nga Dritan Osmani
Kur Çnjeriut ia prishën shtatoren që e kish ngritur në mes të Tiranucit, ashtu si pa vënë re dhe ngadalë në Shqipevend filluan të shtoheshin Derrat dhe Minjtë.
Si duket ishin të vetmit që mund të ekzistonin në atë që e quanin tranzicion. Tranzicioni është si diçka as andej as këndej, as qiell as tokë, si në mes, diçka e papërfunduar. Zoti na kish dënuar të qëndronim në diçka të papërfunduar për gjithë jetën.
Shtatoren e Çnjeriut ia rrëzuan Njerëzit që Qorrqeveria e Çnjeriut ishte përpjekur t’i zhdukte me propagandë dhe dhunë. Rrëzimi filloi nga Qypstudentët te cilët e kuptonin që shoqëria e Derrave dhe Minjve nuk kishte te ardhme. Por nuk e kuptonin se ç’do të vinte më pas. Kur panë që mbërriti tranzicioni që ishte diçka e papërfunduar, dhe që zgjaste pafundësisht sikur i shpërndau një erë e ftohtë. Ca i çoi larg ne vende të tjera ku kishte më shumë Njerëz se Derra. Te tjerë u kthyen në Derra por me shumë vështirësi, dhe kur koha kur kishin qenë Njerëz i thërriste fort, dukeshin si copa gurësh të vjetër. Të tjerë u vendosën në ishuj ku mund të qëndronin si Njerëz për një kohë te gjatë.
Derrat e kohës së Çnjeriut ishin të gjithë njësoj me ngjyrë të kuqe të fortë që dukeshin më shumë si thika të kuqe të verbra sesa si kafshë. Ndërsa Minjtë e kohës së Njeriut ishin sërish të kuq dhe agresivë ndaj gjithshkaje, sidomos ndaj Njerëzve përveç Derrave të cilët i kishin frikë.
Pasi shtatorja e Çnjeriut ra, Derrat sikur ishin shumuar, kishin emra të ndryshëm dhe u turrën si të marrë për të rrëmbyer ç’kishte ngelur në Shqipevend. Sëmundja e Derrave të kuq u ishte ngjitur Njerëzve, dhe ata ishin transformuar në derra por me një ngjyrë të kuqe të vjetër e të zvjerdhur. Verbëria u kish ikur por kishin fituar një grykësi te pamasë. Më shumë interesoheshin ç’fusnin në barkun e tyre: fabrika të vjetra, para të çdo lloji, pyje, rrugë, puseta ndonjëherë dhe gozhdë të vjetra, për ta mbajtur barkun në formë.
Thërimet që bënin Derrat, i hanin Minjtë dhe kishte shumë thërime: aty një kamion, aty një copë e vogël rruge, këtu një pusetë e tufë bari. Kështu që derrat dhe Minjtë ishin të lidhur me një interes të madh.
Ku kishte një përfolje se po p.sh pakësoheshin pyjet, Minjtë vinin aty menjëherë dhe bënin një zhurmë të tmerrshme që shurdhonte jo vetëm Njerëzit por edhe ujin. Pas zhurmës së tyre të kobshme, Njerëzit e kishin shumë të vështirë të mendonin a flisnin. Fjalët nuk u bindeshin dhe ashtu turbull u binte një zezonë e madhe qe i bënte të kuptonin sa më lehtë ishte të ndiheshe Derr apo Mi, sesa Njeri.
Ishte e qartë se Minjtë dhe Derrat nuk ekzistonin dot pa njëri-tjetrin.
Derrat kishin mendime veten ne formë sendesh: dy rrugë, tre fabrika, tre pyje e kështu me radhë, foljet thuajse nuk i përdornin se kërkonin të sqaronin botën, thonin Derrat. Në përgjithësi nuk u pëlqenin foljet, në veçanti fjalët njerëzi, ndershmëri apo pastërti nuk i kuptonin, madje ato fjalë i egërsonin. Ndera Minjtë kishin mendime në formë mbetjesh, apo copash jo të plota, si copa pylli a fabrike.
Kur Derrat flisnin në formë “Më shumë ne, Nuk Jo Nuk. Jo Në Vend. Urra.”, Minjtë i jepnin formë mendimeve të Derrave, duke i përkthyer në “Shumë për të gjithë, por më shumë për ne. Nuk ka të tjerë si ne, as do të ketë. Nuk ecin as para, as pas. rrimë në vend. Hip hip urra.”
Derrat mund të hanin gjithshka dhe duronin gjithshka, nuk e kuptonin fjalën moral, në të vërtetë nuk dëgjonin mirë, dhe nuk dinin të lexonin ose kishin harruar sepse nuk u hynte në punë. Por kishin instinkte të shkëlqyera nga vinin fabrikat, rrugët dhe pyjet, të cilave u qepeshin dhe i shqyenin me dhëmbët e tyre. Hera herës u hipte një dëshirë e madhe për të shkatërruar gjithshka që u dilte përpara, mes shkatërrimit ndiheshin si në ekstazë, si në shtëpi të tyre.
Njerëzit ishin pakësuar dhe nuk duheshin sepse ishin të kujdesshëm me njëri-tjetrin, dëgjonin njëri-tjetrin dhe për më tepër mendonin; gjëra që nuk ishin më në modë që prej një kohe që nuk mbahej mend.
Seriozisht e ke ti Xhaxha ?
Ndoshta duhet të pyesësh autorin e shkrimit.
Ndoshta, por une te pyeta ty si i zoti i shtepise.
Nuk kam asgje me autorin dhe kerkoj ndjese nese tingelloj pak i vrazhde, por sinqerisht sinqerisht, e ndjek prej kohesh blogun dhe jam mesuar qe ketu te gjej shkrime te nje standardi te caktuar, mesatar ne rastin me te keq ; ky nuk mu duk asfare i tille. Per te paren here po e shoh me sy tjeter ate autorin e dikurshem, castigat ne mos gaboj 🙂 Ai ishte i mire, dhe kam thene gjithcka.
Vëre veten në vendin tim… Gjithsesi, autori besoj se i mirëpret kritikat.
Z. Peshperites,
Krtikat zakonisht nuk kane lidhje me vrazhdesine.
Natyrisht qe kritikat jane te mirepritura, ne rastin tend, ti thua vetem qe eshte nen mesatar. ndoshat nuk je mesuar me shkrime te natyres se kafkes, Buxati, Kamy ku perzihet ngjyare e zeze e pesimizmit, me nje lloj metafore te vecante.
Sa ia arrij une kesj eshte per tu pare.
Ne qofte se nuk eshte kjo me lart, ka mjaft gjera te tjera per te lexuar, thjesht lexo te tjera gjera o mik.
Here tjeter ne qofte se ben kritika drejtohu autorit direkt, emri im eshte siper. Eshte me e sjellshme keshtu.
Gjithe te mirat,
Dritan Osmani
P.S Xha Xhai gjithmone mund ti kthej mbrapsht shkrimet kur ato jane nen nivel mesatar sipas tij, jo sipas jush.