nga Zampanò
Tani që zgjedhja e Presidentit të ri përfundoi, tani që polemikat erdhën duke u shuar, tani që veshët na ranë rehat, tani që çështja nuk i intereson kujt, tani që u kuptua se jeta vazhdon gjithsesi, mund të themi pa frikë se ndërsa Presidenti është një dhe i pandashëm, mënyrat e zgjedhjes së tij janë të shumta e të shumëfishta.
Kush kujton se metodologjia e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri është rastësore jo vetëm gabon, por dëshmon se nuk e njeh politikën shqiptare. Jemi në fushën e artit, ndoshta të shkencës, ose ndoshta diku afër, andej nga lumi i Lanës. Megjithatë, metodat e zgjedhjes së Presidentit nuk shterohen me zgjedhjet e dhjetëvjeçarëve të fundit. Ka metoda e rrugë të reja, të pashkelura më parë, plot fantazi, që mund të eksperimentohen pa frikë në të ardhmen.
Ja disa prej tyre, që mund të përbëjnë model për parlamentin shqiptar në të ardhmen.
Letra me vrimë
Kjo metodë nënkupton shpërndarjen e disa letrave të gjithë parlamentarëve. Jo letra me sharje, por thjesht të bardha. Para se t’u jepen deputetëve, njërës i bëhet brimë në mes. Në rast se ka protesta për maskilizëm, nga deputetët meshkuj, mund të sugjerohet shënimi me rreth i letrës, ose me shenjë tjetër që nuk lë shteg për keqinterpretime. Letra me vrimë shkartiset në vorbullën e letrave të tjera dhe u ofrohet si tabaka me bonbone të pranishmëve. Kujt i bie brima zgjidhet President.
Hapa dollapa
Bëhet fjalë për zgjedhje të frymëzuar nga lojërat tradicionale të fëmijëve shqiptarë. Merret dikush nga rruga, ose nga radhët e opozitës, dhe vihet ndesh me podiumin. I mbyllen sytë me cohë transparente. I thuhet të numërojë deri në tridhjetë, sipas ritmit të sekondave. Deputetët, por edhe nëpunësit e parlamentit, shoqet e deputetëve, sekretaret, rojet, gardistët, shoferët, pastrueset, duhet të përfitojnë ndërkohë që të fshihen diku në godinë. Njeriu i fatit hap sytë e fillon kërkimin. Ai që fshihet më mirë, pra që kapet i fundit, bëhet President.
Pater familias ose ius sanguinis
Është një nga mënyrat më tradicionale, deri diku gjenetiko-biologjiste. Analizat e gjakut të kandidatëve për President përbëjnë votën e vërtetë për ta. Është mënyra më e mirë për t’i vërtetuar atyre përkatësinë kombëtare nga një anë, besnikërinë partiake nga ana tjetër. Në fakt, bëhen dy lloj analizash, ajo e grupit të gjakut dhe ajo e adn-së. E para duhet të përkojë me shefin e partisë, e dyta me Teutën e Ilirisë. Kush i ka këto dy të dhëna bëhet automatikisht President i Republikës.
I treti i vërteti
Kjo mënyrë i ka rrënjët e thella. Ndoshta mistike. Presidenti zgjidhet sipas rendit, jo sipas përkatësisë. Aftësia këtu qëndron se kush fut emrin në vendin e tretë. Emri i parë propozohet për t’u djegur, i dyti për të fikur zjarrin, i treti për ta lagur. Metoda e njohur e përjashtimit e ka një farë ndikimi në këtë mënyrë zgjedhjeje, veçse përjashtohet ai që përmendet fillimisht. Në këtë rast është mirë që propozimet e para t’i bëjë tjetri, ose t’i bësh ti duke bërë emra çfarëdo. Kur vjen i treti duhet pasur kujdes e vëmendje, duhet mbajtur mend emri i duhur se ka rrezik që të ngatërrohesh në çastin e fundit dhe zgjidhet dikush tjetër pa dashje.
Dosja
Rregulli bazë është ky: po nuk pate dosje, nuk je kandidat. Ose po pate dosje, je kandidat. Ka nga ata që e shikojnë këtë metodë si mënyrë për ta kushtëzuar Presidentin e ardhshëm, ose për ta thënë politikshe: për ta marrë peng. Nuk është e vërtetë. Dosja është status symbol i shqiptarit, është dekoratë, medalje, ofiq. Kush nuk ka pasur dosje gjatë regjimit? Ata që kanë qenë kot fare, njerëzit pa rëndësi, ata që s’bënin as mirë, as keq. Të parëndësishmit. Kush nuk ka dosje nuk mund të ulet në parlament, në qeveri, në Pallatin e Brigadave. Mund të ndodhë e kundërta, pra të zgjidhet dikush pa dosje, por zgjedhja nuk do të jetë cilësore. Dosja është prova e aftësisë. Në këtë rast përzgjedhja e Presidentit fillon nga arkivi i dosjeve. Titullarët nuk deklarohen publikisht si “me dosje”, por nënkuptohen si të tillë. Kush deklarohet është i djegur nga loja. Në rast se në finale arrijnë dy kandidatë, bëhet President ai që e ka dosjen më të pasur e më të mbushur.
Sa më kot, aq më mirë
Kjo mënyrë zgjedhjeje nuk është verifikuar ndonjëherë në Shqipëri, as në diktaturë, as në demokraci. Sekreti qëndron në aftësinë e forcave politike që të propozojnë kandidatë sa më kot. Emrat mund të bëhen një herë nga opozita, një herë nga qeveria, e një herë tjetër të interesuarit vetë. Personi që do të përmbushë kriterin e kotësisë, të mediokritetit, të padomethënies, të pavlerës, do të zgjidhet president. Kjo do t’u japë mundësi partive të livadhisin sipas ëndjes nëpër lëndinat institucionale.
Numëratori telefonik
Kjo është shumë demokratike si zgjedhje, edhe pse ka kritika në adresë të saj. Mënyra më e mirë është që gjatë negociatave, opozita e pozita, të bien dakord për shkronjën me të cilën duhet të fillojë emri. Në rast se opozita zgjedh zanoret, mazhoranca mund të zgjedhë bashkëtingëlloret. Ose e kundërta. Pastaj hapet numëratori telefonik dhe fillon zgjedhja e emrit. Vetë numëratori telefonik është një lloj site për Presidentin e ri, sepse numër fiks kanë vetëm ata që kanë një farë moshe, një farë tradite e një farë pozite në Shqipëri. Të tjerët kanë celular.
Themi te shkruajme shqip. Po nga na doli kjo fjala pozite? Cili fjalor i shqipes e permban? Cila e folme shqipe? I shkrepi ndonje politikani kokebosh te perdore fjalen pozite ne vend te shumice (ose makar maxhorance) dhe vu, e ndoqen te gjithe e harruan shqipen. Njesoj si me arroret (mua mund te me shkrepe te them lajthoret, apo bajamoret) Njesoj si me dakordesine. Mos e pasurojne shqipen keto fjale kot me kot apo e percudnojne?