Gjithmonë e më tepër shoqëria shqiptare po përballet me një makutëri tepër të guximtë e të pamatë të klasës ekonomike në bashkëpunim aktiv me klasën politike (e të heshtur me shoqërinë civile). Edhe pse kritika ndaj kësaj situate nuk mungon, roli i konsumatorit dhe fuqia e tij nënvleftësohet .
Në një artikull te Gazeta Shekulli, A. Klosi komenton mbi racionalitetin e nxitimit të kryerjes së një rruge me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në dukje për të mirën publike – unaza e re e Tiranës – por që në të vërtetë i shërben si infrastrukturë një qendre të re tregtare “Carrefour” (ndoshta versioni “franchising” “Carrefour Express”).
Në bregdetin Shqiptar gjithmonë raportohet për shkatërrime, të porositura si ajo e vjehrrit të L. Bashës (sipas Gazetës Tema) apo të nxitura nga interesat e klasës politike. Në partitë kryesore dhe ato satelitore bëjnë pjesë disa prej ndërtuesve e tregtarëve më në zë të Shqipërisë: Stërkaj, Doshi, Ylli, Angjeli apo Leskaj në njërin kamp dhe Basha, Olldashi, Ruli, Berisha-Malltezi, Mediu në tjetrin.
Gjithkund njerëz të pakënaqur e të “mirëinformuar” flasin për “bëmat” e njërit apo tjetrit politikan a tregtar, e të thonë se “x pallat” e ka A. Meksi, “X klub” S. Olldashi, “x universitet privat” e ka A. Malltezi, e këtë tjetrin një ish-truproje e Nanos apo Berishës. E megjithatë konsumatori nxiton të shkojë në një klub buzë bregdetit të shkatërruar, të blejë një hyrje në pallatet e “filanit” (madje ofron më shumë siguri), të bëjë pazar në qendrën tregtare të “filanit”, të studiojë në “universitetin e filanit”.
Atëherë si mund të shpjegohet kjo dukuri: në rolin e konsumatorit, qytetari shqiptar figuron si tepër i informuar për zgjedhjet që i ofrohen, por në rolin e një qytetari/shtetasi të një sistemi politik demokratik, ai/ajo dështon të ndërmarrë veprime/aksione politike që lidhin rolin e tij/saj si konsumator(e), me atë të qytetarit(es) me përgjegjësi sociale.
Përpjekjet e vakëta të disa aktorëve që synojnë të realizojnë pikërisht këtë lidhje ndërmjet dy roleve, ndërgjegjësimit si subjekt politik dhe veprimit të konsumentit, si p.sh. “Bli Shqip” apo e Vetëvendosjes “Duaje tënden”, dështojnë jo për shkak të mungesës së informacionit (apo të ndërgjegjësimit), porse për shkak të vullnetit të qytetarit për t’u njohur e mirëpritur si një zë i vlefshëm nga klasa politike, për t’u shndërruar në një konsument politik: subjekt politik nëpërmjet konsumit (veprimit) të tij politik.
Një arsye është se tregu i manipulon konsumatorët, por ky një argument gjysëm i vërtetë. Një tjetër arsye mund të jetë mungesa e edukimit të konsumatorit shqiptar, i socializuar me normat e tregtisë monopoliste së periudhës socialiste, por edhe kjo është për t’u relativizuar kur bëhet fjalë për brezin e pas-viteve 90’.
Teorikisht, nëpërmjet vendimeve të tij për të blerë ose jo një mall/shërbim, konsumatori zotëron pushtetin për të ndikuar mbi proceset e tregut. Disa apartamente që nuk blihen në bregdet, i bëjnë investimet jo-rentabël. Disa kafene të lëna bosh në bregdet, i frenojnë investitorët e ardhshëm. Universitetet private pa studentë janë të detyruara të mbyllen e të tjera nuk hapen.
Sociologu Ulrich Beck, me konceptin e tij të “Risikogesellschaft” (shoqërisë që prodhon rreziqe: lufta/aksidentet atomike, teknologji kërcënuese, ndryshime të klimës, mbetje tosksike, luftëra civile, papunësi etj.), e vendos konsumatorin në qendër të alternativës për zgjidhjen e problemeve të “shoqërisë së rrezikut”, alternativë, e cila është demokracia. Qytetari, qoftë si zgjedhës në zgjedhjet elektorale, e qoftë si konsumator, përcakton dhe vendos vetë për përdorimin e të mirave materiale, duke ndikuar kështu në prodhimin dhe shpërndarjen e tyre. Konsumatorët, ndryshe nga punëmarrësit, nuk mund të braktisen, ata mund të organizohen e të ushtrojnë një pushtet të madh në treg. Konsumatorët, sipas Beck, përbëjnë kundërfuqinë ndaj pushtetit të kapitalit.
Këto janë teza të përdorura në politikat pro-ambientaliste edhe në diskurset e politikave përëndimore për tregtinë e ndershme me produktet nga vendet në zhvillim, si p.sh. lëvizja LOHAS – Lifestyle of Health and Sustainability. Konsumimi strategjik, në këtë rast i LOHAS-ve, ndërthurr përgjegjësitë shoqërore e ndaj ambientit me dëshirat dhe kënaqësitë që sjell moda, luksi e të tjera dëfrime.
Fuqia e konsumatorit vihet në pah në bashkimin që ai sjell ndër qytetarë me pikëpamje të ndryshme: ambientalistin me kombëtaristin, komunistin me libertarianin, të majtët me të djathtët. Është kjo bashkërenditje përpjekjesh që mungon në Shqipëri.
Lëvizje të tilla si “Duaje tënden”, duhet të konceptohen më gjerë, duke përfshirë edhe përgjegjësitë shoqërore si ndjeshmërinë ndaj dëmtimeve të ambientit, korrupsionit, pastrimit të parave etj. Levizjet kombëtariste do të jenë gjithmonë të mangëta nëse nuk janë të ndjeshme ndaj problemeve të ambientit, qoftë edhe sikur për vlerat mistike që këta i mveshin tokës mëmë. Lëvizjet ambientaliste do të dështojnë në mobilizimin e shoqërisë nëse nuk i vendosin përpjekjet e tyre në një kontekst (frame) kombëtarist, si një shërbim ndaj kombit.
Kësisoj, përvetëm se të bojkotohen firmat që tregtojnë mallra me prejardhje nga Serbia apo Greqia, konsumatori duhet të bojkotojë edhe ato firma shqiptare ndërtimi, klube, qendra tregtare e të shmangë shërbime nga të korruptuar e shkatërrues të ambientit apo të vlerave morale të shoqërisë.
Edhe pse ndoshta, sikurse edhe autori i këtyre rreshtave, e kapni veten gafil të uleni në një prej klubeve bregdet-shkatërrues, a të blini banane, naftë apo kafe nga monopolet e shumta të këtij vendi, sërisht, ja vlen të mendoni.
Ju pergezoj per verejtjen dhe keshillen politike me vend qe jepni ne shkrim, vete jam dakord me plotesimin e idese politike te mekembjes dhe ruajtjes se ekonomise vetjake – me pjesen ambientale, pra me mekembjen dhe ruajtjen/zhvillimin e ambientit. Por, ne dallim nga ideologjia “mainstream” ambientaliste, do te shtoja se per mua, pjesa me e rendesishme e “ambientit” ne kontekstin politik te “mekembjes/ruajtjes/zhvillimit” duhet te konsiderohet shoqeria, e jo natyra.
Dmth. pa mohuar rendesine e natyres, dhe pa i hequr asnje fjale keshillave te shkrimit, do te shtoja qe eshte eshte edhe me e rendesishme te vezhgohet me kujdes nese kompanite e bizneset vendore e respektojne shoqerine, sa i zbatojne ligjet, sa mire e trajtojne punetorin, klientin, konsumatorin e qytetarin. Sepse eshte e kote te flitet per zhvillim ekonomik pa folur per mireqenie-zhvillim shoqeror (si dhe anasjelltas). Bashke me konceptin e ruajtjes se natyres, keto te treja lidhen fort e nuk do te me pelqente nje projekt ekonomik qe nuk i gersheton strategjikisht.
Megjithate, qe te jem i qarte, gjithsesi mendoj se mbeshtetja e prodhimit vendas, ne perspektive te ofron me shume mjete edhe per te promovuar politika sociale/ambientale, pasi presioni e kontrolli ushtrohen me lehte e ne menyre me direkte ndaj nje kompanie qe ndan te njejtin ambient shoqeroro-institucional, se sa fjala vjen ndaj nje korporate nderkombetare qe funksionon si superstrukture e sofistikuar pushteti, e kontrolluar nga interesa e nga lobingje qe bariqendren e kane gjetiu.
Ne fakt eshte interesante te te kujtoj ne lidhje me paragrafin e fundit, se jane pikerisht korporatat e medha, shoqerite aksionere (ose anonime tregtare) qe jane sulmuar me sukses ne Shqiperi. Ndersa firmat vendase jane bere objekt kundershtimi i medias, por jo i shoqerise civile per shkak te kercenimeve ose lidhjeve direkte.
P.sh. kujtoni sulmet e vazhdueshme, ndoshta ne forme shantazhi nga mediat, ndaj OSSH dhe kompanive te sherbimeve te telefonise se levizshme, per te rene ne heshtje me pas per ore te tera reklamash (dikush ka bere llogari, ja vjeln te besh reklama tek Top Channel me 1200 euro/30 sek per ore te tera ne dite, sesa te ulen tarifat).
Ose kujtoni sulmet ndaj OSSH, serish per shantazh, te qetesuar me pas me 1 faqe reklame ne gazete apo minuta te tera ne mediat vizive.
Se fundmi edhe greven e minatoreve ndaj kompanise austriake. Por askush nuk ngrehet nga qindra minatoret qe punojne ne minierat e tjera te licencuara apo jo nga Genc Ruli.
Perndryshe mjafton te shohesh se me cfare merret karikatura e Komisionit te Mbrotjes se Konsumatoreve apo Zyra e Mbrotjes se Konsumatorit.
Sidoqofte, ky sqarim perforcon mendimin tuaj se konsumatori duhet te perqendrohet tek biznesi lokal per ta ndeshkuar apo shperblyer sipas rastit per sherbimet qe ofron.