Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Sociologji

GJERGJI YNË I ASTURIES

Për të hyrë në Logronjo duhej të kaloja lumin në urën e Santo Juan de Ortega-s, sipas emrit të shenjtit që besohet se ka qenë ndërtuesi i versionit të saj të parë. Megjithatë, nuk ishte ura, për të cilën nuk kisha dëgjuar kurrë, por ishte lumi i Ebros mbi të cilin ajo kalonte, ai që përflakte fantazinë time. Pas lumit të Tiranës ai ishte lumi më i njohur i fëmijnisë sime. Kjo lidhej më një libër me kujtime të luftëtarëve shqiptarë që morën pjesë në Luftën e Spanjës. Qe një libër të cilit i kthehesha me dhjetëra herë dhe besoj se shumë nga moshatarët e mi e njohin. Por unë mbase kisha edhe një arsye më shumë. Aty ishin edhe kujtimet e një njeriu të familjes, i cili në Betejën e Ebros, pas disa ditësh bombardime, kishte mbetur i vetmi luftëtar i gjallë i batalionit të tij.

Nga ai imazh që kisha për atë lumë, mbeta pak keq kur hodha sytë përtej urës dhe pashë në breg të tij nja dy peshkatarë të përgjumur e me nga një tog shishesh birre te këmbët, që më përshëndetën nga larg, si të vetmin spektator të asaj dite të gjatë qershori.

Pastaj qe një shesh aty para katedrales, ku u dogjën të gjallë personat e akuzuar për shtriganëri, në përfundim të të famshmit Proces të Logronjos, pastaj qe një tablo e Mikelanxhelos në Katedrale, që edhe ajo duhej parë e së fundi ishte qyteza e Klavihos (Clavijo), që nuk gjendej larg prej aty.

Ky emër vetëm sa më kujtohej nëpër tym, aq sa i kujtohet dikujt që për të plotësuar mësimin e një gjuhë të huaj, dyzet vjet më parë, i kishte hedhur edhe një sy historisë së vendit që mëton ti flasë gjuhën.

Dija, pra, që përfaqëson një subjekt të pashmangshëm kur është fjala për historinë e Spanjës, mitin e saj themelues. Por për argumentin që dua të shtjelloj këtu le ta kapim historinë pak më lart. Në vitin 711 pas thyerjes së mbretërve visigotë e gjithë Spanja ka rënë nën sundimin kabil, të thirrur përgjithësisht arab apo edhe mor (maure), mbase sepse një pjesë e mirë e Afrikës së Veriut quhej Mauritani. E gjithë Spanja, por gjithsesi me përjashtim të një rripi toke në pjesën e sipërme të gadishullit. Bregu kantabrik, vendet baske dhe territoret e Asturies, mbetën nën sundimin e zotërve të vegjël të krishterë.

Një kohë të gjatë sunduesit myslimanë nuk i kushtuan fort rëndësi atyre vendeve, që me përjashtim të baskëve janë me origjinë kelte. Në njërin prej tyre në Asturie ka zhvillime interesante. Paria e vendit mblidhet e zgjedh një mbret, Pelayon-legjendar, por diku në fillim të viteve 780 del një problem trashëgimie. Mbreti Silo vdes dhe shpërthen lufta për fronin midis Fruelës së Parë dhe Maugerat-it, djalit të jashtëligjshëm që Alfonsi i Parë  kishte patur me një vajzë more, myslimane.

Veç disa betejave që duhet të bëjë për të marrë e ruajtur fronin mbretëror, Maugerat-i është i detyruar ti kërkojë ndihmë emirit të Kordovës, Abdurrahmanit të Parë. Ky u fundit pranon me kusht që t’i dorëzohen… njëqind vajza si tribut i përvitshëm.

Tani të kthehemi te qyteza ime e Klavihos në afërsi të Logronjos.

Kanë kaluar mbi gjashtëdhjetë vjet dhe dorëzimi i këtij haraçi është bërë ca i vështirë, i rëndë. Mbretërit pasardhës duan ta kundërshtojnë e për këtë nuk ngurrojnë të ngrihen edhe në luftë, siç bëri Ramiresi i Parë. Megjithatë në një betejë të vitit 844 në Albelda (Aragonë), ai u thye nga ushtria e Abdurramanit të Dytë. Në rrethana katastrofike trupat e tij tërhiqen deri në Klaviho (ja ku mbërritëm) , së bashku me njëqind virgjëresha, që nuk pranonin t’ia dorëzonte arabëve.

E imagjinoj se sa e vështirë duhet të ketë qenë. Midis tyre duhet të ketë patur mjaft motra e vajza të luftëtarëve të ushtrisë së Ramiresit

Ai vetë thuhet se ishte i plagosur e megjithatë ndodhi ajo që nuk pritej. Ushtria e vogël e mbretit të Asturies i theu forcat arabe mu aty në Klaviho. Vajzat që shihnin me zemër të ngrirë zhvillimin e betejës u kthyen në shtëpitë e tyre. (Princi trashëgimtar i fronit të Spanjës sistematikisht njihet si Princ i Asturies. Eshte tamam ai që ndan një sërë çmimesh të rëndësishme, një nga të cilët iu dha Kadaresë pak vite më parë)

Që nga beteja e Klaviho-s, sundimtarët arabë nuk e gëzonin më të drejtën e tributit të tyre prej njëqind virgjëreshash. Simbolikisht kjo betejë shihet si fillimi Reconquista-s që do të zgjasë deri në janar 1492, kur Ferdinanti i Dytë e Aragonës dhe Isabela e Kastiljes, Mbretërit katolikë, përzunë edhe emirin e fundit mysliman të gadishullit, Abu Abdil-lah të Grenadës.

Pa hyrë në detaje të tjera kushdo vëren në këtë histori-legjendë spanjolle ngjashmërinë me motivet vepruese të këngës së Gjergj Elez Alisë. Madje aty është thelbi që motivon ekzistencën e saj, detyrimin për t’i dhënë vajzën a motrën dikujt si tribut.

Kam përshtypjen se në fillimet e veta dhënia e vajzës a motrës dikujt do të ketë qenë parë si një lloj vasaliteti e aleance, vajzat nuk shkonin atje për prostitucion, ato do të jetonin në harem e do të shiheshin si gra legjitime të “morit” “arapit”. Me tej do të ketë filluar të rëndojë pesha politike e atij tribuni, ndërkohë që aristokracia visigoto-kastiliane fuqizohej dita ditës.

Në lidhje me këtë argument më duket interesante edhe historia e familjes aristokratike portugeze e Figueiredos (shtoj këtu se Portugalia në atë kohë nuk ekzistonte, ishte vetëm pjesë e territoreve të mbretërisë së Kastiljes). Në origjinë të saj përmendet një person me emrin Goesto Ansur, i cili paraqitet si një kalorës i krishterë që sulmoi një eskortë arabësh të cilët po shoqëronin gjashtë vajza të krishtera, tribut i vasalëve për emirin e Kordovës. Goesto vret eskortën, çliron vajzat dhe madje do të martohet me njërën prej tyre me emrin Orelia, e bija e zotit të Lugo-s (një qytet në Castilla y Leon, ku do të më duhet edhe nja tre javë rrugë më këmbë për të mbërritur) .

Ky element i fundit shërben për të kuptuar se “arapit të zi” nuk u jepeshin thjesht vajza të vogla fshatarësh të varfër. Edhe vetë fisnikët qenë të ftuar të kontribuonin me fëmijët e tyre.

Së fundi shtoj se histori a legjenda të tilla mund t’i dëgjoje të rrëfyera krejt natyrshëm edhe nga fshatarët e atyre zonave malore. Diku tregohet se ndërsa të dërguarit e morëve po prisnin te dera e qytetit të Carrion-it dorëzimin e katër vajzave, pjesë e detyrimi të qytetit, ato, vajzat iu lutën me aq shpirt Shën Marisë sa atë çast se nga dolën katër dema që sulmuan të dërguarit arabë…

Por jo vetëm kaq. Në portat e kishave të ndryshme sheh edhe sot e kësaj dite të gdhendur në gur pjesë të kësaj historie, procesione vajzash që shërbenin si tribut etj.

Procesione të natyrës fetaro folklorike zhvillohen çdo vit në javën e tretë të muajit Maj, kur nëpër qytetet të ndryshme lëvizin procesione prej njëqind vajzash me kurorë lulesh të bardha në kokë. (Fotoja më lart paraqet njërën prej tyre)

Së fundi fare, unë nuk dua të bëj asnjë interpretim paraprak të këtyre kronikave e legjendave iberike. Vetëm dua të shtoj se nuk janë vetëm dekori dhe elementët e përbashkët me këngën epike të Gjergj Elez Alisë ato që krijojnë analogjinë e rastit.

Një lloj makronimie iberike nuk është se mungon edhe në pjesë të tjera të eposit shqiptar, si te kënga e Ago Ymerit (që vjen nga Spanja), por që një ngjarje e tillë që është në mitet themelues të krijimit të kombit Spanjoll, të transplantohet në trojet shqiptare, ku nuk gjendet as edhe një element historik lokal për ta mbështetur, (me sa mbaj mend kemi diskutuar këtë temë që në fillimet e këtij blogu e pas shumë hamendjesh nuk kemi gjetur asnjë burim vendas), kjo me të vërtetë paraqet një objekt interesant studimi.


Pa Komente

  1. Pikeshikim shume e bukur dhe e kapur!
    Pytja eshte si levizi kjo histori nga eposi spanjoll ne ate shqipetar??

  2. Analiza e ngjashmerise se miteve te popujve te ndryshem eshte nje menyre interesante per te zbuluar menyren e te jetuarit dhe te menduarit te tyre.

    Psh nje analize e tille eshte bere midis miteve homerike – Iliada/ Odiseu, me ato te Mesopotamise – Kenga e Gilgameshit.
    Ka shume pika te perbashketa midis tyre. Te dy heronjte, si Akili, ashtu edhe Gilgameshi jane te lindur nga bashkimi midis nje perendie dhe nje mbreti vdektar, te dy jane impulsiv; kur gjenden ngusht kerkojne ndihmen e nenes perendeshe per te nderhyre tek krye-zoti( Zeus dhe Shanash). Qe te dy kane nje mik te ngushte (Patrokli dhe Eukidu) i cili vdes, megjithe perpjekjen e perendise per tua mbrojtur jeten. Mbas vdekjes se miqve te tyre, qe te dy si Akili, ashtu edhe Gilgameshi shkulin floket nga hidherimi dhe perpiqen te perqafojne hijen e shokut etj, etj.

    Ne rastin e Gilgameshit, e gjithe drama rrotullohet rreth fuqise se pamase te heroit, qe u shkaktoi kaq probleme popullit te Urukut, sa keta iu ankuan perendive, te cilet per ta kompensuar krijua Eukidu-n po aq te fort, te cilet kur nuk ziheshin dhe eleminonin fuqine e njeri-tjetrit, shkonin ne gjueti perbindeshash, deri sa Eukidu gjen vdekjen. Pra, simbas specialisteve, ketu kemi te bejme me rastin e nje mendesie gati adoleshenteske, i cili duke mos njohur kufinjte e forces se tij, dhe pre te hequr merzine e diteve, nuk di se cfare te beje me veten.

    Ne rastin e Iliades, me se pari drama eshte nje krize rishperndarjeje.
    Rishperndarja e te mirave behet ne dy menyre:
    -reciprocitet – shkembim i te mirave/sherbimeve bazuar jo ne ekuivalence te vleres por ne funksion te mirembajtjes se nje mardhenie sociale
    -tregti – shkembimi eshte i menjehershem dhe e bazuar jo ne mardhenie sociale por ne dobine e mallit te shkembyer ose sigurimit te fitimit nga nje transaksion i tille.
    Ne Iliade, Agamemnoni eshte i detyruar tia ktheje robinjen Kriseida babait te saj. Per ta zevendesuar, ai shkon dhe i merr Akilit Briseiden, qe ai vete ia kish dhene, si hise per mbundimin e Akilit.
    Si perfundim, Akili heq dore nga perpjekjet e perbashketa te grekeve, duke i lene e vene ata ne rrezik.

    Keshtu, nese ne Gilgamesh, e gjithe drama ka si baze nisje supe/hyperaktivitetin e heroit, ne Iliade, drama ka si baze nisje mos-aktivitetin e heroit. Kriza homerike ketu eshte politike ( thyerja e shenjterise se reciprocitetit) dhe ekonomike (marrja mbrapsh pa te drejte e e hises se dhen si shperblim per mundimin/punen e heroit).

    A ka vend per ti pare edhe mitet e kultures shqiptare nen nje kendveshtrim te tille, duke i krahasuar me mite te tjera qe kane elemente te ngjashem?
    Ndofta dikujt dikur do ti krijohet deshira dhe mundesite per tia kushtuar intelektin nje fushe te tille. Njih vetvehte, dhe “Cdo gje me mase” ishin porosite e shkruara ne hyrje te orakullit te Delfit.

    ps: elementet krahasimore midis Gilgameshit dhe Iliades, te permendura me lart, jane nxjerre nga libri me titullin ” Money and the Early Greek Mind”.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading