhasnim një farë ere të lehtë demagogjie në mbledhjet e qeverisë ambulante. Simbolika do të na dukej tejet elementare, por sipas gjasës efikase. Në fillim u zgjodh një qytet i jugut, për arsye edhe elektorale (zgjedhja e Liderit), pastaj një qytet i veriut, për arsye gjithashtu elektorale (rezultatet e suksesshme të koalicionit të majtë). Simetria u përgjigjet edhe ekuilibrave të tjera kombëtare.

Qytetet si Vlora e Shkodra, edhe pse në përmasa të ndryshme, kanë vuajtur këto vite nga efektet e margjinalizimit, të vërtetë e të supozuar njëkohësisht, duke e ndjerë veten edhe të frustruara, meqë nuk e kanë parë veten në qendër të vëmendjes; sidomos përballë Tiranës kabà që tërheq jo vetëm popullsinë nga e gjithë Shqipëria, por magnetizon edhe vëmendjen ndërkombëtare, kulturën, ekonominë, politikën. Mbledhjet e fundit i rivënë ato në hartën e vëmendjes kombëtare e të qeverisë, duke ia restauruar dinjitetin “e nëpërkëmbur”. Nuk duhet harruar se mesazhi i shkon të gjithë provincës në përgjithësi, që potencialisht nuk e ndjen veten të harruar si më parë.

Mirëpo përsiatjet e derikëtushme mund të tingëllojnë edhe spekulative, në mos paragjykuese, përderisa do të ketë gjithnjë nga ata që i shikojnë me mirëbesim lëvizjet e politikës. Kanë të drejtë. Në zgjedhjen e qyteteve për mbledhje qeverie mund të ketë peshuar pikërisht ndjenja e harresës që rëndon nëpër provincat shqiptare, ku qendra shpeshherë shihet nga larg dhe e largët. Po kështu logjika veri/jug është bindësZeri_i_Popullit_sondazhi_pritshmeriae, meqë askush nuk duhet përjashtuar nga vëmendja e qeverisë. E kundërta do të kishte lënë vend për polemika të tjera.

Të gjitha këto lëvizje, por edhe vetë heshtja mediatike, kanë vetëm një pasojë: rritjen e pritshmërisë. Nuk besoj se është e rastit që gazeta “Zëri i Popullit” në faqen e vet në internet botoi sondazhin për pritshmërinë ndaj qeverisë së re. Pritshmëria ndaj qeverisë Rama ishte e lartë që me zgjedhjet e fundit, si gjatë ashtu edhe në përfundim të tyre. Fakti është se mbledhje shëtitëse si këto vetëm sa e rrisin pritshmërinë e qytetarëve. Tani prej qeverisë Rama priten vendime konkrete që me mbledhjen e parë, sepse ato propedeutike janë zhvilluar tashmë prej kohësh.

Mirëpo kur pritshmëria e madhe nuk realizohet, vendin e saj e zë zhgënjimi. Kjo, hë për hë, vlen vetëm teorikisht, por nëse e kujtojmë, keq nuk bëjmë.

Pa Komente

  1. Pishak,

    Ne ketyre dikur ju thoshim “djegie etapash.” E gjithe bota ben zgjedhje dhe rotacion pushteti. Liderat e sapo zgjedhur fillojne konsultimet, negociatiat, perzgjedhjet, premtimet, projektet, pazaret mbase edhe me pare se te sigurohen qe jane zgjedhur. Dhe eshte veprim i pergjegjshem, i pranueshem sepse ne nje menyre konfirmon deshiren e liderit per t’ju futur punes sa me pare. Dhe media raporton ne forme hamendjesh e thashethemesh te rrjedhura se kush mund te behet aksh minister etj. etj.

    Nuk shpall njeri veten “kryeminister i zgjedhur” ne republike parlamentare dhe nuk shpall njeri qeverine dhe ben edhe “mbledhje qeverie” pa u mandatuar parlamenti, qe do ti japi votebesimin qeverise. Me pak fjale, ceta duhet te prese te mblidhet fshati nje here.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin