Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, thotë një fjalë shqipe. Megjithatë politika shqiptare dhe mediat na japin çdo ditë shembuj se si fjalët nuk tregojnë çka shënjojnë, por diçka tjetër që ka pak, ose aspak, lidhje me realitetin. Një nga problemet që ka sot ligjërimi publik shqiptar është edhe ai i mbledhjes së fjalëve në vathën e vet kuptimore. Fakti është se sot ato livadhisin nëpër ara të tjera, shpeshherë të retorikës së drunjtë e të pakuptimtë, duke shkaktuar dëme të pamatshme në lëmin e komunikimit.
Të gjitha mediat shqiptare na njoftuan për takimin qeveritar të Vlorës , në hotelin New York, ku Edi Rama zhvilloi një mbledhje dy ditore me 19 ministrat e kabinetit të tij. Tani, mediat përdorën një sërë termash për të informuar publikun për këtë mbledhje. Pështjellimi leksikor ishte mëse evident, ndoshta jo i gjithi për faj të mediave.
Së pari nuk kuptohet nëse veprimtaria e qeverisë Rama në Vlorë ishte takim apo mbledhje. Fjala e dytë evokon zyrtarizëm, ndaj nuk është përdorur shumë, mirëpo nga pikëpamja e kohëzgjatjes dyditorëshja e ministrave nuk mund të quhet takim. Bëhet fjalë për mbledhje, madje për mbledhje të gjatë pune.
Nga organet e shtypit morëm vesh se mbyllja e takimit është njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale nga vetë Edi Rama: “Detyrat tona, pushteti i popullit. Mbyllet në Vlorë takimi i parë informal i qeverisë së re”. Le të lëmë për një çast mënjanë sloganin kryesor të takimit. Pjesa e dytë e informacionit na flet për një takim informal të qeverisë së re. Nga pikëpamja kushtetore qeveria Rama ende nuk ekziston, sepse nuk ka marrë detyrën nga Presidenti, madje nuk ka marrë as votëbesimin në Parlament. Dakord, është çështje vetëm formale, sepse të gjithë e dimë se Edi Rama do të jetë meritueshëm (meqë u votua nga qytetarët dhe aleanca e tij ka shumicën e Parlamendit të ardhshëm) kryeministri i ardhshëm i vendit.
Edhe Ministrat nuk kanë bërë asnjë lloj betimi përballë Presidentit, ndaj nuk mund të quhen të tillë sipas Kushtetutës. Nuk kam asnjë dyshim që ministrat e pranishëm në Vlorë do të konfirmohen në postet e caktuara nga aleanca PSI-LSI, por janë ende kandidatë, për sa kohë jo vetëm Kryeministri Rama mund të ndryshojë mendje, por edhe aleatët e tij mund t’i zëvendësojnë me dikë tjetër. Pra takimi mund të quhej informal, por edhe qeveria e tillë duhej përcaktuar. Madje takimin mund ta kishin quajtur fare mirë formal, përderisa u fol për çështje të rëndësishme për Shqipërinë dhe qeverisjen e saj, pavarësisht nga mungesa e kravatave. Terma më të saktë mund të gjendeshin në fjalorin e pasur politik.
Është e vërtetë se politika u flet qytetarëve edhe nëpërmjet simbolikave e retorikës, porse vitet e fundit shqiptarët kanë marrë doza të tilla aq të rënda, saqë janë afër kolapsit. Në qoftë se zgjedhja e qytetit të Vlorës e ka simbolikën e vet të ligjshme, të lidhur me fushatën e Rilindjes të kryesuar nga PS-ja, slogani “Detyrat tona, pushteti i popullit” duket tejet retorik, sikur vjen nga thellësitë e fushatës elektorale, tashmë të mbyllur një herë e përgjithmonë. Nuk po i hyjmë këtu shprehjes së konsumuar “pushteti i popullit”, me shpresën se brezave të rinj nuk i tingëllon aq keq sa u duket atyre që e kanë njohur sado pak propagandën e diktaturës shqiptare. Pa dashur të jemi instrumentalë e tendenciozë, na duhet të kujtojmë se pushteti i popullit është përkthimi i fjalës demokraci, porse gjatë totalitarizmit, në ligjëratën e tij, ishte sinonim i diktaturës së proletariatit. Do të kishim parapëlqyer sloganin “Detyrat tona, pushteti i qytetarëve”, edhe pse fjala pushtet nuk bind deri në fund. Nuk besojmë se po kërkohen qiqra në hell.
Kritikat që erdhën nga radhët e selisë blu nuk ishin bindëse, edhe pse në disa pika ishin të ngjashme me radhët e mësipërme. Nga një anë u përdorën tone të larta, duke i konsideruar pasaktësitë e aleancës fituese pothuajse si atentat ndaj Kushtetutës e duke përdorur një gjuhë elektorale. Nga ana tjetër, e interpretuan lëvizjen e Ramës (mbledhjen e Vlorës) si babëzi për të marrë pushtetin. Mbitonet e përdorura i zhvlerësuan kritikat për mosrespektim të kushtetutës në drejtim të mazhorancës së re, çka iu shtua ndjesisë se predikimi po vinte nga një palë që deri dje nuk është se ka treguar ndonjë respektim të veçantë për institucionet. U duk sikur shikonin qimen tek syri i tjetrit, ose sikur e bënë qimen tra, po t’i qëndrojmë metaforave me një bazë leksikore. Kjo nuk do të thotë se Rama nuk pati synime politike me mbledhjen e Vlorës, duke filluar nga kumti që dëshiron t’i dërgojë vendit, opozitës e mazhorancës së vet.
Fitorja e Edi Ramës ka krijuar pritshmëri të padiskutueshme tek pjesa më e madhe e qytetarëve. Tek kjo pritshmëri duhet futur edhe kërkesa për respektim, edhe formal, të rregullave të lojës, përfshirë formën e fjalët e përdorura, sepse siç e dimë, në disa fusha, forma është përnjimend përmbajtje.