Historia e shkronjës “ë” ka mbetur ende pa shkruar. Si fillluan polemikat për dobishmërinë e saj? Si u rreshtuan palët në këtë betejë epokale? Cilat ishin arsyet që e dobësuan deri në zhdukje totale? Pas kaq vitesh, historiografët dhe historianët e gjuhës, ende të angazhuar me çështjet madhore kombëtare, nuk e kanë thënë fjalët e vet. Ndërkohë, ne që merremi me rrëfenja diçka mund të tregojmë për “ë”-në, pa mëtuar t’i vëmë vulën njërës prej historive më të pabesueshme të alfabeteve botërore.
Përderisa lufta e Trojës filloi për punë femrash (Helena), përderisa lufta e parë botërore plasi nga atentati kundër arqidukës Ferdinand në Sarajevë, nuk ka përse të habitemi që perëndimi i shkronjës “ë” filloi me hyrjen e kompjuterit në shoqërinë shqiptare. Edhe zjarret gjigante fillojnë nga një shkëndijë. Në rastin tonë shkëndija lindi nga fërkimi i gishtave nëpër tastierë. Çdo luftë e ka një casus belli, pak a shumë dinjitoz.
Mallkimi i tastierës, ose metoda e Adhamudhit
Orteku që mori me vete shkronjën “ë” filloi nga një top dëbore në trajtë fjalie, e gjuajtur në internet gati për lojë. Meqë tastiera nuk e ka këtë shkronjë, përse duhet të lodhemi për ta shkruar? Propozimi ishte në thelb demokratik, i bërë me mjete demokratike, në një sistem demokratik. Politikisht superkorrekt. Nga ana tjetër propozimi për heqjen ose zëvendësimin e “ë”-së me shkronja të tjera, synonte vetëm sanksionimin e praktikës së përhapur në media, letra, libra, madje edhe në dërrasat e zeza të shkollave, ku kjo shkronjë shfaqej si indianët në Amerikë ose aborigjenët në Australi. Rrallë e për mall, sa për turizëm gjuhësor, ose sa për t’u mos akuzuar nga OJQ-të se po zbatohej politikë diskriminuese e raciste ndaj pakicave alfabetike.
Qëndrimi pragmatik ndaj shkronjës “ë”, e ka fillesën në mendimin konkret shqiptar, që del në pah në veprën e njohur “Pas vdekjes” të Andon Zako Çajupit. Doktori i famshëm i komedisë thotë: “Unë e kam gjetur këtë methodë të re: të dhemb një dorë? Preje që të shpëtojë tjetra! Të dhemb një këmbë? Me vrap sharroje që të shpëtosh tjetrën! Të dhemb një sy? Kërreje çpejt që të mos sëmuret dhe tjetri! Kështu m’ra dhe për time shoqe: i dhembi një ditë syr’ i djathtë: me vrap ja qita dhe sot syr’ i mëngjër është shëndosh e mirë, sa shikon edhe natën…”.
Në rastin tonë, me eliminimin e “ë”-së shpëtojnë zanoret e tjera të alfabetit, duke filluar nga “e”-ja, motra binjake heterozigote e “ë”-së.
Ndërlikime filozofike
Qëndrimi ndaj “ë”-së nuk mund të mbeste vetëm në qerthullin gjuhësor. Përplasja ishte epokale, më e madhe se çdo betejë kulturore. Intelektualët shqiptarë u ndanë në disa grupime, që shkriheshin mes tyre, bashkoheshin e riformoheshin sërish sipas temës e kritereve në shqyrtim. Intelektualët vetë kalonin nga një grupim tek tjetri sipas pikëvështrimit të debatit. P.sh. Kur u diskutua nëse heqja e “ë”-së ishte thjeshtim apo thjeshtëzim, debatuesit u ndanë në tre grupime. I pari e konsideronte aktin si thjeshtim, si diçka pozitive, pra si ndihmesë për gjuhën shqipe, i dyti e quajti thjeshtëzim, një farë reductio ad unum, çka do të thotë reduktim i çështjeve të ndërlikuara në çështje të thjeshta; ekuacione të vështira në shumëzim filloreje. Grupimi i tretë foli për thjeshtësi, çka e futi diskutimin në një përmasë etike të paparashikuar, për sa kohë heqja e “ë”-së u pa si shenjë modestie.
Filozofët e panë orvatjen për heqjen e zanores me dy pika sipër si prova përfundimtare e sipërisë së praktikës ndaj teorisë. Tek e fundit natyra pararend mendimin. Përderisa “ë”-ja nuk përdoret në praktikë, ose përdoret gjithnjë e më pak, atëherë nuk ka kuptim që ta teorizojmë rëndësinë e saj. Pati nga ata që sollën shembullin e apendisitit: natyra e ka shndërruar në zorrë qorre, pra të tepërt, ndaj edhe heqja e saj nuk i kushton aspak trupit. Si të thuash, kur një muskul atrofizohet, pra nuk përdoret më, bëhet i tepërt në mos i dëmshëm, e duhet hequr patjetër. Pa përmendur reagimin e ashpër të shoqatës mjekësore “Homo erectus”, që lufton impotencën tek meshkujt; kundërshtarët më të paepur të kësaj teorie sqaruan se, sipas zbulimeve të fundit shkencore, zorra qorre nuk është rudiment, por shërben si strehë për florën bakteriale të zorrëve, gjatë infeksioneve të rënda gastro-intestinale. Pra një lloj bunkeri antiatomik në rast lufte globale në bark. Në këtë kuptim “ë”-ja duhet ruajtur për arsyen e vetme, sepse në rast anarkie gjuhësore aty fshihet i gjithë respekti ndaj shqipes, pra ndaj identitetit shqiptar.
Filozofët e gjuhës, kryesisht poststrukturalistë desaussurianë, u përpoqën të shpjegojnë se mendimi lind njëkohësisht me gjuhën, pra gjuha e formëson mendimin në atë masë që mendimi brumos gjuhën. Si rrjedhim, heqja e “ë”-së e gjymton mendimin, për sa kohë sakatos shprehjen e tij. Nga pikëpamja strukturore, ose më mirë ndërtimore, është njëlloj sikur të shkatërronim murin mbajtës të një pallati. Ky arsyetim u konsiderua si elitar nga një pjesë e elitës shqiptare, ndaj nuk u mor parasysh. Tek e fundit, u tha, ende nuk dihet se kush lindi më parë: veza pulën apo pula vezën? Sa për metaforën e ndërtimit, kjo nuk funksionon në Shqipëri, ku shtesat e kateve ose ndërhyrjet me vend e pa vend janë në vend të vet.
Komisia e ngritur për eliminimin e “ë”-së nuk u shpreh për këtë pikë.
Vorbulla politike
A mund t’i shpëtonte zanorja jonë polemikave me karakter politik e shoqëror? E pamundur. Në fakt, kryetari i shoqërisë “Polis in primis” deklaroi se çdo gjë që bëjmë është politike, nuk ka asgjë teknike në këtë botë. Edhe hidrauliku kur rregullon rubinetin në banjë nuk kryen veprim teknik, por një zgjedhje, pra politikë, pa folur për kontributin social që jep në mënyrë indirekte (komshiu poshtë nuk laget, fqinjësia e mirë mbetet, etj.). Kjo donte të thoshte se gijotina kundër alfabetit nuk mund të shpjegohet me arsye teknike, të llojit fonetik shpi apo shtëpi, por me pozicionin politik. Ky qëndrim neomarksist u kundërshtua hapur nga një sërë eksponentësh në të majtë e në të djathtë, të cilët ironizonin me batuta të llojit: “Kur bëjmë seks, të cilës parti jemi?”.
Çdo temë që hidhet në mikserin (frulatorin) politik rrezikon ta humbasë pamjen fillestare. Pa llogaritur që po t’i heqësh kapakun mikserit, ciklat të bëjnë pis tavanin e këmishën bashkë. Ky mekanizëm vlen edhe, madje kryesisht, kur materiali që futet në frulator nuk ka karakter gjuhësor, por biologjik. Tashmë të gjithë e dinë se politika shqiptare sillet ja si mikser kuzhine, ja si ventilator. Specialistët vetëm sa i hedhin materialin me erë kur shpejtësia ka arritur maksimumin. Pa një cikël të murrme nuk shpëton dot.
Përplasja politike ishte frontale. Partitë, shoqatat, intelektualët, qytetarët u ndanë në dy, tri, katër e më shumë pjesë. T’i përmbledhësh pozicionet e arsyetimet politike është e pamundur. Le të themi se u krijuan dy kategori të mëdha, siç ndodh zakonisht në polemika: ata që ishin kundër “ë”-së dhe ata që ishin pro “ë”-së. Debati shkoi deri në mish të shoqërisë, përderisa njerëzit, për harenë e firmave prodhuese, filluan të tregonin bluza, kapele e kinkaleri të tjera me mesazhe të ndryshme. Përveç manifestimeve publike, u zhvilluan një sërë koncertesh me yje të muzikës shqiptare, të cilat u ndanë, si edhe populli, në disa pjesë. Ndërlikimi i vetëm ishte se ata që mbështesnin eliminimin e shkronjës “ë” nuk mund ta përdornin në këngë zanoren e akuzuar.
Debati u acarua kur “ë”-ja u krahasua me flamurin kuqezi, pra me identitetin shqiptar. Pati nga ata që donin ta karakterizonin shqipen nëpërmjet kësaj zanoreje krejt të pazakontë në gjuhët e tjera. Mirëpo kjo tentativë shkoi në favor të atyre që donin ta pikturonin shqiptarinë si diçka ekzotike, por provokoi edhe reagimin e europianistëve që, për hir të integrimit, punonin ditë e natë me gomë në dorë, për të fshirë çdo dallim të identitetit shqiptar me vendet e BE-së. Të gjitha këto veprime, i ndanë keqas kombëtaristët, të cilët nuk e kapërdinë dot sidomos krahasimin e “ë”-së me shqiponjën dy krenare (dy pika si dy krena). Nga ana tjetër “ë”-ja ishte prezantuar gjithnjë si shpikje e totalitarizmit komunist, pra antikombëtare, sikurse rregullat e asaj kohe, disiplinore apo drejtshkrimore qofshin. Thelbi mbetej po ay. “Ë”-ja u hodh në gropën e luanëve kur çështja e saj u lidh me çështjen e bashkimit të trojeve shqiptare. Puna arriti në atë pikë që palët të quheshin jugistë e veristë. Gjithsesi, deri në fund nuk u kuptua nëse ky tingull e ndihmonte apo e dëmtonte çështjen kombëtare.
Tërmeti shoqëror
Ringu më i egër u shfaq midis konservatorëve dhe reformistëve. Këta të fundit, në shtysën e modernizmit, që si përherë është në modë, i akuzuan ata që e mbronin “ë”-në si konservatorë, të mykur e të vjetëruar. Në atë kohë u përdor shumë argumenti sipas të cilit shkronja “ë” përdoret kryesisht për të treguar grafikisht plakjen, dhimbjen e rënkimin: “Ëh, ëh, ëh…”. Zanorja e vuajtjes, u quajt nga dikush. Me ironi shtohej se zakonisht, kush është i trashë pyet: Ë? Në ndihmë të terminator-ëve të zanores rezultonte edhe hapësira virtuale, rrjetet sociale dhe interneti, praktikisht simbolet e rinisë dhe të modernitetit, ku “ë”-ja nuk para shihej me simpati. Në këtë kuadër, kush mendonte se shqipja bëhej vulgare me këto ndërhyrje, kalonte automatikisht në minorancë.
Të ashtuquajturin konservatorë kaluan në mbrojtje, çka përbën faj në vetvete. Përse je në mbrojtje? Ke faj, ke mizën nën kësulë! Nga ana tjetër, nuk pinë shumë ujë argumentet gjuhësore, me karakter gramatikor e fonetik. Tepër teknike për t’u kuptuar. Megjithatë, mbetet për t’u kujtuar një parullë e goditur e Fondacionit “Scribo Ergo Sum”, që u bë e famshme me batutën “Ashtu qoftë, jo ashtu qofte”, që mëtonte t’i bindte revolucionarët e gjuhës se gijotina zanore nuk është zgjidhja e vetme. Në tubimin që u mbajt para Akademisë shqiptare, mbështetësit e Fondacionit të mësipërm u quajtën nga turma “qoftexhinj” dhe u akuzuan si ithtarë të fetishizmit tingullor. Etimologjia popullore thoshte në atë kohë se fjalët qofte e qoftë kishin të njëjtën rrënjë, sikurse marr dhe i marrë. “Të kthehemi në origjinë”, “Rroftë purizmi gjuhësor”, “Jashtë zanoret armike nga alfabeti”, ishin disa nga parullat që u hodhën. Kundërtubimi me sloganet “T’i vëmë pikat mbi e” dhe “Kok turku” nuk pati sukses.
Funksionalistët më të moderuar, ata që donin të preknin pak gjëra (si në fjalët kështu – kshtu) u akuzuan gjithashtu për gatopardizëm alfabetik. Ndryshimi duhej bërë radikal, pa retushime hipokrite. Heqja e zanores “ë” ishte sipas disave edhe ekologjike, përderisa kursehej në bojë shkrimi, toner, letër… Me një gur vriteshin dy zogj, mjedisi mbrohej e kursimi shtohej. Në çastin kur u përdor fjala green, sidomos në togfjalëshin green economy u pa qartë se peshorja e betejës po anonte në favor të eliminimit. Nuk mjaftuan analizat për anominë gjuhësore dhe prestigjin e rrënuar të shqipes, as frika për kaos shoqëror. Letra që Unioni i OJQ-ve i drejtoi OKB-së kundër racizmit grafik, me shpresën që heqja e “ë”-së duhej bllokuar si diskriminim i të drejtave të barabarta, nuk u mor parasysh për arsye juridike, meqë shkronjat nuk janë njerëz, edhe pse njerëzit pa shkronja nuk janë të tillë.
Në këtë pikë gjërat bëhen të mjegullta. Përjashto ndonjë enë porcelani, sipas gjasës e përdorur si souvenir klandestin, nuk ka dëshmi konkrete për çka ndodhi. Dokumentet e asaj periudhe nuk gjenden. Fakt është se nga një moment e tutje “ë”-ja u zhduk krejt nga qarkullimi. Dikush mendon se kjo erdhi si pasojë e vendimit qeveritar “Për perdorimin e shkronjës e”, që u sanksionua përfundimisht nga ligji “Për disa ndryshime të përdorimit të shkronjës ë”. Ka nga ata që janë të bindur se “ë”-ja iku vetë, pra u vetëflijua për të mirën e shqiptarëve, që të mos ziheshin mes vëllezërish për një zanore. Thuhet se qarkullon një letër, sipas gjasës apokrife, që paskësh qenë shkruar nga vetë shkronja “ë”, një farë testamenti, ose mesazh lamtumire, ku midis të tjerash lexohet: “Pikat që më hoqët, si dy pika loti më ranë mbi mollëzat e shqipes për pikëllimin tonë të përbashkët”. Hamendësohet se kjo fjali poetike është shkruar edhe për qëllime gramatikore, po të shihet prania e autores në tekst. Të tjerë studiues mendojnë se zhdukja misterioze e zanores në internet u shkaktua nga një virus informatik. Gjithsesi, të gjitha teoritë të sjellin ndër mend historinë e filmit “Perfect sens”, ku njerëzimi filloi të humbiste një nga një shqisat e veta, për arsye që duhen hulumtuar edhe sot.
Ndërkohë mësojmë se është në xhirim e sipër filmi dokumentar Udha e shkronjës “ë”, i pasuruar me intervista, mendime, dëshmi, analiza, komente. Rishkrimi i historisë nuk përfundon kurrë.
Për historinë e shkronjës ë në alfabetin e shqipes, shih edhe shkrimin SHKRONJA KOMBËTARE në këtë revistë, sidomos shënimin në fund (ku ka edhe bibliografi).
Nga ana teknike është i mundshëm krijimi i një tastiere në gjuhën shqipe. Arsyerja që kjo tastierë nuk ekziston në këto momente lidhet më shumë me faktorë ekonomikë ( kompanitë që shesin kompjutera nuk e shohin dhe aq fitimprurëse që të porosisin tastiera speciale).
Arsye tjetër mund të jetë dhe snobizëm (inferioritet, nostalgji) për të përdorur sende, fjalë, mënyra të “jashtme” dhe tastiera nuk i ka shpëtuar dot kësaj tendence.
E ka thënë 🙂 më sipër kryetari i shoqërisë “Polis in primis”: “çdo gjë që bëjmë është politike, nuk ka asgjë teknike në këtë botë”.
Me fjalë të thjeshta, varet çdo gjë nga vullneti i mirë.
Bravo! Shoqata joqeveritare “Modest Proposal” ka bere mbledhje te bordit drejtues dhe ka vendosur t’i akordoje ketij pamfleti cmimin “Jonathan Swift” 🙂
Seroozisht qe eshte nje satire e stisur shume mire, e cila nuk le aspekt te problemit pa cikur. Por e endur edhe me aq humor te holle tek paralajmeron — gjithmone nese e kuptova drejt thelbin — se marrja per kapital e koncepteve demokratike dhe diskursit te te drejtave individuale eshte nje naivitet i rrezikshem (dashakeqesi?) kur aplikohet pa bere dallim ne lemin e gjuhes. Personalisht me duket me me vend nderhyrja (imagjinare) e poststrukturalisteve aty me lart, e cila nuk perben asnje egzagjerim: te luash me e-ne (me dy pika lart, hehe I don’t practice what I’m preaching here; sorry, problem tastiere) do te thote te besh nderhyrje te pastudjuara ne vete murin mbajtes te pallatit!