Julius
Nëse do të kërkoheshin dy emra përgjegjësish për gjendjen e sotme të Greqisë, ata do të ishin: Kostandinos Karamanlis dhe Jorgos Papandreu. Si për ironi, janë të njëjtët emra protagonistësh politikë, përgjatë viteve 60-80. Por jo të njëjtët njerëz. Emrat e paraardhësve të tyre politikë dhe biologjikë, i kanë të trashëguar, bashkë me historicizmin, moralin dhe lidhjet nepotike të formacioneve politike respektive. Pa mund, këta dy emra mund t’i quaja si kryeshenjuesit dhe ligjëruesit e nepotizmit që ka qënë pjesë e pandarë e politikës greke përgjatë viteve të fundit. Votimi përmes emrit artikulohej nga mbështetësit respektivë, shumë shpesh – do e votoj atë, se është një Papandreu!, dëgjohej shpesh.
Kështu, rituali i votimit mund të përkufizohet si riprodhim i besnikërisë të qytetarëve ndaj dinastisë përkatëse. Nëpërmjet mekanizmit të votës, grekët shprehnin dëshirën për të konfirmuar dhe ligjëruar marrëdhëniet nepotike midis tyre. Dhe të zgjedhurit e rradhës ishin kryeshënjues të kësaj marrëdhënieje. Madje, edhe dështimi i dy dinastive, mund të shihet si dështim i nepotizmit i cili mbante në këmbë gjithë sistemin grek. Një mënyrë tjetër me të cilën krijohej dhe riprodhohej identiteti i grupit, ishte me anë të fesë. Grekët, janë vërtet në shumicë absolute ortodoksë, por riprodhimi i nepotizmit përmes dogmës, kryhej me anë të pagëzimit. Shumë politikanë, pagëzonin njerëz në mënyrë masive, dhe u bëheshin nunë. Kështu përfitonin votat, dhe një sens besnikërie apo patriotizmi në doni, në traditën e tyre fetare. Sigurisht që mënyra tjetër klasike e përftimit të besnikërisë, ishte nëpërmjet përkatësisë së veçantë lokale. Vendet nga ishin liderët e radhës, votonin në masë “birin e tyre”, kjo traditë qëndron dhe deri më sot.
Po tanimë, çfarë po ndodh? Dy dinastitë janë prishur, nëpërmjet rrëzimit përmes votës të dy pinjollëve të fundit. Madje edhe sensi historik i dy ish formacioneve të mëdha klasike, ka humbur. Meqë gjithë kjo periudhë e kaluar që prej vitit 1974, shihet si fajësuese për gjendjen e tanishme. Nëse do të shpreheshim sipas termit francez të politikës, do të thoshim se kemi të bëjmë në këtë rast, me “ndërrim republike”. Më tej, fetarizmi i grekëve po vihet në provë, dogma, bestytnitë, shenjtorët, morali fetar etj, dhe kjo ndër të tjera e ka ndarë shoqërinë greke më dysh. Së pari në ata që promovojnë këtë ndryshim, dhe në ata që e ndjejnë se vlerat të cilat mbronin dikur, po rrëzohen.
“I hëngrëm të gjithë bashkë” – ka thënë një politikan deri më dje i rëndësishëm i Pasok, me emrin Theodoros Pangallos. E madje më tej shpjegon – Në çfarë mënyrë? Ju kemi emëruar. E ka fjalën për emërimet nepotike në administratë. Ishte vetëvrasje politike, kjo nuk do shumë mend, por në mënyrë të hidhur dhe ironike, një formë emancipimi për të pranuar bashkëfajësinë, të gjithë grekët bashkë. Ishte çështje organizimi, administrimi dhe mënyrë jetese pra, këtë pohon ish-politikani me zë të lartë. Këtë që ndoshta ka frikë të artikulojë kryetari i Syriza. Dhe ky qëndrim, apo më saktë kjo stepje për të dënuar sistemin nepotik nëpërmjet artikulimit të qartë politik, bashkë me disa lidhje të dyshimta sindikaliste që po realizon Syriza së fundi, i vë përpara dyshimit nëse do të kërkojë riprodhim të tyre. A do të kthehet në bazë, “gju më gju me popullin”? Kjo çështje i ngelet së ardhmes.
Nga ana tjetër, a bëhet fjalë për një konvertim të Greqisë në post-modernizëm? Për këtë vështirë të shprehem, por disa indicie mund të duken. Vëzhgimi si më lart i rrëzimit të lidhjeve të vjetra, pamundësia e riprodhimit të nepotizmit përmes fesë dhe fetarizmit, angazhimi civil i shumë qytetarëve përmes mediave sociale, dhe rëndësia që blogjet dhe interneti po vendos përmes pjesëmarrjes në jetën politike, të gjitha këto janë tregues pozitivë. Akoma edhe protestat dhe mënyra e zhvillimit të tyre është tregues i mirë. Lëvizja qytetare e të “Indinjuarve”, ishte në një koherencë nëse jo pan-evropiane, dilte jashtë kontureve nacionale të Greqisë. Kush e mban mend parrullën spanjolle “shhht se zgjohen grekët” dhe përgjigjen e saj? Edhe mënyra e organizimit të të indinjuarve, si artikulim politik, kishte veçantitë e veta. Ato të quajtura “asamble popullore” të improvizuara prej qytetarëve, shfaqnin qëndrim dhe vullnet politik të admirueshëm, e një ndër kërkesat ishte aplikimi i demokracisë direkte. Protestat madhështore të Verës 2011, përveç të dhënave të mësipërme, shfaqnin gjithashtu edhe një tipar, që jashtë Greqisë pakkush e di, apo e ka vënë re. Sheshi para parlamentit ndahej më dysh. Sheshi lart, dhe sheshi poshtë. Dhe ndërsa në sheshin lart do të shiheshin trekëmbëshit e varjeve, në sheshin poshtë njerëzit organizoheshin qytetarisht dhe votonin deklarata, akoma dhe… rrëfeheshin. Po. Çdo qytetar pasi vendoste emrin në një listë, mund të fliste përpara njerëzve dhe asamblesë, dhe shumë herë ata që flisnin rrëfenin “mëkatet” politike, domethënë thoshin se kishin votuar për Pasok në të kaluarën, apo ND. Si për ironi, ky dyzim i sheshit u kthye në dyzimin politik tashmë, dhe “ata të sheshit lart” ka mundësi, ndoshta, janë votues të AiA…
Kur të dalë nga kriza, si do jetë Greqia e së ardhmes? Këtë është vështirë ta thuash, sidomos kur flitet për një vend ballkanik. Marrëdhëniet midis Evropës dhe vendeve si Greqia (apo Shqipëria nëse doni), mund të shëmbëllehen, me anë të teorisë së përthyerjes së dritës. Mesazhi që vjen nga lart poshtë, duke kaluar nga një ambjent me stof social të ndryshëm tek një tjetër, vjen duke u përthyer. Për këtë shembëllim prej fizikës, më ndihmoi një tjetër shembull nga ekonomisti i njohur grek, Aristos Doksiadis. Në një konferencë TEDX, nga të shumtat që zhvilloheshin vjet, ai jep shembullin e tabakierës së kafexhiut. Ai shpjegon se kur ishte i ri, ishte mbërthyer nga teoritë marksiste të shpjegimit ekonomik dhe social, e ndërsa po përjetonte një gjendje të tillë, një koleg i veti, amerikan, i tërheq vëmendjen mbi një objekt shumë popullor dhe të përhapur në Greqi. Tabakiera e kafexhiut! Pa shih, çfarë mjeti interesant ky, citoj t’i thotë amerikani (e keni tek fotografia ngjitur). Shumë i thjeshtë për tu ndërtuar, praktik dhe efikas nga ana tjetër. Njësoj, thotë Doksiadis, investimet, apo mënyra e ndërtimit të marrëdhënieve sociale me njeri tjetrin, do të jenë kështu si ky objekt. Mekanizma të çuditshme, ballkanike e praktike, por që funksionojnë dhe i përshtaten ambjentit.
(fund)
”'(fund)”’
Amen
Michael Lewis ne librin e tij me titulling “Boomerang”, me te cilin perpiqet te analizoje shkaqet e krizes financiare te vitit 2008, kur merr ne analize Greqine ( duke bere kerkime per libirin, ai i vizitoi te gjitha vendet protagonist, qe nga Islanda , e deri ne Greqi) shkruan”
…” Shteti grek nuk ishte vetem i korruptuar por edhe korruptues. Nje here se pari se si funksiononte, ti mund te ishte ne gjendje te kuptoje nje fenomen qe s’bente fare kuptim: veshtiresine qe kane greket per te thene nje fjale te mire per njeri-tjetrin. Individualisht greket jane te mrekullueshem: gjithe humor, te zgjuar, shoqeri e mire. Ne fund te nje dyzine intervistash tek largohesha, i thoja vetes, “cfare njerezish te mire!”
Ata nuk e kane kete ndjenje ndaj njeri-tjetrit; gjeja me e veshtire ne Greqi eshte te gjesh dike qe te thote nje fjale te mire per dike tjeter, mbrapa kurrizit te tij. Cdo sukses i cfaredo lloji shihet me dyshim. Te gjithe jane te sigurte se gjithekush tjeter mashtron me taksat e tij, ose i jep ryshfet politikaneve, ose merr ryshfet, ose genjen ne lidhje me vleren e vertete te pasurise se tij te patundur. Dhe kjo mungese totale e besimit tek njeri-tjetri eshte veteperforcuese. Epidemia e te genjyerit, mashtruarit dhe te vjedhurit e ben te pamundur pasjen e nje jetese civike; shembja e kesaj jetese civike vetem sa inkurajon me teper genjeshra, mashtrime dhe vjedhje. Mungesa e besimit ndaj njeri-tjetrit i ben ata te mbeshteten vetem ne vetvehte dhe ne familjet e tyre….
Struktura e ekonomise greke eshte kolektiviste, por vendi, si mentalitet, eshte e kunderta e kolektivizmit. Struktura e tij reale eshte “secili per vete”. Ne kete lloj sistemi invenstoret derdhen me qindra bilion dollare. Dhe shperthimi/ rritja e krediteve e shtyu vendin ne gremine, ne nje kolaps moral te plote.”
Analiza e mesiperme i ben nje viviseksion shoqerise dhe kultures greke. Heqja e paraleles me gjendjen e shoqerise dhe kultures shqiptare nuk eshte fare e zorshme te behet.
Se cfare evolimi do marre gjendja e Greqise, do kete implikime pertej kufinjve te saj, dhe ne radhe te pare ato do te influencojne direkt edhe me ate qe ndodh dhe do te ndodhe ne Shqiperi, qe nga shkalla e nacionalzimit si faktor i jetes politike ne vend, raportet midis paleve sociale ( shtetit – individi – familja – entitetet ekono/juridike – kultura), mardheniet me Tjetrin etje etj.
Rasti i Greqise mendoj se do ndjekur me shume kujdes. Dhe jo vetem thjesht si kuriozitet ekonomik apo politik.
Një shkrim që rreket të paralelizojë situatën në Greqi (dhe Itali), me gjendjen në Shqipëri, ka Fatos Lubonja në gazetën “Panorama” – Pse kemi vetëm parti “të djathta”.
Arkivat e blogut janë shumë të vlefshme… Na mundësojnë t’i rikthehemi edhe një herë të njëjtës çështje, si shihej kjo katër vjet më parë. PUCRRA URBANE ADOLESHENTE.