Titulli ynë i mësipërm është pjesë e titullit të një artikulli të Gazetës Shqiptare, i cili flet për vrasjen që ndodhi në një plazh të Vlorës, rreth një javë më parë.
Sipas autorit, apo më saktë sipas kontekstit të frazës titulluese shprehja “Gjithçka (ndodhi) për një femër” ka dalë nga goja e një prej dëshmitarëve të ngjarjes. Me copy past ajo ka këtë formë: Sherri para masakrës, dëshmitari: Gjithçka për një femër. Arrestohen pronarët e resortit.
Desha të kaloj matanë e nuk kaloja dot. Më linte pa mend një shprehje e tillë dhe u vura të lexoj për të kuptuar diçka për njeriun që e kishte formuluar, desha të di diçka më shumë për moshën, formimin, prejardhjen e tij. Se vërtet shprehja është aq e prapë, përbuzëse, shpërfillëse, poshtruese, përçmuese, sa të shpie në botën e primatëve, ku i vetmi atribut i individit ështe të qënit mashkull apo femër.
Për herë të fundit unë mbaj mend ta kem dëgjuar një shprehje të tillë në fëmijninë time, kur e kaloja gjithë kohën te Bregu i Lumit, ku kisha miqtë e mi më të mirë. Po edhe atje nuk përdoret më, nuk e kam dëgjuar.
Iu ktheva disa herë informacionit, por nuk e gjeja gjëkundi një dëshmi të saktë ku dhe si ishte thënë. Dëshmitari në fjalë, dikush fort i ri nga mosha dhe mjaft i tronditur nga ajo që i kanë parë sytë, në mënyrë shumë korrekte tregon se vrasja ndodhi pasi disa të rinj nga Fieri “ngacmuan motrën” e personit që kreu vrasjen. Asgjë tjetër. (Midis nesh, këtu ka një paradoks se në Vlorë shprehja, “të qivja motrën” përdoret si përshëndetje shtesë pasi ke pyetur shitësin për çmimin e kastravecëve, por me sa duket fierakët as e kanë gëzuar dhe as do e gëzojnë kurrë një të drejtë të tillë ne Vlorë. Atyre u këshillohet që afshet erotikë t’i qetësojnë sa nuk kanë kaluar urën e Mifolit).
Në këto kushte, nuk është e vështirë të kuptosh se shprehja, “Gjithçka për një femër”, është shtuar nga gazetari dhe ka pasur një “enter” nga stafi i lartë i vetë Gazetës Shqiptare. Pra, është GSH, ajo që shpreh mrrekullimin e saj “filozofik” për vrasjen që ka ndodhur “për një femër”.
Tani kam përshtypjen se përshtypja ime e parë ishte e përshtypje e gabuar.
Në të vërtetë, nuk është se nëntitulli i Gazetës lë të nënkuptojë admirimin që ndjen stafi i saj që në Shqipëri ende vriten njerëzit “për një femër”. Kjo do të na bënte nder, në një farë mënyre, por ajo nuk nënkupton një gjë të tillë. Nuk thotë se Shqipëria është një vend ku femra vlerësohet aq shumë, sa për të ia vlen të bësh një masakër të vogël për çdo sezon pushimesh. Mundesisht kur plazhi është plot dhe njerzit janë shtrirë ngjitur, me qëllim që edhe rikosheti të mos dale huq, se pasojat e krizës ekonomike janë ende të ndjeshme.
Titulli i GSH, në formën se si jepet lë kuptosh se jemi para një skandali të vërtetë e të padëgjuar në ato anë. Ai shpreh neverinë dhe tmerrin që ndjen se si është e mundur që ka ende njerëz që vazhdojnë të vriten “për një femër ». “Gjithçka për një femër, shkruan ajo! A ka turp më të madh të vlerësosh femrat kaq shumë? Gazeta Shqiptare zien në një banjë hormonesh korrozivë dhe denoncon faktin se në këtë botë ka ende një vend ku njerëzit vazhdojnë të vriten për një hiç, për një kurrgjë, për një zhgjë, për një fargjë, për një mosgjë.
Shkurt për një femër !
Eshte nje gjendje tragjike kjo ne Shqiperi. Duket sikur jetojme ne Mesjeten e hershme. Dhe s’di nga ta zesh: nga mileti qe perpiqet te gjeje nese e kishte fajin cuni qe kerkoi adresen e fb apo goca qe iu ankua vellait; nga interpretimet e percipeta dhe te papergjegjshme prej disa mediave; nga policia; nga opinioni publik dhe institucional ne pergjithesi. Nje mungese kaq e madhe respekti per jeten dhe lirine e vetes dhe te tjetrit te vret. Madje duket sikur njerezit s’e kane idene e ekzistences se jetes vete dhe ndryshimit te saj prej vdekjes… Lehtesia me te cilen dikush merr nje jete me rreqeth. Te paret e gruas si objekt pa force vepruese, mendje apo pavaresi nga njerezit me te afert te familjes se vet eshte aq fyes. Besoj se eshte dicka qe do doje dekada te permiresohet nga presioni i nje shkollimi ndryshe, mediash ndryshe, rendi dhe ligji ndryshe, modelesh te respektueshme ndryshe, shoqerie ndryshe.
ka nje ndjenje nderi krejtesisht perverse te ngulitur thelle ne mendjen e shqiptareve qe sipas mendimit tim eshte shkaktari kryesor i shfaqjeje te tilla.
e shikoj te perhapur ne nje nivel te madh edhe ne rini, c’ka eshte shqetesuese. jane te gatshem per dhune vetem per nje shikim te shtrember, shqyhen sikur te ishin a-male ne ndonje lukuni ne perjudhen e riprodhimit, kane si idhuj figura macho-man (pak kane ndryshuar nga vitet ’90 ku qarkullonin te gjithe me benca 240 me tabela gjigande TONY MONTANA, me bluzat branda pantallonave qe te duket rripi metalik dhe xhupa te gerryer top-gun), nuk kane piken e humorrit kur flitet per veten e tyre dhe kulmi eshte kur te shikojne te shoqerohesh nga nje femer te gozhdojne me nje shikim sikur po shoqerohesh me ndonje alien.
keshillat e mia:
1. nese doni te filloni lufte civile, provoni te flirtoni ne ndonje club/ bar/ cafe me femer.
Ne te vertete problemet qe ngrihen ne te dy nderhyrjet me siper jane të renda e te mprehta (edhe pse kam pershtypjen se te tille ishin edhe para 2.500 vjetesh), por komenti im kishte pretendime me modeste, madje nuk kishte fare pretendime. Ishte nje menyre per te shprehur zhgënjimin tim. Nuk jane “garipat vlonjatë” qe kane formuluar shprehjen perbuzëse e zhvleftësuese “gjithçka per ne femer!”, por eshte gazetari i nje prej gazetave me te medha te vendit.
per fat te keq jo vetem mediat shqiptare kane ate papergjegjshmeri e makuteri deformuese, por vetem ne fare pak vende iken nje jete me ate kollajllek… si para 2500 vjetesh. (Une nuk besoj se gazetari eshte pjese e se njejtes kulture por qe e ushqen ate duke pasur synimin te shese e jo te raportoje apo analizoje)
Presje, e vlerësoj finesën tënde kur shprehesh se ne orgjine mund te jete fakti se gazetari ka synim (eshte i detyruar) te shese. Nga ana im kam frike se jemi para nje fakti qe tregon se niveli i gazetarve shqiptare (te pakten i nje pjese te tyre) eshte me i ulet se ai i publikut shqiptar (te intervistuarit, lexuesit etj.. Ne kete kuptim nga nje elemet qe duhet t’i sherbeje progresit, qe duhet t’i ofroje shoqerise mjete me te cialt ajo te jete e afte te analizoje me objektivisht realitetin , nje pjese e gazetarise e terheq publikun nga pas, drejt asaj qe duam te leme pas (ireferohet nje gruaje si te qe diçka e perbuzeshme, nje realitet nga i cili ka vuajtur shume shoqeria shqiptare). Se eshte nje gazetari qe mund te ekzistoje vetem ne kushtet e nje lexuesi te tronditur, te disekuibruar, te shokuar, qe jeton nje realitet te sajuar e qe ekziston vetem na faqet e gazetave. Dakord, nuk eshte Shqiperia i vetmi vend qe vuan nje gje te tille, por aty mungojne subtilitetet, gjithçka zhvillohet ne forme te vrazhde, tribale. Dhe se fundi me vjen keq qe flas keshtu se Shqiperia eshte edhe vendi ku kam njohur njerzit qe i kam vleresuar me shume ne jete, por ketu po flasim per gazetare te veçante, nga ato qe ju thoni se kane nevoje te shesin, por po t’u jepet rasti do te te shesin edhe ty edhe mua.
Gazetari në këtë rast, që është shprehur me shprehjen “..dhe gjithçka për një femër” nuk ka asnjë ndryshim nga ata horrat që i trafikojnë femrat. Tek të dy palet egziston mendimi se femra është një qënie me të cilën mund të sillesh në mënyrën më të poshtër dhe ajo nuk duhet të reagojë, pale më që dikush të konfliktohet për atë. Ose gazetari vjen nga një zonë ku dikur femra trajtohej si kafshë shtepiake që mund të shitej, të blihej, etj; sipas atyre kohrave, mund të konfliktoheshe për qenin e stanit por jo për një femër, edhe për gazetarin mund të konfliktohesh për gërvishtjen e makinës por jo për një femër. Mjerim i gazetarisë! Komenti im ka lidhje me shqetësimin që sjell shkrimi për mënyrën se si e konsideron femrën gazetari dhe jo për vetë ngjarjen e Vlorës të cilën e dënoj për mënyrën se si u zgjidh një konflikt banal, qoftë nga vajza e “ngacmuar”, qoftë dhe nga i vëllai.
Dhe të mendosh se gazetaria dikur mbahej si profesion, dhe gazetar ishte titull profesional, nuk shënjonte thjesht dikë që merrej në punë nga një gazetë, për të mbushur faqen me pisllëqe.
A ua vlerëson kush profilin etik këtyre njerëzve, që i flasin publikut anembanë? Kam frikë se jo; sikurse kam frikë se deri edhe kamerierët, ose centralistët e qendrave të shërbimit të klientit filtrohen më mirë nga pikëpamja etike.
Gjithnjë e më tepër gazetaria shqip po shndërrohet nga mjet informacioni në specimen për t’u studiuar nga sociologët dhe antropologët.
Ky rast nuk përbën gabim e nuk do të përfundonte në “Gastare”. Kemi të bëjmë me një mendësi që tradhëtohet nga një titull. Fatkeqësia është se kjo mendësi gjen hapësirë e përcillet edhe nga mediat e operatorët e tyre.