Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KRIZA, NE DHE NDËRKOMBËTARËT

nga Xhibi

“Faktori ndërkombëtar”, siç e kanë pagëzuar mediat dhe politikanët tanë, është tashmë dukshëm jo vetëm faktor, por mbase edhe pjesëmarrës ose ‘lojtar’ i politikës shqiptare; sa më shumë thellohet kriza politike në Shqipëri aq më shumë angazhohen në politikën shqiptare përfaqësuesit e Evropës dhe të Amerikës.

Ditët e fundit, sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit, vihet re një gjuhë imperative e tyre, imponuese mbase në ton, drejtuar kryeministrit Berisha dhe shefit të opozitës Rama, për zbutjen e retorikës dhe anulimin e manifestimeve të tyre, dhe për orientimin e situatës drejt rrugëve ligjore dhe institucionale, për respektimin e institucioneve të pavarura, duke veçuar Prokurorinë, për vetë natyrën e ngjarjeve të ditëve të fundit.

Përfshirja aktive e përfaqësive ndërkombëtare në politikën shqiptare është komentuar jo vetëm nga politikanët, por edhe nga mediat dhe opinionistët shqiptarë pak a shumë sipas anësisë së tyre, më konkretisht sipas avantazhit apo disavantazhit që deklaratat e të huajve i japin për momentin “kauzës” ose manovrës politike të kryeministrit dhe kryetarit të opozitës. Për vetë faktin se maxhoranca qeverisëse rrezikon të humbasë më shumë nga moszbatimi i sugjerimeve të ndërkombëtarëve, por dhe për faktin se aksionet e opozitës kanë qenë, që pas zgjedhjeve të fundit, pothuajse tërësisht ekstra-institucionale, sugjerimet e faktorit ndërkombëtar janë zbatuar (për aq pak sa janë zbatuar) më shumë nga maxhoranca sesa nga opozita, dhe padyshim janë komentuar më shumë negativisht nga opinionistët opozitarë, apo opozitë-simpatizues, t’u themi.

Në mënyrë sistematike politikanët dhe mediat tona kanë cunguar, cituar jashtë kontekstit dhe keqinterpretuar rekomandimet e ndërkombëtareve, por dhe artikujt e mediave te huaja, sipas interesave te klaneve politike, që nga konkluzionet e raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës dhe rekomandimet e raportit për përmirësimin e kodit dhe procedurave zgjedhore, deri në deklaratat e të huajve në vazhdim, sipas klimakseve që ka arritur kriza politike shqiptare.

Opinionistët kanë bërë të njëjtën gjë pak a shumë, sipas llogoreve të mediave ku aderojnë. Për më tepër, një sërë prej tyre kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm rolin, por dhe legjitimitetin e kësaj përfshirjeje kaq aktive të përfaqësive evropiane dhe amerikane në politikën shqiptare.

Kritika e këtyre opinionistëve në princip (si parim) ndaj ndërhyrjes së Evropës dhe Amerikës në punët tona të brendshme/politike (na lini t’i zgjidhim vetë punët, shikoni problemet tuaja, ne jemi shtet sovran) zhvlerësohet pikërisht nga mania e të njëjtëve opinionistë (dhe mediave ku ata shkruajnë) për të interpretuar qëndrimet e ndërkombëtarëve në favor të njërës ose tjetrës palë politike. Në momentin kur citon një pjesë të deklaratës së ndërkombëtarëve në favor të Berishës apo Ramës dhe e paraqet atë si argument të qenësishëm dhe të rëndësishëm për sa i përket drejtimit që duhet të marrë zgjidhja e krizës politike në vend, nuk ka kuptim të argumentosh se këta s’duhet të fusin hundët në punët tona.

Për më tepër, vihet re një farë ‘elasticiteti’ ta quajmë, i qëndrimit të disa politikanëve dhe opinionistëve (por dhe shumë komentuesve në mediat dhe internetosferën shqiptare) përsa i përket rolit dhe raportit që ndërkombëtarët duhet të kenë me politikën shqiptare, edhe kjo shpesh sipas avantazheve të perceptueshme për njërin apo tjetrin lider/forcë politike. P.sh. deklaratat e ndërkombëtarëve për firmat piramidale dhe kaosin qe pasoi në vitin 1997 priteshin atëherë me të njëjtën kundërshti dhe shpoti nga Berisha dhe të tijtë, me të njëjtat retorika “parimore” për mosndërhyrjen e tyre, me të njëjtat leksione drejtuar përfaqësive të huaja se si ata duhet të silleshin jo vetëm me ne, por dhe cilat punë të tyre të brendshme duhet të mos linin mangut, retorika te cilat sot i hasim shpesh tek opozita politike dhe mediatike. Kuptohet, me përjashtim të atyre politikanëve dhe individëve të mediave (termi gazetar më duket i pamerituar këtu) të cilët kanë kaluar në llogoren tjetër; këta mbase janë të vetmit që gjenden sot në të njëjtin pozicion parimor me ndërkombëtarët, pro ose kundra ndërhyrjes së tyre. Luhatje të dukshme të qëndrimit të politikanëve dhe opinionistëve ndaj përfaqësive dhe mediave të huaja vihen re dhe brenda muajve, për të mos thënë dhe dita-ditës, në varësi të çfarë aspekti të mosmbarëvajtjes se politikës shqiptare kritikojnë të huajt atë ditë në daljet e tyre publike, apo për cilin institucion bëjnë thirrje mbështetëse.

Nuk them se në parim s’duhet diskutuar se sa shumë apo pak duhet të ndërhyjë Amerika dhe Evropa në çështjet e politikës shqiptare, ashtu si pa dyshim kjo ndërhyrje nuk është tregues pozitiv për stadin e politikës dhe të demokracisë shqiptare (për faj të kujt nuk është?). Por, kur ndodhemi në një situatë të tillë, ku sipas meje (dhe jo vetëm) vendi mbahet pezull nga dy mafiozë arrogantë dhe të papërgjegjshëm të veshur me petkun dhe pushtetin e politikanit, te cilët individë siç e kanë treguar në vazhdimësi, dhe padyshim gjatë ditëve të fundit, janë të gatshëm jo vetëm të dalin nga çdo binar institucional e ligjor, por dhe të na bëjnë kurban ne dhe gjithçka tonën për hir të luftës se tyre për pushtet, ndërhyrja e përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë në punët tona të brendshme politike është për mendimin tim jo vetëm pozitive por e domosdoshme, parë kjo në aspektin e përfitimit (benefiteve) tone si qytetarë, por dhe ne aspektin e fateve afat-mesme dhe afat-gjata të politikës dhe demokracisë shqiptare.

Padyshim, tashmë pas 20 viteve demokraci (ose më saktë tranzicion) do të desha fort që të mos kishim më nevojë për ndërhyrje të tilla të ndërkombëtarëve në politikën shqiptare, ku si kujdestarë kopshti, përfaqësuesit e Amerikës dhe Evropës duhet të kapin për veshi padronët e politikës shqiptare sa herë që këta tanët ‘bëjnë pis’ vendin, herë pas here me gjakun tonë. Por, duke pasur parasysh realitetin politik dhe institucional shqiptar, jo vetëm që e vlerësoj dhe e mirëpres këtë ndërhyrje të të huajve, por për momentin e shikoj faktorin ndërkombëtar si të vetmin moderues (buffer) të përplasjes së shfrenuar për “liri a vdekje” të Berishës me Ramën për asgjësimin total të kundërshtarit dhe mbajtjes/marrjes së pushtetit, luftë në të cilën ‘kolaterali’, mishi për top, jemi padyshim ne dhe shteti ynë i brishtë.

Nga sa më kujtohet gjatë viteve të fundit, e vetmja çështje për të cilën Berisha dhe Rama nuk kanë pasur mosmarrëveshje (dhe për rrjedhojë nuk kanë pasur ndërhyrje kaq imponuese të ndërkombëtarëve, e sigurisht që të dy palët nuk kanë dashur të kenë) ka qenë ndryshimi i Kushtetutës dhe kodit zgjedhor, ndryshime të cilat siç thuhet shpesh jo vetëm kanë minimizuar rolin dhe kompetencat e Presidentit të Republikës, por kanë favorizuar dhe fuqizuar në mënyrë të padrejtë dhe disproporcionale dy protagonistët e politikes shqiptare kundrejt çdokujt e çdo gjëje tjetër. Sot Berisha dhe Rama replikojnë me njëri-tjetrin për lloj-lloj gjërash vulgare dhe “parimore”, por kodi zgjedhor nuk është një prej çështjeve të debatit të tyre, e pavarësisht kësaj, pavarësisht mungesës totale të reformave ndaj kodit dhe procedurës zgjedhore, të dy premtojnë zgjedhje të lira në të ardhmen; njëri sa më shpejt e tjetri vetëm në 2013-ën.

Gjithashtu nuk shikoj ndonjë ‘konflikt interesi’ midis asaj çka sugjerojnë ndërkombëtarët dhe të mirës publike dhe institucionale të vendit, apo dhe midis interesit të supozuar gjeopolitik të tyre në Shqipëri (dhe në Ballkan) dhe interesave tona, ashtu si nuk besoj në ndonjë militantizëm partiak alla-shqiptarçe te tyre për Ramën, e aq më pak për Berishën, apo në ndonjë skenari konspirativ kolonializimi apo marrje kalaje nga brenda prej tyre.

Njëherësh, nuk mendoj se mund të kemi ecuri dhe pavarësi të politikës dhe demokracisë shqiptare për sa kohë që politika dhe demokracia në vend mbahen peng prej vitesh nga interesat korruptive të palëve të përfaqësuara nga drejtuesit e maxhorancës dhe opozitës, dhe kur beteja politike zhvillohet jo si ballafaqim idesh e platformash brenda sipërmarrjes ligjore e institucionale, por si përplasje të këtyre interesave dhe si përplasje personalitetesh, duke nëpërkëmbur dhe shfuqizuar/dobësuar institucionet, duke mercenarizuar mediat dhe duke polarizuar popullin.

Vlen të theksohet gjithashtu se shumë prej hapave (aq sa) përpara që janë hedhur kanë ardhur pikërisht si rrjedhojë e kërkesave dhe presionit të Evropës dhe Amerikës ndaj politikës shqiptare dhe si plotësim të kushteve të vëna nga ata.

Prandaj dhe e shikoj si jo vetëm pozitive, por dhe të domosdoshme përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në politikën aktuale shqiptare, pasi ndikimi i tyre (qoftë dhe imponues dhe sedër-lëndues) për të detyruar sadopak kryeministrin dhe kryetarin e opozitës që të “luajnë sipas rregullave të lojës”, pra të zbatojnë ligjet dhe të respektojnë institucionet e vendit, është në favorin e shtetit dhe të demokracisë shqiptare, sjell forcimin e institucioneve por dhe kultivimin e kulturës ligjore dhe institucionale tek njerëzit (kaq shumë e domosdoshme kjo për ne shqiptarët/ballkanasit), dhe pa dyshim është në favor të integrimit evropian, gjë të cilën të paktën teorikisht e kanë në agjendën e tyre të gjitha forcat kryesore politike shqiptare.

Në anën tjetër të këtij debati, thirrjet për distancimin e ndërkombëtarëve nga politika shqiptare (përtej aspektit të integrimit eventual europian) në momentet qe po kalojmë më duket se, me apo pa dashje, favorizojnë vetëm Berishën dhe Ramën me të tyret, këta ujqër të politikës shqiptare të cilët kërkojnë të mbulojnë me mjegull luftën e tyre te shfrenuar për pushtet, dhe kur kjo mjegull rrezikon të shpërndahet ata mundohen të diskreditojnë dhe zhvlerësojnë jo vetëm përfaqësitë, por dhe mediat ndërkombëtare (se mediat e vendit i kanë tashmë në xhepa).

Besoj se na kujtohet të gjithëve momenti i turpshëm kur kryeministri Sali Berisha do të fshinte prapanicën me artikullin ende të pabotuar të The New York Times, artikull investigativ i cili hodhi dritë mbi aferat korruptive vdekjeprurëse të Gërdecit. Dje, kryetari i opozitës Edi Rama, në konferencën e tij të shtypit mund të themi se pati momentin e vet të fshirjes së prapanicës me New York Times; ai i quajti klishe bajate portretizimet si luftë për pushtet midis dy liderëve dhe interesave të tyre, portretizime të cilat The New York Times (në këtë artikull) dhe shumë media të tjera të huaja po i bëjnë situatës aktuale në Shqipëri (Në fakt po të lexosh artikujt e mediave të huaja ndër vite për përplasjet e brendshme politike shqiptare, e kupton se sa pak ose aspak ka evoluar vendi në këtë aspekt.)

Në këto kohë trazirash dhe pasigurish, ku jo vetëm politikanët por dhe një masë e madhe e polarizuar njerëzish duket se kanë hapur ‘luftë frontalë’ në drejtime të ndryshme, mendoj se ‘fishekët’ e zbrazur drejt Evropës dhe Amerikës jo vetëm që janë në drejtimin e gabuar, por na bëjnë dhe qesharakë, në rastin më të mirë, kur këtë e kemi për parim, se kur e kemi të qëllimshme na bën sadopak bashkëfajtorë (pa një mbështetje minimale mediatike dhe militanteske, pikërisht të tille, besoj se as Sali Berisha dhe as Edi Rama nuk do të ishin më në krye të forcave politike shqiptare).

Sikur e gjithë kjo situatë të ishte ndeshje futbolli, sharjet dhe mllefet ndaj arbitrit mund dhe të përbënin humor.

Nëse nuk do të ndjekim as këtë herë këshillat e ndërkombëtarëve për orientim dhe zgjidhje ligjore dhe institucionale të situatës (politike dhe më gjërë) nuk do të ishte çudi që disa vite më pas të gjendeshim përsëri në të njëjtën situatë ashtu si dhe sot, duke folur për të tjera video korrupsioni dhe të tjerë 21 janarë, duke përmendur pak ose aspak Gërdecin e sotshëm, ngjarjet e 21 janarit, si dhe pse ndodhën. E nuk do ishte çudi qe dhe atëherë të diskutonim si tani për ndërhyrjet e shumta të Evropës dhe Amerikës në politikën tonë, por mbase dhe për ndonjë fshirje prapanice me artikullin e radhës të The New York Times.

Vallë sa herë duhet të përsëritet cikli në mënyrë qe ne të përftojmë leksionin e historisë se bërja e gjërave si ne xhungël dhe në forma jashtë-institucionale (se ashtu e kemi një hall urgjent, s’na pret puna) na mban brenda ligjit të xhunglës, se Berisha, Rama e kushdo individ tjetër, sado shumë apo pak karizmatik e vizionar, nuk është mbi — dhe me i rëndësishëm se — institucionet e shtetit, dhe se s’duhet të përpiqemi të gjejmë armiq tek ata që na orientojnë drejt daljes nga kjo gjendje?

Nëse sot duhet patjetër të rreshtohemi me opinionet tona në një krah, le të pozicionohemi me sugjerimet dhe kërkesat e Amerikës dhe Evropës drejtuar politikanëve dhe institucioneve shqiptare. Padyshim që nuk duhet të presim që të huajt të bëjnë çdo gjë për ne. Por, sot për sot, përsa i përket luftës mediatike të opinioneve dhe alternativave që paraqiten si zgjidhje, midis shumë syresh të mbuluara si këmba e ujkut me miell, janë pikërisht këta ndërkombëtarë, sugjerimet e te cilëve flasin më shumë për interesat tona si popull dhe si shtet sesa sugjerimet e të gjithë politikanëve të marrë së bashku, për të cilët politikanë (por dhe mercenarët e tyre mediatikë) ne si popull ekzistojmë veçse për të luajtur manivelën qe i sjell ata në pushtet, dhe kur të lipset nevoja, pse jo dhe të luftojmë me njëri-tjetrin, kuptohet në emrin tonë, në emër të sovranit dhe të demokracisë.

Pa Komente

  1. Xhib, pese yjet, ve bast i ke marre nga J. 😀 Sa me perket mua, te githe artikujt mbi nderkombetaret, sa simpatizuesit me politikat e tyre si ky i joti, dhe te habiturit, si ai i Nanos, vej re se anashkalojne potencialin destruktiv, direkt, apo indirekt te nderkombetareve. Dhe ketu kam parasysh perfshirjen e tyre ne Egjipt. Thene thjesht, atyre nuk iu plas se kush eshte hajduti i rradhes, mjafton qe te mos preken interesat e tyre. Gjithcka tjeter qe mund te thuhet per ta eshte “fluff.”

    1. Çfarë?

      Që të marrë pesë yje ky, do të duhet:

      – të heqë dorë nga toni vetëpërqeshës, sa herë shkruan ndonjë gjë, duket se thotë: E kam seriozisht, por jo dhe aq (:D)

      – të heqë dorë nga fjalëformimet, që mi ka si reforma tranzicioni.

      – Të kuptojë më së fundi se ku përdoren “thonjëzat” dhe ku nuk “përdoren”.

      – Të ketë një ide përse shkruan. Ok shkruajti, çfarë donte të na thoshte? E thotë në fund ai: mbështesni ndërkombëtarët thotë, për çdo gjë. Gjithë shkrimi, për të thënë këtë?

      – Barazitizmi që përshkruan artikullin, është në nivelet e neverisë. Këta të shkollës së Lubonjës, e kanë bërë parim. Madje unë mendoj tashmë dhe nuk kam pikë dyshimi, se e bëjnë të qëllimshme.

      Nuk flas për xhibjen, se ky nuk ka vlerë në shtyp. Po për opinionistë e analistë të cilët tentojnë të kryejnë barazitizmin në çdo rast që u jepet.

      E ka përvetësu stilin xhibja ama, vetëm për këtë i meriton dy, tre yje.

  2. Lulian, konkretisht ne rastint tone ku e shikon mosperputhjen e interesave te nderkombetareve (apo ndac vec e vec, te interesave te Amerikes dhe te Evropes) me interesat tona si shtet dhe si qytetare, dhe specifikisht ne ato gjera qe ata po sugjerojne?

    Se kshu keto objeksionet tuaja ne drejtim te paditur nuk jane shume larg objeksioneve te Mucit, i cili thote se Berisha do kete blere ambasadorin amerikan nepermjet ndonje ambasadori evropian…dmth partizani u vesh si ballist..e di vete vazhdimin. 🙂

    Plus qe nuk po flitet te bejme pakt dasme me nderkombetaret dhe ti japim cek te bardhe; flitet per disa sygjerime konkrete ne kohe krize, te cilat sugjerime jo se ne nuk i dime pa na i thene ata, po se ata kane ndikim me shume tek politikanet tane, dhe padyshim s’kane anshmeri politike; tek ne, dhe sidomos ne kohe krizash dhe polemizimesh te tilla, veshtire te gjesh nje numur te madh populli te thjeshte i cili s’eshte i llogorizuar. Kjo duket dhe nga bisedat ne realitet dhe nga komentet ne blogje.

    P.S. Ndjese te gjtheve per gjatesine e pafundme te artikullit. Mungesa e pervojes dhe lodhja e paskan qitur lum, po sic tha Jovani, e provova nje here nga keto poshte deres…here tjeter me djale, dmth me i shkurter.

    1. “…ku e shikon mosperputhjen e interesave te nderkombetareve (apo ndac vec e vec, te interesave te Amerikes dhe te Evropes) me interesat tona si shtet dhe si qytetare, dhe specifikisht ne ato gjera qe ata po sugjerojne?”

      P.sh. në rolin e turpshëm që luajtën ndërkombëtarët pas zgjedhjeve të 2009. Sipas tyre, numërimi i votave u bë keq apo shumë keq në një të tretën e qendrave të numërimit, por kjo nuk përbën ndonjë arsye, që zgjedhjet të mos jenë “brenda standarteve demokratike”. Kjo nuk përbën ndonjë arsye për të kërkuar verifikimin (të paktën) ose ri-përsëritjen e zgjedhjeve, sic do të ishte standarti i padiskutueshëm në vendet e tyre. Interesi i tyre ishte dhe është vetëm një Shqipëri stabile (“Qetësi ju aty poshtë!”), pa për standartet demokratike në Shqipëri, atyre aq u bën. Shqiptarë hesapi ne, medemek!

  3. Xhib, ve bast qe kete shkrimin e ke pas ne draft per ta publikuar tek peshku, po “dora e hekurt” nuk ka pranuar te ta publikoje 🙂

    1. Jo jo aspak flo, e shkrova per ketu. Niveli andej keto dite eshte bere krejt edtalebanesk me pak piper dervishesh si tek filmat me turq qe benin ato lutjet tip “Allahu kerkon kurban” keshtu qe s’e mendova shkrimin per andej.

  4. Nderhyrja e faktorit nderkombetar thjesht pudros plagen, i hedh nje hi syve te gjitheve, jep ndoshta nje zgjidhje momentale, por nuk prek thelbin e problemit, nuk shperben sistemin qe tashme eshte klasifikuar si “hibrid”.

    Zgjidhja nuk ka ndonje formule te shenjte qe pritet te vije nga ndonje pale profetike, ajo do te vije natyrshem perplasje pas perplasjeje derisa problemet te sheshohen. Perpjekjet e pareshtura kunder tiranise, jane pikerisht keto qe do te farketojne demokracine ne vend. Ky eshte sensi i historise.

  5. Sa te kuptoj xhib… @Jul autoironia per mua eshte nje forme e larte vet-persosje, e rrjedhimisht shume here me ngjallese-besuese se tonet akademike, por jam dakort me ty per tendencen barazitiste te opinion-beresve, e cila per mendimin tim nuk eshte aspak naive sic mund te ngjaje, por e mire-llogaritur

    1. Po është i paparë, Flo! Është i paparë! Nuk është autoironi, është vetë-tallje. Xhibi nuk e mpreh lapsin aq hollë tek vetja. Mënyra sesi e bën, më ngjan me ata tipat që kur ti je në tavolinë e diskuton diçka serioze, ky ia këput një gazi erë-rëndë prraaau, thjesht për të thënë që, hej, jam dhe unë këtu! Pastaj qesh rëndë ëhë-ëhë-ëhë.

      Aman, numëroja pak të lutem, sa herë i ka përmendur dyshe Rama-Berisha. Shife pak sa herë përmend njërin, edhe tjetrin. Më kujtoi këtë skenën nga “Life of Brian”.

      http://www.youtube.com/watch?v=sFBOQzSk14c

      Po qershia mbi tortë, është ai krahasimi i fshirjes së menderes. Andej u nis Xhibi për artikullin, qafsha ty dhe kalamajtë nëse nuk është si them unë. Kjo ishte “gjetja” origjinale, e xhibit.

      Si e thotë: Pati momentin e tij të fshirjes së menderes, sepse konsideroi klishe atë që shkruhej, se kjo në Shqipëri, është luftë midis dy njerëzish.

      Dmth është e krahasueshme: konsiderimi klishe i MEDIAS (Rama as nuk tha titullin e gazetës apo artikullit, fare!!)

      Me thënien e Berishës se: ai artikull është letër higjenike.

      Ia ka shqyer shalët llogjikës fare, Flo.

      Një gjë nuk kuptoj, si mundet t’i thotë këto hapur, pa teklif, pa iu skuqur faqja, nuk e marr vesh.

      1. Sa pa kuptim duhet te jete jeta jote kur vazhdon si lolo i fshatit duke “diskredituar” shrkimet dhe komentet e mia e duke me dhene leksione, pavaresisht se une kam vite qe te injoroj, as te replikoj as te permend ndonjehere?

        1. Xhibi, në rradhë të parë, unë nuk tu drejtova ty. Unë fola me Flo-në dhe Lulianin.

          Në rradhë të dytë, bën shumë gabim që i kupton marrëdhëniet tona personale si imunitet që duhet të kesh ndaj meje dhe komenteve të mia.

          Ti nuk ke imunitet, as do kesh.
          Se unë, nuk e kam me ty, e kam me çfarë shkruan. Kur unë kam mendim të kundërt me atë që përcjell ti, atëherë do të flas.

          As miqtë e mi më të ngushtë nuk e kanë atë imunitet që do të kesh ti.

          Në rradhë të tretë, më vjen keq të të zhgënjej, se nuk ke kaq shumë rëndësi në jetën time. Si çdo njeri, edhe unë shpenzoj kohë të konsiderueshme me disa punë angarie, siç janë nevojat personale, larja e dhëmbëve, lustrimi i këpucëve, hekurosja e rrobave, pastrimi i shtëpisë etj.

          Të jesh i sigurtë, dhe të flesh i qetë, se unë nuk kam harxhuar me ty kaq kohë sa harxhoj me njërën prej atyre nevojave personale më lart.

          Dhe një gjë së fundi, për shkrimin. Ti thua, mbështesni ndërkombëtarët. Gjithë shkrimi yt i gjatë ka këtë konkluzion.

          Përveçse më duket një kërkesë infantile kjo, si ndonjë jetim që kërkon baba, apo një autoritet tjetër, për ta sjellë në rrugë të drejtë; ka një problem të madh këtu…

          Përse të mos mbështesësh parimet demokratike të një shoqërie të matur, votën e lirë, pavarësinë e institucioneve, debatin etik politik, etj?

          Këta janë gurë më të rëndë, sesa vetë ndërkombëtarët. Madje po do të të them një sekret: edhe ndërkombëtarët vetë, këtyre gurëve të rëndë u binden.

          1. As miqtë e mi më të ngushtë nuk e kanë atë imunitet që do të kesh ti.

            lol

            Ti ose ke ikur komplet per nenprodukte delesh, ose jeton ne ndonje univers paralel.

            Ka nje konvencion minimal qe e dine dhe femijet e kopshtit, simbas te cilit, kur dikush te injoron (ne nje bisede ne grup, a blog ne internet a kudo), dhe sidomos kur ta thote here pas here ne menyre eksplicite kete, ti po te kesh minimumin e rrespektit per veten dhe per rrethanat, e injoron dhe ti ate, ose ben sikur e injoron, dhe merresh me njerez te tjere qe jane aty.

            Mbase po bej gabim qe po thyej kete punen e injorimit me keto dy komente, po kjo sa per te te thene qe s’eshte pune imuniteti, aq me pak shokesh…gjeja e fundit qe do desha une te beja ne jete do ishte te isha shoku yt apo te gezoja “imunitetin e shokeve te ty”, whatever that means ne universin ku jeton ti.

            Seriously, though, get a life. 😀

  6. ”’Perpjekjet e pareshtura kunder tiranise, jane pikerisht keto qe do te farketojne demokracine ne vend. Ky eshte sensi i historise.”’

    Kam dyshime te forta se ky eshte kahu i historise. Demokracia eshte vetem nje faze e ciklit, nuk mjafton ta kerkosh e te perpiqesh, nuk mjafton vullneti, jane nje sere kushtesh te domosdoshme qe duhen plotesuar.

    Tiranet jane ish-udheheqesa popullore, keshtu qe nje popull i papergatitur nuk sjell demokrate por tirane.
    Ne keto 20 vjet çfare u be ne Shqiperi, mos u gatua valle demokracia ? Po te ish gatuar demokracia nuk do ishim ne kete gjendje. Atehere populli i pergatitur, si kusht i domosdoshem, nuk eshte plotesuar.

    Liri, demokraci te 1991 ne fakt nenkupton ‘duam parate tona’ te 1997.

    Vete regjimi e humbi maxhorancen e u shemb ne 1992 per shkak te krizes se bukes gjate 1991, jo per shkak te vullnetit demokratik te popullit apo se ishin pjekur kushtet per demokracine.

    Shqiptari ngrihet per buken e gojes(ose para) dhe Atdheun, ende nuk ka ardhur koha qe shqiptari te ngrihet per demokracine, mungon qartesisht pergatitja, ne 20 vjet nuk pati asnje mjedis qe kish per qellim pergatitjen demokratike, partite mesonin vjedhjen, analistet si mbeshteten partite, Sorosi si te mesohen idete utopike te Popper-it dhe si te harxhohen energjite duke sulmuar nacionalizmin.

    Nuk e di si mund te jete kahu i historise ne favor te demokracise, kur jo vetem ata brenda, por edhe te rinjte qe vijne nga jashte, e perfshihen ne gjerat publike nuk japin kurrfare shembulli si eshte sjellja demokratike.
    Po ashtu nuk di sesi mund te sillesh demokratikisht me nje dinozaur si Sala qe sjelljen demokratike e quan dobesi dhe per pasoje te shkel me kembe.

    Demokracia ne Shqiperi eshte thjesht e vetem ideali i demokracise, ideal qe s’ka per te penguar Salen te vjedhe zgjedhjet e ardhshme e ato te tjerat akoma, ndersa salistet do brohorasin liri, demokraci, dmth duam te vjedhim sa te mundim.
    Ku di une, kahu i historise me sjell zymtesi.

  7. xha-xha, kesaj radhe me vjen keq, te lexova, por nuk te kuptova. Mos valle je bere dhe ti si nderkombetaret?


    Ana, shkrimi nuk eshte i xhaxhait por i xhibit. PA

  8. Oh, më fal se jam ngatëruar qe tek titulli.

    KRIZA, NE DHE NDËRKOMBËTARËT
    January 30, 2011 by Xha Xhai

    Pastaj, edhe Xhibi me xh fillonte. Sidoqofte, tani ndjehem me e lehtesuar.

    [

  9. ”’Perpjekjet e pareshtura kunder tiranise, jane pikerisht keto qe do te farketojne demokracine ne vend. Ky eshte sensi i historise.”’

    Kesaj shprehje qe te gufon shpirtin per te dale ne shesh e per te luftuar me molotov, gura e cfaredo mjeti rrethanor tiranine e Sovranit, Shtetit e pushtetit te Sali Berishes & Co do ta bente me te fuqishme nje shkrim i i Andi Kananaj postuar ne PPU, emer qe me tingellon si i nje revolucionari te vertete, marksisti shqiptar te Shekullit te Ri.

    “Nëse në datën 21 patëm protestën e një populli pa parti dhe nga puçi fitoi liria për t’u shprehur, në datën 28 pamë manifestimin e një populli pa shtet që duket se akoma beson me naivitet në puçin e demokracisë.

    Në të tilla kushte populli pa shtet është, pa asnjë alternativë, popull puçist.”

    E vertet si mund te besosh ne pucin e demokracise? 🙂

    Duket sikur del direkt nga sensi i historise te Marksit, qe e vuri ne jete pucisti origjinal Lenini, apo para Marksit pucistat franceze, Robespieri e Marati.

    Perseri flitet ne emer te popullit. Ne rastin e pare popull pa parti e ne te dytin pa shtet. A e kupton njeri kete karafil?
    Ne vazhdim, do te ishte me interes te shkruhej per origjinen e termit popull opozitar. Kush e koinizoi kete?

    Ky term sikur nuk ben gje tjeter vecse ben ndarjen e madhe ne dhe ata, popull opozitar(sa perqind, 50%?), popull pozitar(sa perqind 50%?). Persi dy kampe te medha.

    Kurse me 21 populli opozitar kishte derguar ajken e militanteve ne fushe te betejes, perfaqesuesit me te harbuar te tij, pucistat sipas Kananaj.

    A mund te farketohet demokracia ne ket far feje, me bomba molotov dhe gure? Ne cfare state of mind shkruan ky karafil, personazh komik i Saktivistes?

    1. Sali Berisha eshte tirani me i madh qe ka pare populli shqiptar dhe ne kete sens duhet te luftojme kete tiran qe te farketojme demokracine e Edi Rames dhe Tom Doshit.

      Sali Berisha, ky tiran i keq, i ka vene nen kontroll te gjithe dhe ushtron tiranine e tij i pashqetesuar. E keni pare se si i rri gatitu Rama, Ina, Bamiri, gjykatat, mediat etj.?

      Qytetaret shqiptare nuk gezojne te drejtat themelore te tyre. Ja u ka mbytur ky tiran.

      Ky tiran anetaresoi Shqiperine ne NATO dhe ne kete sens, tirania do kete qene celesi i anetaresimit.

      Vaj vatani e mjere mileti ku ka rene diskursi opozitar. Po kete percartje e kemi degjuar 50 vite.

      Nejse, ju si te doni, dilni ne shesh per te bere Tom Doshin deputet perseri, apo edhe me mire, minister dhe Edi Ramen kryeminister (qe pas dhunes nuk do te ja arrini kurre).

      Tom Doshi personifikon apo meshiron demokratin e vertete, tribunin e drejtesise sociale.

      1. Kur nje force politike shnderrohet ne mekaneri qe prodhon mite per ti dhene pergjigje nje realiteti te caktuar, atehere ajo ka marre fund!

  10. O MB, S. Berisha duhej te ishte larguar vete qe ne ’97. Po zgjedhesit ne Shqiperi nuk kane kujtese historike. Nuk eshte se duhet cilesuar si pergjejgesi i vetem, por mbi te rendon nje pjese e mire e ’97 (i bene nje grusht shteti qe e meritonte, edhe pse duhet sqaruar gjithçka dhe parate nuk dihet se ku perfunduan), monopolizimi klanor, familjar e klientelar i politikes, mungesa e aftesise per dialog, mungesa parimore per gjera te thjeshta (si psh zgjedhja e aleateve) dhe administrimi i pushteteve qe do t’i kontrolloje te gjitha pa zbatuar ligjet. Dhe sigurisht demet konkrete per ekonomine shqiptare brenda vendit dhe per lidhjet e Shqiperise me jashte. Shembuj: amerikanet e “shkarkuan” me shume te drejte ne ’97-en, skandalet (lexo Gerdec; rruge e tunel, Meta-Prifti, 12 janari), administrimi personal i pushtetit dhe administrates.
    Persa i perket hyrjes ne Nato: eshte arritje e te gjithe kombit shqiptar; do te hynim ne Nato edhe po te ishte nje aleance tjeter ne pushtet. Me sa dihet te gjitha forcat politike kane te njejtin qendrim. Po t’ia japim meriten e nato-s berishes dhe aleances se tij, do te na duhej t’ia jepnim meriten e luftes dhe nderhyrjes nderkombetare ne kosove vetem partise socialiste dhe aleateve te saj te kohes qe ishin ne pushtet. Dhe ketu shtojme paaftesine per qeverisje (dypaleshe), ku SB ka pergjegjesine e vet po te kemi parasysh se gjysma e Shtetasve te Republikes shqiptare jane detyruar te emigrojne. Pra nuk qeveris dot as gjysmen e shqiptareve.
    ps1
    Sigurisht aleanca kundershtare (ku ishte edhe Meta) per 8 vjet nuk eshte se e ktheu Shqiperine ne Zvicer. Vodhi por jo aq sa Berisha me shoke.
    ps2
    tani po rrezikon me nje dem tjeter: po perpiqet te demtoje edhe institucionet e shtetit si presidenca e republikes, e cila pas largimit te tij nga posti i presidentit, kishte shpetuar ne nje fare menyre nga llumi perditshem, dhe si prokuroria, qe, fale edhe sygjerimeve nderkombetare, po mbanin nje qendrim tejet te ekuilibruar.

  11. Zoterinj,lexoj gjithandej se sistemi ne Shqiperi qenka tirani e dhune,qe Berisha na qenka nje diktator ,qe qe qe.Tashti a mund te me spjegoni pse Shqiperia qenka nen diktature ,ku shprehet kjo,kush jane treguesit?

  12. nuk po pretendojme se kemi nje opozite te arte, por pa e zgjatur shume problemi i politkes shqiptare , mbetet Berisha, edhe per PD qe nuk eshte nje parti ,por nje grup njerzish ne sherbim te nje personi…..e t’i themi demokraci pastaj…….shqiptare

  13. PDL,ne Itali mbahet dhe ka aresye te jete vetm prej nje personi. Silvio Berlusconi Askujt veç nuk i shkon nder mend te veje ne dyshim demokracine italiane.

  14. Ne fakt zonje,nqs po e rrezikon sado pak demokracine edhe ne Itali, eshte pikerisht Berlusconi me menyren e tij te qeverisjes prepotente e duke ju kundervene institucioneve gjyqesore kryesisht,mediave , opozites etj, pa folur pastaj per figuren etij morale dhe inkriminimin e tij ne sa e sa proçese .
    Nuk e di nese kjo nuk perben rrezik per demokracine…

  15. O xhib, hajt të të jap një karamele.

    Me një qershiçkë:

    “””Pervec te tjerash kjo na perforcon imazhin per Shqiperine si nje 20 vjecar (afersisht mosha postkomuniste e politikes shqiptare) handikapat, ose me te meta mendore, qe terhiqet prej menge nga dikush tjeter dhe per te kryer veprimtarite elementare te jetes se vet, sikur te ishte nje foshnje.”””

    http://www.peshkupauje.com/2009/11/ambasadori-uidhers-dhe-politika-shqiptar

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin