Unë nuk besoj se të gjithë politikanët janë hajdutë apo të korruptuar, por besoj se të gjithë, pa përjashtim, pranojnë të thonë çfarë nuk mendojnë ose të mos thonë tamam çfarë mendojnë. Për mua ky kompromis është i vetmi mëkat absolut i politikanit, që e ndan nga njeriu i lirë dhe e fut në rrugën pa kthim të mashtrimit të vetes dhe tjetrit. (Këtu nuk është rasti të diskutoj nëse ekziston ose jo “njeriu i lirë”.) Ndaj nuk çuditem që besueshmëria ndaj politikanit kudo në botë është tejet e gërryer.
Çështja është që në një listë tiparesh që unë konsideroj si guidë e së pacënueshmes, të qenët i vërtetë me veten dhe tjetrin është themelor, ngaqë e shoh si shtyllën e integritetit të individit dhe të dinjitetit njerëzor. Le ta quajmë këtë vlerë “vërtetshmëri”, përderisa fjala “ndershmëri” është sot semanitikisht e korruptuar.
Shpesh është qëllimi imediat, ai që, jo veç drejton radhitjen subjektive të të ashtukonsideruarave vlera, por edhe që i ndryshon ato nga viti në vit, duke formuar publikisht një person të ndryshëm por që mban të njëjtin emër dhe trajtohet shoqërisht pak a shumë si i njëjti entitet. Dhe nuk është e thënë të kesh një post të lartë politik që të sillesh në këtë mënyrë; mund të jesh edhe një administrator i thjeshtë i një kompanie çfarëdo e të kesh po atë instinkt politik . Veçse sa më lart në shkallaren e politikës, aq më e vështirë të dalësh pa lagur nga lëkura e politikanit: politikan sot, politikan për nga mot!
Por njerëzit janë qenie të afta për t’i dhënë shoqërisë edhe kur vërtetshmërinë e rreshtojnë nga mesi apo fundi i listës së vlerave. Nuk është e thënë që politikani, megjithë problematikën e thelbit të vet, të mos kryejë akte të rëndësishme në të mirë të publikut. Megjithatë, edhe mbi gamën e bëmave të politikanit më të drejtë e funksional rëndon “fytyra politike” që politikani e ruan me çdo kusht, sepse tashmë njerishmëria e tij kalon pikërisht në atë kanal gjallimi dhe shprehjeje që shkel mbi vërtetshmërinë.
Besueshmëria e tij, qoftë ajo para pasqyrës, qoftë ajo në shtrat, janë çështje që varen pikërisht nga “fytyra politike”. Por a është cilësia e të mbeturit pa vete diçka që njeriu e ka paraprakisht në natyrën e vet duke pasur kështu edhe potencialin e të kthyerit në politikan, apo domosdoshmëria e vënies së vetes në shërbim të një njësie madhore jopersonale dhe një lloj grade kameleonizmi zhvillohen pasi personit i shket pak këmba e bëhet pjesë e liqenit të politikës? Unë besoj se është e para, por arsyeja që besoj kështu është thjesht një hamendje logjike e provuar nga jeta dhe jo nga eksperimenti.
Thënë gjithë kjo, pa politikanë nuk mund të jetojmë: ata janë pjesë e së vetmes botë që njohim dhe asaj që imagjinojmë. Ndaj kur dëgjon që i hyri politikës filani që e njeh si njeri të realizuar, me mendje të hapur apo me dëshirën dhe vrullin për të ndryshuar për mirë gjendjen e njerëzve, nuk mund të mos ndiesh një lloj gëzimi: së paku trupi politik, nga i cili njëfarësoj varemi të gjithë, ka tashmë elementë me disa vlera e ndoshta me fuqi rrezatuese ndaj së keqes që ka mbërthyer politikën shqiptare që në fillesë.
Nga ana tjetër, e ndien që diku në një cep të sëmbon e të qan zemra që tufa e njerëzve që ti e konsideron si pjesën që e mban mbi ujë një shoqëri me tendencë fundosjen, humbi një njeri. Mikun tënd thjesht e humbën njerëzit dhe e fituan politikanët. Kjo ndarje kampesh është e qartë dhe e pandryshueshme, sido që në çdo fushatë zgjedhore thuhet se qeveria e ardhshme do t’ua kthejë politikën njerëzve, interesave dhe së ardhmes së tyre. Sidoqoftë, matematikisht jam e paaftë të përllogaris vlerën rezultante të kësaj lëvizjeje me dy kahe të individëve nga njëri kamp tek tjetri, por në vlerën absolute që ia besoj vetëm ndjesive të mia, e quaj humbje. Ndoshta e shoh kështu ngaqë nuk kam as gjak, as syze e as karrige politikani.
Kjo është edhe perspektiva nga e cila unë gjykoj qeverinë e fundit tiranase; janë në fund të fundit të gjithë njerëz që i josh politika (dhe jo thjesht për ta diskutuar metafizikisht), dhe shohin në të një mundësi përmirësimi të jetës së vet, të të tjerëve (?),ose (më e mundur kjo) të të dy palëve. Por, së paku, shumë prej tyre nuk janë politikanë me huqe e karrierë të gjatë, janë relativisht të rinj dhe janë gra. Mendoj se edhe vetëm kaq i jep qeverisë së re një fytyrë më të pastër e të ndershme sesa po të kish qenë ndryshe, dhe si një thyerje qoftë edhe e pjesshme me sa pritej, i jep asaj tharm revolucionar.
Është pikërisht tipari që dikur kam menduar se Edi Rama do mund të sillte si risi kur ia hyri politikës shqiptare, dhe që unë shpresoj të mos ketë vdekur tek ai. Shpresoj që, me gjithë kompromiset dhe lidhjet e papastra politike dhe ekonomike të së shkuarës së tij, pjesa e artistit që thyen e shkatërron një kornizë dhe status quo të vjetëruar, të drejtojë politikanin. Jam rast i dëshpëruar që ende besoj se ka mbetur gjësend gjallë prej artistit që politikani s’e vrau tek ai? Çmenduria do shoqëri, them unë. Dhe ende besoj se, ndër tiparet më produktive të një politikani në kushtet e Shqipërisë është “çmenduria”, kuptuar si aftësia rrezikuese për të thyer sisteme të ndërtuara keq, qoftë edhe “godina” afër vetes, qofshin ato të ndërtuara nga vetë shkatërruesi.
Shkurt, unë rri e pres që fuqia (e dëshiruar) që ka sot, t’i japë Edi Ramës dorë të lirë t’i rikthehet personës së vet të shkuar, ndryshuar e deformuar gjatë viteve në politikë dizavantazhi. Për aq kohë sa nuk ka fakte se qeveria e tij e re është një grup njerëzish të paaftë të kryejnë punën që kanë marrë përsipër (ose më të paaftë se dikush tjetër që do mund ta bënte më mirë), unë e shoh këtë qeveri si hapin e parë drejt kësaj thyerjeje me të shkuarën, dhe jo si një mashtrim politik formal e as si produkt të synimit për të pasur vartës të bindur, dy interpretimet themelore negative në media sot.
Nuk ka asnjë provë që kjo qeveri e re të përdorë imazhin për mashtrim më shumë sesa çdo qeveri tjetër; përkundrazi! Dhe, së dyti, çdo kryeministër synon të ketë një grup koheziv dhe të qëndrueshëm rreth vetes; ndryshe s’mund të shpresojë në mbarëvajtje e reformë, aq më pak në thyerje të një shtylle themelore të sistemit siç është korrupsioni. Kjo qeveri nuk më duket si “më e bindur” se të mëparshmet; edhe një herë them: përkundrazi! Nëse ka pjesëtarë të korruptuar ndërkaq (kam lexuar aludime lidhur me Peleshin në Korçë), është mirë që këto të dalin në shtyp herët e para se qeveria të nisë punën, sesa më pas. Por bindja dhe të qenët i korruptuar, edhe pse duket sikur duhet të shkojnë bashkë, por eksperienca tregon se shpesh nuk ndodh kështu.
Por, sado që shoh se grupi i ri qeverisës praktikisht ka shanse të shënojë përparim e të ndryshojë së paku në një nivel modest gjendjen e keqe lënë nga qeverisje të njëpasnjëshme kryesisht hajne dhe injorante, nuk mund të mos e kem dyshimin nëse do ia dalë.
E di që njerëzia dhe mediat tona e kanë harruar këto ditë natyrën kriminale të Ilir Metës, fitimtarit të vërtetë të zgjedhjeve të 2013 (ndoshta edhe se u lodhën së rrahuri ujë në havan). Sido që nuk është kryeministër, ai është politikani më pak idealist që mund të imagjinohet: i egër, i paskrupullt, i hidhur, përllogaritës, me interesa private gjigante që bien ndesh me një politikë të painteresuar. Çdo lloj stabiliteti marrëdhëniesh me të është i dridhshëm. Meta nuk është as i pastrueshëm, as i kontrollueshëm, as i eliminueshëm. Si mund të qeverisësh mbarë, kur i ke borxhe Metës dhe ha në një çair me ministrat e caktuar dhe kontrolluar prej tij? Kështu gjykimi im kalon prapë në arsyetimin tipik të kampit të cilit i takoj, atij të jo-politikanit, që kompromisin, edhe kur e pranon, e do të mbajë erë livandoje barishtore.
Megjithatë, kujtdo kampi i takofsh, duket sheshit se shanset për qeverisje të ndershme (qoftë edhe në terma relativë) janë më të larta, sa më të pakorruptuara të jenë forcat që cysin me hostenë politikë apo financiarë qeverinë.
A do munden qeveritarët e rinj (që padyshim mbeten në thelb politikanë) të sjellin aftësinë për të prishur e rindërtuar në masën dhe mënyrën e duhur? A do mund të shohim një rikthim të Ramës artist jo në kuptimin e mbulimit me bojë të një objekti, por të ndryshimit radikal të tij dhe krijimit të një të riu? Këtë duhet të kemi pak durim që ta shohim e masim. Mbaj mend që kur fitoi zgjedhjet e para Bush-i (bir), im shoq që ideologjikisht mbetet besnik i barrikadës revolucionare të Amerikës së 1968-ës, nisi të turfullonte dhe të ulëriste për fatin e tmerrshëm që e priste Amerikën dhe botën pas zgjedhjes së një të paafti dhe reaksionari si Bush-i.
Mbaj mend që u zumë atëherë, dhe i thashë se është fanatike dhe e mbyllur një mendje që nuk i jep as shansin e një fillimi qeverisjeje një presidenti të ri që u zgjodh demokratikisht nga (gati!) gjysma e amerikanëve votues, dhe që është dallimi i parë e i domosdoshëm mes një mendjeje konservative dhe një liberaleje. Pas luftërave të panevojshme e të tatëpjetave morale dhe ekonomike që e pllakosën Amerikën e Bush-it, im shoq ma ka tundur disa herë gishtin para fytyrës: “a nuk të thashë?!”.
Kish të drejtë ai për Bush-in, por edhe unë kam të drejtë të mendoj se çdo politikani i duhet dhënë hapësira e duhur që të tregojë se çfarë mund të bëjë pa u paragjykuar. Qeverisë së re kjo e drejtë i takon, jo veç në faktin që ka gjasa të sjellë ndryshim sepse në të ka “njerëz ndryshe” e “të rinj” në politikë, por edhe sepse, pa mbështetje e besim njerëzish jashtë politike, çdo rrugë “ndryshe” do ishte e dështuar që pa u bërë. Dhe askush nuk do donte këtë fat për të ardhmen.
[Shënim: titulli është i PTF. Origjinali titullohej: Politikani dhe qeveria Rama 2013.]
Është shumë e drejtë thelbi I shkrimit të mësipërm, të besojmë dhe të shpresojmë se ditë më të mira do të vijnë sepse fundja me keq se kaq nuk ka ku mund të shkojë ndaj të mos paragjykojmë qeverinë e re edhe pse kjo qeveri ka aq shumë figura të hershme dhe të përlyera….por për hir të shpresës le të mos paragjykojmë apo më mirë keqgjykojmë që në fillim por po aq i drejte eshte dhe kjo qe po paraqes me poshte.
Do të isha shumë më pak paragjykues sikur Edi Rama të ishte politikani që u përshkrua më sipër madje do isha akoma dhe më pak i tillë sikur ai të përvishte mëngët kundër sistemit që ka trashëguar nga qeveritë e para. Mirëpo mes realitetit dhe ëndrrës ka përherë një GAP e sa më i madh që të jetë ky GAP aq më i dhimbshëm është i pari. Ndaj nuk mund të pranoj karahasimin (edhe pse të dështuar sipas mendimit tim) mes Bushit dhe Ramës, por kur t’i vijë koha kësaj pjese.
Së pari qeveria e re nuk ka premtuar një luftë kundër sistemit që kemi trashëguar (së paku që nga koha Nano) këto vite, Ironikisht kjo qeveri ka në përbërje “bllokun e zi” që e pamë me zë dhe me figurë nga dora e Top Channel. Sikur të ekzistonte pak katarsis dhe moral mendoj që më së paku Ilir Meta duhej të largohej nga LSI dhe të qëndronte i heshtur në hije por ja që ai është kryeparlamentari i ri dhe se ligjet do na i BËJË HAJDUTI (siç thosh Sokrati). Vërejmë pak me vëmendje këtë pjesë të rëndësishme sepse nuk është pak që burri me bllok në dorë jo vetëm fiton 17 deputet por dhe vjen e të bën ligjin e unë këtu nuk mund të bëjë sikur s’di gjë madje as nuk mund të qëndroj pa keqgjykuar qoftë edhe që në fillim. Është logjike që unë të paragjykoj dhe keqgjykoj një qeveri të përbërë nga ministra që janë akuzuar por edhe janë përgjegjës për degjenerimin e sektorëve publik si Spitale, Industri Energjitike, Ministri të Jashtme e kështu me rradhë.
Së dyti shkrimi fton që nëse ka fakte për Peleshin atëherë le të dalin që tani këto fakte në gazetë në mënyrë të tillë që të gjykohet Peleshi dhe mos të keqgjykohet qeveria që para se të nisë punën duke harruar fjala vjen që Kokdhima është ndër ato pronarë mediesh i cili i vonon me muaj të tërë pagën punonjësve. Një pronar mediesh që ka akuzuar dhe ka hedhur në gjygj analistë vetëm e vetëm se s’kanë folur sipas vaktit të tij, të mos flasim pastaj për persona si Doshi, Sterkaj të cilët nuk janë as më shumë e as më pak vetëm se gangot që kanë ruajtur votat me armë në veri të Shqipërisë e që nëse hapen dosjet e tyre do të gjejmë që në të shkuarën kanë goditur me hunj kolegët e shefat e tyre socialistë.
Tani për së treti le t’i rikthehem Bushit dhe krahasimit të tij me Ramën. Së pari Bushi arriti të fitonte jo vetëm se populli deshtë konservatorizmin por edhe për shkakun e thjeshtë se Demokratët i kishin vendosur përballë figura jashtëzakonisht të dobëta ndërkohë që Republikanët i mëshuan fortë dhe figurës së Bush Senior. Ndërkohë që Rama kishte përballë një makinë të fuqishme zgjedhjesh si Berisha i cili edhe sot po të bëhen zgjedhjet është po aq i karikuar sa në 92’ ama kësaj rradhe vota e blerë e LSI dhe vota kundra (e ndikuar nga shumë faktorë përpos aleancës PD-LSI) ndaj Sali Berishës mundësuan largimin e të fundit. Të krahasosh gabimin e popullit amerikan në zgjedhjen e Bushit me pamundësinë për të zgjedhur diçka tjetër nga votuesit shqiptar është e gabuar. Po lexoja para disa ditësh një numër të vjetër të Përpjekjes ku Rama ka shkruar artikuj të shumtë e hera herës ironinë dhe sarkazmën e tij e ka përdorur edhe përmes pikturës ndaj politikanëve….po të shikohet me vëmendje ai është kthyer pikërisht si ato politikanët të cilët në një tregim të tijin janë më keq se sa Pinoku.
Si përfundim mendoj se kjo qeveri i ka të gjitha argumentet dhe faktet për tu paragjykuar dhe keqgjykuar dhe jo për mënyrën se si erdhi në pushtet por për mënyrën e kompozimit të saj. Ky parlament është një shaka e hidhur që po na bëhet duke na vendosur në krye të tij një hajdut i cili nuk është asesi më i mirë se sa një Jozefinë që ëndërronte të bëhej aq autoritare sa Berisha në qeveri. E të besosh vetëm tek një individ (Rama gjysëmpiktori që i ka shpëtuar kthetrit të politikanit) është si të besosh tek Basha që do t’i bëjë dalje hijes së Berishës dhe familjes Berisha në PD dhe Bashki, është të krijosh një idhull të ri për shoqëinë tonë tanimë që Berisha (i fundmi) ra. Gjykoj që ne nuk kemi nevojë për kësi gjërash, gjykoj që kemi nevojë për më shumë ndërgjegjie qytetare e sa harxhojmë fjalë duke mbushur mendjen të mos paragjykojmë atë apo këtë më mirë të harxhojmë fjalë të ndërgjegjësojmë shoqërinë tonë për realitetin që po jetojmë sepse po shoh që gjithnjë e më shumë shoqëria po e pranon realitetin e mafias dhe mënyrës ilegale për të bërë para madje e stimulon këtë udhë dhe kjo është për të ardhur keq. Ta lëmë qeverinë të paragjykohet dhe të mundohemi të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë dhe reale.
nese qeveritaret e rinj kane vjedhur dhe kryer akte korruptive, pa dyshim qe duhen gjykuar, them edhe une, Xhabyn. Por une nuk kam lexuar mbi akte te tilla te provuara. Ndaj them te mos paragjykohen. Sa per gjykimin ndaj menyres se si do zhvillohet kjo qeveri, ate e kemi jo vec si te drejte por edhe si detyre te gjithe.
Nuk kam krahasuar Bushin me Ramen. Kam thene se sido qe u zhgenjeva me besimin qe desha te ndertoj ne raport me Bushin dhe administraten e tij (kundershtare me parimet e mia), per arsyet qe permend ne shkrim, besoj edhe nje here tjeter sot ne kushte te ndryshme, derisa te kem nje arsye te re te mos besoj.
“nese qeveritaret e rinj kane vjedhur dhe kryer akte korruptive, pa dyshim qe duhen gjykuar, them edhe une,,,Por une nuk kam lexuar mbi akte te tilla te provuara. Ndaj them te mos paragjykohen.”
Natyrisht që kanë vjedhur madje dhe ditën për diell (a nuk mjafton video mbi të cilën u ngritën dhe opozita me njerëzit në 21 Janar?) madje dhe vetë Rama është akuzuar deri dje si Mr. 20% dhe si një ndër arkitektët e lidhjes së medias me politikën dhe pushtetin permes formave korruptive.
Por le të mendojmë për një moment që nuk kanë vjedhur asnjë grosh, a mund të mos jem unë paragjykues ndaj një qeverie ku pjesëtar të saj janë ministra të LSI që në rastin më të keq janë keq manaxhues? Ja të marrim me radhë këto eksponentë nëse dëshironi, Nasip Naçon i cili u akuzua për tenderat e Albpetrolit (tendera miliona euro) të vazhdojmë me Edmond Panaritin që ka qenë në krye të një ministrie të mbushur me emërime nepotike dhe problematike (sipas vetë Edi Ramës, kryeministrit në pritje), Edmond Haxhinasto një tjetër ish ministër i jashtëm dhe ministër i ekonomisë. Këto janë figura që jo vetëm kanë rezultuar problematikë në pjesën korruptive dhe abuzive por më së paku kanë rezultuar inefiçent dhe janë po këto personazhe që janë pjesë e një qeverie që juve ftoni të mos ta paragjykojmë. Ah, nëse është fjala të mos paragjykojmë pjesën PS të qeverisë atëherë kjo eshte tjeter gje
Ndaj vazhdoj të mendoj që është tërësisht legjitime që kjo qeveri jo vetëm të paragjykohet por edhe t’i matet koka me fije peri, siç thotë populli, në çfarëdo veprimi që bën.
“është tërësisht legjitime që kjo qeveri jo vetëm të paragjykohet por edhe t’i matet koka me fije peri” – t’i matet koka me fije peri – ketu sigurisht jemi dakord. S’eshte e njejte me paragjykimin, vetem. E them edhe ne shkrim sa e rrit dyshimin per progres te vertete pjesa e LSI-se ne qeveri dhe ne tere procesin zgjedhor. Per mua ajo pjese e qeverise dhe ndikimi i Metes mund te rrezikoje cfaredo mundesie per te luftuar dallaveret e pushtetit. Por ka edhe nje pjese te re kjo qeveri qe e ben krejt negativ paragjykimin e qeverise si e tere.
Ke te drejte: ndoshta duhet ta specifikoja me mire simpatine per pjesen ministrore te kontibuuar nga PS. Ndaj mendova se ndjekja e akteve te shkuara e te sotme duhet bere nje per nje, ndersa programi per nje qeverisje ndryshe duhet mbeshtetur pa u paragjykuar. Dhe ne fund te fundit gjykimi eshte i mjaftueshem, kur dihet se ai nuk bazohet vec mbi aktet e se sotmes por edhe ato te se shkuares.
Atëherë le të diskutojmë nëse është e drejtë apo jo të paragjykojmë një qeveri që po krijohet në një sistem të tillë. Pra le ta shtrojmë pyetjen “A mundet të paragjykojmë një qeveri që ndërtohet mbi një sistem aktiv korrupsioni? A mundet kjo qeveri që kur qe në opozitë nuk denoncoi sistemin por individin dhe individët që ishin pjesë të qeverisë ta luftoje ate?”
Në logjikën time se si i shoh qeveritë në vendin tonë e shoh problematike sistemin e ndërtuar dhe jo thjesht individin, pra ndryshe nga Rama përpara emisionit Hard Talk unë shoh me problem sistemin i cili për mua është ai që e krimb dhe e shkatërron edhe njeriun më të ndershëm që dëshiron të punojë. Mirëpo, me aq sa kam dëgjuar nga Rama, unë nuk kam parë një përbetim të tij se do të luftojë sistemin por kam parë një qëllim të tij të largojë individët nga politika.
Gjithashtu dhe historiku i ngjarjeve politike në Shqipërinë tonë post-komuniste më detyron të jem gjithnjë e më shumë paragjykues ndaj qeverive që vijnë jo se janë më të besueshme se pala tjetër por sepse pala tjetër e ka tepruar me pushtetin. Kështu pra, Berisha 2005 iu tolerua autoritarizmi vetem per te larguar Nanoizmin, askush nuk mendonte se ai (Berisha) do të abuzonte me pushtetin e tij në shpinë të parave të taksapaguesve por ja që kjo ndodhi dhe miti i Berishës së ndershëm dhe me duar të pastra ra.
Të dy argumentet e përmendura më sipër më bëjnë sërish skeptik deri në paragjykim ndaj një qeverie të mbuluar edhe me hije dyshimi thuajse për çdo ministër të saj por edhe sikur të mos qe kështu sikur ministrat të qenë të zbritur prej qielli apo Zvicre sërishmi do isha skeptik sepse sistemi që është ndërtuar nga po këta figura politike është tërësisht korruptiv dhe abuzues. Ndaj dhe ngulmoj që detyra e çdo intelektuali apo veprimtari të shoqërisë është evidenimi i sistemit dhe ndryshimi i tij duke filluar që nga shoqëria
Si një ide e paqartë fillimisht, por nga fundi dukej se paragrafët të drejtonin drejt formulimit çka në greqisht e transliteruar quhet “fuqia e apolutrósis-it”, apo në anglisht “the power of redemption”.
Në përdorimin e vjetër, në greqisht, ishte thjesht një transaksion, të blesh, të fitosh lirinë e dikujt me para, edhe të shpëtosh dikë nga skllavëria duke paguar për të. Për krishterimin “redemption” ishte sakrifica e Jezusit, që bleu lirinë e mëkatarëve, njerëzve në tokë me gjakun e tij.
Shqiptarët nëpërmjet zgjedhjeve, kanë bërë edhe zgjedhjen se kush do të kryqëzohet në kryq për ta, për të larë mëkatet e tyre.
Politikani është përzgjedhja, që njerëzit mëkatarë e vëne në krye të punëve për t’i shpëtuar nga mëkatet e tyre. Por ai, pavarësisht, është mëkatar si ata, nuk është Mesia.
Pra duket se, “redemption” duhet të fillojë nga vetja, nga vete politikani. Por si i vete halli kur politikani është edhe kryemëkatari? Kush do të pagojë për çlirimin prej mëkateve të tij? Cilët janë kufijtë e “redemption” në politikë?
Duket se për dikë, rruga më e shkurtër për “redemption” është zgjedhja ne krye të shtetit, për të bashkuar mëkatet me një kryemekatar, që si rrugë më te shkurtër për të larë mëkatet, ka gjetur rizgjedhjen.
Nuk e kuptoj paragrafin e pare, Evdote! Une te majten e kam mbeshtetur gjithnje ne parim, nese e ke fjalen per mua. Per ate qe quhet e majta shqiptare (te kohes se socializmit apo te sotmen), eshte tjeter ceshtje pastaj. Shkrimi persiat poziten time ndaj personash konkrete dhe qellimesh konkrete qe sot per sot lidhen me qeverine e Rames. E mbeshtes per arsyet qe them, dhe kam frikerat e mia, per ato qe them.
Per sa i perket Metes, ndahemi: per mua gjykimi moral ndaj individit, edhe politikanit, nuk eshte absurditet i atyre qe mbahen si shenjtore donkishoteske (sido qe e perdor kete fjale si te palidhur me Don Kishotin qe e dua shume). Kuti moral eshte i pandashem nga njeriu. Dhe gjithashtu une nuk besoj se cdo shqipatr ne poziten e Metes sillet si ai ose do sillej potencialisht si ai. Ata qeveritare te rinj qe i besoj sot, i besoj sepse nuk do silleshin si ai. Perndrsyhe, na ka marre lumi. Dhe une s’kam nder mend ta le veten te me marre asnje lloj lumi. “Kokepalaret” i kujtojne Metes rinine e hershme dhe ndaj i ka zet e nderton retorike ndarese qe ne fakt thjesht shpreh komplekset e veta. Por une s’kam besuar ndonjehere ne nje Mete te majte, ose qe ka ndonje lloj ideologjie koherente qe e beson sinqerisht, ndaj edhe kjo pjese nuk me shqeteson. Por krimi dhe korrupsioni i cfaredo lloji me shqeteson (ajo videoja me Meten sot ka vlere si tregues i pandeshkueshmerise ne nje sistem ku ligji nuk ka force veprimi), dhe e di qe mund te damkose cfaredo qeverie e sado gra e burra te besueshem paste brenda… sic them edhe ne shkrim.
Une nuk e njoh Nikon vecse si emer. Me vjen mire qe ti e sheh pozitivisht. Por menyra se si duket apo shprehet ne TV nuk mjaftojne per te gjykuar nje person ne poziten e larte te tij. Me vjen keq qe nuk ka mundesi institucionale ne Shqiperi qe, nese nje person perflitet per krim, te mund te verifikohet teresisht dhe pa pengesa. Dhe jo nepermjet gjyqesh si ai i Metes. Perfolja perlyen njerez pa dore ne krim dhe ben te hedhin lumin ata qe duhet te ishin burgjeve.
morali i politikanit eshte shume i rendesishem: eshte baza e qenies dhe integritetit te tij. Gruaja/burri i tij jane po aq te lidhur me moralin e tij sa kushdo tjeter. Kur them moral, sigurisht nuk e kam fjalen as per kuptimin absurd te moralit ne traditen shqiptare te tipit “me sa te tjere shkon” dhe as per menyren dhe llojin e seksit qe preferon politikani. Ndaj gruaja, burri dhe te tjere persona te lidhur privatisht e intimisht me politikanin nuk me interesojne ne vetvete. Morali i politikanit eshte baza e menyres sesi ai e sheh shoqerine, detyren, fitimin e perfitimin, si e sheh te sotmen e te ardhmen. Morali eshte udheheqesi i vetem i politikanit ne te perditshmen, baza e ekzistences se tij. Asgje tjeter me shume se morali nuk do i interesonte shoqerise ne te cilen politikani funksionon per te vleresuar, zgjedhur ose mohuar nje politikan.