Në raportet e organizatave ndërkombëtare mbi sistemin politik në Shqipëri më së shumti jepen rekomandime mbi shtetin e së drejtës ose të ligjit. Pasi më së shumti duket se në Shqipëri, shteti nuk funksionon sipas parimeve të së drejtës ose sipas ligjit.
Shteti ligjor (anglisht: rule of law), ose shteti i së drejtës (gjermanisht: Rechtsstaat) është një shtet, pushteti i të cilit është i kushtëzuar nga ligji (ose e drejta). Një përkufizim i tillë është i diskutueshëm në mendimin filozofiko-politik: shteti i bindet ligjit apo së drejtës? Institucioneve apo parimeve morale të së drejtës?
Përkatësisht teorikisht njihen dy pozicione të ndryshme. (1) Një përkufizim që e përcakton shtetin ligjor (e së drejtës) për nga synimet e saj: respektimin e ligjit dhe ruatjen e rendit (law and order), barazi përpara ligjit, sistem eficient e i parashikueshëm gjyqësor, qeverisje nëpërmjet ligjit, ekonomi tregu dhe respektimin e të drejtave të njeriut – një përkufizim kryesisht bazuar mbi parimet morale dhe pritshmëritë e filozofëve së të drejtës. (2) Përcaktimi i shtetit ligjor nëpërmjet institucioneve dhe atributeve institucionale që e bëjnë një shtet ligjor: sistem gjyqësor efikas, personel policor të fortë e jo të korruptuar dhe ligje të njohura botërisht. Me këtë përkufizim punojnë politikanët, juristët dhe gazetarët.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha së fundmi e përdori togfjalëshin “shteti ligjor” për të justifikuar vendimet pro-qeveritare të institucioneve të përfshira në zgjedhjet elektorale të 8 majit. Kur Sali Berisha flet për shtetin ligjor ai ka ndërmend institucionet. Me të njëjtën gjuhë flasin edhe rekomandimet e OSBE-së në zgjedhjet e fundit. Këto rekomandime hyjnë në rolin e institucioneve dhe veprime teknike. Kjo është një qasje institucionaliste e konceptit të shtetit të së drejtës sipas versionit të dytë.
Institucionet, në kuptimin e normave e ligjeve, sistemit gjyqësor e policisë, janë ndërtuar në Shqipëri. Por parimet e së drejtës, pikërisht synimet e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve, nuk respektohen. Respektimi i së drejtës nuk ka dështuar për shkak të mungesës së institucioneve, porse për faktin se në Shqipëri kanë munguar ndryshimet e nevojshme politike dhe kulturore, të cilat shkojnë përtej ekzistencës së institucioneve.
Sikurse Ukraina, Rusia e të tjera vende ish-komuniste, Shqipëria përbën rastin e një shteti ligjor efikas në përdorimin e dhunës shtetërore (pushtetit) nëpërmjet institucioneve (ligjeve), por jo në realizimin e synimeve të shtetit të së drejtës. Në këtë rast shohim se qasja institucionaliste ka dështuar.
Si pra është e mundur që shteti dhe partitë politike t’i mbijetojnë një sistemi politik, ku sistemi gjyqësor është i paparashikueshëm dhe jo i barabartë? Si është e mundur që në një sistem kaq të korruptuar, administrata shtetërore është besnike ndaj partisë në pushtet dhe mban në këmbë shtetin? Anëtarët e partive dhe qeveria vendore janë besnikë ndaj partive kryesore? Si është e mundur që shteti shqiptar arrin të mbijetojë ekonomikisht dhe politikisht në këtë batërdi korruptive prej disa dekadash pa u shpërbërë krejtësisht?
Përjashto rolin e aktorëve ndërkombëtarë në stabilitetin relativ të sistemit politik, dy janë arsyet e brendshme kryesore: roli i institucioneve dhe shantazhet që sigurojnë mbështetjen e administratës shtetërore ndaj aparatit partiak.
Roli i institucioneve ka realizuar atë që qeverisja të jetë më efikase, sidomos në rritjen e të ardhurave nga taksat dhe në ofrimin e shërbimeve publike, por niveli i korrupsionit ngelet në shifra alarmante (me një rritje madje në perceptimin e qytetarëve sipas një sondazhi nga USAID në vitin 2010).
Në Shqipëri organet shtetërore dhe klasa politike e përdor shantazhin si mënyrë kontrolli politik. Shantazhin e nënkuptojmë si pagesa apo shpërblime të përfituara nëpërmjet kërcënimit ose trysnisë (presionit), ose të kërkuara nga nëpunës, gazetarë, kritikë etj. ndaj atyre që ata kanë mundësi të ndihmojnë ose të dëmtojnë. Ky është një tjetër mjet efikas që siguron besnikërinë e administratës shtetërore ndaj klasës politike. Shantazhi përdoret nga klasa politike edhe për të siguruar rreshtat e shtrënguar brenda partive.
Përdorimi i shantazhit bazohet mbi tre elemente kryesore: (1) udhëheqësit kanë një qëndrim thuajse nxitës/lejues ndaj korrupsionit të vartësve të tyre, ndihmuar nga një klimë pandëshkueshmërie e gjyqësorit; (2) shteti ka një sistem mbarëkombëtar mbikëqyrjeje tepër efikas nëpërmjet organeve të shërbimit të informacionit; (3) nëpërmjet mbikëqyrjes shteti zotëron një bazë të dhënash mbi rastet kriminale të secilit prej zyrtarëve/partiakëve. Shantazhi në këtë rast përdoret për të siguruar bindjen e besnikërinë e vartësve dhe jo për para.
Korrupsioni në vendet ish-komuniste e në Shqipëri ndeshet (1) në nivelet e ulëta të administratës shtetërore: mitmarrja për shkelje të procedurave, mbi-rregullim (i imët) i procedurave administrative e rrëmujë e qëllimtë, përdorimi i procedurave për licencim dhe inspektim për të ushtruar presion e grabitur; (2) në dukurinë e vetë-shërbimit të zyrtarëve dhe plackitjes: nëpërmjet privatizimit, vjedhjeve të fondeve, nepotizmit e klientelizmit etj.; (3) në dukurinë e kapjes së shtetit nga rrjete korruptive: korrupsioni i sistemit gjyqësor dhe policor, përdorimi i shantazhit, korruptimi i medias, korruptimi i sistemit zgjedhor dhe marrja e mandatit të deputetit nga “banditë” për të përfituar imunitet etj.
Në Shqipëri udhëheqësit e partive politike dhe kryeministrat kanë një histori të gjatë të lejimit të korrupsionit ndër vartësit e tyre. Kujtoni akuzat e F. Nanos ndaj Luan Hajdaragës, Anastas Angjelit e Luan Memushit, si edhe emërimet e këtyrë ne poste ministrore. Së fundmi kujtoni edhe korrupsionin e I. Metës e kompani në qeverinë Berisha 2009 dhe reagimin e këtij nga akuzat për korrupsion ndaj G. Rulit, J. Topallit apo L. Bashës. Në nivelin e ulët korrupsioni i lejon partiakët të përfitojnë rroga të dyta, ç’ka rrit më pas besnikërinë dhe varësinë ndaj partisë punëdhënëse.
Shteti shqiptar ka një rrjet tepër të organizuar mbikëqyrjeje, edhe pse deri më tani asnjë prej ish-ministrave të përfolur për korrupsion nuk është dënuar. Shqipëria ka një traditë të gjatë të shërbimeve të sigurimit të shtetit me një shtrirje sipas disa gojëdhënave edhe 1 në 3 banorë. Sistemi i dikurshëm përbën ende bazën për sistemin e sotshëm të mbikëqyrjes.
Sot ligji nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e Telekomunikimeve” i jep të drejtën e vëzhgimit/ mbikëqyrjes një numëri të madh strukturash shtetërore: (1) SHISH – Shërbimi Informativ Shtetëror, në varësi të Kryeministrit dhe Presidentit; (2) Shërbimi Informativ Ushtarak, në varësi të Ministrisë së Mbrotjes, raporton direkt tek Ministri, i cili nga disa analistë (p.sh. Arjan Dyrmishi) vlerësohet si edhe më i fuqishmi në vend (me një mandat të gjerë jashtë dhe brenda vendit); (3) Njësia e Inteligjencës Financiare, në varësi të Ministrisë së Financave; (4) Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në varësi të Ministrisë së Brendshme me kompetenca ekzekutuese/policore; (5) Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, agjenci në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, me kompetenca policore; (6) Departamenti Operativ dhe Hetimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në varësi të Ministrisë së Financave, me kompetenca policore; (7) Drejtoria e Hetimit Tatimor (DHT), agjenci pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në varësi të Ministrisë së Financave. Disa prej institucioneve të shërbimit informative kanë edhe të drejtën e përndjekjes apo kompetenca policore.
Lulzim Basha ishte Ministër i Brendshëm e Ritvan Bode është Ministër i Financave, pikërisht dy besnikë të Sali Berishës. Kjo ka shërbyer për të realizuar bazën e të dhënave dhe sistemin e shantazhit ndaj qeveritarëve lokalë në zgjedhjet lokale. Teatri me zonjën e bulevardit i shërbeu si mbulesë qeverisë për të mbuluar bashkëpunimin e ngushtë që Prokuroria e Përgjithshme ka me shërbimet informative, bazuar mbi ligjin e sipërcituar. Qarkullimi i disa eksponentëve si p.sh. A. Sefgjinit nga SHIK në Drejtorinë e Tatimeve flet për lidhjen që kanë këto shërbime me njëri-tjetrin dhe shkëmbimin e informacionit.
Baza e të dhënave me njerëzit e korruptuar i shërben sidomos udhëheqësit politik për të bindur ushtarët në rradhët e partisë. Kujtoni rastin e konfliktit ndërmjet F. Klosit dhe Fatos Nanos. Ky sistem do t’i shërbejë në të ardhmen Lulzim Bashës për të udhëhequr Partinë Demokratike. Përdorimi efikas i informacionit të përftuar dhe nxitja e korrupsionit në rradhët e pushtetarëve i siguron udhëheqësit politik bindjen dhe besnikërinë jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të nëpunësve të administratës shtetërore. Shantazhi ndaj administratës qëndrore apo lokale merr edhe forma të kërcënimeve të drejtëpërdrejtë për largime nga puna.
Shantazhin e përdorin edhe në shoqërinë civile apo atë të biznesit. Në këtë rast informacioni mbi korrupsionin e njërit zyrtar është i shitur direkt ose i marrë nga një ish-punonjës i SHISH apo i një tjetri shërbim informativ në ato shtatë të sipërpërmendurat. Informacioni i përftuar nga këto burime përdoret ndaj nëpunësve të administratës ose anëtarëve të partisë për të realizuar marrjen e një licence apo largimin e pengesave administrative.
Korrupsioni në masë, mbikëqyrja nëpërmjet shërbimeve informative dhe përdorimi i shantazhit është sot për sot zamka që i mban të bashkuara radhët njerëzore të shtetit-parti në Shqipëri. Ky sistem shantazhi ka ngulfatur sistemin gjyqësor dhe shoqërinë civile, e cila është e pafuqishme të ndërmarri masa radikale ndaj sistemit. Elementë kryesorë të shoqërisë civile janë të vëzhguar e me “miza nën kësulë”: akademikë të korruptuar, kryetarë shoqatash me një barrë evazionesh fiskale, biznesmenë me pasuri të dyshimta, sindikalistë të kooptuar, gazetarë të blerë e media po aq shantazhuese sa të shantazhuara (rasti i fundit i Top Channel për shlyerjen e detyrimeve fiskale). Si shpërblim për evazionet fiskale apo për larjen e parave, biznesi ka mundësi ta shlyejë këtë nëpërmjet financimit të partive në raste zgjedhjejesh elektorale. Së fundmi organet tatimore po përdoren për të thithur fonde nga bizneset për mediat pranë partive politike, të cilat janë duke falimentuar (si p.sh. mbështetja e Gazetës “55” nëpërmjet reklamave) ose për të nxitur shitblerjen eskluzive vetëm të një produkti të një sipërmarrjeje parti-mbështetëse.
Vetëm një klasë e re politike e pastruar nga shantazhi, ose një popull i tërbuar, mund ta ndryshojë sistemin politik në Shqipëri.
“Vetëm një klasë e re politike e pastruar nga shantazhi, ose një popull i tërbuar, mund ta ndryshojë sistemin politik në Shqipëri.”
Nje popull i terbuar, mund ta ndryshoje sistemin, por ai tjetri qe do vendosej me pas, nuk mund te ishte ndryshe ne thelb nga i meparshmi. Kultura anti-korrupsion mes njerezve dhe klases politike, ka shanse te ndryshoje vertet makinen qe mban gjalle sistemin. Po si e kur ndryshon ajo e shkrete kulture eshte muhabet me vete. Une besoj ne politikane te krisur e te ndershem, por ata rrezikojne te krijojne sisteme autoritariste. Ndryshimi duhet te vije nga poshte, por nuk shoh vend tjeter ne Europe qe te jete me larg sesa Shqiperia per nga deshira apo kushtet per ndryshim nga poshte.
…”Vetëm një klasë e re politike e pastruar nga shantazhi, ose një popull i tërbuar, mund ta ndryshojë sistemin politik në Shqipëri…”
Klasa e re politike kerkon shume pune.
Kerkon lindje interesash te reja, mardhenie ekonomike me “lojtare” te rinj, pasuri te reja, etj, etj. Historikisht vetem kushte ekonomike te reja kane sjelle ne skene klasa politike te reja. Qe nga klasa merkantile e Romes, ne kohen e Hanibalit, e deri tek Harper-i i sotem i Kanadase.
Shqiperia s`i ka mundesite per kete. Jo sot per sot. Jo he per he.
Populli i terbuar eshte si ai lumi qe del nga shtrati. Varet nga furia e “ujrave. Kur arrin nje fare pike, s`ka argjinature qe ti permbledhe e ti beje balle.
Keshtu ndodhi pershembull ne Francen e 1789. Populli i terbuar, mbasi preu koka sa mundi, iu nenshtrua si nje femije i zene ne faj, kokefortit te pare qe i ra rruga asipari – Napoleonit.
Ajo qe mund ta ndryshoje Shqiperine, nder te tjera, mendoj se eshte berja e nje “grushti shteti”. Jo ne kuptimin amerikano-latin. Nuk ka nevoje as per arme, ushtare, gjak, dhune e te vrare.
Kjo mund te arrihet nese pjese te ndryshme te vendit fillojne te dalin jashte orbites se Tiranes qendrore – ekonomikisht, me kryesorja, dhe me pas politikisht. Te rishihen raportet me qendren. Duke filluar nga taksat, me pagimin apo mospagimin e tyre. Sherbimet qe ofrohen/ kerkohen kundrejt taksave te paguara. Te synohet shvleresimi politik i rolit te Tiranes, duke i lene asaj thjesht nje rol protokollar apo ornamental.
Ka plot rajone qe mendoj se mund te funksionojne fare mire dhe kollaj pa Tiranen – qe nga Bregu, Korca, Shkodra. Madje me hapjen e Kosoves, do thoja edhe Tropoja, Kuksi dhe Dibra. Te kete te filloje diku, suksesshem, dhe shembulli do te mund te replikohesh kollaj.
Edhe une nuk kam shume besim tek nje popull i terbuar. Porse klasa politike po humbet dita-dites shansin te vete-pastrohet.
Mund te lind nje klase e re politike. Partia Socialiste me humbjen e bashkise se Tiranes ka shansin te kryej nje “klizme” per te pastruar elementet negativ (klizme e filluar me shkeputjen e LSI-steve). Rames t’i sherbeje kjo kohe per te ndertuar dicka te qendrueshme. LSI diskretitohet me klanet e vjetra te PD-es. Sala merr me vete edhe Meten e kompanine e banditeve.
Me largimin perfundimtar te Topit nga Partia Demokratike do te ndodhe dicka e ngjashme me LSI dhee PS. PD e humbi shansin per “klizmen” gjate mandatit te PS, porse do ta rekuperojne kete pas 2013. Basha do te kete shansin te pastroj PD dhe te lidhet me elementet pozitiv te larguar te PD (largon Topallin p.sh.), pa qene nevoja te shkepuse llokma nga baza (sic beri LSI). Nese PD arrin te pastrohet nga te perfolurit, do te mbijetoje.. perndryshe do te shperbehet pas largimit te Sales.
Lexoni me poshte disa fakte interesante mbi deshirat e Berishes per te perdorur sherbimet informative dhe shanazhet qe u ben drejtuesve te institucionit. Keto gjera nuk e gjejne asnjehere rrugen ne prokuri. Por PS ka ketu nje dokument per ta cuar kete ceshtje ne hetim. Ah, harrova, PS ka Tom Doshin dhe Gramoz Rucin, mafioze, te shantazhueshem.
Nga Wikileaks: http://wikileaks.org/cable/2008/09/08TIRANA675.html
1. Kryetari i Keshillit te Larte te “Drejtesise”, i cili luan nje rol kryesor ne emerimin dhe mbikeqyrjen e gjykatesve, i tregoi Ambasadorit se Berisha e kishte perballur i inatosur dhe e kishte akuzuar ate per perpjekje per te “kufizuar ndikimin e qeverise mbi gjyqesorin”, dhe e kishte kercenuar ate me largim nga vendi i Kryetarit dhe “diskretitim publik”.
2. Berisha kerkon te kontrolloj sherbimet e inteligjences:
a – akuza ndaj SHISH (si edhe ne 21 Janarin, kur donin te nxirrnin telefonatat e pergjuara te komandateve te Gardes.)
b – Ndertimi i nje departamenti prane Keshillit te Ministrave, i cili mbikeqyr SHISH.
c – Forcimi i Sherbimeve te varura direkt nga Keshilli i Ministrave, si sherbimi i brendshem, prane Ministrise se Brendshme – Lul Basha!
Edhe ky ketu eshte nje mesazh teper interesant: http://wikileaks.org/cable/2010/01/10TIRANA58.html. Nje analize mbi ndryshimin e ligjit te SHISH, e cila ka munguar ne shtypin shqiptar.
Sipas Withers, ndryshimet ligjore do t’i mundesonin Berishes perdorimin e SHISH per te spiunuar rivalet e brendshem politik dhe per te shantazhuar cdo politikan. Informacioni i mbledhur mund gjithashtu te perdoret edhe per korrupsion ose shfrytezim/grabitje.
Ambasadori gjithashtu shprehet se Berisha ka provuar disa here te kontrolloj SHISH, por pa sukses, si ne vitet 2005, 2006 dhe 2010.
Ambasadori mendon se Prokuroria dhe SHISH bashkwpunojne ngusht.