Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

BUKË DHE DINJITET

nga Arbër Shtëmbari

Shtëpia e Agronit duket si një nga ato fotot bardhë e zi të viteve 1990. Në kuzhinë, minimumi strikt : një divan me susta xhunga-xhunga që shpojnë një batanije të vjetër përmbi, në mes të pjesës një tavolinë rrethuar nga katër karrike të bardha plastike, tepër të ulta për të mbërritur gjer tek pjatat e mbushura dëng me supë orizi, në cep, mbi një komo të zbehtë, një Samsung shfaq me miza imazhe të 21 janarit…

Agroni ngrohet me dru, me atë sobë janë ngrohur të gjithë, më shpjegon. « Kjo sobë s’vdes kurrë ! », më thotë, « ah, s’ka si ngrohja me dru ». Ka një qetësi absolute e kaq të akullt në shtëpinë e Agronit. Ftohtësinë e thyejnë veçse imazhet e gjalla të përplasjeve midis demostruesve dhe policisë në ekran.

Dikush shtyn derën, tre fëmijët e mitur të Gonit (të gjithë e thërrasin kështu) hyjnë plot potere, « O puçista, e sollët kokën ju ? », u thotë Goni me të qeshur, « hajt, jepjani faqen xhaxhit ». Ata afrohen drejt meje, më vështrojnë duart e zbrazura sikur të prisnin prej tyre çokollata, karamele, bonbone, çdo lloj ëmbëlsire.

Ndjej peshën e syve të tyre të shkëlqyeshëm në të thellë të pëllëmbëve, duart më peshojnë, ndihem fajtor përpara pafajësisë, si nuk më shkoi ndër mend t’u blija diçka ? Si nuk më shkoi ndër mend ? Nervoz, u zgjas një dhjetëmijë lekësh, « merrini, blini çokollata ». Ata hezitojnë, kthejnë sytë nga babai që konfirmon me kokë. « Faleminderit xhaxhi » dhe nisen vetëtimthi.

Heshtje sërish. “I kam problem fëmijët, hanë sheqer shumë. E marrin copën e sheqerit dhe, fllup, e hanë kështu”. “Të ka marrë uria? Ja se erdhi nusja dhe do ulemi. ». Bashkëshortja e Gonit, Moza, kthehet nga puna. Ajo punon në kuzhinë, në një restorant. Cdo ditë merr një furgon dhe udhëton…një orë e gjysëm…për të shkuar në punë. Një orë e gjysëm për të shkuar në punë, kryeministri, në ekran, në atë lluksin e njërës prej sallave të qeverisë, i shpall luftë horrave dhe lavireve të bulevardit.

Një nga ato laviret e kryeministrit mund të kishte qenë Moza, Moza që kthehet e lodhur nga puna, me mollëzat prush, me sytë e përlotur nga era e ftohtë, me duart akull, « shoferi i furgonit mbante dritaren hapur, pinte cigare, na thau ».  Var pallton në një gozhdë pas derës, zgjidh shaminë e kokës dhe e palos mbi balloren e divanit.

Shtangem. Kryeministri flet për grusht shteti, për heroizma, për flamur. Mozës i ka rënë flokët, të tërë, ajo ka kancer. Ajo di diçka që ne nuk dimë, ajo ndjen diçka që ne s’mund ta imagjinojmë, ajo di ç’do të ndodhë nesër, kurse ne nuk dimë asgjë. “Si po shkojnë rrezet?”. “Eh, çe zë me gojë, atje është… Këta të vdesin, o Arbër!”. Këtë të vdesin!

Në ekran, imazhet përsërisin për të satën herë vrasjen e tre demostruesve, tre njerëve të varfër, të pafajshëm. Vrasje, vdekje, të vrarë, të vdekur. Kanë vrarë tre të vdekur! Ulur para supës, të uritur porsi fëmijë që s’arrijnë pjatat, ne buzëqeshim. “Karriket i thyen kalamajtë, do bëjmë si do bëjmë këto ditë”.

Moza pret bukën në feta, një bukë e ngrohtë, feta të trasha, kore të buta, tul i ushqyeshëm. Goni nis tregon historira nga vitet e ushtrisë, Mozën nuk e zë vendi, na grin dy domate, na sjell fare pak djath, hedh pak vaj ulliri.

« Ti mos na e merr për keq, se ne këto kemi. Punë s’ka, lekë s’ka. Ky del në televizor dhe flet për heroizma. Kë vranë atje ? Vranë fukarenjtë ! Vranë ata më të vrarit. Kush i pyeti ata pse ishin atje, kush e di prej politikanëve se ç’ hanë këta njerëz, ku rrojnë, si rrojnë ? », « Pse rrojnë ? », shton Moza.

Kryeministri, në ekran, dekoron një oficer që shpëtoi flamurin kombëtar prej turmave. « A ka njeri në botë ta besojë ende këtë njeri ? Shpëtoi flamurin thotë ? Një copë rrecke. Flamuri jemi ne ! Kush po na shpëton ne ? Ne jemi flamuri kombëtar! », thotë Agroni. Gëlltisim në heshtje lugët e nxehta të supës. Supë e varfër, por fisnike. Bukë dhe dinjitet.

Pa Komente

  1. Nuk e di pse me sjell nje fare perzjerje ky lloj sensitiveti politik si stil, qe ka kohe qe keta te Saktivistes e kane bere te tyren.

    Sa here qe ka trazira politike, fap nje reportazh qe ve ne kontrapunkt idiotizmat qe thote kryeministri me varferine e Gjon hidraulikut shqiptar, nene Feridese shqiptare, dmth nje njeri apo fenomen shqiptar qe perdoret per politike.

    Ne aspektin politik me duket gjeja me hipokrite; me sjell ndermend njeheresh hipokrizite me stil komunist te uljes gju me gju me popullin dhe te qarjes se halleve te tij ne fjaliet e partise, dhe bajatizmat qe has tek ndonje amerikan/perendimor vanitoz p.sh. qe here pas here ben ndonje muhabet per varferine ne Afrike qe te tregoje se eshte qenie sensible.

    Nuk jam kunder ketyre reportazheve, perkundrazi. Fatos Baxhaku p.sh. ben shpesh reportazhe te tilla per gazeten “Shqip” dhe i heq kapelen! Se tek reportazhet e tij nuk has ndonje sens te perdorimit te fukarallekut te x apo y personi per politike. Aspak.

    Ne reportazhet e Baxhakut has punen e gazetarit dhe sensitivitetin e njeriut, dhe duke qene se reportazhe te tilla jane te pakta ne mediat tona, i perulem.

    Ne keto reportazhet si keto me siper has prostituimin e varferise se x apo y personi per politike, ndaj me perzihet.

    Qofsha i gabuar, po keshtu me duket.

    Fundja keto jane vetem pershtypje…

    1. Xhib, te faleminderit per leximin dhe komentin. Thelbi i shkrimit nuk eshte shperdorimi i nje skene mjerimi per te bere politike, qellimi eshte te tregohet se cfare hendeku ka midis asaj qe zhvillohet ne diskursin politik dhe asaj qe perjetohet realisht nga njerezit, distancen dhe diferencen qe ka midis jetes politike dhe te politikaneve dhe jetes se njerezve te thjeshte.
      Une nuk po prostituoj askend, perkundrazi po denoncoj tutoret. Mjerimi ekziston ne mase dhe gjate ketyre diteve, besoj, mes morise se artikujve, analizave, fjalimeve, deklaratave, e vetmja gje qe mungoi, ishte fjala e atyre qe mbartin mbi kurriz kete mjerim. Te flasesh per politike nuk do te thote te perqendrohesh vetem ne debatin Berisha, Rama nd co., por do te thote te shkosh edhe nje rrafsh me mikroskopik, te zbulosh problemin. Si mund te behet politike pa u interesuar per popullsine lokale? Apo meqenese une kam nje pozicion politik te caktuar, temen e varferise nuk duhet qe ta trajtoj vetem e vetem sepse me pas do te akuzohem per instrumentalizim te mjerimit? Po atehere, c’do te bejme, te mos flasim fare e te bejme debate steril, pikerisht si ky qe po bejme ne te dy? Varferia eshte aty, mjerimi eshte aty, eshte ne vete principin e politikes te merret me popullin te cilit ajo i adresohet.
      Per punen e Baxhakut, ndaj te njejtin mendim, por ti gabohesh nese mendon se nuk ka politizim ne reportazhet e Baxhakut. Mesazhi ndoshta kalon ne nje menyre me subtile, por une besoj se ka ardhur koha qe disa gjera te thuhen troç! Te pershendes.

      1. qellimi eshte te tregohet se cfare hendeku ka midis asaj qe zhvillohet ne diskursin politik dhe asaj qe perjetohet realisht nga njerezit

        Diskursi politik nuk eshte vetem Berisha, se diskursi s’behet me veten, behet me palen tjeter, platforma e te cileve eshte “hap kutine”, ose “hapa-dollapa.”

        Diskursi politik nuk filloi dje qe pati te vrare.

        Realiteti i ketyre te varferve qe juve i “palloni” virtualisht kur ju duhen (si ato fotot e mediave opozitare me femijet e viktimave*) dhe pastaj i hidhni si prezervativa te perdorur, gjithashtu nuk filloi diten kur pati demonstata e vrasje, e as nuk mbaron kur protestat te kene mbaruar e gjakrat politike te jene qetesuar, e une dhe juve te diskutojme per tema te tjera.

        *Ca ndryshim ka perdorja e fotove te femijeve te viktimave nga mediat opozitare sot, nga perdorja e fabules te kesaj familjes?

        Ju kujtohen ata femijet e Gerdecit, sa shume artikuj e lot krokodilash u hodhen nga opozita per ata (dhe opozitaret e pavarur, qe benin foto e poezi fiktive ne emer te atij femijes te vrare?), se si ata ishin simboli i kesaj e asaj, e ohhhhh e uhhhhh e ihhhh, kuku ne per juve?

        Sot opozita, dhe opozitaret e pavarur, jo vetem qe s’duan tia dine mer per ta, po as per venien e drejtesise mbi Gerdecin (per kete s’flet me njeri xhanem) apo nje mije gjera per te cilat kane derdhur lot krokodili kur ka qene e favorshme politikisht per momentin.

        Sot opozita ne bashkepunim me qeverine krijoi nje Gerdec te ri, dhe as per kete s’ka per tu vene drejtesia ne vend, se ai qe i vrau po shkel mbi gjithshka qe ka te beje me drejtesine dhe ai qe i coi si delja tek ujku (se i dukeshin ca arkivole, se i kish ngel kutia e kauzes bosh) i braktisi aty e i shifte vrasjet me dylbi, e sot kerkon te shkele mbi ato arkivole qe te behet kryeminsiter.

        Dhe juve opozitaret e pavarur qe predikoni paqen nga gryka e shishes se molotovit, dhe demokracine nepermjet anarkise, na kronikoni sot varferine permes kontrapunktit te diskursit politik me aksh familje e skema vajtuese, qe te dalim ne perfundimin se…

        I ngelen mendimin qe eshte prostituim i mjerimit.

        1. Xhib, qe te mos behemi si mullinj fjalesh, le ti marrim gjerat me shtruar.
          Une kam pershtypjen se ti, se pari, pergjitheson dhe se dyti, paragjykon shume. Ne ka pasur ndonje kolektiv virtual qe ka denoncuar me se shumti opoziten, ps dhe ne vecanti Ramen, besoj kane qene autoret e Saktivistes. Ndaj, brenda asaj farses se fotove te perdorura nga opozita gjate homazheve qe ti thua, nuk di pse i fut te gjithe. Sepse me keto lloj logjike, ku gjithcka relativizohet, mund te them shume mire, se edhe ti ben pjese ne kete corbe. Por nuk ndodh keshtu.

          Tani, ti thua ne komentet e tua, te vleresuara madje nga aplaudimetri i miqve, se une po prostituoj mjerimin. Nuk e di cfare quan ti prostitucion, por nje perkufizim eshte shkembimi i nje marredhenieje (seksuale) kundrejt nje pagese apo shperblimi. Meqenese ti i ditke te gjitha, keshtu apriori, po te pyes une atehere: cfare shperblimi kane marre miqte e mi dhe une ndaj punes sone deri me tani? Per te te siguruar mund te te them madje qe personalisht kam refuzuar te punoj me ata qe pikerisht kam denoncuar ne shkrimet e mia dhe se dyti shume prej atyre qe shkruajne tek saktivista kane marre iniciativa konkrete, reale, pas asnje shperblim monetar a material ne ndihme te njerezve ne nevoje. E ke bere ti kete gje? Shperblimi i vetem qe te gjithe autoret e saktivistet dhe une kemi marre eshte ndoshta mirenjohja e te gjithe atyreve qe shohin tek ne perpjekje te sinqerta per te sjelle nje fryme dhe nje kendveshtrim te ri, se pari tek e majta, dhe me pas tek e gjithe politika ne pergjithesi.
          “Ne” nuk predikojme paqen nga gryka e shisheve te molotovit (ajo “ne” eshte kaq pergjithesuese, sa do te abuzoja po te flisja ne emer te kesaj “ne”.)

          Disa nga miqte e mi te afert dhe une, predikojme kete: zgjidhja do te vije nga vete populli shqiptar, ne nuk presim te na hedhin paterica nga jashte qe te ngrihem sic kerkon ti! “Ne” mendojme qe me perpjekje mund te emancipojme nje shoqeri qe ajo te mos bjere pre e manipulimit politik apo mediatik. Kete po bejme ne!
          “na kronikoni sot varferine permes kontrapunktit te diskursit politik me aksh familje e skema vajtuese, qe te dalim ne perfundimin se…”
          Pikerisht! Si thua ti mos ta bejme “kontrapunktin”? Te qendrojme brenda logjike se fushes politike dhe te mbyllim syte para cdo gjeje tjeter? kete ne nuk e bejme dot, madje perkundrazi ne do te perpiqem te sjellim zerin e atyre qe nuk degjohen kurre brenda fushes politike. Te pershendes.

  2. Nje shkrim po aq i ndyre sa dhe fjalori i Sali Berishes. Nuk mund ta quaj reportazh se nuk tingellon aspak i vertete. D.m.th. varferi e tille ekziston por nuk besoj se autori paska ngrene dreke te kjo familje dhe paska bere keto biseda.

    1. e pra arto, si haka njeriu dreke me nje familje te tille ?? Ata kane dhe morra, midis te tjerash !

      1. Padyshim qe njeriu ha dreke ne nje familje te tille. Por autori i ketij shkrimi nuk ka ngrene dreke te shtepia e Agronit. Ose me sakte, une shpresoj qe autori nuk ka ngrene dreke aty. Te hash dreke diku d.m.th te jesh mik dhe dashamires i asaj familje. Nese je mik nuk e pershkruan dreken me pas sikur te kesh kaluar torturen me te keqe te jetes tende. Duke shpresuar qe autori e ka nje fije njerezilleku ne veten e vet, me ngelet te shpresoj qe ai ka genjyer per dreken.

        1. “Nese je mik nuk e pershkruan dreken me pas sikur te kesh kaluar torturen me te keqe te jetes tende” .

          Kane ardhur kohe te veshtira… : lexojme te njejtin tekst, por nuk lexojme te njejten gje !

        2. Autori ka te drejte per ate se shkrimi i tij nxjerr ne pah qe perplajset politike ne Tirane s`kane te bejne asgje fare me jeten e njerezve “te vegje”.

          More matter with less art… kerkoi fukarai

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin