Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media / Politikë

KAMERA SHPIFËSE

nga Zampanò

A kanë një pikëlidhje urimet e kryeministrit Berisha për vitin e ri të “dekriminalizimit të shpifjes” me telekamerat që transmetojnë live mbledhjet e Këshillit të Ministrave? Po. Ekziston një pikë ku këto dy fenomene piqen e nuk është e vështirë të zbulohet.

Të gjithë e mbajnë mend se Berisha sapo erdhi në pushtet premtoi, në emër të transparencës, se do të lejonte mediat të transmetonin mbledhjet e qeverisë së tij edhe drejtpërdrejt. Që atëherë është bërë zakon që mbledhjet qeveritare të transmetohen pothuajse tërësisht nga televizionet, edhe pse me kalimin e kohës pakkush i ndjek. Është vallë ky xhest në të mirë të transparencës e të demokracisë në Shqipëri? Them që jo, sepse veprimi është më shumë populist se funksional.

Qeveria është organ kolegjial. Vendimet që dalin nga këshilli i ministrave janë vendime të gjithë ministrave, pavarësisht se atje brenda ata mund të flasin me grushte e të pështyhen me fjalë. Madje nuk është e udhës që të merret vesh se cili ministër doli kundër atij apo këtij vendimi. Kur një ministër nuk është dakord me një vendim qeverie, fillimisht duhet ta shprehë atë në organin ku bën pjesë. Mund ta shprehë qetësisht, ose gjaknxehtësisht, kjo varet nga karakteri e nga forca politike e Ministrit. Pastaj, pasi qeveria merr vendim, në kundërshtim me mendimin e ministrit, ky i fundit ka dy rrugë: të japë dorëheqjen ose ta adoptojë vendimin si të vetin. Qeveria nuk mund të ketë dy linja.

Kur në mbledhjen e Qeverisë merr pjesë edhe syri i telekamerave natyrisht që mbledhja kushtëzohet. Kritika e një ministri ndaj vendimit X ose vetë propozimit të Kryeministrit mund të keqkuptohej nga masat televizive. Në këtë pikë asnjë ministër nuk ka rrugëdalje. Duhet të heshtë. Telekamerat intruzive e ndrydhin diskutimin e lirë brenda Këshillit të Ministrave. Praktikisht, fjalimi hyrës i Berishës kthehet në monolog. Mbledhja e qeverisë bëhet konferencë shtypi. E kotë të zgjatemi për të gjetur dallimin midis mbledhjes qeveritare dhe konferencës së shtypit për opinionin publik. Dihet nga të gjithë. Në këtë kuadër, prania e televizioneve nuk e ndihmon demokracinë shqiptare dhe transparencën e saj.

Po kështu çështja e dekriminalizimit të shpifjes. Nga një anë duket sikur po zgjerohet liria e fjalës: ti flit çfarë të duash se unë s’të them gjë. Duket sikur ka liri fjale, por liria e fjalës nuk do të thotë liri shpifjesh. P.sh. një funksionar i shtetit shqiptar e sheh veten para plotonit mediatik. Ta zëmë se e akuzojnë se i ka futur duart sekretares. Nga një krah ka urdhrin e kryeministrit që të mos ankohet, nga tjetri duhet të mbrojë nderin e vet si bashkëshort e baba njëkohësisht. Si t’ia bëjë? Gazetat kanë lirinë e fjalës, kurse nëpunësi ka lirinë e përuljes?

Dekriminalizimi i shpifjes luan rolin e telekamerës në mbledhjen e qeverisë. E kushtëzon muhabetin. Në kuptimin që e inflacionon peshën e mediave të lira. Se kur të gjithë shpifin, edhe vetë fjala inflacionohet e nuk merret seriozisht. Në botën e shpifjes askush nuk shpif. Në këtë botë edhe nëpunësi i lartpërfolur vendos t’ia shkelë syrin minifundit të sekretares. Tek e fundit, shpifje për shpifje, më mirë të bëhet e vërtetë, meqë nami doli që doli. Në fund fare, dekriminalizimi i shpifjes ligjëron rregullin e indiferentizmit total: “Ti fol ç’të dojë b…, se unë bëj ç’të më dojë b…”.

Në demokracinë shqiptare ka rrëmujë rolesh. Telekamerat, çimkat, tartabiqet, vrimat e çelësit, nuk ia garantojnë cilësinë demokracisë. Telekamerat janë të lira të filmojnë, por jo gjithkund. Në parlament po, në banjat e parlamentit jo. Në konferencën e shtypit të qeverisë po, në mbledhjen e saj, jo. Se pastaj, ministrat sillen në mbledhje sikur të ishin në konferencë. Por mbledhjen diku do e bëjnë, natyrisht larg televizioneve. Teledemokracia nuk ekziston. Është iluzion. Autoriteti i institucioneve nuk vjen nga filmimet e hapura, nuk vjen nga anarkia e fjalës. Askujt nuk i duhen mbledhjet e filmuara. Më mirë mbledhje demokratike se sa mbledhje e filmuar, ku pjesëmarrësit janë figurantë me kravata të bukura, por nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre të fjalës se mos del keq në publik. Dikush mund të thotë: “Edhe pa telekamera në mbledhjen e Këshillit të Ministrave s’do të kishte diskutim, se kështu janë punët në Shqipëri, kur e vendos shefi…”. Ky është problem tjetër. Në këtë rast ministrat nuk mund t’ua vënë fajin e telekamerave që fusin hundën kudo. Kanë përgjegjësinë e vet për vendimet e marra.

Rëndësi ka që të mos përmendet liria me vend e pa vend. Gjithshka në emër të lirisë. Por të kujt?

Pa Komente

  1. Xha xhai,
    me mire leri miqte te vijne paftuar se, keshtu me “te ftuar”, ndodh qe sikletosemi; helbete, kohe te tepert s’kemi dhe vijme vec per te bere qoken, themi dy-tre fjale pergjithesisht dhe ikim me shpejt se sa erdhem.

    Shenim: Çdo lloj perngjasimi i komentit me ngjarje dhe personazhe reale eshte i rastesishem.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin