Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori / Sociologji

REAKSIONARI LEKË D.

Natyrisht së pari duhet të biem në një mëndje se çfarë kuptojmë me fjalën reaksionar. Të paktën se çfarë kuptoj unë, por meqenëse nuk kam një përkufizim timin po sjell këtu se çfarë kuptimi i jep trajtës mbiemërore Fjalori i Gjuhës Shqipe (1980) : REAKSIONAR mb. 1. Që bën pjesë në forcat e reaksionit, i reaksionit; që mbështet dhe përkrah reaksionin, që i shërben reaksionit. Politikë (ideologji) reaksionare. Pikëpamje (ide) reaksionare. Qëndrim (veprim) reaksionar. Qeveri (organizatë) reaksionare. Forca (qarqe) reaksionare. Element reaksionar. Vend reaksionar. Shkrimtar reaksionar. Libër (film) reaksionar. Shtypi reaksionar etj.

Ndërkohë kam edhe përcaktimin që i jep një fjalor i gjuhës frënge, i cili shpjegon se termi është shfaqur gjatë Revolucionit për të përcaktuar forcat që u kundërviheshin shndërrimeve që kërkonin revolucionarët. Shpjegon se një reaksionar është pasues i traditës më shumë se sa i progresit, se reaksionarët dëshirojnë ruajtjen ose kthimin e organizimit a institucioneve të trashëguar nga e kaluara etj..

Eshtë e tepërt të them se unë në shtjellimin tim kam parasysh rastin e dytë. Ruajtjen e institucioneve të së kaluarës, në kontekstin që vijon më poshtë. Formulimi i Kostallarit më shtin frikën edhe sot e kësaj dite. Më duket si i nxjerrë nga procesverbalet e ndonjë gjyqi të diktaturës.

Tani që u kuptuam (shpresoj) këtë pikë, dua të shpjegoj përse Leka shfaqi shenja vjetrimi dhe ishte reaksionar që në të gjallë të tij. Këtu nuk dua të merrem me  dyshimet e mia për vetë ekzistencën e tij. A është vërtet legjislatori i famshëm po i njëjti person që vrau Lekë Zaharinë për sytë e bukur të Irenë Dushmanit me të cilin duan ta identifikojnë? Ec e merre vesh ! Unë nuk besoj, modestisht. Për mua më shumë se seks-simbol, siç e do Historia ai është një farë logo-je a metafore. Nuk dua të besoj se perpara tij shqiptaret ishin një turmë ujqish, pa  ligj, sikundër nuk ishte po aq e lehtë që të shuante një traditë të tërë dhe të linte në Histori vetëm emrin e tij.

Po së pari, deri ku shtrihej ndikimi i Kanunit që mban emrin e tij? Dukej se të paktën, siç do të shohim, ai shtrihej edhe në trojet ku sundonte Skënderbeu. (Prapë një arsye për të mos besuar se një njeri i asaj kohe kishte kaull t’ u imponohej princave bashkëkohës me aq autoritet!)  Është interesant si fakt ky, imponimi në një numër trojesh shqiptare për të parë fillimet e pikave të përbashkëta të një etnie, që më pas do të quhet milet, popull, komb. Por tani për tani, siç thashë, kemi vetëm sigurinë se  Skënderbeu edhe në trojet e veta, që i detyruar ti përmbahej një “legjislacioni”, për të cilin as që ishte i ftuar të jepte mendim. Madje edhe kur jepte nuk i pranohej. Naive, por le ta marrim si të mirëqenë.

Në fakt më duhet të pohoj se nuk kam pranë asnjë lloj literature për të bërë referenca të sakta. Tradita gojore popullore (Ku e kam lexuar? ) sjell jehonën e një konflikti midis tij dhe Skënderbeut. Eshtë fjala për subjektin gjakmarrjes. Sipas Lekës, sipas Kanunit të tij, gjaku kalon për grusht. Kjo do të thotë, se kur është fjala për të marrë gjakun e dikujt, gjakmarrësi ka mundësi të zgjedhë e të vrasë cilindo pjesëtar të familjes që gjakësit.

Skënderbeu nuk mendonte se kjo traditë duhej të vazhdonte. Ai propozoi se: gjaku kalon për gisht. Gjë që do të thoshte se për një të vrarë duhej të paguante ai që kishte vrarë dhe askush tjetër prej anëtarëve të familjes së tij.

Eshtë e tepërt të shpjegojmë arsyet e kësaj kërkese. Konteksti i ri historik e politik është ulëritës. Turku paraqitej rregullisht dy herë në vit te portat e Krujës. Skënderbeu ka nevojë për krahë të lirë lufte dhe pune bashkë.

Sa kohë që gjaku kalonte nëpër grusht, kjo do të thoshte se të gjithë anëtarët e një familjeje që kishin radhën të paguanin gjak, duhej të ngujoheshin. Ngujimi i tyre nuk i vinte për mbarë Skënderbeut. Këtu nuk duhet harruar, se familjet në gjak kishin edhe rendiment të ulët ekonomik, për shkak të lirisë së kufizuar të lëvizjes. Po qe se sipas propozimit të tij gjaku do të kalonte për gisht, atëhere në kushtet e ekzistencës së familjeve tribale, që shkonin nga tridhjetë deri në njëqind vetë (që duhet të ngujoheshin në rastin e parë) kuptohet se çfarë forcash të mëdha do ishin të lira.

Ideja se vëllavrasjet e gjaqet faleshin përkohësisht kur ishte fjala për t’i bërë ballë një armiku të jashtëm, del të jetë mjaft e vonë, mbase e shek. XIX, mundet edhe diçka më përpara por jo e kohës së Skënderbeut.

Luftërat e Skënderbeut, nuk ishin luftërat e princave të tjerë. Ishin luftëra të Skënderbeut. E shumta edhe të familjeve që ishin lidhur me të, nëpërmjet martesash. Kjo veçanërisht ka vlerë, për fazën pas Besëlidhjes së Lezhës, kur për të marrë atë që i kishin premtuar princat e tjerë, ai qe i detyruar të përdorte forcën, reprezaljet, sekuestrimin, uzurpimin, rekrutimin me pagesë, në ndonjë rast të dhunshëm, por edhe dredhinë, martesat, pagesat.

Fakti që edhe sot e kësaj dite, në fuqi është Ligji i Lekës, tregon se “amendamenti” i Skënderbeut nuk është pranuar. Përpjekjet e tij për reformimin e Kanunit kanë dështuar.

Në këto kushte, a mund të mendohet se Kanuni nuk është dorëjashtë në rehatinë me të cilën Porta e Lartë i mbajti nën sundim ato troje?

A mund të thuhet se sundimi osman në Shqipëri zgjati më shumë se kudo, pikërisht sepse Kanuni paralizoi qoftë edhe pjesërisht forcat jetike të kombit?

P.S. Ky ishte një vështrim i rastit vetëm rreth një problemi. Nuk mund të mos i njohim Kanunit matarimin jo të keq të jetës së brendshme, por edhe humanizmin në çështje më delikate si kujdesin për gruan, jo vetëm ndalimin e vrasjes së saj por edhe kujdesin që në çdo rast ajo të mos mbetet pa mjete jetese, gjë që nuk ndodh f.vj. me Ligjin salik, ligjin e frankëve, që u mblodh për herë të parë nga mbreti Klovis, aty nga shek V, etj.

Pa Komente

  1. Gojedhena e Skenderbeut qe kerkon te kufizoje marrjen e gjakut tek personi i vrasesit mund te kete nje baze te vertete, por sa per Leke Dukagjinin,
    ne aspektin historik asgje nuk e lidh prijesin e mesjetes me Kanunin apo permbledhjen dhe kodifikimin e tij.
    Ne fakt Kanuni eshte i Lekes tjeter, Aleksandrit te Maqedonise, emertimi i sotem duhet te jete nje keqkuptim i vonshem, me sakte nje krijim i perfituar pas ngaterrimit te emrave te Kanunit te Lekes dhe kanunit te Dukagjinit.
    Per ti dhene rendesi ligjeve qe ju rregullonin jeten shoqerore, te vjetrit tane i pagezonin me emra personazhesh te rendesishem, Kanuni i Lekes, i Pirrit, i Skenderbeut, por serisht edhe keta prijes me te medhenj, pak kane te bejne me Kanunin vete qe ne thelb permban kode, rregulla apo nje menyre jetese te perbashket te popuvej te ndryshem indoeuropiane ne fillimet e tyre apo akoma sot.
    Nqs shohim psh. dy praktika emblematike te Kanunit: gjakmarrjen dhe pritjen e mikut, ato ne fakt nuk jane nje veçori e shoqerise sone, por per popujt IE, miku ishte shume i rendesishem dhe mikepritja atribut i Zotit kryesor, ndersa gjakmarrja praktikohej nga latinet, greket e lashte dhe gjermanet te cilet vetem vone ne mesjete kane mundur ta lene pas.

    1. Mbaj mend të na kenë thënë në universitet – por s’e kam verifikuar dot kurrë vetë – se, sipas M. Lambertz-it, Lek Dukagjini i Kanunit nuk është veçse Lex Dukagjini, ose Ligji i Dukagjinit; emërtim që është ngatërruar më pas, me etimologji popullore, me emrin e prijësit feudal. Emërtimi latin Lex Dukagjini përdorej, sipas këtij interpretimi, nga priftërinjtë mesjetarë, për t’iu referuar Kanunit (sqaroj se lex, në latinishte, shqiptohet /leks/ dhe do të thotë “ligj”). Mua ky interpretim më bind më shumë se lidhja me Lekë Dukagjinin dhe kjo tjetra, që sjell Enj këtu, me Lekën e Madh.

      1. Kjo eshte hipoteze interesante dhe ka mundesi te jete e sakte, veçse lidhja me Leken e Madh besoj se eshte e mbeshtetur ne me shume fakte;

        Ligjet e Shqiperise se Veriut jane quajtur pergjithesisht Kanuni i Lekes, duke nenkuptuar nje udheheqes te rendesishem historik.
        Ne jug, Kanuni i atribuohej Pirros ndaj llogjika e do qe edhe Kanuni ne Veri te jete emertuar sipas kusheririt te tij, pijes e luftetar me i famshem per shqiptarin mesjetar siç edhe per ne te tjeter sot. .
        Nje prove tjeter jane edhe Statutet mesjetare te Shkodres, ne to specifikohet se disa privilegje qyteti i jane falur prej Aleksandrit te Madh.

      2. Interpetimi i mesiperm edhe mua me duket me bindes.
        Nje hap me tutje do te ishte perqendrimi ne fjalen “Dukagjini”.
        Pertej kuptimit historik apo gjeografikt te tij ( Lek Dukagjini i kohes se Skenderbeut, apo rrafshi i Dukagjinit, ne Kosove) nje menyre tjeter te pari do te ishte ndarja ne dy pjese: Dukagjini = Dux Gjini; ose Duca Gjini.
        Dhe do te kishin Lex Dux Gjini, ose Lex Duka Gjini.

        Dallimi midis Dux dhe Duka, ka rendesine e vet.
        Sepse i pari eshte me i vjeter se i dyti dhe fjala vete, qe nga koha e Cesarit, ku Dux ishin vetem shefat e fiseve kelte ,evolon ne kohen e perandorise romake, ku Dux ishin governatoret romake te provincave, i cili ishte autoriteti me i larte civil dhe ushtarak i territorit, kalon ne kohen e Dioklecianit ku Dux nuk eshte me autoriteti me i larte civil, por vetem ushtarak. Fjala Dux behet “Duka” ne kohen e Venedikut.

        Ne se e shohim Kanunin e Lek Dukagjinit, si Lex Dux Gjini, c`ka si premise mund te jete krejt e gabuar, une do ia hidhja syte periudhes se Dioklecianit.
        Ne ate kohe Dux ishte figura me e larte ushtarake e territorit, qe i nenshtrohesh perfaqesuesit civil te perandorit ne kete territor. Por kur vinte momenti per ceshtje ushtarake, Dux , simbas situates, nuk i jepte llogari shefit te tij, por vinte ne jete planin e vet, mjafon qe te ishte i sukseshem.
        Diokleciani ishte nje nga perandoret qe e frenoi ritimin e renies se Perandorise. Madje pati edhe nje lloj rilindje te saj ne periudhen e tij. Kjo u be e mundur kryesisht prej sukseseve te ushtrise se tij.

        Per ate periudhe, kemi nje pershkrim te Flavius Vegetius Renatus, historian i shekullit te 4, qe ka shkruar mbi shkencat ushtarake te Perandorise se Romes, ku thote se :
        …”We formerly had two legions in lllyricum, consisting of six thousand men each, which from their extraordinary dexterity and skill in the use of these weapons were distinguished by the same appellation. They supported for a long time the weight of all the wars and distinguished themselves so remarkably that the Emperors Diocletian and Maximian on their accession honored them with the titles of Jovian and Herculean and preferred them before all the other legions. Every soldier carries five of these javelins in the hollow of his shield. And thus the legionary soldiers seem to supply the place of archers, for they wound both the men and horses of the enemy before they come within reach of the common missile weapons…”

        Pra ajo popullsi nga ku rekrutoheshin ushtaret per legjionet Jovial dhe Herculean, a mund te kete pasur ndonje Dux me emrin Gjin? Apo Ioannes, sic mund te kishte qene emri imperial i nje Dux te asaj kohe?

        1. Me reformat e Doklecianit pushteti nuk buronte me as prej Senatit as prej ushtareve por prej primatit hyjnor. Dokle vendosi qe Roma qe shume e madhe per t’u qeverisur prej nje njeriu, dhe burimet e meparshme te pushtetit shkaktonin destabilzim. Romes tashme I duheshin 2 rangje imperatoresh: nje August pushteti I te color buronte nga Jove, dhe nje Cesar pushteti I te cilit buronte nga Herkuli ( post apotheosis). Duke qene te dy te brezit te gjeneralve Ilire, sigurisht qe preferonin legjionet nga zona e tyre para legjioneve italike apo galike. Nqs Dux ka buruar nga keto legjione shume mire: por Ioannes/Ghini I takon periudhes pas Konstantinitit me siguri.

          1. Kur them “te dy” e kam fjalen per 2 gjeneralet Ilire: Augusti Dokle, dhe Cesari Maksimian

  2. “… kemi vetëm sigurinë se Skënderbeu edhe në trojet e veta, që i detyruar ti përmbahej një “legjislacioni”, për të cilin as që ishte i ftuar të jepte mendim. Madje edhe kur jepte nuk i pranohej…”

    Ndonje argument, mundesisht ndonje dokument,per kete pohim ?

    1. Pohimi nuk duhet marë « à la lettre ». Pata rast të shpreh që në fillim dyshimin tim për ekzistencën fizike të Lekës (gjë që e përforcuan edhe komentuesit e tjerë mjaft më mirë se unë) dhe për pasojë nuk besoj në një dialog « dramatik » midis tij dhe Skënderbeut. Por, gjithsesi, si trashëgim gojor rrëfimi i mësipërm flet shumë.
      Mbi të gjitha flet për një siklet të vërtetë social të popullsisë që e bart mjaft me vështirësi peshën e zakoneve që nuk vlejnë më për të mpiksur atë që do të quhet më tej komb, por për ta masakruar.
      Flet po ashtu edhe për gatishmërinë e këtyre njerëzve për të patur një shtet, që do ta organizonte ndryshe unitetin e vendit.
      Kjo me kusht që të kishim patur pak më shumë shans dhe mbi të gjithë sikur dhuna e sundimtarëve vendës (përfshi dhe Kastriotet) të mos ishte më e egër se ajo e të huajve, gjë që ka bërë që jo rrallë pushtuesin e huaj, shqiptari të shohë si shpëtimtar…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin