Ditët e fundit opinioni u njoh me një mashtrim jo të zakonshëm, me falsifikimin e testamentit të Faik Konicës. E megjithatë, një gjë e tillë në kohën kur ndodhi, pati pasoja krejt të papritura e të ndryshme nga ato që mund të mendohet.
Kryeministri i kohës, A. Meksi, nisur nga botimi në shtyp i testamentit në fjalë i dha porosi Ministrisë së Kulturës të sjellë në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës. Në të vërtetë dëshira e Konicës për t’u varrosur në vendlindje, ishte e pranishme në të gjitha versionet e testamentit të tij. Veçse ajo nuk njihej.
Por ka edhe diçka tjetër që mbetet për t’u mbajtur mend nga ajo kohë. Pak ditë pas rivarrosjes së Faikut diku në Parkun e madh të Tiranës, erdhi lajmi i turpshëm se varri i tij, që ishte ruajtur aq mirë në dhé të huaj, ishte cenuar dhe busti i tij qe dëmtuar. Lajme të tilla vinin herë pas here edhe për Vëllezërit Frashëri (vendvarrimi i të cilëve ishte shndërruar në një wc publike, sipas shtypit), por edhe për patriotë të tjerë në rrethe, të Rilindjes a të Luftërave për Pavarësi etj..
Këto ishin rrethanat, kur në një nga numrat e asaj kohe në gazetën “Drita” u shkrua për domosdoshmërinë e ngritjes së Panteonit të Kombit, të një lloj Altari laik, ku do të preheshin eshtrat e burrave dhe grave të shquara. Gazeta Drita organizoi një debat dhe i mbajti hapur faqet e saj për disa numra rresht. Kishte opinione pro e kundër ngritjes së një institucioni të tillë. Qe gjësendi mjaft interesante, por doli që konfliktet politikë të kohës, si zakonisht, bënin më shumë zhurmë dhe nuk lanë që të zhvillohej më tej ajo ide.
E megjithatë gjithçka tregon se një ide e tillë, qëndron edhe sot e kësaj dite. Mundet që ndokush t’i kundërvërë asaj ekzistencën e monumentit të Nënës Shqipëri, por këto njëzet e ca vjet qenë të mjaftueshme për të kuptuar se ai monument (jo i keq në vetvete) u shpërdor dhe u akaparua politikisht. Vërehet në të diçka që ka kompromentuar rëndë frymën “ekumenike”, e cila është arsyeja e ekzistencës së monumenteve të tilla. Me sa duket kjo buronte nga synimi i regjimit të shkuar për ta paraqitur ideologjinë e tij si një fazë të sublimuar të patriotizmit, por sot jemi dëshmitarë të asaj që simbolika e Nënës Shqipëri, fatkeqësisht përfaqëson vetëm pjesën dhe jo të tërën. Fakt është se jo vetëm Faik Konicën sot, por edhe vetë Vëllezërit Frashri dje, vështirë t’i shohësh të qetë nën hijen e saj. Madje as regjimi i asaj kohe nuk i përqasi ata, i la jashtë.
Politika kishte vrarë idenë e poetëve dhe artistëve.
Gjithsesi, do të qe diçka fort e thjeshtëzuar për të thënë se na duhet një Panteon që më në fund të papërgjegjshmit të mos shurrojnë mbi eshtrat e njerëzve të shquar të kombit, edhe pse një gjë e tillë ndodh çdo ditë. Nuk do të mungojnë edhe ata që do të shurrosin vetë Panteonin.
Megjithse ideja e tij shoqërohet gjithnjë me një farë fryme disi romantike që nuk ekziston më, në të vërtetë do të qe më realiste që ai të shihet si një monument modern, laik e i pakohë. Thuhet se është e vështirë të shohësh dashurinë, ajo që shohim e vlerësojmë janë provat e dashurisë. E pra, Panteoni do të jetë një provë e kësaj dashurie të vonuar, simboli i vlerësimit të mençurisë së burrave të tanë të mëdhenj, i atyre që e zgjuan dhe ristrukturuan kombin vertebër pas vertebre. Veçse duke qenë i tillë, ai vetiu shndërrohet në një pikë orjentimi, në një pilastër ankorimi që ndihmon të mbajmë lart shpirtin. Shndërrohet në sinergji shpirtërore që na mban mbi ujë me gjithë tronditjet dhe plagët që jep historia. Ai, në menyrën e tij do të na kujtojë se gjithmonë do të shfaqet një dritë në fund të tunelit, edhe atëhere kur ngjarjet nuk marrin drejtimin që duam, kur ndihemi të tradhtuar e braktisur, kur humbasim njerëzit tanë të mëdhenj e ndihemi të vetmuar.
Ai duhet konceptuar pa emfaze, pa krenari fodulle kombëtariste.
Me frymën e tij asnjanëse, pa sensibilitete të veçanta politike e gjithëpërfshirës, ai merr trajtën e një ylli të largët për të na kujtuar se edhe kur jemi të dëshpëruar, megjithatë ka mbetur pak shpresë, se diku na presin. Atëherë nuk do t’i drejtojmë sytë në boshllëk, por aty te ai. Te Panteoni ku prehen ata njerëz që kanë patur vështirësi më të mëdha se tonat, por që nuk i ulën krahët, sepse besonin në të pamundshmen.
Ai do të na sherbejë të duam vendin tonë por pa urryer të tjerët.
Mundet që zëra të ndryshëm të thotë se nuk kemi pse të kapemi pas Panteonit që tashmë është një institucion i njohur e i pranishëm gjetiu. Kjo është e vërtetë, por njëqind e njëzet vjet më parë (kur doli nevoja ku do të vendosej trupi i Viktor Hygosë) askush nuk e kundërshtoi ngritjen e tij e të thotë se francezët nuk kanë pse të bëjnë një gjë që kishin bërë më parë armiqtë e tyre intimë, anglezët. Dhe kur anglezët bashkuan në Westminster eshtrat e burrave të tyre të shquar askush nuk u tha se një gjë të tillë më parë e kishin bërë romakët, ndërkohë që këta të fundit, pa asnjë lloj kompleksi morën si idenë ashtu edhe emrin nga grekët dhe ngritën Panteonin e tyre, për të mos shkuar më tej në kohë, te asirobabilonasit…
Duke iu kthyer edhe një herë fillimit të këtij shkrimi, mund të thuhet se në mënyrën më të pabesueshme, mashtruesit, me aq sa mundën, ndikuan në sjelljen në atdhe të eshtrave të një figure të shquar, emrin e të cilit e sjellim në buzë çdo ditë. Por sot, eshtra të tjera shqiptarësh të mëdhenj kanë filluar të lëvizin në dherat e huaja ku prehen.
Të shpresojmë se njerëzit me mend të ditëve tona do të dinë të bëjnë diçka më tepër për ata, burrat e mëdhenj të kohëve të shkuara, por të shpresojmë se të tillë do të nxjerrë edhe koha jonë, në mos, për ata të kohërave që do të vijnë.
Panteoni te behet po jo nga Berisha se do lere vend per veten, e do t’i ngelet peshqesh kujteses kolektive.
Per si eshte strukturuar politika shqiptare rrezik ne ate Panteon, do levizen eshtra te ndryshme çdo 4-8 vjet, ky e meriton, ai eshte abuziv, njeri legjitim e tjetri uzurpator.
Nga ana tjeter duhet te jete shume i madh, nqs do behet kompromis i tipit, po vume kete duhet te veme edhe ate dhe shume i vogel nqs s’do behet kompromis, madje ndoshta vetem Abdyl Frasheri do prehej atje pa kontestime.
Ja psh nga te gjallet, a do te kishte vend per Kadarene atje, pa pasur nje aradhe kontestuesish ?
Nejse, me vjen ndermend Perikliu i Pallatit 176,
Sali Ram Berisha (SRB) ne Panteon ?! Pupupupupupu…………..
Nga nderhyrja e Hyllin shoh nje paplotshmeri te shkrimit. Mbase duhej dhene ideja qe:
1.Panteoni te ndertohet me fonde komunitare, private, kryesisht.
2. Duhet gjetur nje mekanizem qe personaliteti i cili do te kete vendin aty t’i nenshtrohet nje lloj refendumi, per te shmangur vendimet e njerezve me ndikim dhe te politikaneve, perndryshe do kthehet ne mauzole eshtrash te atyre qe i vene minat vendit..
Gje e mrekullueshme do te ishte te kishim dhe ne Panteonin tone per ajken e te mencurve te kombit, vecse do te mbetemi gjithkohes duke ‘importuar’ eshtrat e tyre, pasi keta gjithmone emigrojne.