Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

SEX APO FRIEND?

Kur telefoni tingëlloi për të tretën herë, ajo nxitoi të dalë në korridor duke thënë me gjysmë zëri: është prapë ai, sex friend-i im. Më pas kur i thirra kujtesës për të vendosur rendin e gjërave u sigurova se zilja që tingëllonte në fund të çantës së saj nuk më kishte shtyrë të bëja asnjë lloj veprimi që mund t’i linte shkas të mendonte se telefoni saj po bëhej i bezdisshëm.

As te të tjerët nuk e vura re një gjë të tillë. Shkurt nuk e mora vesh pse Anne-Julie gabimisht u ndie e detyruar të flasë për sex friend-in e saj, si të shprehte një formë e tërthortë shfajësimi. Se tha tamam ashtu, sex friend dhe buzëqeshi, duke dalë nga zyra. Dhe meqë buzëqeshja dallohet nga kushërira e saj e zhurmshme, qeshja, prej një farë modestie që të ngjall besim, unë nuk pyeta më tej, gjë që do ta kisha bërë po qe se ajo do të kishte qeshur. Nëse nuk ndjente sëkëlldi të rrëfente jetën e saj intime, ajo, në një të folur më të rregullt duhej të më kishte thënë se personi që sapo i telefonoi kishte qenë (le të themi) partneri i saj seksual. Kishte parapëlqyer të thoshte sex friend dhe kjo ishte zgjidhja e saj. Mbase edhe te ajo vepronte po ai rregull i cili bën që ca fjalë të vështira (të pahijshme?) t’i shprehim më me lehtësi në një gjuhë të huaj, se sa në gjuhën amtare.

Gjithsesi do të habitesha edhe po të më fliste për partner seksual. Jo se tingëllonte si term i pa yndyrë, madje i pa zier fare, por se ai kurrë nuk ishte bërë pjesë e gjuhës së përditshme frënge; të paktën unë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë në bisedë. As që bëhej fjalë që dikush të më paraqiste te dikë e të më thoshte: voila partneri (ja) im (e) seksuale. E shumta më kujtohej që atë term e kisha ndeshur në shtyp (korrespondencë nga një proces gjyqësor) si edhe në një studim sociologjik që analizonte evolucionin e marrëdhënieve seksuale në Francë. Statistikat thonin se një grua në jetën e saj kishte mesatarisht tridhjetë partnerë seksualë. Vetë studimi nuk jepte asnjë shpjegim për atë se çfarë nënkuptonte ai term. Natyrisht ishte fjala për marrëdhënie që nuk zgjasnin shumë (se nuk besohet se kemi zemër aq të fuqishme sa të dashurojmë tridhjetë herë!), për lidhje të shkurtra që fillonin në banakun e një bari, me një numër telefoni që dikush e kërkonte pas një gare mirësjelljeje për të lënë tjetrin të dilte më parë nga metroja, për lidhje që krijoheshin te dera e diskotekës, te sheshpushimi i shkallëve, kur autobusi i fundit kishte ikur, për marrëdhënie që zgjasnin as zgjat një këngë, siç thotë një tekst i S. Gainsbourgut, për të tjera që zgjasnin aq sa kohë i duhej një cigareje të shndërrohej e gjitha në hi, por edhe për një njohje në ndonjë trotuar me ndonjë personazh hyjnor si ai i këngës Bocca di Rosa të Fabrizio de André-s (që nuk di pse m’u kujtua).

Ai studimi i mësipërm, thashë se nuk jepte hollësi për të kuptuar përse ishte fjala. Asgjë. Asnjë shpjegim. Por isha i sigurtë se ai e kishte përfshirë vetëm pjesërisht konceptin e sex friend-it. Në mos hiç fare. Pesë vjet më parë nuk kishte ndonjë shenjë se ai fenomen njihej në Evropë. Dukej se po hapej një derë drejt një të panjohure, një tipi të caktuar marrëdhëniesh, të cilat, duke respektuar vonesën e duhur, një ditë do të zbrisnin edhe në Shqipëri. (ende nuk kam arritur ta shuaj krejt nga tabulatet e mendimit atë vend)

Në mënyrë të përafërt këto të gjitha m’i shpjegoi AJ, ndërkohë që më përcolli me makinën e saj deri te stacioni im i metrosë, se te gjithe e respektonin pasionin tim ekologjik, por askush nuk e linte në garazhd makinen e tij.

Më tej mësova se nuk isha i vetmi, që nuk isha tepër familjar me atë term. Veçse një gjë e tillë nuk kishte ndikuar fare që fenomeni i sex friend-i të mos bënte një jetë tepër intensive. Kryesisht qe fjala për të rinj ose të paktën për beqarë, që kishin bërë një zgjidhje disi të veçantë. Doja të besoja se të rinjtë e shkollave dhe studentët nuk ishin të kontaminuar prej saj. Shkurt nuk ishin prekur ende nga ai fenomen social që nënkuptonte marrëdhënie seksuale me dikë dhe asgjë tjetër përveçse për marrëdhënie seksuale.

Për mua e gjitha kjo nuk më dilte të kishte gjësendi të përbashkët edhe me atë çlirimin vullkanik tabush të fundit të viteve ’70, me revolucionin e famshëm seksual, mbase me të vetmin ku jam i sigurtë se shumë vetë do të dilnin vullnetar të merrnin pjesë. Siç më thonë kolegët e koleget e zyrës, listat « e armiqve » me të cilët duheshin larë hesapet, mbushnin muret e dhomave të tyre. Dhe më tej dita ditës mbi to hiqeshin viza, sa herë që një armik « eliminohej » deri sa lista përfundohej, për të filluar me një tjetër. Eh, ç’kohë idealesh të larta!

Natyrisht, me pak vullnet edhe ata mund t’i quaje partnerë seksualë, por ndryshe nga këto dashuri në kohë revolucionesh, lidhja me një sex friend-i mund të zgjaste mjaft, madje shumë gjatë, por gjithnjë pa asnjë lloj angazhimi emocional. Kjo ishte risia e konceptit të sex friend-it, por edhe pika e tij e dobët, të paktën në sytë e mi. Marrëdhënie seksuale pa e ndjerë të nevojshme të jesh i dashuruar me dikë e për më tepër që mund t’i heqësh një vizë e t’i thuash « mjaft » në çdo kohë, kjo ishte pak tronditëse.

Ka mundësi që në shumicën e rasteve ndarjet vijnë sepse papritur mund të zbulosh se në një konteksti tjetër, jashtë kontekstit të shtratit, personi që ke zgjedhur është tejet i mërzitshëm, në mos i padurueshëm.

Atëherë ku qëndron sekreti i këtyre marrëdhënieve? Mbase pas tyre duhet kërkuar një krizë paniku se nuk ndihesh e (i) dëshirueshëm (e) për askënd, ndërkohë që je në pritje të dashurisë së madhe (që sa më shumë pret aq më shumë vonohet). Gjithsesi kjo mbetet për tu provuar. Por ndërkohë ky partneritet seksual mund të bëhet shkas rrethanash nga më të ndryshmet dhe absurdet. P.sh. kur njëri nga partnerët takon dikë tjetër më tërheqës, i pari a mund të pranojë pa kushte që nga sex friend të shndërrohet thjesht në friend? A është e tillë natyra jonë që të mos bëhet xheloze a të mos fyhemi fare? Ah, ke gjetur dikë më të mirë se unë? Epo gëzohem shumë. E çfarë është më e shtrenjtë për mua se sa lumturia jote? Vërtet që gëzohem shumë. Mirupafshim. Dëgjo, a mund të shihemi nesër? Jo? Po mirë, pasnesër atëherë? Jo? Atëherë le të mbetemi miq, apo jo? Hiç fare, fare!?

Të nesërmen Anne-Julie nuk erdhi në punë. Mendova se do të kishte kaluar një natë revolucioni të vonuar dhe nuk u habita kur në telefon mora një mesazh ku më kërkonte të merrja pjesë në një konsultë e të mbaja shënime për disa probleme që i interesonin sektorit të saj. Ajo nuk erdhi as pas dy ditësh . Nëse edhe për ditën e tretë nuk do të sillte ndonjë arsye të fortë, ajo rrezikonte të humbiste vendin e punës. Dhe meqë kur unë kisha ardhur në atë vendi, postet e drejtorëve ishin zënë ta gjitha, pra shkurt meqë isha krejt i pafuqishëm të bëja gjësendi për të në pikëpamje administrative, i nisa një mesazh ku i freskova pak kujtesën për rrezikun që e kërcënonte.

Ajo më njoftoi menjëherë se Romain-i kishte pësuar një aksident me motor. Ishte fjala për sex friend-in e saj. E mora në telefon dhe i thashë se e kuptoja shqetësimin, po nuk e kuptoja ku ishte problemi që ajo nuk vinte në punë. Me atë mikun le të merreshin mjekët. Të humbasësh punën për dikë që e di mirë se nesër a pasnesër nuk do ta shohësh më, i thashë, vërtetë këtë nuk e kuptoj. Shiko, tha ajo, do të flasim prapë, nuk është aq e thjeshtë. Mbase unë ta kam shpjeguar shumë thjeshtë, por nuk është aq e thjeshtë. Kemi kaq kohë bashkë.

Pastaj e ndjeva se nisi të qante.

E mbylla telefonin duke dyshuar shumë nëse vërtet një qenie njerëzore e ka përgatitjen e duhur për një tip marrëdhënieje të tillë. Nëse dilje rregullisht me dikë, kjo ishte shenjë se e vlerësoje praninë e tij (saj) dhe kjo nuk mund të ishte pa pasoja. Anne – Julie  ishte shembulli më i mirë. Aksidenti për mua ishte vetëm një shprehje simbolike e tij, e mospërputhjes së natyrës njerëzore me një lloj marrëdhënie që dukej se ishte shpikje e shpirtrave të lodhur të kohëve moderne, e ritmeve të larta të punës, e omniprezencës së seksit në shoqëri.

Se, vërtet, a jemi përgatitur nga natyra ta hedhim njëri tjetrin si një mall me përdorim të kufizuar në kohë?

Pa Komente

  1. Pyet Lys: “…. vërtet, a jemi përgatitur nga natyra ta hedhim njëri tjetrin si një mall me përdorim të kufizuar në kohë?”

    Jo, pergjigja ime eshte jo, por nderkohe kerkesat fizike egzistojne pavaresisht nga ato emocionale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin