Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Komunikim / Sociologji

MESHKUJT ALFA

Njerzit ndihen më mirë. Shumë vetë po zbulojnë një dimension tjetër të jetës, qetësinë. Kanë filluar t’u kthehen gjesteve të harruara,  të interesohen për njëri tjetrin, të pyesin të afërmit se çfarë kanë bërë gjatë kësaj kohe, t’u kthehen punëve të tyre. Të tjerët ndehin veshët, për të dëgjuar qetësinë dhe thonë: ç’na paskan çarë kryet!

Vendi është bërë më i jetueshëm sepse dy krerët e politikës shqiptare kanë heshtur, nuk po i dëgjojmë të ulërijnë, të mallkojnë, të gënjejnë, të premtojnë, të mashtrojnë, të hungërojnë, të kërcënojnë, nuk i shohim në manifestime militantësh duke përsëritur vetveten e duke u sjelle rrotull një numri frazash e temash tepër të kufizuara, pa interes, që mund të shiten vetëm në Shqipëri, por të afta të ngrenë në zonë të kuqe parametrat e stresit kombëtar.

Fatkeqësisht, nuk është një heshtje apo qetësim i vullnetshëm. Nuk është një benefic i evolucionit të species. (Me sa duket ky proces ka përfunduar). Eshtë thjesht një heshtje që vjen si pasojë e një fakti procedurial që përgjysmon fuqinë e krerëve të politikës: njëri po lë pushtetin ndërsa tjetri nuk e ka marrë ende.

Gjithsesi, kohët e fundit u vërejt edhe një herë se nga agresiviteti i skajshëm i tyre një popull i tërë pësonte dhunë të paparë psikike, vetëm dy vetë gjeneronin pa masë e pa mëshirë një mjedis të paparë korroziv që shthurte rrezikshëm indin kombëtar, ato pak fije që na lidhin ende me njëri-tjetrin. Kurrë ky vend nuk ka qenë më i armiqësuar dhe i përçarë se sa  në përfundim të zgjedhjeve të fundit politike.  Dhe kjo vetem për shkak të përleshjes  pa mëshirë të dy individëve që synonin t’i merrnin bananen njëri-tjetrit!

Të kalojmë gjetiu, se vetëm kaq mjafton të na rivijë në gjuhë përshtypja e hidhur e një periudhe, nga e cila, e kuptoj, ka edhe nga ata që nxjerrin përfitimet e tyre. Hijenat janë të pranishme në çdo shoqëri.

Fenomeni është i vështirë të kuptohet në thellësinë e tij pa një sinergji disiplinash. Për një kohë të gjatë studimet e Prof. Robert Sapolsky-t mbi stresin, sa kohë që zhvilloheshin në laboratorët e universiteteve amerikane (MIT), e kisha të vështirë t’i ndiqja. Diçka ndryshoi kur ai vetë për të kuptuar më mirë rolin dhe origjinën e stresit në komunitete të ndryshme brenda shoqërisë njerëzore, braktisi laboratorët universitarë dhe shkoi e u vendos në Kenia, ku ngriti çadrën e tij në prani të habitatit të një çete babuinësh.

Ajo që zbuloi aty do të sjellë një informacion që do të revolucionarizojë dijet. Që në fillim Profesori vërejti se kishte të bënte me një komunitet mjaft jerarkik, të njëjtë me atë të shoqërisë njerëzore. U interesua t’u merrte vetë etalonë gjaku të të gjithë primatëve të tufës dhe vërejti  për herë të parë se individët e shkallëve të ulta pësonin në çdo çast të ditës presionin e meshkujve alfa, të meshkujve dominantë të tufës, të meshkujve riprodhues, të shefave të luftës dhe paqes, të atyre që kishin gjithçka në dorë, ushqimet më të mira, vendin më të mirë për të fjetur, femrat më të mira të tufës etj.

Ndërkohë analizat e vetë meshkujve alfa, Prof. Sapolsky qe i detyruar t’i përsërisë disa herë se i dukej e pabesueshme që indikatorët e stresit në gjakun e tyre të ishin mjaft më të ulët se ato të “nënshtetave”, të rajave, të atyre që pësonin. Por e vërteta ishte tamam ashtu. Meshkujt dominues injektonin një overdozë stresi në të gjithë popullatën që kishin nën vete, por vetë nuk vuanin fort nga stresi.

Më tej R. Sapolsky vuri re se subalternët, vartësit, individët e thjeshtë, pa poste e grada, mëditsit, duke iu nënshtruar një stresi të vazhdueshëm vuanin nga tensioni i arterieve dhe nga një ritëm kardiak mjaft i lartë, gjë që edhe kjo nuk vihej re te meshkujt dominues alfa, te gjeneruesit e vërtetë të stresit brenda komunitetit.

Dhe erdhi një ditë kur ndodhi diçka që R. Sapolsky e cilësoi si “ fatkeqësi të tmerrshme”, por që rezultoi të jetë e një rëndësie të pamasë shkencore.

Dy meshkujt alpha të tufës që ai kishte nën vëzhgim, kishin zakonin t’u afroheshin plehrave të qendrave të banuara. Natyrisht edhe të tjerë, por kur ndeshnin në ndonjë ushqim të majmë, ishin dy shefat qe e rrëmbenin menjëherë me forcë dhe e shqyenin pa u dhënë asgjë të tjerëve. Kështu ndodhi që një ditë ata ranë në një copë të madhe mishi të infektuar nga tuberkulozi. Dhe ashtu siç ishin të babëzitur, morën dhe e hëngrën të gjithë për vete. Nuk u lanë as edhe një llokëm të vogël të tjerëve, subalternëve, vatrësve, mëditësve, atyre që rrethojnë tribunat, të themi.

Kjo qe arsyeja që disa kohë më vonë, të dy meshkujt alpha ngordhën nga tuberkulozi, ndërkohë të që tjerët nuk pësuan asgjë.

Por nuk ishte kjo që desha të tregoj këtu, histori me majmunë ju keni dëgjuar mjaft edhe pa këtë që solla unë.

Ajo që dua të them (dhe këtu historia e majmiunëve u afrohet asaj të njerëzve), është se pas kësaj ngjarjeje, shënimet e R. Sapolsky-t shprehin gjëra të çuditshme. Surprizat janë njëra më e madhe se tjetra. Ai thotë se pas ngordhjes së dy meshkujve alpha, komuniteti i babuinëve nisi të përjetojë ditët e tij më të mira. Përditshmëria e tyre kishte ndryshuar rrënjësisht, jeta qe bërë më e qetë, më e jetueshme, antarët e komunitetit nisën të interesohen dhe afrohen me njëri-tjetrin, ushqimet ndaheshin më barazisht, savana u bë me e pranueshme, më pak armiqësore. E mbi të gjitha, në epruvetat e R. Sapolsky-t indikatorët e stresit në gjakun e të gjithë komunitetit u ulën në mënyrë drastike dhe arritën në nivele normalë, se pak stres, gjithsesi,  është i dobishëm.

Akoma më e çuditshme ishte se jeta e komunitetit jo vetëm që u qetësua, por ajo përparonte mrekullisht. “Femrat”, “ndaheshin” në mënyrë më “racionale” dhe “të drejtë” dhe kjo bênte qe të ulej niveli i tensionit dhe grindjeve brenda komunitetit. Brezat e rinj që lindnin nuk u nënshtroheshin presioneve dhe stresit që kishin jetuar prindërit e tyre nga meshkuj e ngordhur luftarakë e dominues të tufës, nga meshkujt alfa. Për pasojë të gjithë silleshin më “njerzisht” (se nuk e di nëse mund të them ‘babuinisht’), ishin edhe më të shtruar, më të përmbajtur. Duket ishte këputur zinxhiri i një dhune të trashëguar, zinxhiri i së keqes. Shamatat, grindjet, humbjet, vjedhjet dhe gjithçka tjetër që karakterizonte më parë jetën e tyre, u bënë më të pakta. Shkurt, kishte mjaftuar një copë mishi e infektuar për të larguar perspektivën e zymtë, dramatike e të pandryshueshme të jetës së një komunitetit të tërë.

Babuinët kishin kuptuar (me aq sa kishin mundësi), se as nuk banonin në një vend të mallkuar dhe as ishin një komunitet i mallkuar. Ata vetëm se kishin patuar mbi krye babuinë të mallkuar.

Ngjarja që ndodhi pa vullnetin e kërrkujt e nxori në një dritë të re rolin e vërtetë të shefave të komunitetit, ajo tregoi se ata janë jo vetëm të padobishëm, por edhe të dëmshëm (dikur thonim, nuk ishin vetëm pjesë e së keqes, por ishin vetë e keqja!)

Thamë në fillim të këtyre shënimeve se edhe ne po jetojmë ditë më të qeta (gjatë fushatës së fundit disa të njohur ndërprenë pushimet e çanë e ikën nga Shqipëria, pa kërkuar t’u ktheheshin as paratë e ditëve të pashpenzuara). Dhe sot kjo qetësi është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se këto ditë janë të numëruara. Ne e dimë se  është vetëm një bunacë në prag të stuhisë së ardhshme, fatkeqësisht. Golgota e re që na përgatisin alfat të politikës nuk është larg, ka filluar të duket me sy.

Në këto kushte, mendoj se vetë krerët e politikës nga eksperimentet e R. Sapolsky-t duhet të kënë mençurinë të kuptojnë se janë vetëm pjesa më e keqe (jo për fajin e tyre) e një mekanizmi demokratit (përqendrimi i pushtetit), aq shumë i diskutuar dhe zhvleftësuar (të paktën në rastin shqiptar, rus, bjellorus e ndonjë tjetër), duhet të kuptojnë se njerëzit i njohin dhe me aq sa mbajnë mend  kurrë nuk kanë mbetur ndonjëherë gojëhapur me inteligjencën e tyre, se janë barazisht fajtorë për hapat e ngadaltë të integrimit  dhe, me këtë rast, e pakta gjë që mund të bëjnë është që të ndryshojnë në mënyrë radikale etikën politike me qëllim që t’i kursejnë një populli të tërë mëkatin  e ëndërrimit të një cope mishi të infektuar (me nja dy-tre bacile të vogla Koh-u), duke zbarkuar një ditë të bukur feste në pjatën e tyre të madhe.

(Rezultataet e Sapolsky-t, midis të tjerash i keni edhe në këto libra: Stress, the Aging Brain, and the Mechanisms of Neuron Death, Monkeyluv : And Other Essays on Our Lives as Animals, A Primate’s Memoir: Love, Death and Baboons in East Africa. Do t’ju rekomandoja edhe një dokumetar të mrrekullueshëm të NG.)

Pa Komente

  1. Qe te jem i sinqerte, ne dy shkrimet e fundit te autorit kam patur nje pershtypje jo te mire; paragjykimet, pergjithesimet e ceketa dhe theniet e paverteta per nje komunitet, ishin, per mua, po aq te qortueshme sa edhe injoranca e gazetarit qe provokoi ate reagim (ne shkrimin per shkrimin e ngjarjes ne plazh-Vlore); ne shkrimin e sotem shoh, pervec nje te vertete te pamohueshme qe konflikti mund te ushqehet prej meshkujve krere, edhe nje relativizim te sforcuar te te keqes ne shoqeri, dhe nje fshehje te cuditshme te gjithe atyre arsyeve te tensionit ne shoqeri, qe nuk ishin thjeshte produkt i vullnetit per konflikt…nese duhen cituar disa: padrejtesite ne shoqeri, administrimi absurd i te drejtave dhe detyrimeve te qytetareve dhe barazia e tyre, kontrolli mbi territorin, sistemi i vlerave qe perhap mikrofoni i qeverise, etj. Thjeshtimi i ceshtjes eshte, ne me te pakten, mungese vleresimi per formimin e bashkeqytetareve.

    1. Skelar, shkrimi nuk merr persiper te beje nje analize te politikes se dhjete vjeteve te fundit, as te te jape nje te vertete tjeter te natyres se konflikteve ne Shqiperi. Flitet se çfare shtojne ne kazan alfat me cilesite e tyre personale.
      Se edhe vete Sapolsky nuk shkoi ne Kenia thjesht per majmunet por per te kapur me mire thelbin e natytres njerzore dhe pasojat e stresit (dhe kete e thekson disa here).
      Ne pjesen e dyte te studimit te tij, problemet e komunitetin as nuk ishin zgjidhur dhe as nuk ishin zhdukur. E megjithate niveli i stresit u ul se brezat e rinj i qaseshin ndryshe atij realiteti jetesor qe nuk kishte ndryshuar (kjo eshte e rendesishme te dihet)
      Po shoh tani rezultatet e nje ankete pse (me gjithe problemet qe ka vendi), me gjithe skandalet qe prekin rrethin e saj te afert,A. Merkel mbetet personazhi me simpatik e me i votuar per gjermanet. E pra, perfundimet sillen te gjitha rreth natyres se saj vetiate, mungeses se agresivitetit, diskrecionit, faktit qe ne publik shfaqet vetem nje here ne vit me te shoqin,aftesine te degjoje e te mos zere te gjitha hapsirat publike etj.

      Ky eshte thelbi i paraleles midis dy komuniteteve dhe nuk me duket i veshtire, apo jo?

  2. Dokumentari bashkëngjitur mbi punën e Sapolskit, në një pjesë të mirë rrëfyer në vetë të parë, ndoshta sqaron më shumë sa i takon argumentimit të temës, edhe pse nuk di në do të mundet sa i takon hapjes dhe mbylljes së postimit vetë.
    http://www.youtube.com/watch?v=eYG0ZuTv5rs

  3. Edhe une nuk jam dakord me kete simetrike pergjegjesie shume te sforcuar. Ishin tete vjet qe vec nje majmun kishte pushtetin, e duhet te marre dhe pergjegjesite perkatese, maksimale madje.

    Por studimi nga ana tjeter, eshte shume interesant. Frojdi mesa mbaj mend, shkruan dicka te ngjashme tek “Totem dhe Taboo”, ku flet nder te tjera per lindjen e monoteizmit si nje lloj clirimi ndaj kafsherise se atehershme te majmuneve-njerez.

  4. Juliusx, me sa kuptova, ti je dakord, por vetem per nje majmun. Ne rregull. Nuk eshte keq si fillim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin