Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Letërsi

Ç‘TË MOS BËJMË?

silencenga Paskal Stafa

“Në mes të të verbërve dikush me një sy është mbret”- thotë një fjalë e urtë. Nëse e përkthejmë verbërinë jo me barazvlerën e saj më të afërme të shqisës së dëgjimit: shurdhërinë, por me formën më të sublimuar të saj: heshtjen, atëherë  edhe proverbi do të tingëllonte pak a shumë kështu: “Në mes të fjalëshumëve i heshturi është mbret”. Aksioma e fjalës që qorron, që shurdh, topit, flashk, mpak, squll është padyshim po aq e dyshimtë, pasi antonimet: të fal sy e veshë, të mpreh, rinon, shumon, forcon, i shtojnë pikënisjes edhe një të dytë, më optimiste e më të argjendtë, nëse heshtja, siç thuhet gjithashtu rëndom, qenkësh flori.

Dyzimi qysh në aksiomë vlen edhe për heshtjen: ka heshtje të mira e heshtje të liga. Por është shumë e thjeshtë, në kuptimin e lig të thjeshtësisë, të luhatesh nga një aksiomë tek tjetra, të biesh pre i dualizmit zibardhë a bardhezi; e nuk po duam të marrim të dhënë burimin e të na marrë ashtu lumi e të na derdhë aty ku derdhen të gjithë ujërat, të pastrat e të zezat. Po duam të shkojmë si tren mbi të dyja shinat njëherësh e të mbërrijmë në një stacion jo fort të largët, prej nga mund të kthehemi në bazë qetë e pa mundime, të heshtim me masë e të flasim po ashtu me masë. Për heshtje fisnike për të cilat duhet folur e për të heshtur për fjalë fisnike, të cilave nuk ke ç’u shton e për antipodet e tyre: heshtjen si placebo për kë kërkon të dijë nga dëshmitarët e zhurmat që nuk të lenë të dëgjosh të vërtetën. Për heshtje poetësh e për çfarë thonë a nuk thonë ato. Se kush di të flasë e për pasojë, a më saktë si shkak, të heshtë më mirë e më bukur se poetët; kush di të flasë aq bukur mirë larg fjalës cullak se ata që e veshin atë me gjithfarë plaçkash a rreckash: mediatikët, analistët, politikanët e, për fat të keq, edhe shumë gazetarë të sodit e dordolecë shqiponjash? Shina tjetër do të jetë pra llafi bosh, fjala si rrenë, zhurma për hiçgjë, besa e ngrënë, propaganda, zhurmuesi.

Është folur shumë për heshtjen e Lasgushit. Mendojmë se ka qenë ekzogjene, rrjedhojë e kompromisit të munguar me sistemin: heshtje pra e rëndë e ndoshta më fisnike se vepra e tij. E ngjashme me heshtjen e shtatë të tetave të ajsbergut zhytur në ujë të bashkëkohësit të tij Migjenit. Trysnia ka qenë e jashtme: tek Migjeni forca madhore të cilës do i nënshtrohemi të gjithë; tek Lasgushi pamundësia për të folur drejt, padashja për të folur si shumë të tjerë, për t‘u bërë borizan i partisë. Nuk dimë se ç‘do të kishte bërë i pari, në do të kishte jetuar mesatarisht: do të kishte përfunduar në Spaç për agjitacion e propagandë, a do të ishte bërë sekretar i degës së Lidhjes së Shkodrës? Nuk po duam të hamendësojmë për këtë, pasi mungesa e tij është më e thellë se sa do të kish qenë e lartë prania e tij në ato kohë të errëta. Por, nisur nga sivëllai i tij që nuk i ngjan në poezi, ndoshta do të ngjanin në jetë, pra, me gjasë, do të kish heshtur edhe ai.

Njerëz të tillë na duhen, më shumë se kurrë ndoshta, por jo për të heshtur, por për të na folur siç duhet, pasi ligjërimi është „shprishur”. Nuk flitet saktë e qartë, pasi flitet shumë. Nuk dihet a nuk mundet t‘i jepet të drejtë kundërshtarit, kur ky thjesht ka të drejtë, të paktën pjesërisht. Foltoret publike, letrat, ekranet kanë rënë në duar jo të mira, në duar të ngathëta, në gojë që nuk dinë a nuk munden të flasin qartë, saktë e drejt. Edhe nëse e bën dikush, në mes të rrokopujës, zhurmës, tallavasë, mitingjeve, fjalimeve, sharjeve, teprimeve, patetikës, kompromentimit, korrupsionit, nuk ka gjasa të dëgjohet.

Çështja shtrohet si dikur në Rusinë e pararevolucionit të tetorit, kur intelektualët pyesnin „Ç‘të bëjmë?”. Ndërsa tek ne, e përkthyer si zakonisht kokëposhtë, pyetja shtrohet „Ç‘të mos bëjmë?”

[vijon]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin