Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PËR NJERËZ DHE MINJ

nga Julius

Lexova shkrimin e Arbër Zaimit “Që çlirimi të mos jetë një formë e re pushtimi”, me shumë interes. Është me të vërtetë një qëndrim i pastër dhe i drejtë, i moralshëm dhe aktual. Një zgjidhje e vërtetë që çdo shqiptar do e mbështeste. Po cilët do të ishin ata që nuk do e mbështesnin një skenar të tillë si ai që ofron Zaimi? Opa! Këtu u ndala pak… vërtet, cilët-do-të-ishin-ata-që-nuk-do-e-mbështesnin-idenë-e-Zaimit?

Po ja, me një matës virtual, të tillë psh do të ishin disa nga ata që komentuan shkrimin e Zaimit?

Nuk do merrem me maskat virtuale të secilit, po Zaimi, si dhe unë “i njeh”, apo jo? Do më thotë dikush, po këta janë virtualë! Si merr për bazë matëse qenie virtuale? Kjo është një temë e gjatë, e gjerë edhe e thellë po deshët. Thjesht një shembull; nëse Richard Dawkins kritikon virtualisht burgosjen e një të riu në Greqi, se vetëm virtualisht mund ta bëjë, autoriteti i tij, gjeneron dhe provokon reagime. Morali “virtual” është i njëjtë me atë “real”. Morali si virtyt (cilësi), vetëm virtual mund të jetë.

E lëmë këtë çështje, dhe marrim njësitë matëse reale. Realisht, ata që do e kundërshtonin Zaimin, do të ishin për shembull, votuesit e maxhorancës, apo PD-së? Këtyre njerëzve “nuk u mbushet mendja” për një mijë e një shkaqe dhe arsye se nuk duhet të votojnë më për dikë që njerëz si mua dhe Zaimit, ka qejf të na vërë përpara tytës së pushkës. Po çfarë t’u bësh, ja që nuk u besohet. Mbase ngaqë kanë vuajtur shumë nga komunizmi që të lejojnë komunistët të marrin pushtetin. Mbase sepse si njësi të identitetit të tyre njohin vetëm klanin, dhe dalja jashtë tij konceptohet si “prerje në besë”, mbase ngaqë dikush me superpropagandë ua ka mbushur mendjen ndryshe nga sa besojmë unë dhe Zaimi. Mbase ngaqë janë aq të izoluar sa nuk kanë mundësi të na lexojnë ne për të patur një alternativë ndryshe. Të gjitha janë perceptime.

Si puna e shifrave… njëshit, dyshit, treshit e me rradhë.

Jo, jo, shifrat nuk janë perceptime, janë fakte. Po sikur këta të tjerët, edhe me pak ndihmë ristani (që gjithsesi do i kthente faktet në fuckte), t’ia dalin që të bëhen më shumë se mua dhe Zaimi e të  ngjashmit me ne? Sepse këtu dhe kështu luhet “loja”. Dhe në terma morali apo virtyti, nga ana ime kjo do përkthehej: A jemi kaq të prapambetur sa do të na duhet t’ia rrasim me kopaçe kokës njeri tjetrit për të dalë kush ka të drejtë? Do të më pëlqente të dija, çfarë mendimi ka Zaimi për këtë pyetje?

Sa më shumë zbuloj sesi funksionon sistemi ynë që e quajmë demokratik, aq më shumë po më pëlqeka. Kjo që zbulova së fundi ishte, se sistemin e votës në demokraci, mund ta konsiderojmë si formë edukimi. P.sh., me votë mund të edukohen shqiptarët se nuk mund të mbështetësh, as të justifikosh, as të votosh dikë që hapur vret dhe vjedh. Dhe është vota formë demokratike edukimi. Ia thua tjetrit vetëm duke i shprehur vullnetin tënd, se ai, apo ata e kanë gabim, pa i lënduar, pa i vrarë dhe pa i dhunuar. Të paktën idealisht. Morali është ajo vlerë që duhet të kemi dhe që na bën të mos ia lejojmë vetes të lëndojmë tjetrin. Prova e ardhshme për pak muaj e këtij sistemi të edukimit do jetë, a do mundemi t’i bëjmë të besojnë të parën, apo të dyja bashkë? Hm…

Të vënë përballë kësaj prove, këtu na vijnë në ndihmë perceptimet. A janë ata më shumë se ne? A mendojnë se mund ta mbajnë një pushtet të dhunshëm po me dhunë? A mund të kthehemi në Siri, Liban, Libi apo thjesht si në Greqi? Të gjitha këto janë perceptime. Por ama është fakt se pas 21 Janarit kryeministër qëndroi ai që ishte… dhe…

… ja unë të them o Arbër Zaimi, se atij që shkruan “mirë bëri që i vrau”, i druhem. Shumë shqiptarë të tjerë si unë dhe ti, i druhen këtij arketipi. Dhe kështu nuk nxitemi vetëm nga vlerat, dmth ato që duam dhe duhet të arrijmë, por dhe nga ndjesi të tjera, si psh frika dhe dhuna që ky regjim i ka ushtruar dhe i ushtron edhe sot. Në Greqi psh, ishte propagandë e nëndheshme dhe me nëntekst të fortë ideja pas Juntës se realisht dy zgjidhje ekzistojnë: Ose Karamanlisi, ose tanket. Grekët atëherë zgjodhën Karamanlisin.

Kështu që për të kuptuar zgjidhjet dhe zgjedhjet, duhet të vendosemi përballë kontekstit. Dikush që gjithnjë dhe kurdoherë justifikon Berishën dhe pushtetin e pastaj më thotë: Ja të shohim çfarë do thonë tani të majtët, është përsëri pjesë e të njëjtit kontekst. Madje mua ma kufizon kontekstin. Edhe nëse realisht Berishën nuk e mbështet, nuk është i interesuar që të më bëjë ta besoj këtë. Shqiptarët janë të çuditshëm në marrëdhëniet e tyre me besimin, atë civil (kjo gjithsesi është temë tjetër).

Ajo çka dua t’u them të gjithëve, është se parësisht unë kërkoj që t’ia heq armët nga dora atij që i ka shkrehur. Sepse do t’i shkrehë prapë. Skenari ideal do të ishte, tre forcat politike që e kanë aq moral sa të mund të quhen akoma të shëndetshme. PS, AKZ dhe FRD, të vendosen përballë atyre që kanë sot pushtetin, në një koalicion të madh, pa dallim feje, krahine dhe ideje. E më pas kur të sistemojnë vetë sistemin, qoftë duke i ndëshkuar të tjerët, qoftë duke rithemeluar rregullat e lojës që të luajnë tashmë në mënyrë civile, të shkojnë përsëri në zgjedhje pas një afati kohor të caktuar.

Ndërsa të majtët në mënyrë konstante kanë qënë pjesë e opozitës, eksponentë të AKZ dhe FRD, deri pak më parë kanë qënë pjesë e pushtetit. A nuk është hipokrite të kritikosh një parti që përbëhet nga një elektorat që gjithë këto vjet ka qënë i papunë dhe i diskriminuar, i dhunuar dhe i poshtëruar deri në skaje jo vetëm prej politikës faktuale, por edhe retorikës ngërdheshëse dhe përqeshëse të atij që vret dhe zhabave pas tij që qeshin? A nuk do të ishte e justifikuar për këta njerëz të pranonin të ulnin kokën, dhe të “hanin turpin me bukë” apo “ngjalat”, si ua përmendin zhabat, nëse përballë do të kishin pamundësinë dhe mbi kokë të njëjtat fytyra kërcënuese?

Po Zaimi nuk zgjedh nga ana tjetër, t’ia prishë rehatllikun çunit tirons Bamir, apo Kreshnik shqiponjës. Le të flasim pak për këta, se mua më pëlqen t’ia heq Zaimit nga duart obsesionin për të kritikuar vetëm të majtën, apo kalin e rrahur paq gjatë këtyre shtatë viteve të fundit. AKZ dhe FRD sipas tij, janë pjesë e zgjidhjes, apo pjesë e problemit? Se pjesë e kontekstit janë, sigurisht. Topi dhe Kreshniku në të njëjtën fushë luajnë.

Me pjesë të zgjidhjes unë nënkuptoj një aleancë të mundshme me opozitën e sotme, nëse “numrat na bëjnë numra”, apo një rikthim nën sqetullën e squllët të Berishës që do i shndërronte në pjesë të problemit. Dhe vendi ideologjik i këtyre dy formacioneve të reja, përsa i përket perceptimit tim, është shumë ambig. Ish presidenti Topi megjithëse u akuzua si puçist, mbajti qëndrimin e famshëm të të folurit me heshtjen e tij. Shfajësimi i rolit të vet zyrtar, sepse ishte president atëherë, ishte shumë komod. Po kur nuk ka qënë komod Bamiri? Tani nën siglën e re dhe partinë e re, komoditeti vazhdon. Edhe rolin ku do luante, në mesfushë e zgjodhi, në largësi të njëjtë si prej njërës portë, ashtu dhe tjetrës, por po njësoj larg golit. Partia e tij deklarohet se mbështet pjesë të rehatshme të elektoratit shqiptar. Demokratët qytetarë, ish pronarët janë pjesa e votave që kërkon të marrë, dhe lulja e fishkur e këtij salloni mondan, janë pjesa e ish të përndjekurve politikë. Profili që mundet dhe kërkon të thithë FRD, është shumë i kufizuar. Dhe ky sektarizëm ka mundësi të kthejë Bamirin në pjesë të problemit…

Do i rikthehem, po le të shohim se çfarë bën Kreshniku… Për mua AKZ është një puzzle i madh. Kësaj partie nuk i dihet prejardhja, dhe populizmi nacionalist në të cilin angazhohet, është vështirësisht i përkthyeshëm në profilet e njerëzve që mund tu marrë vota. Por më bëri jashtëzakonisht përshtypje Kreshniku me një shkrim të botuar tek Tema, ku ndër kritikat ndaj socialistëve, thoshte gjithashtu se “Berisha i vrau socialistët” e më pas vazhdonte kumti, “por ata përsëri bashkëpunuan me të”. Dhe më preku jashtë mase ai identifikim i Kreshnikut, se ndërsa pohon që Berisha vrau, nuk sqaron nëse ata që vrau ishin vetëm socialistë, apo gjithashtu shqiptarë? Ishin kuqezi atë ditë, apo kishin veshur brekë të kuqe?

Këto dy formacione të reja, qoftë në mënyrë aksidentale, lindën si realitet politik i post 21 Janarit. Dhe përveçse parti, janë struktura sociale që do duhej të ndjenin përgjegjësi ndaj një ngjarjeje të ndodhur jo në Siri, por përpara hundëve, në bulevard. Dhe nëse dikur të gjitha rrugët çonin në Romë, mua të gjitha ditët më çojnë në 21 Janar… Kjo do të ishte pika në të cilat do të kuptohej nëse FRD dhe AKZ janë pjesë e zgjidhjes apo e problemit. AKZ mund të valëvitë sa të dojë flamurë, po duhet të më bëjë të besoj se për ta i kuq ishte edhe gjaku i atyre që u ekzekutuan atë ditë. Ndërsa Bamir Topi duhet të dijë se të majtët “heshtja e tij”, tashmë i vret. Realisht habitem sesi ka munguar ndër analistë dhe shtyp përgjithësisht një vullnet për të marrë deklarata të qarta të këtyre formacioneve ndaj 21 Janarit. Mbase sepse natyra e shqiptarit bën që tragjeditë t’i përjetojë me heshtje…

Qëndrimi i tyre ndaj ngjarjes do të ishte forma e besimit se me Berishën iu është prerë kërthiza. Nga ana tjetër këto dy parti ndodhen përpara një inercie bashkëpunimi të mundshëm. E kuptueshme, se diferencimi ndaj PD-PS, është faktorizimi real i tyre. Pamundësi reale bashkëpunimi, apo sektarizëm natyral? Bashkëpunim apo aleancë, është edhe forma e qeverisjes së sotme. Të gjitha për integrimin, thotë Iliri, ndërsa 700.000 euro zgjedh t’i fusë në xhep, tamam përpara kamerës. Pse jo, bashkëpunim gjithashtu patriotik, që të jemi në linjë me 100 vjetorin, dhe përsa kohë dhjetëmijëlekëshi shqiptar, mban Skënderbeun të stampuar mbi të. Sektarizmi i politikës shqiptare, është i dallueshëm e pothuaj i pashmangshëm edhe për këtë 100 vjetor. Si për të thënë se edhe bar hamë, po katundin nga vijmë nuk e shesim, akoma nuk e dimë se ku do festohet ky 100 vjetor? Në Vlorë, apo Tiranë? Nuk na mjafton fakti i mësipërm, por kësaj i shtohet dhe përzgjedhja e lokaliteteve të lokalistëve të njohur me mbirje statujash anë e mbanë Tiranës. Kryeministri i tanishëm nuk e ka autoritetin as mundësinë të na predikojë bashkim, por të tjerët mund të vendosin tjetërsoj. Përveç ideve të ndyshme ideologjike, partitë politike shqiptare dhe elektorati i tyre, do të duhet më shumë se kurrë t’i pohojnë vetes dhe tjetrit përballë se mund mbi të gjitha të bashkëjetojnë mes tyre. Shpërfillja e Tjetrit si pasojë e bindjeve politike, është në atë fazë sa ka çuar në eleminimin fizik të të ndryshmit; bashkimi përtej kornizave ideologjike të pjesës së shëndetshme të formacioneve politike, do të ishte vërtetim i nevojshëm, si për të pohuar se duam të vazhdojmë të funksionojmë si shtet.

Shënim: Titulli i shkrimit është huazuar nga një poemë e Robert Burns me titull origjinal ‘To a mouse‘ (Drejtuar një miu), dhe pjesë e saj është dyvargëshi i famshëm: the best laid schemes of mice and men/ often go awry (planet më të mira të njerëzve dhe minjve/shpesh herë shkojnë huq).

 

Pa Komente

  1. I nderuar Julius,
    ta them me sinqeritetin me te thelle, se cfaredo mendimi, opinioni apo analize le ta quajme, kur yshtet nga mllefi demtohet aq shume, sa fjalet nuk e percjellin dot ate qe do te thuhet.

    Sa per aleancen PS – LSI, kjo po shihet tani si nje alternative shume serioze, nga te gjithe.Per intelektuale si Arberi, te cilet nuk kane bllushtra , lakra ne koke, kjo aleance eshte me te drejte perverse.Per mua eshte me shume se kaq.

    Eshte tejet naive te perpiqesh te besh paralelizma mes nje aleance PS-LSI dhe PS-FRD-AKZ. E dyta mund te jete nje aleance normale, dhe krejt a natyrshme per rrethanat.

    Per FRD, s’besoj se ka ndonje ‘kontestim’, per vete personazhin kryesor te kesaj partie, por interesante eshte qendrimi qe mbahet ndaj AKZ.

    Mund te thuhet me plot gojen, se kjo parti ka lenduar ndjenjat e holla te shume intelektualeve mendjehapur , europianiste e kozmopolit.Por jo vetem.

    Jemi perpara nje skene tejet surrealiste: shohim ne nje ‘llogore’ berishiste e janullatiste;nacionaliste greke e kozmopolite shqiptare;vorio epirotas e ‘maloke’; dhe po te perifrazojme Marksin: te gjithe jane bere bashke per ti bere luften e shenjte fantazmes se nacionalizmit shqiptar!

    Bashkimi me Kosoven eshte nje nder synimet kryesore te kesaj partie.Duke e akuzuar ate per nacionalizem folklorik te dale kohe(!) e deri si nje krijese e qarqeve turke(kjo eshte me shume se poshtersi, eshte nje taktike), ne fakt synohet te fshihet frika( normale per maskarenjte) e nje bashkimi te mundshem.

    Ka disa kategori shqiptaresh( te huajt jane gje tjeter), qe i druhen bashkimit me Kosoven, per arsye nga me te ndryshmet dhe natyrisht nga me idiotet dhe perverset.Por te gjithe i bashkon frika e prishjes se pehazhit social-politik, e ndoshta edhe atij shpirteror!

    Bashkimi me Kosoven nuk eshte vetem ceshtje e nacionalizmit shqiptar, ajo shkon me tutje , eshte para se gjithash ceshtje e se drejtes.Eshte e kote perpjekja e te gjithe atyre mjeraneve mendjemykur e tmerresisht provinciale, per te ftohur entuziazmin e ligjshem e te arsyeshem, qe sjell ky bashkim.Gjithsesi, me c’tregojne bathet ai do te ndodhe , madje edhe pavaresisht deshires tone.

    1. “Bashkimi me Kosoven nuk eshte vetem ceshtje e nacionalizmit shqiptar, ajo shkon me tutje, eshte para se gjithash ceshtje e se drejtes”.
      Pavaresia e Kosoves eshte ceshtje e se drejtes, i nderuar zoteri apo zonje, dhe jo bashkimi i saj me Shqiperine. Dhe pavaresia e Kosoves eshte ceshtje e Drejtesise me shume sesa te drejtes jo pse ata jane shqiptare apo viktima, por sepse e fituan edhe moralisht, si protagoniste te nje lufte shekullore, te drejten per te ardhur ne ekzistence politike te barabarte.
      Dhe meqenese une jam nje nga ata qe nuk jam dakord me bashkimin me Kosoven do te sugjeroja qe ky bashkim do te ishte shume me efikas nese do te kishte vullnetin e sinqerte te te dy paleve, si deshire e plote dhe e ndjere. Dhe jo sikurse behet tani, si entuziazem i llogaritjes qe merr ne konsiderate prirjen e vendimmarrjes se te medhenjve. Sa per ate mendjemykur e mjerane, e tmerresisht provinciale, besoj se ti i emeton online keto si shprehje te sinqerta te kritikes qe ke ndaj nje kategorie shqiptaresh qe sipas teje i druhen bashkimit me arsye nga me idiotet. Ne fakt kritika ketu nuk ben asnje pune. Duhet bindja qe te ndjesh dicka si tenden. Ja qe nacionalizmi shqiptar nuk ka ekskluzivitetin e sentimentit jetesor dhe social te te gjithe shqiptareve, ja qe ky nacionalizem i katandisur ne nje politike brashnjaresh dhe abrashesh nuk eshte se bind shumekend, apo nuk entuziazmon te gjithe. Ja qe ai per shumekend mbyll shtigje te lirise individuale, pasi po vjen ne skene i paraprire nga nje retorike stadiumi dhe populizem harbut, ja qe ka shqiptare qe e duan vendin edhe per ate qe u ka dhuruar deri me tani dhe nuk u magnetizohet shpirti dhe mendja sa here autobuzi i linjes Qender-Kamez valevit flamurin kuq e zi apo dy gishta lart.
      Si mund pastaj te pranosh si te natyrshme aleancen PS-FRD-AK, kur eshte pikerisht PS-ja partia e akuzuar si pike grumbullimi e kozmopolitizmit politik shqiptar? A nuk eshte Edi Rama, ai qe ben ciu ciu ne twitter e qe po rropatet te binde kosovaret se “me nder shpie” nuk ka gje me ta. A nuk ishte Fatos Nano qe foli me Millon ne Krete? A nuk eshte PS-ja parti e grekeve dhe ortodokseve? Si u zhbene keshtu keto akuza? Si mundet qe konteksti i triumfit politik te nacionalizmit te AK-se te jete mes PS-se dhe FRD-se se Bamir Topit qe sot orkestron drejtimin me te forte politik ndaj Sali Berishes qe jane pronaret dhe te perndjekurit politike? Si ka mundesi qe nacionalizmi shqiptar nuk arrin dot te perkushtohet i teri ne arritjen e fitores se nje kauze qe sic thua “eshte ceshtje e se drejtes”. Pse valle ai i nenshtrohet koniunktures politike te dites?
      Nacionalizmi shqiptar qe shet ti ketu si ndjesi universale per shqiptaret eshte thjesht spot publicitar i financuar nga cunat e te njejtit fshat. Pse po ecen kaq shpejt do pyesesh ti? Po e thua edhe vete xhanem: me c’tregojne bathet ai do te ndodhe, madje edhe PAVARESISHT DESHIRES SONE.
      Do te ndodhe, por edhe ai ka kufijte e vet, te qarte madje, si drita e atij dielli qe lind. Sic edhe kishte kufijte e vet komunizmi dhe Diktatura totalitare. Edhe nacionalist edhe mercenar vetem ne Shqiperi mund te hasesh.

      1. As unë nuk e kuptoj pse e paraqitin çështjen e bashkimit të Kosovës si gur prove të kombëtarizmit (patriotizmit).

        Ata politikanë që e paraqitin bashkimin si nevojë urgjente, gati si të shenjtë, ka shumë gjasë që ta bëjnë këtë për të marrë pushtetin (siç bëjnë zakonisht politikanët), mundësisht mbi krijesën e nesërme të dalë nga bashkimi.

        Por unë fare lehtë mund të përfytyroj një kombëtarist të thekur, i cili të mendojë se dy shtete shqiptare në Ballkan i shërbejnë më mirë kombëtarizmit të tij sesa një shtet i përbashkët.

        Sikurse mund të përfytyroj një kombëtarist, po aq të thekur, i cili të shpjegojë se bashkimi i shqiptarëve, në këtë moment, kur të dy shtetet janë të varfra, praktikisht të dështuara dhe me institucione të diskredituara, nuk i bën mirë, por keq kombëtarizmit.

        Kombet zakonisht i krahasojnë me familje; e pra, pjesëtarët e familjeve që njoh unë, nuk jetojnë të gjithë bashkë në zadruga; por të ndarë veç, edhe pse gjithnjë i përkasin një familjeje. Prandaj edhe kjo Shqiptaria e bashkuar, si kërkohet nga disa qarqe politike, më duket si e frymëzuar nga një metaforë patriarkale… por qofsha i gabuar.

        Ka edhe një thënie të popullit: vëlla, vëlla, por qesja në mes. Kot e përmend, sa për të provuar se nuk po shpreh ndonjë pozicion kozmopolit këtu, por vetëm po lë arsyen të flasë – dhe arsyeja më thotë që bashkimin duhet ta bëjnë qytetarët, jo katundarët e të dy shteteve.

        Përndryshe, qëndrimi im personal ndaj çështjes së bashkimit (për aq sa mund të vlejë, meqë unë nuk jam qytetar as i Republikës së Shqipërisë, as i Republikës së Kosovës), është se ai bashkim mund t’u vlejë jashtëzakonisht shqiptarëve në një të ardhme afatmesme, por kurrsesi në momentin e tanishëm; dhe se bashkimit politik duhet t’i paraprijë komunikimi kapilar në ekonomi, demografi dhe kulturë; ose një paketë masash të realizueshme, që do t’i sjellë të dy shtetet po aq afër mes tyre sa ç’janë sot, bie fjala, Italia dhe Franca, Gjermania dhe Austria, Spanja dhe Portugalia.

        Sidomos – e përsëris, sidomos – qytetarët shqiptarë të Kosovës kanë nevojë të ndërrojnë ajër dhe të përzihen, në të gjitha kuptimet dhe drejtimet, me shqiptarët e tjerë (e Tjerë), ata të Republikës së Shqipërisë, që e përjetojnë diversitetin qytetar, kulturor, fetar si vlerë, jo si katastrofë, as si themel për armiqësitë e nevojshme.

        Mendoj gjithashtu edhe se një Shqipëri me institucione të bonifikuara dhe qytetari të kultivuar veç do t’i shërbente çështjes kombëtare, madje edhe drejtpërdrejt bashkimit të mundshëm nesër.

        1. ai bashkim mund t’u vlejë jashtëzakonisht shqiptarëve në një të ardhme afatmesme, por kurrsesi në momentin e tanishëm; dhe se bashkimit politik duhet t’i paraprijë komunikimi kapilar në ekonomi, demografi dhe kulturë

          Ka nje kontradikte ky ekuacion qe shtron per zgjidhje. Nqs bashkimi eshte funksion i kohes (afatmesme), atehere sa me shume qe zgjat afati (deri tani ka 20 e kusur vjet qe zgjat) aq me shume leshon rrenje kasta sunduese e sotme, dhe aq me i veshtire behet komunikimi kapilar ne ekonomi, sepse as Prishtines as Tiranes zyrtare nuk i konvenon ky lloj kapilarizimi. Ah, bejne sikur njesojne abetaren dhe vu vete-dekorimi patrotik. Po tek qesja ama ndryshon puna.

          Per mua bashkimi eshte kura e vetme qe i heq qafe atij populli shushunjat. Po meqe s’qenka e thene, le te bejme sehir si trash qafen Ilir Meta.

    2. Oskeola, unë e gjej shumë të vështirë të diskutoj me ty, sepse je riprodhues i të njëjtit mesazh me forma të ndryshme. Thua të njëjtat gjëra gjithnjë, me pak diferencime. Është si të kërkosh të bësh dialog me një statujë plot me mbishkrime.

      Kjo NUK është temë për bashkimin kombëtar. Kjo është temë për gjendjen politike në Shqipëri dhe vendosjen e disa shenjave, në aleanca të mundshme, forma bashkëpunimi etj.

      Në shkrim duket qartë se për mua është shumë e dëshirueshme një aleancë PS-AKZ-FRD, por natyralitetin kësaj aleance të mundshme ia jep vetëm një pikë: qëndrimi ndaj 21 Janarit.

      Frika është ndjenjë e LIGJSHME i nderuar, përderisa ke një formacion politik që përfaqëson rreth 20% të shqiptarëve dhe që është përgjegjëse për vrasje, krim shtetëror. A ke gjë për të thënë këtu?

      Bashkimi nëse vjen, nuk do jetë martesë me detyrim, as fejesë në djep, as me shkuesi, do jetë martesë me dashuri. Ti je i interesuar të provosh se ka dashni mes shqiptarëve si përtej dhe këtej kufirit e akoma midis tyre vetë, apo nuk të intereson të merresh me këtë punë? Nuk e kemi me shumë qejf detyrimin, Oskeola.

      Dhe së fundi, vetë Xha Xhai ka shkruar pak kohë më parë për bashkimin dhe mund ta gjesh këtu: http://xhaxhai.wordpress.com/2012/03/25/tri-qendrime-ndaj-bashkimit/

      Komentet janë akoma të hapura, shpalose gjithë dëshirën dhe idetë e tua për bashkim aty.

  2. Xha Xhai,
    arsyeja se pse komentoj ne kete blog, e kam thene njehere dhe s’bej keq ta perseris, eshte integriteti juaj intelektual.Kam hyre krejt rastesisht, dhe kam komentuar, por pa e ditur se do te postohej vertete .Eshte eksperienca ime e pare ne nje ambient te tille.Dikush ne komentet shkroi, se kam ca muaj qe sillem verdalle ketu .Eshte absurde, por une nuk mund ta provoj se edhe po ta them emrin e vertete( dhe ketu me vjen me te vertete per te qeshur) , une prapeseprape anonim jam!

    Kur flas per bashkimin e Kosoves me Shqiperine, nuk nisem aspak nga ndonje romantizem nacionalist apo patriotik.Nisem nga rrethanat reale te ceshtjes.Bile nisem nga ai moment hipotetik kur te fuqishmit e botes do na thone: po ju mund te bashkoheni!

    Ata qe jane kunder bashkimit , jane te tille edhe duke e patur parasysh kete fakt. Pikerisht kjo me duket krejt nonsens, e paarsyshme , e pakuptueshme.

    Cdo ekspert ekonomie , kudo qe te jete, ne cdo cep te globit, do ta agumentonte pa u lodhur fare , se nje bashkim i mundshem rrit mireqenien ekonomike;permireson nivelin e jeteses te te gjithe shqiptareve pa perjashtim, edhe te atij fshatarit ne cepin me jugor te vendit;bile edhe te minoriteteve.

    Teza e dy shteteve eshte jashte cdo sensi ekonomik.Nje nga shkaqet kryesore e prapambetjes shqiptare, eshte edhe shkaterrimi i tregut shqiptare( nese mund te perdorim kete fjale moderne) ne fillim te shekullit, i cili erdhi si pasoje e coptimit te hapesires gjeografike shqiptare.Bashkimi e rrit tregun , e forcon ate dhe… keshtu te tjerat vijne me radhe.

    Ja pikerisht nga keto arsye nisem une, kur flas per bashkimin, e jo nga perrallat tribale,fisnore apo kombetare .

    Prandaj me cudit fakti, qe pa patur argument te vertete, ka shume njerez qe e kundershtojne bashkimin.Qe ketej dalim tek paragjykimet, frikerat, psikozat, sepse nuk ka shpjegim tjeter.Fjalen naive s’po e them, sepse njerezit me shume do te pelqenin t’i quanin rrufjane sesa naive!

    P.S: Xha Xhai jam plotesisht dakord se si e shikoni procesin e afrimit apo bashkimit.

  3. Shume i nderuar theollogos,
    une po komentoj per paragjykimet qe shoqerojne kete ceshtje(bashkimin), dhe te tilla paragjykime ekzistojne pavaresisht deshires time apo tendes, apo cdokujt tjeter.

    Sa i perket populizmit, patriotizmit folkloriik, nacionalizmit provincial te vjeteruar etj etj, me te gjitha keto mund te spekulohet dhe spekulohet vazhdimisht me to, por po aq spekulohet edhe me teorite trendy kozmopolite.

    Ajo ,per te cilen flas une, nuk ka te beje aspak me lirite individuale , e probleme te tjera te shoqerise moderne;eshte dicka krejt tjeter, jo e kundert por e kithet.

    Intelektualet, te cilet i ndjek dhe i lexoj me vemendje, jane te tipit te Noam Chomsky-t;dua te them se nuk me intereson asnje lloj folklorizmi ,edhe patriotik qofte ai .

    P.S: oskeola ka qene emri i nje prijesi indian;eshte shkruar nje roman per te.Natyrisht qe eshte mashkull , nga ata te fortet madje.

    1. E para une ketu diskutoj me dike qe shkruan dhe i drejtohem zonje apo zoteri pse nuk e njoh. Ndaj edhe shpjegimi juaj emfatizues i pseduonimit qe mbani eshte teresisht i pavend.
      Mua nuk me intereson se cilet jane intelektualet qe lexoni e ndiqni ju me vemendje apo duke udhetuar ne tren. Une komentoj mbi ate cfare thoni ju ketu, per ate teme qe me intereson. Ju mund te keni prurje shume cilesore dhe origjinale e keto nuk kane pse te sherbehen te pajisura me referenca qe te me bindin mua se jane cilesore apo jo.
      Ndihet gjykimi juaj per komentues te caktuar por une replikova pse ju percillni nje mendim qe po behet sundues. Por po kuptoj qe qenkam ne raport te kithet me nje shumice albqelizoresh.
      Gjithsesi, kuptohet ne respekt te gjeometrise nuk replikoj me me ju.

  4. Shume i nderuar theollogos,
    ju shkruani:”Mua nuk me intereson se cilet jane intelektualet…” , e permenda ate intelektual per te shpjeguar se nuk jam aspak nacionalist , por jo per te treguar se cfare lexoj une, sepse do te ishte teper e mjere dhe qesharake. E di se eshte shume e veshtire per shume njerez te kuptojne, qe kur flitet per nacionalizem nuk eshte e thene te jesh i tille.

    Por ajo qe eshte me te vertete komike dhe tejet qesharake, duket sheshit tek shume individe , medemek te civilizuar e emancipuar, qe mundohen te te habisin me modernizmin e tyre, por kur vjen puna tek ceshtje konkrete, deshmojne se nuk jane gje tjeter vecse ca provinciale te krimbur ne paragjykime.

    Nuk percjell ndonje “mendim qe po behet sundues”, thjesht po ve ne dukje paragjykimet qe rendojne ne koken e shume shqiptareve, si nje menyre per t’u sheruar nga ato.

    Dhe e fundit, komentoj shkrimet dhe flas ne pergjithesi, padashur aspak t’ia hedh poshte mendimin autorit.Por nqs dikush e gjen veten tek ato pergjithesimet , ky nuk eshte problemi im.

    (Habitem kur thua se s’do replikosh, se ne fund te fundit ca komente jane djalli e mori!)

  5. I nderuar J.
    keni te drejte kur thoni “Kjo nuk eshte teme per bashkimin kombetar”;eshte nje digresion ne fakt.Por me c’kam vene re kudo ne shtyp, digresionet jane te pashmangshme, dhe askush nuk eshte i imunizuar prej tyre.Nuk kam ndonjefare aftesie, si shume te tjere, qe te bejne digresion e prape te duket sikur jane krejt brenda temes.

    “… A ke gje per te thene ketu?”-Po kam, bile ta kam thene edhe ne nje koment tjeter: une kam po ate mendim dhe ndjehem po aq i indinjuar sa edhe ju , per zullumin pushtetor.Ju prape kembengulni… por cfare duhet te them me teper? A mos duhet te shaj Sali Berishen ?
    Kete nuk e bej dot (eshte absurde), por edhe sikur ta beja nuk do ti percillte ne komentet XhaXhai!

    “Bashkimi , nese vjen, nuk do te jete martese me detyrim….do te jete martese me dashuri” .
    Askush, bile edhe nacionalisti me i thekur, nuk do ta donte nje bashkim me detyrim(megjithese eshte tejet e habitshme , se nje bashkim te tille, deri ne ploje e kerkonte dhe e enderron pala serbe!!).

    Nuk eshte martese me dashuri, eshte martese me INTERES, ne kuptimin me te gjere te fjales.Nje martese qe rrit nivelin e jeteses te popullsise;qe ndikon drejtpersedrejti edhe ne ceshtje te tilla si korrupsioni, krahinorizmi, klientelizmi;forcon institucionet ligjzbatuese;emancipon shtetin shqiptar vete, por edhe shoqerine ne te gjitha aspektet.

    Ne shkrimin qe me sugjeruat, XhaXhai sjell si krahasim dy fshatra qe bashkohen ne nje tjeter me ta madh. Une mendoj pikerisht te kunderten, sepse do te kishim nje ndryshim cilesor( por jo se kam ndonje bindje te thelle per kete).

    Perhere kam parasysh momentin hipotetik, qe ndoshta do te vonoje shume, apo nuk do te vije fare(pune e madhe), dmth ate moment qe nuk do te prishe rehatine e fqinjeve tane te dashur, dhe do te kete miratimin e lejen e te fuqishmeve te botes.

    P.S:Nuk kam synim te hedh poshte mendimin e askujt, nuk njoh askend pervec XhaXhait(por edhe kjo njohje si personalitet i kultures, pra nepermjet shkrimeve dhe intervistave ne tv).

  6. Per qytetarine qe ka Bamiri, meriton respekt. Edhe nuk e di nese do e mbaje kete profil dhe kete nivel ne politike, se mua me duket qe prej FRD-se, ndonje qe tani ka zgjedhur te jete “the barking dog” i populizmit.

    Por aty qe i terheq vemendjen dhe kam kritika, eshte tek komoditeti i rolit qe ka zgjedhur. Do vije nje dite qe do kete perpara proven e zjarrit me kete qendrim dhe do i duhet te nxjerre geshtenjat nga zjarri. 21 Janari dhe qendrimi zyrtar i tij si kryetar partie, eshte prove.

    Megjithate, nje gje qe ju ka shpetuar dhe nuk e keni vene re… nuk ju duket se politika shqiptare po segmetarizohet dhe fragmetarizohet? Psh Bamiri nuk pretendon te perfaqesoje asnje interes dhe asnje qellim jashte atyre qe ka marre persiper te perfaqesoje. AKZ po njesoj, dhe duket qe kostumi i nacionalisteve do u rrije shume shtrember kur te zbulohen si elektorat.

    Ky fragmentarizim dhe shperfillje e Tjetrit si individ politik dhe komunitet, nuk premton per mire, fare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin