Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

KRIZA GREKE DHE SHQIPËRIA

Nga Dr. Dritan Osmani

Duke marrë shkas nga artikulli i publicistit Fatos Lubonja “edhe një herë për krizën” botuar në gazetën Panorama, po synoj të filloj më shumë një diskutim sesa polemikë.

Kriza globale është kriza e sektorit financiar në kapitalizëm. Kapitalizmi në sektorin ekonomik ose industrial zhvillohet në bazë të konkurrencës së ndershme (fair competition); konkurrenca e ndershme është edhe konkurrencë me rregulla. Që do të thotë që kush nuk i qëndron konkurrencës falimenton e del nga tregu (ka studiues si William Baumol që thonë se inovacionet në teknologji dhe jo konkurrenca e ndershme janë motori i zhvillimit kapitalist).

Por kjo konkurrencë nuk funksionon si duhet në sektorin bankar; një bankë që falimenton, sidomos kur është e madhe, nuk mund të lihet të falimentojë siç kërkon konkurrenca e ndershme, sepse “infeksioni” i falimentimit mund të përfshijë gjithë sistemin dhe më pas të shtrihet në ekonominë reale dhe mund të sjellë depresion të madh ekonomik si ai i vitit 1931. Kështu që kryeministri irlandez ka bërë shumë mirë që nuk ka lënë sektorin financiar të falimentojë (edhe nuk ka pasur rrugë tjetër për mendimin tim). Për fat të keq, ndodhemi përpara një të vërtete të trishtë që bankat i kanë fitimet private, por humbjet ua përcjellin të gjithëve, dhe kjo i bën bankat të paprekshme (jo të gjitha, por pjesën më të madhe e tyre).

Konkurrenca e ndershme nuk është lehtë të menaxhohet në ekonominë reale (ekonomia që prodhon), por është shumë më e vështirë gati e pamundur në sektorin financiar. Bankat konkurrojnë se cila jep interesat më të larta për shumat financiare të mbyllura në bankë. Si rrjedhim bankat kërkojnë të investojnë në asete që kanë risk të lartë, të cilat sjellin fitime të larta.

Vjen pastaj një moment kur e gjithë ndërtesa e bazuar në një masë të madhe në investimet në asetet më risk të lartë rrëzohet. Ky ndiqet nga momenti i recesionit ose më keq, i depresionit ekonomik. Hyman Minsky (unë jam dakord më analizën ekonomike të Minskit por jo me recetat e tij për kurimin e sektorit financiar) flet për “momentin Minsky” i cili ka dy pjesë; për pjesën e momentit le ta quajmë “optimist” kur investohet në mënyrë të pakujdesshme, e cila zakonisht përkon me bumin ekonomik; dhe për pjesën e momentit “pesimist” kur investohet pak (ose aspak) dhe me shumë kujdes (kjo ndodh pasi disa nga bankat kanë treguar shenja të tronditjes financiare ose falimentimit) që janë zakonisht stanjacioni, recesioni ekonomik ose më keq depresioni ekonomik.

George Akerlof & Robert Shiller në librin e tyre “Animal Spirits” thonë se recesioni duhet për të “rikthyer besimin” (restore the confidence), pra për të fituar realizëm dhe pra për t’u larguar nga momenti “optimist” ose jo-realist i Minskit. “Flluskat ekonomike” (economic bubbles) si ajo e tregut të shtëpive në Amerikë, ku çmimet shkuan në stratosferë, krijohen nga në thelb nga mekanizma që dëshirojnë të mbajnë patjetër dhe sa më gjatë pjesën “optimiste” të momentit Minsky, ku spekulantët luajnë rol por nuk janë ata që e vënë në lëvizje mekanizmin e krijimit të “flluskave ekonomike”.

Pra historia e krizës ekonomike të kapitalizmit më shumë së sa histori spekulantësh ose privatizimesh jo të mençura (natyrisht që spekulantët përfitojnë, dhe ndoshta e përshpejtojnë krizën por nuk e krijojnë atë), është sfida më e madhe që ka sistemi kapitalist, ndoshta një sfidë e përhershme, por që unë besoj do të vijë duke u zbutur.

E pra sektori financiar duhet të reformohet, ka shumë ekonomistë që e sugjerojnë këtë, mes tyre amerikanët Nouriel Roubini, Paul Krugman, Martin Wolf apo ekonomistët gjermanë Max Otte dhe Hans Werner Sinn. Për t’u përmendur që Nourel Rubini, Paul Krugman (fituesi i çmimit Nobel për ekonomi në 2008) dhe Max Otte e kanë parashikuar krizën e fundit ekonomike që po kalojmë. Për të folur për reformën në sektorin financiar duhet më shumë kohë, por ajo që duhet të arrihet është që konkurrenca e ndershme të ruhet, dhe nga ana tjetër të mbahet një “distancë sigurie” nga investimet më risk të lartë.

Pjesa lokale e krizës së Greqisë fillon me futjen e Greqisë në zonën financiare të euros. Në radhë të parë qeveria e majtë greke dha të dhëna të gabuara (pra mashtroi) në lidhje me deficitin buxhetor. Bashkimi Europian kish qenë i përgatitur për shumë situata, por jo për situatën që një anëtar i Eurozonës nuk thotë të vërtetën për deficitin buxhetor. Kështu që nuk parashikohej asnjë dënim për shtetin mëkatar. Më pas, duke përfituar nga qenia në Eurozonë, qeveria greke mori rreth 300 miliardë euro borxh, dhe nuk investoi thuajse askund në mënyrë të mençur. Për mendimin tim, ishte gabim futja e Greqisë në Eurozonë, ajo nuk ishte e përgatitur për t’u bërë pjesë e Eurozonës. Përgjegjësia gjithsesi i takon, do të thosha unë, 51 për qind Greqisë dhe 49 për qind Bashkimit Europian.

Dukë trajtuar krizën greke ekonomisti i njohur gjerman Hans Werner Sin vëren se ka vetëm rrugë të vështira për të dalë nga kriza. Le ta thjeshtëzojmë këtë: sektori i turizmit dhe më kryesori për Greqinë, duhet të bëhet konkurrues, pra duhet të bëhet i lirë. Dhe si rrjedhim gjithë njerëzit që punojnë atje do të paguhen më pak dhe do të kenë vështirësi ekonomike (dhe janë shumë që punojnë atje) dhe kështu do të paguajnë rimëkëmbjen e ekonomisë greke. Pra ekonomia greke duhet të rrudhet sot, që të ketë të ardhme nesër. Dikur Greqia zhvlerësonte dhrahminë për të qenë konkurruese. Zhvlerësimi bënte edhe çmimet e lira dhe rrogat i zvogëlonte, por në të njëjtën kohë bënte ekonominë konkurruese. Por sot ky luks nuk ekziston më, Greqia nuk mund të zhvlerësojë euron, sepse euroja kontrollohet nga Brukseli dhe Frankfurti.

Forbesi nuk e ka gabim ku thotë që prej Shqipërisë duhet marrë shembull “Shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërorë, si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri”. Kjo nuk do të thotë që të fillojmë të krahasojmë ekonominë greke me atë shqiptare, ajo e tyrja është ende shumë më e mirë se jona. Por, do të thotë se fryma e reformave të bëra në Shqipëri është e shëndoshë dhe sado e çuditshme të duket, Greqia ka çfarë të mësojë prej nesh kësaj radhe.

Problemi më i madh në Shqipëri është papunësia prej rreth 20 për qind. Është e vështirë të ndiesh efekt pozitiv të reformave me këtë papunësi. Pra prioriteti kryesor i çdo qeverie shqiptare (edhe para korrupsionit) duhet të jetë ulja e papunësisë. Në vitin 2005, papunësia në Gjermani arriti mbi 10 për qind dhe ekonomisë iu tundën këmbët fort. Dhe kjo ishte ekonomia e Gjermanisë, që ka GDP-në e katërt në botë dhe të parën në Europë, si dhe është vendi i parë për eksportet në botë.

Duke e mbyllur po përmendim disa të vërteta të thjeshta për Shqipërinë.

Në Shqipëri kuptohet për momentin vetëm prona dhe qenia individuale, por mes pronës dhe qenies sime individuale dhe individëve të tjerë ka një hapësirë të tërë shoqërore, e cila duhet të mbushet nga institucionet (që po ndërtojmë) por që është më shumë e mbushur nga një konkurrencë shumë e ashpër, shpeshherë jo e ndershme dhe primitive. Të marrim si shembull importin e plehrave (që është problem që i prek të gjithë, pra përtej sferës individuale) ku me të drejtë publicisti Blendi Kajsiu bën thirrje për një referendum si i vetmi institucion që mund ta zgjidhë.

Nga ana tjetër vendet demokratike kanë gjithmonë një shtresë të mesme të gjerë, e cila është garantja e demokracisë. Dhe kjo shtresë e mesme krijon jo vetëm rritje të qëndrueshme ekonomike (duhen njohur meritat që i takojnë qeverisë Berisha, por edhe qeverive Nano e Meta për rritjen ekonomike), që Shqipëria ka pas vitit 1997. Por duhet edhe një shpërndarje në të gjitha shtresat e shoqërisë që nuk është përpjekur të bëhet (gjë që është edhe shumë e vështirë të bëhet). Unë jam mbështetës i mendimit të djathtë, por ndoshta ai i vetëm nuk i bën ballë dot të gjitha sfidave ekonomie të kohës.

Siç vëren studiuesi Robert Barro, vendet që gjetën rrugën e zhvillimit ekonomik më vonë, gjetën dhe atë të zhvillimit demokratik, ndërsa ato vende që kishin standarde demokratike i humbën ato pasi ekonomia nuk pati më zhvillim. Pra po e përfundojmë më një të vërtetë të thjeshtë: që duhet siguruar zhvillimi ekonomik, për të pasur shanse për të siguruar edhe atë demokratik afatgjatë në Shqipëri, si kudo tjetër.

Pa Komente

  1. Ne ka diçka ku s’i fus hundet asnjehere, eshte ekonomia dhe financa. Kjo me ben qe te mos hiqem si ekspert midhjesh ne kete debat boteror. Megjithate, kjo s’do te thote se nuk lexoj artikuj debati mbi kete krize.

    Dhe ajo çka verej me se fundi, por mbase ka qene edhe me se fillimi dhe me se mesi, eshte se referencat e studiuesve tane ekonomiste ngushtohen ne thjesht referenca amerikane. Kam pershtypjen se ekonomistet shqiptare bejne be ne koke te nobelisteve amerikane te ekonomise apo te ekonomisteve te Wall Streetit. Ne fakt, tabloja eshte goxha e cunguar keshtu. Nuk shoh pothuaj asnje reference franceze apo gjermane, duke perjashtuar ato britanike qe jane pak a shume copy-paste amerikanesh. Vete une kam ca artikuj debati autoresh franceze, madje specifik per Greqine, ku ka te shtjelluar mjaft mire te gjithe skenaret e kesaj zallamahie. E megjithate, keta s’degjohen. Mire.

  2. “duhen njohur meritat që i takojnë qeverisë Berisha, por edhe qeverive Nano e Meta për rritjen ekonomike”
    Me thene te drejten, fraza e mesiperme me ngacmoi pak dhe do desha mendimin tuaj se cilat jane meritat e ketyre tre kryeministrave ne rritjen e GDP-se. Besoj se bini dakort qe te ndjekesh me korektese keshillat (ne fakt urdherat) qe jepte FMN-ja nuk mund te konsiderohen merite, por thjesht detyre. Gjithashtu do desha mendimin tuaj (dhe kjo eshte hipotetike) se cfare do te duhej te kishin bere keta tre musketiere qe Shqiperia te mos kishte rritje progresive te GDP-se. Ketu e kam fjalen per veprimet apo mosveprimet e tyre ne aspektin ekonomik dhe jo ate politik. Konsiderojini per nje moment sikur te ishin drejtor ndermarje dhe qe me veprimet e tyre i sollen humbje. Pra do desha te di cilat ishin keto veprime te gabuara qe i sollen humbje ndermarjes.

    1. Per anën:

      Ajo që i mungon Shqipërisë nën të gjitha qeveritë të djathta e të majta është konkurrenca e ndershme (fair competition) në fushën ekonomike (privatizime, tenderë etj) por edhe në fushën politike (shih ç’bëhet me zgjedhjet) qe është motori i zhvillimit në një shoqëri kapitaliste. Kjo do të ndikonte në rritjen e GDP-se me shume nga ç’është rritur.

      1. Zoti Osmani mos valle eksporti apo largimi masiv i shqipetareve ne vitet 1990-2000 ishin meritat e qeverive Berisha, Nano dhe Meta? Sepse ishte pikerisht ky eksport i papare ndonjehere ne bote qe na solli edhe ato ritme te rritjes ekonomike. Ne fakt ne krahasim me enverin, mehmetin e ramizin, keta te tre musketieret e rinj kane goxha merite se i lane njerzit te lire te kalojne kufirin e vendi te tyre. Nese kete ju quani merite, ju jap te drejte, por te me ndjeni se ndonje “merite” tjeter une nuk shoh qe te kete ndikuar ne rritjen ekonomike ose GDP-ne.

  3. Lënë mënjanë shkakun që të bëri të shkruash të mirëkuptoj për shpjegimet e përgjithshme që ke sjellë. Vë re se i përzien aty-këtu me opinionin tënd apo edhe të të tjerëve. Më duket se shkel rregullat e lojës si tifozëritë që justifikojnë arbitrin për mosnxjerrjen e kartonit të kuq në favor të mosndikimit në rezultat me rregullat e lojës; këtë për bankat. Një bankë falimenton dhe … Fund. Një bankë e madhe falimenton dhe … prit pak. Pse e lini të bëhet një bankë e madhe? Pse nuk e ndani në më të vogla me fuqinë e ligjeve dhe autoritetit të konkurencës? Si banka, si banka e madhe i ka depozitat e siguruara deri sa është parë e arsyeshme. Pse pretendohet se po shpëtohet gjë nga rreziqe qe kanë ndodhur në të shkuarën?
    Një keqkuptim tjetër me bankat vjen kur ato nuk konsiderohen si pjesë e infrastrukturës së një ekonomie. Ato nuk konsiderohen si ujësjellësat, sistemet energjitike, udhët, në të cilat, ndryshe nga bankat, shoqëria investon rëndshëm që prej momentit të parë e në vazhdim. Askush nuk të detyron të futësh në bankë më shumë se sa shuma e garantuar.
    Nga dy këndvështrime të miat shpëtimi Irlandez, del nacionalist, e që duhet mbajtur larg librave të ekonomisë. Apo të futin risk nacionalizimi si plakat qëmoti mbanin dantellën e varrimit me dekada në të gjallë? I bëjmë nder shumë të madh vdekjes.
    Më pëlqen që e rendit punësimin si prioritet të qeverive, por do më pëlqente më tepër që të cilësoje hapjen e vendeve të reja të punës në sektorët prodhues e të shërbimit ndaj thjesht uljes së papunësisë. Sepse siç, po të duan, të shkruajnë të majtët e djathta po krijon drejtori e departamente për të punësuar militantë, apo siç, po të ishin gjallë, ato plakat e qëmotit do të shpreheshin e po ku ka gjashtë le të shtohet një e shtatë (e kishin fjalën për lugët në çanak).
    Me dy fjali të stisura mirë lë të kuptohet se në Shqipëri si vend demokratik ka një shtresë të mesme të gjërë. Kjo, nëse ti e ke thënë kështu si e lexoj unë është gënjeshtër. Ndaloni së maturi e ndarë shtresat brenda vendit në bazë të të ardhurave. Një familje mësuesish me zotërimin e një apartamenti banimi në Shqipëri nuk është shtresë e mesme, kur dalin në pension janë të varfër. Një familje bujqsh në shumicën dërrmuese të vendit me sa tokë morri mbas privatizimit është një familje e varfër, e paaftë të ngrejë një ekonomi të vogël e të mekanizuar. Krahasimet me fqinjët e Ballkanit ndihmojë.
    Më vranë syrin, meritat që ti beson se i takojnë qeverisë Berisha, por edhe qeverive Nano e Meta për rritjen ekonomike – edhe pse në kllapa.

    1. Një bankë e madhe falimenton dhe … prit pak. Pse e lini të bëhet një bankë e madhe? Pse nuk e ndani në më të vogla me fuqinë e ligjeve dhe autoritetit të konkurencës?

      Dr.Osmani, me sa mesoj, ka dijeni te gjera mbi natyren e sistemeve komplekse. Do te isha shume kurioz te dija opinionin e tij mbi pyetjen me siper, pare ne prizmin e nje sistemi kompleks per te cilin stabiliteti eshte jetik.

      Nje inxhinier qe projekton nje projekt real (ndertese, ure, hekurudhe) me ato parametra me te cilat ekonomia moderne kapitaliste eshte programuar, si ne ShBA ashtu edhe ne Europe, zakonisht futet ne burg. Per hir te ‘konkurences te ndershme’ edhe ai qe e ndihmoi Greqine nga ana teknike per te fshehur realitetin buxhetor(Goldman Sachs), edhe ai burokrat Grek qe vendosi te marre borxh (qe me siguri ka pas punuar dikur per GS), duhet kalbur ne burg.
      Madje edhe ai programuesi i super-kompjuterit qe Goldman Sachs perdor per ‘high frequency trading’ duhet te rraset brenda.

      Perndryshe humbet besimi! Kriza e sotme nuk eshte me vetem krize financiare, as e ekonomise reale, por krize besimi. Vatikanit dikush i ka derguar me poste osuarin me eshtrat e verteta te Krishtit, dhe fjala po merr dhene. Ne qofte keshtu, argumenti per optimizem eshte shume optimist.

      Dua te shtoj qe ligjerisht Goldman Sachs u kthye ne banke vetem ne 2008, gje qe provon qe organizata jo bankare jane sistemikisht te rendesishme (perfshi ketu insurance companies, credit rating agencies, dhe agjenci te sponsorizuara nga shteti si FNMA-ja ne Amerike)

      Madje edhe ai programuesi i super-kompjuterit qe Goldman Sachs perdor per ‘high frequency trading’ duhet te rraset brenda.

      Sapo mesova qe programuesin e super-kompjuterit te GS ne fakt e kane rrasur brenda, por vetem se kish vjedhur kodin.

      1. Për Safir Arnaut:

        Është shume e vështirë te ndërtosh sisteme komplekse qe përshkruajnë boten e financës. Ka dy libra qe une mendoj se ia vlen te lexohen. I pari “The Misbehavior of Market” nga B. Mandelbrot dhe R. Hudson “Why Stock Markets Crash: Critical Events in Complex Financial Systems”. nga D. Sornette. Te parin e kam lexuar dhe trajton me mprehtësi supozimet ekonomike qe kanë ne bazë modelet ber sektorin financiar. Te dytit i kam hedhur vetëm një sy për mungesë kohe, por duket një trajtim rigoroz matematik dhe novator i modeleve financiare.

        John Maynard Keynes (një nga ekonomistet me te mëdhenj te shekullit te 20-te) thotë qe ne burse vlerësohet e ardhmja; ose mund te shtojmë besimi ne te ardhmen. Besimi dhe kriza financiare janë shume te lidhur njeri me tjetrin.

        1. Është shume e vështirë te ndërtosh sisteme komplekse qe përshkruajnë boten e financës.

          Por si t’ia bejme hallit qe sistemi kompleks eshte ndertuar tashme? (librin e Mandelbrot-it e kam ne shtepi ngjitur me Biblen dhe Kuranin, dhe shpresoj qe Gideonitet Amerikane t’ja dhurojne cdo hotelieri qe ta vere ne cdo dhome)

    2. Për Cyprinodon diabolis:

      1)
      Së pari unë përpiqem të mos jem tifoz në mendime. Them se ia arrij në një mase të konsiderueshme. Por e kam thënë hapur për të qenë i sinqertë me lexuesit që jam mbështetës i mendimit te djathtë.

      2)
      Ti thua:

      Një bankë falimenton dhe … Fund. Një bankë e madhe falimenton dhe … prit pak. Pse e lini të bëhet një bankë e madhe?

      Nuk ka mundësi ligjore të ndalosh një bankë të bëhet e madhe. Dhe më e rëndësishmja, e keqja nuk vjen nga që është e madhe por nga që ka investuar në masë të madhe në asete me risk te lartë, te cilat e çojnë (jo gjithmonë por shpesh) drejt falimentimit. Pra do kontrolluar investimi ne asete me risk te lartë dhe jo madhësia e bankës (kjo bëhet e qartë më poshtë në shkrim)

      3)
      Nacionalizmi ne zgjidhjen e krizës financiare te Irlandës nuk hyn fare, them unë. Thjesht
      nuk duhet lejuar që kriza financiare te shtrihet ne ekonominë reale (qe prodhon) se mund te ketë recesion ose depresion qe do ti kushtojë shumë të gjithëve.

      4)

      Nuk është temë e këtij shkrimi qe e majta dhe e djathta krijojnë vende pune për militantët sa herë vinë ne pushtet.

      5)
      Unë dua të them që në Shqipëri NUK KA NJË SHTRESË TE MESME TE GJERË që do të ishte një lloj garancie për demokracinë. Prandaj dhe më poshtë kam shtuar (kërkoj ndjesë që ka një gabim në shkrim që është korrigjuar më poshtë):

      Dhe kjo shtresë e mesme krijohet jo vetëm nga një rritje e qëndrueshme ekonomike (duhen njohur meritat që i takojnë qeverisë Berisha, por edhe qeverive Nano e Meta për rritjen ekonomike), që Shqipëria ka pas vitit 1997. Por duhet edhe një shpërndarje në të gjitha shtresat e shoqërisë që nuk është përpjekur të bëhet (gjë që është edhe shumë e vështirë të bëhet).

      Pra rritjen ekonomike që ne kemi duhet ta shpërndajmë ca më mirë që të ndihmojmë në krijimin e një shtrese te mesme te gjerë.

      Miqësisht,

      Dritan Osmani

      P.S Do të përpiqem të gjej kohë tu kthej përgjigje të gjithë lexuesve.

      1. Falemnderit dhe punë të mbarë Dritan,
        mbas sqarimit e qartesimit në pikat e tua, po vazhdoj sipas radhës.
        Tifozëria. Kur ti je shprehur, “nuk mund të lihet të falimentojë” je shprehur qartazi nga pozitat e tifozit, spektatorit, vëzhguesit, shikuesit, nëse tifozllëku ka ndonjë ngarkesë negative si fjalë. Por ti je shprehur nga pozitat e atij që miraton veprimet e të tjerëve mbasi këto janë kryer.
        E madhe. Nëse nuk ka mundësi ligjore që një kompani ta ndalosh të bëhet e madhe, më thuaj se pse dy rregullatorët antitrust si Federal Trade Commission për USA-n, dhe European Commission për BE lejuan blerjen e Skype-s prej Microsoft-it. Apo pse Departameti i Drejtësisë së administratës Obama ka hapur gjyq për të ndaluar bashkimin në AT&T të T-mobile-s.
        Shtetet kanë ligjet antritrust dhe i kanë përdorur me sukses ato, shih psh SHBA versus AT&T, SHBA versus Standart Oil që solli ndarjen e të dyja atyre. Dhe askush nuk i pengon shtetet të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore kur koha i kërkon.
        e madhe = investuar në masë të madhe në asete me risk te lartë
        Nacionalizmi. Referendum. N-a-c-i-o-n-a-l-i-z-a-t-i-o-n i Anglo-Irish Bank. Frika se mos bankat i blinin të huaj, emirët fjala vjen, siç bëjnë me ekipet e futbollit.
        Punësimi. Shmangesh. Dihet ndryshimi midis uljes së papunësisë që ke shkruar dhe hapjen e vendeve të reja të punës që unë të shkruaj. Papunësia ulet dhe për shkaqe natyrale apo demografike dhe Shqipëria nuk është as USA ku të gjithë të papunët trokasin në një derë e të thuhet se 20% është 20%.

        1. Për Cyprinodon diabolis:

          Jemi te qartë besoj për qëndrimet e njëri-tjetrit. vetëm edhe dy shënime te vogla:

          Një banke e madhe nuk do te thotë gjithmonë, se ka bere investime me risk te larte.
          Mund te ketë investuar ne një sektor qe ka vërtete bum ekonomik për momentin, dhe ketu nuk asgjë te keqe (por është dhe e mençur, ama nuk është e lehtë te gjesh kush sektor do te zhvillohet me shumë në të ardhmen)

          Ti e di mire qe Skype-s, Microsoft-it. apo AT&T të, T-mobile-s dhe Standart Oil nuk janë banka. Ne baze te ligjit antitrust (qe ka kohe qe është shkruar) nuk u është lejuar te bashkohen kompanive te madhe, sepse bëhen shume te fuqishme dhe rrezikojnë konkurrencën e ndershme.
          Ne sektorin financiar është e vështire se ende nuk ka baze ligjore (tani duhet reformuar baza ligjore) për te ndërhyre ne sektorin financiar.
          Unë njoh vetëm Aktin juridik Glass-Steagall te vitit 1933 qe nuk lejon bashkimin e bankave investuese dhe tregtare.

      2. Nuk ka mundësi ligjore të ndalosh një bankë të bëhet e madhe.

        Por ka patur. Glass Steagal Act u abrogua gjate epokes Clinton nga kryqetare korporatiste(tjeter prove e fenomenit ‘regulatory capture’). Nderkohe nqs i klasifikon bankat dhe sherbimet qe bejne si ‘utilities’ atehere ligjet ekzistuese jane te aplikueshme dhe mund te perdoren per te ndaluar ‘madhesine’.

        P.S Se mos thote njeri qe ‘na cate veshet me shembuj Amerikane’. Ishin bankat Amerikane qe paketuan shtepite e sans-culoteve te shkretetirave te tyre e ja u shiten Islandezeve, e Gjermaneve, qe mbanin me borxh Greqine, qe na mban me buke nja 400,000 shqiptare.

  4. Nuk e di qellimin ”miredashes’ te bere qe ne paragrafin e pare , se ‘”po synoj te filloj me shume nje diskutim sesa polemike ” , por doktor , me ndjeni , shkrimi per mua nuk ishte as “anamneze” dhe as ” recete ” per krizen Greke dhe Shqiperine dhe sidomos kur i referoheni edhe Forbesit…si “Standart & Purs-it “…

  5. ”’Nga dy këndvështrime të miat shpëtimi Irlandez, del nacionalist, e që duhet mbajtur larg librave të ekonomisë. Apo të futin risk nacionalizimi si plakat qëmoti mbanin dantellën e varrimit me dekada në të gjallë?”’

    Pse zhvleresimin e monedhes çe kujton ti mekanizem kozmopolit ?
    Jane bere universitetet e ekonomise ne mbare boten si instituti i studimeve marksiste-leniniste, ne vend te ekonomisteve dalin rrumpalla liberiste.

    Po shpetimin amerikan te bankave ce kujton ti mekanizem kozmopolit ?
    Doganat ç’jane ne kohet e sotme (ne lashtesi ishin thjesht burime te se ardhurave per mbreterit) ?

    Greqine e futen ne nje sistem ekonomik me shkalle te larte kozmopolitizmi ekonomik, kurse tani i thone beni sakrifica nacionale.
    Une per vete nuk e ha qe Europa nuk e dinte se Greqia po mashtronte me buxhetin, se nese s’jane te afte te kontrollojne nje gje kaq elementare ça dreq sistemi eshte komuniteti europian ?

    Greqia ka qene historikisht me deficite buxhetore te thekshme si çdo vend ne zhvillim, sidomos modeli pas 1975, pas krizes energjitike dhe kur Amerika hoqi Gold Standart u bazua pikerisht tek deficiti buxhetor, meqe rritja ekonomike supozohej se do te ishte e madhe dhe kostante dhe interesat e borxhit te perballueshme.

    Mire do stimulohet turizmi ne Greqi, po me deficitin e madh tregtar çte beje Greqia ?

    Greqine e deshen ne Euro, tani qe i duhet te beje me se s’ben zhvleresimin e monedhes i thone fryj syte, bej shkurtime ketej, taksa andej.

    Hajde oburra, deshen shkallen e larte te kozmopolitizmit ekonomik, le te sakrifikojne vellazerorçe europianet, pastaj greku ka qene gjithnje djali plangprishes, deshen familje europiane, te sillen si te tille.

    Persa i perket bankave, te cilat jane shkalla me e larte e ekonomise kozmopolitike, keto duke zbatuar parimin e Paretos 80/20 ose 20/80, praktikisht jane kthyer ne mekanizma te dominimit (franko-)gjerman te Europes, ku 20% e bankave (franko-)gjermane zoterojne 80% te kapitalit europian( euro). Per be s’ka ngelur koqe leku as ne Itali, jo se ka qene ndonjehere shtet i fuqishem financiar, perkundrazi, por asnjehere si sot s’ka qene kaq dobet, nje kembe ne varr e ka.

    Bankat e financat europiane jane kthyer ne çeshtje te brendshme te Gjermanise, mban syte gjithe Europa sesi eshte humori gjerman.

    ”’Perndryshe humbet besimi! Kriza e sotme nuk eshte me vetem krize financiare, as e ekonomise reale, por krize besimi.”’

    Safir, ka qekur hoqen Gold Standart qe ekonomia eshte kthyer ne çeshtje besimi, biles s’eshte ndonje e re, se qekur u hoq Niksoni tha qe tashme s’ka me asnje pike konkrete referimi ( ari) por ekonomia do mbeshtetet tek besimi.

    Prandaj edhe universitetet e ekonomise i kane kthyer ne nje surrogat te seminareve te Propaganda Fide.

    Ceshtja eshte se sot, kriza e ekonomise reale dhe asaj virtuale, nuk po duket te jete ciklike e kapitalizmit ( mbiprodhim apo renie prodhimi) dhe as e natyres energjitike si ne vitet 70, po nje lloj i ri qe mesa duket po i ve derrmen ekonomise se bazuar tek besimi, asaj qe prej daljes se Niksonit.

    Ceshtja eshte se nuk kthehen dot prapa tek standarti i arit (sikunder kane bere ne shek 20 Anglia dhe Gjermania 2 here), prandaj s’dine çte bejne (Zvicra ka qene shteti i fundit qe hoqi dore ne vitin 2000).
    Berluska gjate gjithe kohes leshonte e leshon genjeshtra njera-pas tjetres, vetem qe njerezia te mos humbase besimin, perndryshe merr fund gjithçka, dhe e ka bere mjaft mire, i duhet dhene haku.

    Problemi eshte se hajde se po genjejme veten e themi se çdo gje shkon per se mbari, meqe eshte çeshtje besimi, po kur konkretisht si rasti i Greqise te vjen zjarri tek menderja ç’duhet bere ?

    p.s humbja e besimit e ka 6-fishuar çmimin e arit ne 8-9 vjetet e fundit, kishte disa vjet para fillimit te krizes qe dynjaja me mend po blinte ar.

    1. Hyllin, unë kërkoj nga ekonomistët të mbajnë nacionalizimin larg librave të ekonomisë dhe sjell togfjalëshin risk nacionalizimi.
      As e mendoj se mund të hiqet ideja e nacionalizimit nga jeta, teoria, praktika, qofshin këto socialiste, fashiste, apo thjesht kombëtariste.
      Vetëm kërkoj që zgjidhjet ekonomike të gjenden brenda ekonomisë, të mos vijnë në formë të dhunëshme nga jashtë.
      As e pengoj e kundërshtoj pjesmarrjen e shtetit në ekonomi (i bindem shumicës); ky, kur të dojë dhe ta autorizoni le të hyjë dhe luajë si gjithë të tjerët, paçka se kokës së tij i kemi besuar të bëjë dhe arbitrin dhe shkruesin e rregullave dhe gjithçka.
      Por nuk është e ndershme dhe as e drejtë, mund të jetë e nevojshme dhe e mirë (medemek u çlirove dhe shpëtove), të zbresësh si Guliveri mes liliputëve, ti grisësh librat e ekonomisë e të imponosh një zgjedhje politike, – zotit falë se mund të vendosje për zgjidhje ushtarke, shpallje gjendjen e jashtëzakonshme e vije shtetrrethimin.
      Mua nuk më pëlqen veprimi sipas shprehjes një dorë në revani një në bakllava.
      Deri më tani kjo po ndodh, por jo pa ju shpëtuar shumë syve. Zbatohet nacionalizimi nën banak po qënë i pranueshëm më së pari. Nëse do të duhet e nacionalizimi konsiderohet i dobishëm PËR KËTË sistem ai më së pari duhet të futet në libra, të llogaritet – e s’ka ndryshe përveçse si risk.
      Agjensitë e vlerësimit kanë dhënë sinjale të mjaftueshme.

  6. CD ne libra ekziston edhe ne praktikat ekonomike ekziston dhe ka perhapje te gjere, thjesht nuk duket se mbulohet nga politika me koncepte si solidaritet, subvencion, barazim i bilancit tregtar, mbrojtje e degeve strategjike etj.

    Thua qe ekonomia tu lihet ekonomisteve e te mos nderhyje politika, mirepo kur ekonomia eshte kthyer ne çeshtje besimi, kur dora e padukshme jo vetem qe nuk duket, po s’jep shenja ekzistence, si i behet ?

    Pse çdo shtet i ruan me xhelozi rezervat e veta te arit, po nuk krijohet nje rezerve qendrore europiane ? Ckuptim kane rezervat e arit ne çdo shtet, kur monedha eshte e perbashket ?

    Parimi i Paretos 20/80 e thote qarte edhe qe 20% e vendeve te botes do kene 80% te pasurise boterore(sikunder eshte provuar por edhe shihet dukshem), dmth eshte e kote nga cdo teori ekonomike te pretendoje se ka vlere universale dhe eshte e dobishme per gjithe njerezimin. Eshte deduksion fare i thjeshte ky.
    Pra vete logjika ta do qe ta hedhesh poshte ate teori kur do te mberrish tek ky 20% i te privilegjuarve apo kur te rrezikohet statusi, pavaresisht se ç’thone agjensite e vleresimit. Ne fakt, vende si Kina dhe Rusia e kane hedhur poshte, po aq sa vende si Amerika apo Franca kur u eshte afruar rreziku .

    Nga ana tjeter nuk duhet harruar se shtetet nuk mbahen ne kembe per te miren e njerezimit, por te shtetasve te tyre, po keshtu ekonomia nuk eshte qellim ne vetvete, por mjet per te realizuar objektivat kombetare. Ketu po e kaloj tek Shqiperia, qe nuk ekziston per te miren e njerezimit, por te shqiptareve dhe ekonomia e saj duhet ti sherbeje objektivave kombetare.

    Qe ketu rrjedh edhe se cili duhet te jete modeli i saj ekonomik, i cili duhet te jete i pershtatshem per permbushjen e objektivave kombetare dhe natyrisht te mires se shqiptareve. Kjo te pakten eshte rrjedhoja logjike, si duhen pare gjerat ne menyre racionale.

    Mirepo ne Shqiperi ndodh e kunderta prej kohes se Zogut, zgjidhet modeli ekonomik, pastaj mbi bazen e nevojave te modelit vendosen objektivat kombetare dhe me ç’thote historia per hir te modelit eshte sakrifikuar e mira e shqiptareve.

    Ne kohen e Zogut u zgjodh ruajtja e sistemit te çifligjeve, ne baze te modelit pame edhe objektivat kombetare e si u sakrifikua e mira e shqiptareve.

    Ne kohen e Enverit, u zgjodh modeli komunist dhe mbi bazen e tij u vendosen objektivat kombetare e pame sesi u sakrifikua e mira e shqiptareve, bar do hame….

    Ne kete 20 vjeçar u zgjodh liberizmi dhe mbi bazen e tij po i shohim objektivat kombetare dhe si po sakrifikohet e mira e shqiptareve (mjaft te shohesh sesi parimi liberist i konsumit pavaresisht prodhimit, i ka hequr mundesite e mbledhjes se kapitalit, po mbajme syte nga jashte).

    Prandaj per mua modeli ekonomik duhet ti nenshtrohet 2 parimeve, objektivave kombetare dhe te mires (socio-ekonomike) se shqiptareve, pastaj le te futen ne pune ekonomistet, te zgjedhin e zbatojne modelin e duhur.

    Sipas vendit edhe kuvendi, thone e mua me duket se ne Shqiperi po kuvendohet se prapthi prej 20 vjetesh.

    1. per mua modeli ekonomik duhet ti nenshtrohet 2 parimeve, objektivave kombetare dhe te mires (socio-ekonomike) se shqiptareve, pastaj le te futen ne pune ekonomistet,

      Pikerisht, sot jemi para nje fait-accompli fatkeq (madje coupt d’etat do thoja une) ku ekonomistet jane ata qe vendosin politiken. Ne krejt boten moderne kemi vene karrocen para kalit, ekonomistin para politikanit, manaxherin para pronarit. Dhe nuk eshte se nuk na paralajmeruan. J.K. Galbraith i fundmi i rraces te ekonomiste te mirefillite e paralajmeroi kete zhvillim qe ne vitet 60.

  7. Me c`kuptoj nga te lexuarit, kriza eshte me teper e nje natyre financiare se sa ekonomike.
    Produktet financiare qe “shperthyen” ne vitet ’90-2007 krijuan nje distorcion te realitetit deri ne ate mase sa bishti u be me i rende(sishem) se sa dhe kali vete. Ne proces kemi krijimin e CDS ( credit default swaps), CDO (collateralized debt obligations), ABS (asset backed securities), ose te zanateve krejt te reja ne finance si psh. inxhinjeri financiare, ose financial risk managment. Por keto ishin vetem “tools” per te bere punen. Puna, duket se ka qene me teper e nje natyre politike se sa ekonomike. Me sa duket nga 1978 e ketej ka nje lloj stanjacioni te pashpjegueshem dhe te pashmangshem te produktivitetit ne Perendim. Cka ben qe te ardhurat te mos rriten dot me duke u mbeshtetur ne aktivitet dhe realitet ekonomik, por politik dhe financiar ( nuk ishte freudian slip thenia e shefit te Goldman Sachs para Kongresit, se “we do God’s work”)

    Si i thone nje fjale, kur dreqi i hyn nje pune, e con deri ne fund. Ka nga ata qe thone se fajtoret kryesore per kete krize ishin “quantet”, ose ajo plejade matematicenesh dhe fizikantesh te klasit te pare, qe ngelen pa pune mbas shkurtimeve masive te NASA-s ne fund vitet 70 dhe fillimin e viteve 80, dhe u moren ne pune ne kompanite financiare. Ishin keta qe e programuan dhe e automatizuan te gjithe sistemin financiar dhe monetar, ishin keta qe ngriten strukturat e reja ( CDS e me the e te thash) dhe garantuan se s`kishte asnje lloj rreziku, sepse pjesa (ajo qe mund te rrezikoje te falimentoje) do te ishte gjithnje me e vogel se sa e tera, dhe se modelet e tyre matematikore nuk tregonin ndonje mundesi teorike ( a eshte ndonjehere gabim teoria ne matematike dhe fizike?) per rrezik sistemik, ku jo pjesa, por e tera shembet. Keta ishin manageret e “risk managment”, te cilet, te vene ne nje dhome, rrezik kishin nje brain power me te madh se sa Cern i Zvicres , apo Nasa vete.

    USA eshte shteti me inovativ ne bote. Pervec Apple computer, ata eksportojne edhe ide. Dhe kur vjen tek financat, CDS and the rest eshte si nje IMac optimal, nje Iphone et.Te reja, si ide, si forme e si ngjyre. Te perballueshem nga ana finaciare. Shume fitimprures. “Me te zgjuarit” e moren modelin dhe filluan ta perdorin, sidomos ne Europe. Tashti qe borxhi publik i Europes se PIIGS-it ka arritur deri ne ate pike sa HELOC-u (“home” equity line of credit ) i tyre nuk sherbehet do me, sepse interesat jane me te medha se sa te ardhurat e “familjes” ( o do hash e vishesh, o do paguash borxhin; te dyja si ben dot me), rreziku eshte akut per aktivizimin e CDS e te tjera, qe simbas “sage of Omaha”, s`jane tjere vecse “time bombs”.
    Kush ka qene me llupsi dhe ka henger me shume? Po te fillojne te falimentojne PIGS-at do e marim vesh. Deri atehere eshte loje kukamcefti.

    Nje nga bloget me te mira per gjendjen financiare ne Europe eshte ajo e gazetarit Amrose Evans -Pritchards, i Telegraph. Si temat kryesore, ashtu edhe komentet jane te dores se pare ( te pakten per mua).
    Ne lidhje me PIIGS dhe borxhin e tyre, nje komentues solli nje link ( kam dy dite qe e kerkoj dhe nuk e gjej) te levizjes ( flow of money) se parase nga vendet e pasura te Europes, drejt vendeve me te varfera, mbas krijimit te Euros. Ne base te grafikut, dilte se te gjithe keto vende, sidomos ne rastin e Greqise, kredite e marra ishin perdorur thuajse ekskluzivisht per investime e jo per konsum personal ( si perqindje e GDP). Pra ideja se greket jane plangprishes e dore shpuar nuk mbeshtetet dot. I vetmi perfundim eshte se investimet kishin resultuar jo rentable, dhe se kish pasur interference politike ne aplikimin ekonomik te tyre. Tani qe sazexhiu nuk do te beje me muzike dhe po kerkon te paguhet, spektri i CDS e te tjere i ben paradhenesit t`a marrin borxhmarresin dhe ta fusin ne burg si dikur ne shek 18-19, sepse ligja ( Europa e Bashkuar) nuk i le qe te kerkojne “aplikimin e Chapter 11″( AE Pritchards e konsideron zgjedhen e Brukselit mbi PIIGS si nje zgjedhe bujkroberie).

    Nje mik imi ishte ne Shqiperi para disa ditesh, per te pare familjen. Kaloi nga Mynih dhe zbriti ne Selanik. Qe aty moren makinen dhe kaluan nga Greqia, ne Shqiperi, ne Maqedoni, ne Kosove, Mal te Zi dhe se fundi ne Tirane.
    Me c`me thote, nga te gjitha vende ku kish ndaluar e kaluar, perfshi dhe Mynihun ( ka jetuar atje disa vjet ), ndryshimet me te medha, ne menyre absolute, ishin ne Shqiperi. Kishte shume levizje, njerez qe ndertonin, shkembenin. Jeta s`ishte medoemos me e mire apo me e sigurte se para disa vitesh, por shume me e gjalle. Sidomos ne krahasim me fqinjet.
    Topizmi i dikurshem kish nderruar kahje. Ngushtica ekonomike ndihesh edhe ne vend. Papunesia ishte goxha e dukshme, dhe sidomos binte ne sy mungesa e parase. Deri aty sa kish filluar te dilte ne skene e te perdoresh menyra e shkembimeve ne natyre.
    Shqiptaret duhet ti kene reflekset e mbijeteses te viteve 1980-2000 akoma te gjalla. Ia dalin edhe me pak se sa c`kan, c`ka eshte gjithnje me shume nga ajo se sa c`kane pasur. Bankat duhet ti kene ne gjendje me te mire se sa shume vende te tjera te Europes. Per fat politika shqiptare nuk ka pasur kohe te pregadise plane masive delirante shpenzimesh dhe investimesh me pare borxh. qe do ta kish zene tani shtetin per fyti.

  8. Ju lutem te lexoni, ne gjuhen qe deshironi, pershendetjen e Presidentit te Keshillit Europian, Herman Van Rompuy, ne ceremonine e largimit te Zhan-Klod Trishese, president i BQE.
    Ketu keni lidhjen: http://www.european-council.europa.eu/the-president.aspx
    me vjen keq qe s’e sjell shqip, por edhe eshte shume per ta bere tani edhe nuk di te kete ndonje politike PtF-je qe kesi perkthimesh te dalin me vete e mos varrosen ne komentet.
    Duket sikur eshte shkruar enkas per kete diskutim.

  9. ”’Pikerisht, sot jemi para nje fait-accompli fatkeq (madje coupt d’etat do thoja une) ku ekonomistet jane ata qe vendosin politiken.”’

    Kjo eshte besoj rrjedhoje e konfliktit komunizem-kapitalizem, se cili sistem ishte me eficenti, mirepo pas renies se komunizmit i kishin marre frenat ne dore dhe si leshuan me.

    Mbizoteruan ata qe thane, beni investime, mos kini frike nga deficiti buxhetor se e mbuloni me borxhin e brendshem.
    Historikisht investim do te thote shtrengim rripi ne konsum ose ndryshe kursim, qe te jesh brenda me llogarite.
    Mirepo modeli mbahet ne radhe te pare tek konsumi, keshtu qe nuk mund te nxiste absolutisht kursimin, perkundrazi nxit shperdorimin, blerjet e kota.

    Tani qe te pajtohet konsumi i shfrenuar me investimin, logjika dhe pervoja thote se ka vetem nje rruge, borxhi, ate rruge zgjodhen.

    Po keshtu per te realizuar konsumin e shfrenuar, thane mos kini frike nga deficiti tregtar, mos u beni qesharake si merkantilistet demode, te cilet shihnin suficitin si burim pasurimi per shtetin e kombin dhe deficitin si varferim.
    Do plotesohet deficiti me te ardhurat nga investimet e jashtme.

    Pra rro me borxhe e defiçite se nje menyre per ti lare do gjendet.

    Tani erdhi kamarieri me llogarine, hengre e pive do paguash, ceshtja eshte se me çfare .

    Kane 4 vjet qe i vijne verdalle dhe s’kane nxjerre nje recete, kush e hengri e hengri, kush fitoi fitoi.

    Kjo ne shqiptareve na kujton mendesine e firmave piramidale, ha e pi, se kemi Suden e Xhaferrin .

    Keshtu qe kemi te bejme me nje forme piramidale te zgjatur ne kohe, tani po afrohet çasti kur ahengu po mbaron, ne Greqi mbaroi ahengu filloi sherri.

    Vertet shqiptaret jane mesuar me pak, po une jam kurioz te di se cili kryeminister i Shqiperise do kishte guximin te dilte ne televizor dhe tu thoshte se do shkurtojme rrogat e pensionet me 20% e se nje pjese e parave ne banka do humbasin.
    C’pame ne Greqi eshte lule, ne dime te bejme shume po shume me keq.

    Fatkeqesia per Shqiperine eshte se ne 1997 doli nga rrumpalla e shkaterrimeve, privatizimeve absurde e firmat piramidale dhe u fut ne nje skeme tjeter piramidale, veçse e zgjatur ne kohe, qe i ndihen efektet vone.

    Meriten e kane si PS-ja, si PD-ja, si faktori nderkombetar. Kur te na vije llogaria, kush do e haje do jete si ne 97, populli i thjeshte, biles edhe fajet popullit do t’i vihen si per ndjekjen e rruges ashtu edhe per reagimin e dhunshem qe do vijoje (natyrshem).
    Vete i zgjodhe politikanet, vete deshe faktorin nderkombetar, tani fry syte.

    Jemi bere si puna e barcaletes, ti e ke fajin qe ta vodhen lopen… po mire, po hajduti s’ka faj fare !

    Nejse, per mua gabimi me i madh i takon deficitit tregtar qe na shteroi dhe na detyron te shesim Shqiperine per 1 euro, meqe s’ka menyre tjeter per ta mbyllur perveçse me valuten e emigranteve dhe me valuten e investimeve te huaja, keshtu qe duam s’duam duhet tu shesim Shqiperine per 1 euro, sa mund te shitet.

    Po hahet e po pihet duke shitur vendin, djersen e emigranteve e te ardhmen e te rinjve e femijeve dhe as i kercet kujt fare.

    C’te mos e vesh gjithe brezin e vjeter para bankes se akuzuarve, ç’duhet te bejne apo injorojne me shume ?!

    Te marrsha te ligat e rinise se kuqe ne Kine gjate revolucionit kulturor, nje diçka e ngjashme duhet por jo komuniste dhe me gjakderdhje.

  10. Presidenti i Keshillit European kur deklaron se …”A central banker, … In today’s political world …has to play a role strongly resembling that of a constitutional monarch – as Walter Bagehot brilliantly put it 150 years ago: “the right to be consulted, the right to encourage and the right to warn”, ai abdikon pergjegjesine e vet ne detyren e tij.

    Constitutional Monarch? Nje Banker?
    Presidenti i Europes, per turp, duket sikur ka marre nje faqe nga playbook i Rothschilds:
    …”Give me control of a nation’s money and I care not who makes her laws …”

    Me shpresen se Nordic Man do te dije akoma te save the hour.
    Nderkohe, lexoni mbi rastin e Estonise. Shkurt, paster. Thjeshtesisht bukur.

    http://www.spiegel.de/international/0,1518,790293-2,00.html

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë