nga Doan Dani
Njëzet vitet që pasuan monizmin gjithëfushor të enverizmit kanë qenë të mangëta në studime të plota dhe objektive. Të shtyrë nga interesa materiale ose emocionale, historianë dhe imitues të këtij “profesioni” pasqyrojnë enverizmin (e jo vetëm atë) si sekuencë sinkronike gjysmake. Sistemit i mënjanohen shumë elemente duke i hequr kështu logjikën e kontekstit, vetëm për të krijuar mite dhe paradigma të reja.
Pjesë të neomitologjisë do të konsideroja disa reflektime – ose thjesht formula të përcjella edhe pa ua njohur domethënien – që marrin përsipër jo të shpjegojnë, por të etiketojnë agresivitetin e enverizmit ndaj klerit katolik. Them “të etiketojnë”, pasi shpjegimi ka nevojë për studim metodologjik të kontekstit dhe objektivizëm. Këto dy pjesë të së njëjtës rrugë janë akoma të pashkelura në Shqipërinë pluraliste, e do mbesin të tilla derisa kriteret e gjykimit të jenë militantizmat e formave të ndryshme.
Si motive të vendimeve të Enver Hoxhës paraqiten dhe përcillen dituria e këtij kleri-viktimë, përballë injorantit-persekutues, dhe antikomunizmi i këtij kleri, përballë ithtarit të asaj feje laike që ishte komunizmi. Sinkronia e kontekstit – e dy aktorëve në fjalë, enverizmi dhe kleri – paraqitet me dy raporte: dituri/antidituri dhe antikomunizëm/komunizëm. Situata politiko-sociale e brendshme, plani totalitar i Enver Hoxhës me të gjitha detajet kundërshtuese ose mbështetëse, situata e jashtme politike, bipolarizmi i globit, kleri si vartës i një shteti jo shqiptar dhe shumë faktorë të tjerë, thjeshtohen me paraqitjen e një filmi të bazuar në “kapriçiot” e enverizmit nga njëra anë dhe “fatkeqësisë” së klerit katolik, që ishte i ditur dhe nuk i pëlqente komunizmi, nga ana tjetër. Ndërkohe që politika ka rrjedhë racionale, aspak të rastësishme, me objektiv pushtetin.
Patologjitë e diktatorëve shpesh herë të përdorura si shpjegime maskuese, ngjyrosin metodat politike, ndërsa objektivi mbetet gjithmonë i njëjtë. Informacioni, kontrolli, imponimi i modeleve dhe ndëshkimi, kanë për qëllim sundimin, e sa më mirë të kombinohen, aq më i qëndrueshëm do të jetë objektivi. Me sforcimin e madh për alfabetizimin e plotë të shqiptarëve, pjesërisht të realizuar, Enver Hoxha e kishte kuptuar se dituria ishte mjet i domosdoshëm në organizimit e shtetit modern dhe kontrolli i saj përbënte çelësin e pushtetit jetëgjatë. Kjo nuk ishte teori enveriste pasi aplikohej nga regjime bashkëkohëse ne Lindje dhe Perëndim, madje kultura dhe dituria, si armë e pushtetit, njihen nga Antikiteti.
Ndërtimi i një shteti të shkatërruar nga Lufta II Botërore dhe ajo civile, në gjendje të funksionojë për gjysmë shekulli, kërkon detyrimisht njohuri dhe staf për t’i jetësuar. Dituria duhej kontrolluar dhe jo eliminuar, por një “maniak” , siç ngjyroset Enver Hoxha, duhej ta zhdukte dhe jo ta kultivonte.
Teza jonë është se masat agresive të enverizmit ndaj një pjese të klerit katolik, janë reflektime të politikës së kontrollit absolut dhe papërputhshmërisë, gjithmonë politike, mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Vatikanit.
Si mund të bashkëjetonin në Shqipëri, dhe jashtë saj dy absolutizma kaq të centralizuar si ai i Selisë së Shenjtë dhe diktaturës komuniste? Për të realizuar planin e tij të “gardhimit” të Shqipërisë, Enver Hoxha e kishte të pamundur kontrollin absolut ndaj një institucioni dhe kleri të pavarur nga shteti shqiptar. Prandaj diktatori shqiptar zgjodhi metodën e zbatuar në Bashkimin Sovjetik nga vija staliniste.
Persekutimi stalinist fillon në fundin e viteve ’20 dhe merr përmasa të jashtëzakonshme në vitet ’30. Stalini deklaronte, me 15 maj të 1932, se do të shkatërronte plotësisht fenë, por shënimi i 57% të popullsisë si besimtarë në regjistrimin e 1937 dhe lufta e dytë botërore, të para nga pragmatizmi stalinist, e motivuan udhëheqësin të ngadalësonte ritmet e persekutimit, që faktikisht nuk morën fund. Edhe pse ekzistonte marrëveshja e quajtur “Deklarata e besnikërisë” mes shtetit dhe Kishës, firmosur ne 1927, kjo nuk e pengoi Stalinin të eliminonte më shumë se 100 000 anëtarë të klerit ortodoks. Tashmë ai kishte lëkundur dhe kishte vënë nën kontroll pushtetin rival të Kishës ortodokse. Vallë kishte frikë nga dituria e këtij kleri? Stalini kërkonte të ndërtonte një superfuqi me injorantë?
Duke u nisur nga hipoteza se “Enver Hoxha persekutoi klerin katolik sepse ky ishte i ditur” e përsiatur nga disa zëra, mund të paramendojmë se të njëjtën arsye duhet të ketë pasur edhe Stalini, babai shpirtëror i E. Hoxhës. Por Stalini nuk ishte persekutues i vetëm njërit prej klereve dhe komuniteteve – në fakt nuk ishte as Enver Hoxha edhe pse tentohet të prezantohet kështu – pasi me po aq “zell” persekutoi klerin katolik dhe atë mysliman.
Analogji vërehen edhe në rastin jugosllav. Janë përllogaritur rreth 250 000 të vrarë nga regjimi titist gjatë viteve të menjëhershme të pas luftës së dytë botërore. Kësaj shifre i përkasin edhe persekutimet ndaj elitave fetare. Kisha katolike u trajtua me ashpërsi për kolaboracionizmin e një pjese të klerit me ustashia-t në Kroaci dhe Bosnje. Për sa i përket myslimanëve, “Të gjithë kundërshtarët e mundshëm u ekzekutuan pa gjyq dhe pa hetime” shkruan Poulton. Vetëm në fund të viteve ’50 dhe në vitet ’60, me krijimin e “bllokut” të Vendeve të Paangazhuara, Komuniteti i myslimanëve do t’i shërbente Titos si mjet në politikën e jashtme. Titoja gjithashtu organizoi të ashtuquajturin “Koncil të Ohrit” në 1967, që i dha autoqefalinë kishës ortodokse maqedonase. Ky transformim nuk është gjest dashurie, fetarizmi, adhurimi ndaj një feje apo institucioni përkatës, ashtu siç nuk është kapriçio , inat, zili, patologji, persekutimi i të njëjtit komunitet dhe institucion.
Një afrim me Kishën ortodokse kishte ndërmarrë edhe Stalini pas sulmit gjerman të 1941, sepse i nevojitej mbështetja popullore. Pas luftës, në Bashkimin Sovjetik, rikthehen në funksion 20.000 kisha dhe manastire në 73 dioqeza, me 30.000 priftërinj dhe 10.000 murgj – institucionet dhe kleret e tjera vazhdojnë gjendjen e mëparshme të persekutimit dhe klandestinitetit. Pas një kontrolli të rreptë dhe lidershipi të padiskutueshëm Partia mund të pranonte rolin social të Kishës ortodokse, gjithmonë brenda kornizave të caktuara nga shteti.
Motivi i represionit nuk mund të reduktohet vetëm tek kontrolli i klerit, sepse, pa dyshim, linja politike e zgjedhur nga piramida papnore e këtij kleri shfaqet në konflikt të hapur me sistemet e vendeve komuniste.
Që në fillim, fashizmi në Itali kishte pasur konsensusin e Kishës. “Disa nga motivet e vlerësimit nga ana e hierarkisë katolike ishin: eliminimi i konfliktit social, korporativizmi […], mbizotërimi i qëllimeve kolektive mbi ato individualiste”. Në këtë mënyre “Kisha gjente tek fashizmi një aleat në betejën e saj të vjetër kundër dy kundërshtarëve të përbashkët: liberalizmit dhe socializmit”. Këto arsye, të kombinuara me interesin e Kishës për rregullimin e “çështjes romane”, sollën Konkordatin e vitit 1929. Pas luftës së dytë botërore, gjatë zgjedhjeve të 1948, ku Italia rrezikonte të drejtohej majtas, “Kisha katolike renditet me të gjitha forcat në favor të DC [partisë demokristiane]”. G. L. Bravo, shtimin e pazakontë të numrit të statujave lotuese të Maries, nga jugu në veri të Italisë, e lidh me fushatën parazgjedhore: Kisha realizoi një fushatë aktive kundër majtizmit italian.
Në Spanjë, shkruan historiani P. Viola, Kisha “ishte plotësisht e bashkuar me të djathtën, me pronarët e mëdhenj të tokave. Qendra e moderuar e borgjezisë urbane ishte e dobët dhe Kisha ishte akoma mjeti i një qeverisjeje shtypëse”. Si reagim i qëndrimit politik të Kishës, përkrah të djathtës ekstremiste, në fillim me diktaturën e Primo de Rivera e më vonë me Francisco Franco-n, në zonat e kontrolluara nga republikanët gjate luftës civile u vranë shumë anëtarë të Kishës dhe u shkatërruan disa objekte kulti. “Pas luftës regjimi fashist i Franco-s mbështetej në një kastë teknokratësh të anëtarësuar në një shoqëri katolike të fuqishme, të pasur, të mbyllur dhe ekskluzive: Opus Dei” përfundon Viola.
E pamohueshme është mbështetja ndaj Hitlerit, të paktën në dekadën e parë, ku u arrit edhe një Konkordat dypalësh. Në brutalitetin e regjimit Ustashia, në Kroaci, u shquan mjaft jezuitë dhe françeskanë. Pas Luftës II Botërore nuk mungojnë mbështetja dhe përfaqësitë diplomatike në vendet me regjimeve diktatoriale të djathta: Argjentinë, Haiti etj. E nëse këto janë aktivitete jashtë vendeve komuniste nuk mungojnë ndërhyrjet direkte kundër regjimit në një vend komunist (të paktën në rastin polak).
P. Carpi rrëfen se L. Gelli kishte derdhur në arkat e Vatikanit rreth 50 milion $, për çështjen polake dhe për Gelli-n “Walesa do të kthehej në hije sepse do të ketë përmbushur detyrën e tij: atë të vendosjes përballë, për arritur në një marrëveshje, një Kishë të fortë dhe një Shtet të fortë”.
Në Divini Redemptoris Promissio të vitit 1937, Pio XI kishte dënuar ateizmin dhe luftën antikatolike. Disa vite më vonë, me 1 qershor të 1949, papa Pio XII nëpërmjet një dekreti të lëshuar nga Sant’Uffizio “shkishëron” komunizmin. Neni i parë përmban pikat: a) nuk është i lejueshëm regjistrimi në partitë komuniste dhe mbështetja e tyre, sepse komunizmi është materialist dhe antikristian; b) është e ndaluar përhapja e librave dhe gazetave që mbështesin doktrinën e komunizmit materialist dhe ateist; c) besimtarët që ndërmarrim me vetëdije të plotë këto veprime të ndaluara nuk mund të marrin sakramentet [pagëzimi, kungimi, etj]; d) të pagëzuarit që shpallin, përhapin, propagandojnë me vetëdije doktrinën komuniste bien, për këtë arsye, në shkishërim […] si apostat [të dalë] nga feja katolike.
Armiqësia e hapur ndaj komunizmit dhe socializmit, aleancat me forcat e djathta dhe kundërshtimi i të majtës, ndërhyrjet në mbështetje të lëvizjeve kundër rrëgjimit komunist, prania e një strukture administrative dhe politike të centralizuar dhe pamundësia e komunizmit shqiptar për ta kontrolluar, vendimet e imponuara njësive të poshtme të klerit nga maja e piramidës e ndodhur jashtë Shqipërisë, kërcënimi me shkishërim i besimtarëve që i afrohen komunizmit, janë disa nga faktorët që, të kombinuar me afërsinë territoriale të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, izolacionizmin e vendit dhe memorien historike, vunë në lëvizje persekutimin enverist.
Ndryshimet në rangjet e klerit ortodoks të diktuara nga Enver Hoxha, edhe pse nuk u pranuan nga Patrikana greke, u njohën zyrtarisht nga ajo e Moskës, derisa ne ishim satelit të BS. Hoxha e kishte më të thjeshtë përforcimin e kontrollit të brendshëm të klerit ortodoks, i mbështetur edhe nga faktori i jashtëm: Patrikana e Moskës kishte humbur pavarësinë (për t’i shpëtuar zhdukjes) ndërsa ajo Greke ishte e pafuqishme për të krijuar probleme në Shqipërinë komuniste. Ky kontroll, në Shqipëri, do të jetë rezultat i një dhune njerëzore (ndëshkimet) dhe institucionale (shkatërrimet) gjithmonë i kushtëzuar nga Bashkimi Sovjetik, ku po rikuperohej ortodoksia, jo se komunizmi po ortodoksizohej, por sepse i shërbente shtetit si mjet. Kjo është arsyeja e dytë që ndikoi në politikën enveriste përballë Kishës ortodokse shqiptare.
Ndaj klerit mysliman, diktatori mund të vepronte shumë më lirshëm, i ndihmuar nga fakti se institucioni drejtues i myslimanëve ishte brenda getos shqiptare dhe asnjë institucion ndërkombëtar apo shtet i huaj nuk ndërhynte dot në mbështetje të Komunitetit në fjalë. Në lidhje me institucionet islame Enver Hoxha kopjoi masat titiste të zbatuara në Jugosllavi edhe pse shumica e popullit tonë i përkiste kësaj feje.
Pas vendosjes nën kontroll, siç kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavi (dhe në të gjithë Evropën komuniste), diktatori Hoxha shfaq një anomali me precedentët sovjetik dhe jugosllav. Titoja kishte riafruar, pas persekutimit, komunitetin islam dhe rolin e Reis ul-ulema në rrugën e re të politikës së jashtme pas 1955, kurse Stalini kishte ndërmarrë një hap të tillë ndaj Kishës ortodokse sepse kjo përfaqësonte traditën e shumicës, sidomos të popullit dominues rus. Është e qartë se Enver Hoxha duke u vetizoluar nuk do të ndiqte shembullin titist, jo vetëm ndaj një komuniteti por ndaj të gjithëve.
Përse nuk ndoqi shembullin e Stalinit të cilin e kishte edhe “baba shpirtëror”? Përgjigja është e mangët nëse shpjegohet vetëm me arsyet e politikës së jashtme ose të brendshme. Duke parë etiketat, mitet e përhapura nga sistemi edukativ enverist, të cilat konsiderojnë këtë fe të prapambetur – të njëjtat metoda janë përdorur nga bolshevizmi dhe titizmi – dhe derivat i pushtuesit, pra relikt i dhunës, nuk mohohet refuzimi përçmues i doktrinës islame nga nomenklatura enveriste. Stalini, me afrimin ndaj ortodoksisë, i kishte dhënë ngjyra nacionaliste ruse komunizmit. Enver Hoxha ndoqi të njëjtën linjë devijuese, pa u afruar me asnjërën nga fetë tradicionale, por duke nxitur një bastardim të nacionalizmit ku jo Kombi, por Partia (Lideri) dhe Shteti ishin Zot, të ngjyrosur me kombëtarizëm. Ky lloj pseudonacionalizmi, që ka mbushur historinë dhe botëkuptimin tonë me mite, lindi në vitet e para pas prishjes me Jugosllavinë, u përforcua pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, për të kulmuar në vitet ’80. Enver Hoxha indoktrinoi kështu një fe laike e ndjekur nga një masë besimtarësh që nuk kishte nevojë për fe tradicionale.
Këta besimtarë të rinj jetonin përkrah besimtarëve tradicional të pafuqishëm, klandestinë, plotësisht të kontrolluar dhe pa asnjë mbështetje. Partia komuniste, si Hyjni e fesë së saj, kontrollonte masat pa nevojën e mbështetjes të një feje tjetër. Enver Hoxha mund ta rikuperonte traditën e shumicës pas represionit fillestar, që iu nevojit për kontrollin dhe eliminimin e rivalitetit, ashtu siç bëri Stalini, por nuk e realizoi sepse nuk i nevojitej si mjet kontrolli, të cilin e kishte arritur, dhe, mbi të gjitha, nuk kishte në plan të konsideronte këtë fe si vlerë , ose thjesht karakteristikë, të popullit tonë.
Dy motivet që ndikuan në raportin e mëvonshëm “pozitiv” të Titos me besimet tradicionale, ekuilibri etnik dhe favorizimi i politikës së jashtme, nuk vlejnë për rastin shqiptar: Shqipëria nuk rrezikohej nga nacionalizmat e “fjetur” dhe politika e jashtme e Shqipërisë enveriste nuk krahasohej me fluiditetin e politikës jugosllave. Kontrolli i brendshëm i jepte sistemit garancitë e mjaftueshme; mënyra se si e përcaktoi politikën e jashtme regjimi nuk do ta afronte – sepse përbënte rrezikshmëri, sipas linjës së Partisë – me Kishën e Romës, për arsyet e mësipërme, dhe nuk mund ta afronte as me Kishën ortodokse, pas prishjes me Moskën, por afrimi me këto dy qendra zbehej edhe nga arsyeja se atyre u referoheshin, virtualisht, pakicat ndër shqiptarët, çka mund të rrezikonte ekuilibrin social. Afrimi me institucionet fetare të shumicës nuk i sillnin sistemit probleme nga jashtë, veçanërisht pas prishjes me Moskën, por as përfitime. Edhe pse ky rikuperim do të ishte më pak traumatik në planin e brendshëm dhe aspak problematik në planin e jashtëm, u përjashtua si mundësi nga enverizmi: kjo dëshmon që në asnjë çast nuk u pasqyrua simbioza mes enverizmit dhe fesë Islame të shqiptarëve; përkundrazi institucionet e këtij komuniteti u shkatërruan më tepër, në një masë të atillë sa sot akoma nuk ka rritur nivelin e para 1967-ës, ndonëse dy komunitetet e tjera, në nivel objektesh, e kanë tejkaluar.
Meriton reflektim të shkurtër edhe një pikëpamje e lindur ose e ndihmuar nga keqtrajtimi i persekutimit. Fjala është për idenë se komunizmi enverist ishte antikatolicizëm: më lart pasqyrohet një antikishtarizëm ose antiklerikalizëm i motivuar nga faktorë specifikë, ndërsa antikatolicizmi doktrinar kalon në plan dytësor, por sidoqoftë për asnjë çast nuk është më shumë se antifetarizëm në tërësi – antiortodoksizëm, antislamizëm, anti çdo fe tjetër tradicionale hyjnore. Ideja e “antikatolicizmit më shumë se antifetarizmit” është anakronike për dy arsye kryesore.
E para, sepse enverizmi i përket një ideologjie që nuk pranon rivalë në pushtetin socio-politik dhe profetizon një parajsë tokësore të arritshme nga besimi tek “feja e shoqërisë”, siç e quan Dowson, ku kulti i Zotit zëvendësohet nga ai i Partisë, Shtetit, apo edhe Kombit e Racës, pra shpall armik çdo besim tjetër rival në këtë sferë – dhe katolicizmi nuk është i vetmi sfidues.
E dyta, kjo logjikë, që konsideron enverizmin si antikatolicizëm, bazohet në hipotezën se “katolicizmi dhe komunizmi bashkëjetojnë si uji me zjarrin”. Në këtë mënyrë zhvlerësohen besimet e tjera dhe në disa raste të skajshme ndërtohet hipoteza që rreket të gjejë pika takimi mes komunizmit dhe këtyre besimeve apo thjesht një dashamirësi të diktaturës, me qëllim fajësimin ose diskriminimin e këtyre feve.
Fenomeni i fajësimit të “Tjetrit” është fatkeqësi standarde për Ballkanin edhe në çështje historiko-politike, ku vetëm “Ne” ishim të përndjekurit, të izoluarit, të grabiturit, të gjymtuarit, viktimat, dhe vetëm “Ne” nuk u prekëm nga e “Keqja”, vetëm “Ne” i rezistuam: modeli tipik i nacionalizmit serb, kroat, malazez, grek, shqiptar, etj. Ky model projektohet edhe në çështje që lidhen me besimin për të fajësuar dhe për t’u vetëvlerësuar njëkohësisht. Gjetja e pikave të takimi mes disa ideologjive, në pamje të parë shumë të largëta, nuk mjafton për të arritur në konkluzionin se këto ideologji janë të ngjashme, identike ose njëra buron nga tjetra. Problemi nuk qëndron tek ekzistenca e pikave të takimit por tek fajësimi i “Tjetrit” për problematika që bartim edhe “Ne”.
Shënim: Shkrimin, që e ka dërguar në PTF vetë autori Doan Dani, po e botojmë të shkurtuar dhe me pak redaktime, duke përfshirë edhe ndryshimin e titullit. Origjinali me titullin Antiklerikalizmi i Enver Hoxhës mund të lexohet në versionin e vet të plotë këtu (2Xh).
Ndoshta një herë tjetër autori do të gjejë kohën për të përfshirë, në këtë trajtesë, edhe kthesën pothuajse mistike të Enver Hoxhës në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, i cili përshkohet nga admirimi i habitshëm për kulturën tradicionale arabe dhe islamike, çka lideri shqiptar nuk e pat bërë kurrë për kulturën europiane, qoftë katolike qoftë ortodokse. Antikatolicizmi i një politikani antiklerikal konseguent ka kuptim të ndryshëm nga antikatolicizmi i një politikani që në kulmin e pushtetit të vet i shkel syrin senil Islamit.
Dakort me autorin përsa i përket trajtimit të anshëm që i bëhet anti-klerikalizmit të enverizmit, anësi që për mua më së shumti buron nga përkatësitë dhe këndvështrimet fetare apo jofetare të atyre që e kanë trajtuar dhe do ta trajtojnë. Një pjesë e madhe e tyre nuk i falen objektivitetit.
Sjellja e sjelljeve të Stalinit e Titos, për analogji – siç thotë autori, i mëshon argumentit se komunisti Enver bëri atë që komunistët e tjerët nisën ta bënin por për arsye të ndryshme nuk e përfunduan. Ndonëse kjo shtjellohet, vërej mungesën e të qëlluarit drejt, që pak a shumë mund të përmblidhej: ishte komunisti Enver dhe jo myslymani Enver ai që veproi. Po në vendet e tjera ish-komuniste si ndodhi? Kjo do kishte qënë më e vyer të pasqyrohej se moria e shembujve të holy-sishëm.
Dhe në morinë e shembujve mungon në mos më kryesori më parësori, dhe që është formimi i Enverit: jetesa, shkollimi, punësimi, literatura, në ambiente nën pushtetin e plotë të Revolucionit Francez dhe laicizmit të ngritur mbi këtë si një nga kollonat e kohëve moderne. Doan Dani e kapërcen si pa të keq, (mos e prishë me perëndimin?) duke na thënë se diktatori zgjedh metodën e aplikuar në BS. Pse jo modelin francez, spanjoll, europian? Analogjia vlen edhe për modelin francez si për modelet e Stalinit e Titos; ndryshe nga këto modele që mbeten rrugës, komun-isti Enver realizoi deri në fund modelin shqiptar. Është me rëndësi të theksohet, se komunsitët shqiptarë me Enverin në krye, kishin si qëllim kryesor realizimin në praktikë të gjithçkaje që buronte nga teoria dhe idhujt e tyre. Dhe si? – shtrohet pyetja për rastin tonë. Ashtu siç e kishin lexuar dhe parë.
Kështu komunisti Enver e kishte lexuar se la Terreur-i i Revolucioni Frëng nxorri jashtë ligjit dhe shkatërroi manastiret, 30,000 priftërinj u zbuan dhe qindra u vranë. Si pjesë e një fushate të de-kristianizmit të Francës – shkruhet në wiki-n që po e përkthej lirshëm- kalendari kristian doli jashtë ligjit, Kulti i Arsyes u inagurua, gjithë kishat që nuk tregonin devotshmëri për të mbylleshin.
Por komunisti Enver nuk veproi vetë. Komunisti Mehmet, internacionalist në Luftën e Spanjës kishte parë e mbase marrë pjesë në Terrorin e Kuq, gjatë të cilit u dogjën manastire e kisha, u vranë 6,832 priftërinj përfshi 13 peshkopë, u ekzekutuan (qelluan me skuadra pushketimi) monumente dhe kishat u kthyen (si tek ne më vonë) në casa del pueblo.
Unë them se duhet nisur duke thënë se antiklerikalizmi i komunistëve shqiptarë e ka burimin në la Terreur-in frëng dhe Terror Rojo-n spanjoll. E sigurish ç’bëri Stalini, Titoja e gjithë antiklerikalët e tjerë të kohës kur komunistët tanë ishin në pushtet, është mbështetje prej të parëve dhe ecje me rrymën e të tjerëve.
Aresyet e “gestas Enverorum” jane mjaft me te thjeshta.Ato
perkojne pikerisht me qellimet e zgjedhesve dhe deguesve te tij.Politika e sllavizimit te Ballkanit nuk ka ndaluar per asnje cast qe nga krijimi.E pikezuar kjo politike do te thote :zhdukje e Shqipetareve dhe Grekeve(shqipetareve te qyteteruar)dhe gjithkujt qe nuk eshte sllav ne Ballkan.Nepermjet zhdukjes kulturore apo edhe fizike nese kjo eshte e mundur.Zhdukja e elites apo menjanimi i saj nga gjigneste eshte zbatuar dhe do te zbatohet per sa kohe nuk do te jete realizuar qellimi final i politikes Orlov…Kjo eshte aresyeja qe gjysherit tane te denuar me vdekje ne 1920 u ridenuan me vdekje nga komunistet ne 1945.Kjo eshte gjthashtu aresyeja qe pasardhesit e familjeve te tradites Shqipetare u perjashtuan nga e drejta per tu shkolluar per 50 vjet rresht.Mendoj se ekzistojne materiale te plota per te vertetuar c’ka me siper them,por dhe shume e shume te tjera.Perse kjo nuk behet?Sepse “kllasa” e re e krijuar ne Shqiperi sot,eshte pistonuar nga te njejtet armiq dhe per te njejtat qellime.Le te mendojme ,jane te njejtat fytyra per 20 vjet rresht,si ne cdo vend ku populli ka humbur eliten ,pra dhe aftesite mendore.Zakonisht ne vende te tilla politikat jane te importuare dhe ndodh varferimi i te quajturit pull gjenetik te popullsise nepermjet ikjes se vazhdueshme te pjeses krijuese te Kombit.Per fat te keq Shqipetaret pas 80 vjet “veteqeverisjeje”nuk kane vertetuar ende se munden….