Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

LEGJENDA E DEDALISË (I)

nga Gjergji Shuka

[Po e botojmë, në dy pjesë, këtë përmbledhje të një studimi shumë më të hapët, që miku dhe bashkëpunëtori i blogut Gjergji Shuke pati mirësinë të ma dërgonte për Peizazhe të Fjalës. Studimi hedh dritë mbi një periudhë shumë tërheqëse të historisë arbërore, si dhe për marrëdhëniet e tërthorta, por me vlerë të paçmuar, mes folklorit dhe historiografisë së Arbërisë mesjetare, të cilën e njohim aq pak. 2Xh]

Kërkimi u krye në tre etapa:  Me qëllimin e gjetjes së origjinës historike të gojëdhënës «Dedalija dhe Katallani» dhe dy gojëdhënave  simotra «Çangallozi»  dhe «Tridiçini», u kërkua fillimisht mbi ngjarje dhe personazhe historikë që mund të kishin ngjashmëri me motivet dhe heronjtë e kujtesës narrative.

Më pas u verifikuan këngët dhe gojëdhënat greke me personazhe katallanë të përmbledhura prej studiuesit spanjoll Eusebi Ayensa Prat në librat; “El record dels Catalans en la tradicio popular historica i literaria de Grecia” dhe “Baladas griegas : estudio formal tematico y comparativo”. Në traditën greke janë ruajtur tre poema  të zonës së Hipatit (Neopatrës ose Patrës mesjetare),  disa vargje apo shprehje shumë të shkurtra,  dhe një dramë; “Mbreti i Olimpit Katallani Jani”, e krijuar prej Marinos Kutuvalis në vitin 1873 mbi bazën e kujtesës popullore të mëparshme greke.

Në etapën e tretë, – pas kuptimit të zanafillës së legjendave dhe këngëve të mësipërme, – studimi u zgjerua në një pjesë të mirë të rrafshit narrativ grek, shqiptar dhe sllavo-jugor. Dhe u dallua se në ngjarjet historike të përshkruara nga legjendat e grupit të Dedalisë e kanë origjinën edhe dy këngët  shqiptaro – malazeze; “Jovani dhe kryetari i divëve” dhe “Zuku Bajraktar” (pjesa mbi Bajloz Sedalinë), poema greke “Historia e plakut të mençur”, kënga arbëreshe “Vlastari”, kënga maqedonase “Jana dhe komandanti Detelin”, legjenda shqiptare “Nusja dhe Syqenëza” dhe heroi  i poemave greke, Drakokardhos.

1) Dy fjalë mbi personazhin mitik të Katallanit dhe legjendën e Dedalisë.

Në imagjinatën popullore Katallani, i quajtur ndryshe edhe Syqenëza, Syqenhënjeri apo Divi, shihet si njëfarë farkëtari gjigand antropofag, pa gjunjë, me këmbë si trungje të papërthyeshëm dhe me një sy të vetëm në ballë.¹  Legjendat rrëfejnë se Dedalia e verbon me një trung te nxehtë gjatë betejës së parë, ndërsa më vonë – me kërkesën e mbretit të vendit që i është sugjeruar nga  dy shokët e heroit  – ai bën pre kalin dhe unazën magjike të Katallanit dhe i vret nënën ose një grua plakë të afërt me të. Në përballjen e fundit armiku robërohet me anë të dredhisë në një arkivol të drunjtë dhe dërgohet mbi qerre për tek mbreti, i cili vendos; ta vrasë tek “Dedalija dhe Katallani”, ose t’ia lerë heroit ta shëtisë të prangosur në qytet tek “Çangallozi”, ndërkohë  që arbëreshët e Italisë nuk zgjaten me fatin e mëvonshëm të Ljalë Orkut. Mbreti e shpërblen Dedalinë me pasuri të shumtë dhe i jep për grua të bijën.²

Studiuesit e mëparshëm kanë dalluar në tiparet negative të Katallanit, kujtimin e masakrave që mercenarët katalanë të Kompanisë Almogavare kryen në trojet bizantine gjatë gjysmës së parë të shekullit XIV. Në librin, “A Dictionary of Albanian Religion Mythology and Folk Culture” të  Robert Elsie shpjegohet se:

Sipas Gustav Meyer (1850-1900) dhe Maximilian Lambertz ( 1882 – 1963) fjala katallan vjen prej Kompanisë së famshme të ushtarëve katalanë që u ftuan në Perandorinë Bizantine në vitin 1302 prej perandorit Andronikus II Palaeologus (r. 1282-1328) për të luftuar turqit.³

Përveç personazhit mitik të katallanit origjina e të cilit është dalluar, gojëdhënat mbartin edhe disa motive të tjera domethënëse që shërbyen si mbështetje dhe bazë për kërkimin. Për shembull legjenda e Dedalisë rrëfen:

Dedalija, si i fortë qi ishte, kapë plakën e e shtjen në furrë e i a mbyllë grykën. Mbandej ikë e, si shkon bukur larg, i thrret katallanit e i thotë: – Të mirë u pashim, se plakën t’a dogja e unazën t’a vodha.⁴

Gjestet e habitshme të heroit; hedhja në furrën e druve të Plakës së Katallanit, vjedhja në fshehtësi e unazës magjike apo përkujdesja e tepruar ndaj mbretit përgjatë gjithë legjendës, janë  të pazakonta në traditën tonë narrative dhe tejet të vështira për tu pranuar e shpjeguar. Këto motive nuk mund të justifikohen me imagjinatën apo mendësinë e paraardhësve tanë të vjetër; asnjë rrëfimtar nuk do ta vendoste heroin e tij në situata kaq antiheroike dhe do ti vishte bëmat e mësipërme … përveçse nëse ai i ka kryer vërtet!  Pra motivet e pakuptimta mund të shpjegohen në mënyrë hipotetike si të dhëna të zbehta prej ngjarjeve që janë transformuar me kalimin e kohës  në gojëdhënat tona.

Gjithashtu edhe robërimi i armikut është i veçantë ndër legjendat dhe këngët e shqiptarëve që përndryshe përfundojnë me vrasje e koka të prera armiqsh.

2) Mbi modifikimin e këngëve popullore

Në një bisedë mes asistentit të Milman Parry-t, Nikola Vujnoviç, dhe rapsodit Xhemal Zogiç, ky i fundit rrëfen mbi ndryshimin e vargjeve gjatë transmetimit të këngëve të trimërisë mes lahutarëve:

«Ata  shtojnë, ose ata bëjnë gabime dhe ata harrojnë. Ata nuk këndojnë të njëjtat fjalë ose ata shtojnë fjalë të tjera. Dy rapsodë nuk mund të këndojnë të njëjtën këngë që kanë dëgjuar prej një rapsodi të tretë dhe ti kenë të dy këngët njësoj si e treta »⁵

Modifikimi i fjalëve  apo ornamentalizimi dhe aktualizimi i historisë së kënduar me vargje të repertorit personal të rapsodëve është një proçes i mirënjohur prej studiuesve të folklorit. Por jo çdo element transformohej menjëherë; subjekti i këngëve apo historia vetë në linja të gjera dhe motivet e grupvargjet më të veçanta, më tërheqëset, ato që mbaheshin mend më lehtë e që mund të përdoren në këngët e heronjve të rinj, i rezistojnë më mirë kohës dhe ndonjëherë  ruhen të paprekura për shekuj me rradhë. Sidomos në shoqëritë tradicionale ku këngët epike përmbajnë dy dimensione të rëndësishme;  përcjellin kujtesën kolektive brezave të rinj dhe mbartin një funksion të mirëfilltë edukues.

Pra këngët modifikohen esencialisht me ndryshimin e shoqërive, rrethanave politike, udhëtimin nëpërmjet kulturave e gjuhëve ose ndonjëherë edhe gjatë procesit të tekstualizimit prej mbledhësve të folklorit. Më poshtë do të flasim për këngët arbëreshe në të cilat armiku katalan i ka lenë vendin armikut turk, dhe ky zëvendësim është i kuptueshëm; arbërit e Italisë nuk kishin si  ti këndonin fitores mbi Katallanin ndërkohë që mbretërit katalanë të Napolit ishin kthyer tashmë në mikpritësit e tyre.

3) Ngjarjet

Duke u mbështetur në përfundimet e mëparshme të folkloristikës mbi personazhin e Katallanit dhe në motivet e pazakonta të tre legjendave, zanafilla  historike e ngjarjeve dhe heronjve u kërkua në formën e një konflikti  mesjetar të ndodhur në Ballkanin jugor paraosman ku kundërshtari katalan ose latin është robëruar dhe një grua e afërt me të është vrarë në mënyrë rrënqethëse.

Më specifikisht hapësira historiko – gjeografike e përzgjedhur përfshiu sipas radhës; historinë e Kompanisë Katalane, ndërveprimet e arbërve me dukatet  franko – katalanë në jugun e gadishullit, dhe më pas; luftërat mesjetare ballkanike të përfunduara me robërimin e prijësve latinë.

Mes këtyre të fundit është veçanërisht robërimi i komandantit aragonez Juan Fernandez de Heredia gjatë luftës për Despotatin e Artës në vitin 1378 që ka ngjashmëri me robërimin e gojëdhënave, ndërsa për pjesën tjetër të motiveve të legjendave dhe këngëve, ju propozoj si zanafillë; përveçse konfliktin e Artës, disa nga ngjarjet më të veçanta apo më domethënëset  që përshkruajnë jetën e dy prijësve kryesorë kundërshtarë; De Herediës dhe mbretëreshës së moshuar napolitane Xhovana d’Anzhut.⁶

3.1 Lufta e Artës

Për arsyen e mosekzistencës së dokumenteve të mjaftueshëm historikë ngjarjet nuk janë krejt të qarta. Dihet në linja të përgjithshme se sulmi mbi Epirin u mendua prej Papës Gregori XI, i cili përzgjodhi De Herediën për kryekomandant të forcave mësymëse , dhe kalorësve kishtarë ju bashkuan mbretëria e Napolit dhe disa fisnikë fiorentinë që ndihmuan në financimin e luftës.  Aleatët synonin formimin e një zotërimi të madh latin në jugun e Ballkanit i cili do të  pengonte progresin e mëtejshëm të turqve osmanë, ndaj e reklamuan fushatën si luftë të shenjtë kundër të Pafesë, megjithëse siç shkruan studiuesi i johanitëve H. J. A. Sire; “nuk është e qartë përse Zoti i krishterë i Artës duhej të zgjidhej si etapa e parë e Kryqëzatës”.

De Heredia ndodhej në qytetin e Vonicës brenda gjirit të Artës në datën 24 prill 1378 së bashku me zëvendësin e tij në More, Goshe (Gaucher) de la Bastide dhe despotin e ardhshëm të Janinës fisnikun fiorentin Esau Buondelmonti. Aleatët kanë pritur disa muaj përforcimet prej Papës së ri Urbani IV, të cilat përfundimisht nuk erdhën. Më pas përparuan në brendësi të tokave dhe sulmuan muret e Artës me makineri për pushtimin e kështjellave. Lufta nuk zgjati shumë; arbërit e Gjin Bue Shpatës, –  që duhet të jenë ndihmuar edhe prej  aleatit për këtë herë, despotit të Janinës Thoma Preljubit, – sulmuan befasisht kundërshtarët, i mundën dhe kapën robër; De Herediën, Esaun dhe fisnikë të tjerë. Më pas prijësi  johanit u shit tek turqit e Muratit I për rreth 8000 monedha ari ndërsa Esau u mbajt i burgosur në kështjellën e Janinës.⁸

Nuk dihet sesi kanë shkuar më tej episodet e robërimit, por vargjet e shkurtra të zonës së Hipatit, këngët dhe legjendat risjellin shpesh të njëjtën skenë. De Heredia lidhet në duar, këmbë dhe qafë, shëtitet në qytet dhe pastaj dërgohet për tek mbreti i lidhur dhe ndoshta i hipur në një qerre. Më poshtë vargjet prej poemës “Historia e Plakut të mençur”:

E morën,  i lidhën duart dhe këmbët, dhe e nisën të lidhur për qafe, në treg si një rob, si një rob, si një skllav.

Mesa kuptohet prej vargjeve të pjesës së fundit të poemës greke, më pas plaku i mençur fitoi miqësinë e gardianëve dhe këta e kanë përcjellë me dhurata e nderime të mëdha drejt vendit të tij, natyrisht pasi johanitët paguan shumën e kërkuar. ¹⁰

3.2 Ngjarjet e jetës së De Herediës

Motivet mbi jetën e De Herediës rrëfejnë për një episod trimërie dhe fisnikërie të ndodhur gjatë betejës së Kresit (Crecy) në vitin 1346 dhe mbi kontratën e qirasë që lidhte Urdhrin e Rodit me mbretëreshën Xhovanë.

Në Kresi, De Heredia luftonte në krah të francezëve. Gjatë tërheqjes së këtyre të fundit, kali i mbretit të Francës, Filipi (Philippe) VI, u plagos prej një shigjete dhe e la mbretin të shkalëruar në fushën e betejës. Megjithëse nuk i detyrohej asgjë prijësit aleat, Deda zbriti prej kalit të tij dhe ia fali mbretit duke i mundësuar shpëtimin prej burgosjes të sigurtë¹¹ Më pas vazhdoi të luftojë në këmbë derisa i plagosur katër herë u kap rob prej armiqve.

Gjesti  fisnik dhe trimëria e treguar në betejë i falën johanitit respekt dhe famë të pamasë në sytë e bashkohësve, jo vetëm në perëndim. Edhe të parët tanë mesjetarë nuk kanë harruar ti përmendin bëmat e luftëtarit fisnik; motivi i faljes së kalit në legjendën e Dedalisë vjen pikërisht prej kësaj ngjarjeje.  Pas robërimit prej anglezëve, mbreti i Aragonit (dhe Katalonjës) Pedro IV pagoi haraçin për lirimin e kalorësit që i përkiste popullit të tij.

Urdhri i johanitëve kishte marrë në vitin 1377 me qira (bail) Principatën e Moresë  në Peloponez që i përkiste Kurorës së Napolit, dhe De Heredia ishte Baili apo qiramarrësi, i përzgjedhuri dhe përfaqësuesi i mbretëreshës në krye të saj.  Fjala latine “Baili” që në lingua  franca  të epokës i referohej përfaqësuesit të një autoriteti është përdorur edhe prej vetë prijësit erudit në veprën e tij “Kronika e Moresë”, pikërisht në kapitullin e parafundit (725) ku përshkruhet marrëveshja me Xhovanën.¹²

3.3 Vrasja e Andreas

Ngjarjet e jetës së mbretëreshës Xhovanë të ruajtura prej kujtesës popullore janë; martesa me kushëririn e saj Andrea d’Anzhu që vinte prej familjes mbretërore të Hungarisë, tradhtitë bashkëshortore të së resë, vrasja e Andreas dhe episodet e dënimit makabër të të afërmve të saj të akuzuar për vrasjen.

Në vitin 1345 djaloshi shtatëmbëdhjetëvjeçar do të ngjitej në fronin e Napolit së bashku me  Xhovanën tetëmbëdhjetë vjeçare, dhe ky kurorëzim i dyfishtë cënonte pushtetin e mëparshëm të princeshës si edhe atë të fisnikëve të tjerë kundërshtarë në oborrin napolitan. Disa prej drejtuesve të Napolit, mes të cilëve me shumë gjasa edhe vetë Xhovana, vendosën ta zgjidhnin problemin në mënyrën përfundimtare.

Vrasjen e princit natën e 18 shtatorit 1345 kronisti bashkëkohës Domeniko da Gravina e përshkruan me këto fjalë:

Komplotistët u hodhën mbi Andrean të gjithë bashkë për ta mbytur me duart e tyre pasi ai nuk mund të vdiste prej hekurit dhe helmit për shkak të një unaze që nëna e tij e mjerë i kishte dhënë…” ¹³

Megjithëse i paarmatosur princi luftoi sa mundi;  i preu me dhembë gishtin dikujt që përpiqej ta heshtë duke i vendosur dorën mbi gojë, u çlirua prej krahëve të komplotistëve dhe vrapoi drejt dhomës ku flinte Xhovana duke e thirrur për ndihmë. Por ndërkohë dyert ishin mbyllur, shërbyesit kishin frikë dhe shoqëruesit hungarezë flinin të dehur nga festa e mbrëmjes. Erdhi ta ndihmojë vetëm Isolda, shërbyesja që kujdesej për të por e reja hungareze nuk mundi të bëj shumë: vrasësit e shtinë në dorë, i hodhën një litar në qafë dhe e varën në një prej dritareve që jepte mbi kopshtin e pallatit. Britmat e Isoldës dhe drita e fenerit që mbante në dorë i trembën dhe i larguan prej vendit të krimit pa mundur të fshehin trupin siç synonin. Vajza e mori princin e vrarë u mbyll me të në kishë dhe e vajtoi për të gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes iu rrëfeu krimin fisnikëve hungarezë në gjuhën e tyre dhe më pas trupi i vdekur u vendos në një varr të mermertë në faltoren e Shën Ludovikut brenda katedrales së Napolit.

Vrasja e Andreas u pasua me një konflikt civil mes Xhovanës dhe mbështetësve të saj nga njëra anë, kundër në anën tjetër një pjese të fisnikëve të mbretërisë të udhëhequr prej Robertit të Tarantos, Karlit të Durrësit dhe Ugo Del Balzos. Kryengritësit  bashkë me banorët e Napolit sulmuan kështjellën e qytetit ku mbroheshin Xhovana me të afërmit dhe pas traktativave të kryera prej Del Balzos mundën të shtijnë në dorë  disa prej të dyshuarve, mes të cilëve Filipa de Kabanin (Filippa de Cabannis) dhe mbesën e saj Sançën. Filipa kishte qenë më parë mëndesha e Xhovanës dhe mund të thuhet se ishte nëna e saj e dytë pasi princesha kishte humbur të atin dhe të ëmën herët në fëmijëri.  Ndërsa në momentin e vrasjes, ajo kishte arritur të  bëhej një prej personazheve më të pushtetshëm të mbretërisë dhe këshilltarja më influente e princeshës. Aq e rëndësishme ishte Filipa, sa historiania franceze Dominique Paladilhe e quan; “gruaja  që i drejtonte të gjithë në Napoli”.¹⁴

Papa Klementi VI, përzgjodhi Bertrand del Balzon për të hetuar vrasjen dhe dënuar fajtorët. Në 2 gusht pas torturave në burgun dhe rrugët e Napolit, disa prej të dënuarve mes të cilëve Gaco de Danisi (Gasso de Danicy) dhe Roberto de Kabanin, i ngjitën në turrën e druve në një shesh pranë Kishës së Shën Elias. Njerëz nga populli të mbledhur përpara skenës nuk pritën të mbaronte shfaqja makabre por i hoqën nga zjarri dhe të prekur prej çmendurisë ua ndanë trupat në pjesë të cilat i hodhën përsëri mbi flakë ose i mbajtën si suvenirë makabër të ngjarjes. Bashkohësi Giovanni Boccaccio rrëfen se më pas me kockat e tyre krijuan doreza thikash dhe zare.¹⁵ Filipa e moshuar dhe Sança shtatzënë nuk u vranë në fillim të gushtit si pjesëtarët e tjerë të familjes, por u lanë përkohësisht në burgun e Napolit brenda të cilit gruaja plakë pati fatin të vdesë ndërsa Sança u vra pas lindjes dhe pas mbarimit të festës së Krishtlindjeve në datën 29 dhjetor. Megjithëse nuk mundën ta ekzekutojnë në sheshin e qytetit, pas vdekjes trupin e plakës e varën në portin e qytetit ku mbeti për njëfarë kohe i pavarrosur dhe më pas u dogj. Ndërsa vajza e saj u përball me tortura akoma më rrëqethëse se të dënuarit e tjerë pasi e reja krenare nuk pranonte të rrëfehej dhe i kundërshtoi akuzat edhe pse hetuesit e “morën në pyetje” njëqind e njëzet e katër herë.¹⁶

Vargjet e fundit të këngëve të Zukut [282 : 291] dhe Jovanit [359 : 369] rrëfejnë një pjesë të vuajtjeve të fisnikes napolitane; çastet kur e lyejnë me squfur dhe zift të nxehtë e më pas e hedhin në det prej direkut të një anijeje të vendosur aq larg bregut sa mund të shihej prej popullit  por jo ti dëgjoheshin rrëfimet si edhe vdekjen prej zjarrit në një shtyllë në Napoli dhe lënien e trupit të pavarrosur. ¹⁷ Vargjet e këngës shqiptare janë:

Nji ah t’vogël dyqind vjeç / Katër copash m’a laton / N’katër rrugë kryq ai m’a ka ngulë  / E për ta ka lidhë / Qi robni e mrekulli / Me u ngi me kob të zi / N’zyft e n’peshkve m’a ka lye / N’fund e n’krye zjarm i ka dhanë / Me i dalë shpirti për gazep / E m’a la dhetë ditë e net.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin