Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

METROJA SI AKT SHËLBUES PËR TIRANËN

Një metro për të shpëtuar Tiranën? Më shumë se një shaka do të ngjante me një lloj shkëputje shqetësuese nga realiteti. E megjithatë një ditë i duhej qasur edhe këtij problemi. Në gjendjen siç paraqitet, të gjithë e dimë se Tirana nuk ka asnjë të ardhme. Tirana është një qytet i pajetueshëm. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me ekzotikën e qyteteve sivëllezër mesdhetarë. Tirana, ju jeni te një mendjeje me mua, është kryeqytet problematik. Qytetarëve të saj u thuhet se është kryeqyteti më i ndotur në radhë, por nuk u thuhet se është disa herë më i ndotur se kryeqyteti më i ndotur ne Evropë.

Me Tiranën ndodhi ajo që nuk pritej, natyra e saj otomano-totalitare u bë më e dukshme e u përforcua tamam atëherë kur totalitarizmi kishte vdekur politikisht.

Natyrisht, nuk jam unë njeriu i pozicionuar më mirë për të thënë një gjë të tillë. As që mund të them se e dua Tiranën më shumë se të tjerët, madje sikur të kisha mundësi të zgjidhja ku do të lindja, do ta kisha vënë gishtin në çdo qytet tjetër të botës me përjashtim të Tiranës. Nuk ka nevojë të theksoj se këtu luan shumë rol edhe zgjidhja politike që kishin bërë të tjerët për mua (besoj edhe për ju), por pa më pyetur mua (besoj edhe ju).

Gjithsesi për të ardhmen e atij qyteti të parët që duhet të flasin janë ata që jetojnë aty. Por mua Tirana më dhimbset sepse nuk ankohet. Ajo e pranon dhunën në heshtje, sikur të përjashtoja zërin e Fatos Lubonjës dhe mënyrën interesante me të cilën i qaset këtij problemi A. Vehbiu te “Kulla e Sahatit”. Duket sikur Tirana e pranon dhunën urbanistike (si një koncept disi më i gjerë se shëmtia arkitekturore) si diçka të ardhur nga lart. Por ka shumë të ngjarë që qielli të jetë me njerëzit dhe jo kundër tyre. Tamam kjo është e vështirë për t’u rrënjosur dhe këtu ka mundësi të ketë luajtur rol trashëgimia e fatalizmit të dukshëm të qytetërimit oriental. Ndërkohë që është po aq oriental fakti se ka një këmbëngulje për të mbajtur pastër brendësitë e apartamenteve dhe pak shqetësim ka për plehrat në rrugë. Madje të gjithë kontribuojnë nga pak për shtimin e tyre.

Personalisht, për herë të fundit, m’u desh të qëndroj në Tiranë rreth njëzet e katër orë (pas dhjetë vjetësh mungesë), për një vaki në familje, por e ndjej se ende nuk jam detoksikuar nga ngarkesa e stresit dhe ankthit, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga kjo vizitë. Nuk flas për pluhurin, se ndryshe do të merrja pozën e një zonjusheje delikate. As për zhurmat. Imunitet maksimal! Një shall i madh për të mbështjellë sytë e veshët dhe ia këputa gjumit. Por nuk e di pse në atë Tiranë, për herë të parë vetja m’u duk i vogël e i huaj, i shtypur, i tepërt. Trafiku ishte një mallkim i vërtetë. Ndonëse pak më të mësuar se unë, vëreja se edhe kalimtarët e tjerë ndiheshin nën një lloj presioni të padukshëm, por që vibronte kërcënueshëm në ajër.

Kur u ndodha para një semafori mora frymë thellë dhe duke pëshpëritur me vete se kam kaluar situata më të vështira në jetë, pra pas një lloj psikoterapie të shpejtë, i ngazëllyer se përkundruall meje drita jeshile ishte ndezur (se edhe mund të mos ndizej asnjëherë), çava përpara si qytetar i lirë i një vendi të lirë. Kjo deri në çastin kur befas mu te këmbët, në mes të xhadesë, frenoi me zhurmë një biçim furgoni. Një surrat i hakërryer nisi të thotë diçka në drejtimin tim. Nuk po dëgjoja asgjë, por duke e marrë me mend se përse fliste, drejtova dorën nga drita jeshile, për t’i thënë se ishte radha ime për të kaluar.

– Pse, mor të shkërdhefsha nonën, – tha ai duke ulur xhamin, qeka me jeshile dhe dashke të kaloke ti para meje?

Me sa kuptova nga shenjat që bënin, të njëjtën gjë po bubërronin edhe pasagjerët e furgonit, duke më parë si të isha një mace e zezë që u kisha ndërprerë rrugën.

Sot, pas kaq vjetësh nga kjo ngjarje , nuk e fsheh se më kalon një e ngjethur në trup, jo për atë që më ndodhi mua, por kur mendoj se aty ka njerëz që jetojnë çdo ditë. Natyrisht atë që më ndodhi do ta kujtoj për nëntekstin, jo për tekstin, por gjithsesi nuk mund të nisesh nga sjellja e shoferëve të pacivilizuar për të ngritur problemin e domosdoshmërisë së një debati publik për ndërtimit të një metroje në Tiranë.

Por nuk mund të mos them se dhuna e drejtuesve të makinave, që psikanalistët e shpjegojnë me faktin se shoferët, në koshiencën e tyre, e shohin makinën si zgjatim të penisit dhe në mënyrë gjithnjë inkoshiente nëpërmjet dhunës në rrugë kërkojnë të tregojnë virilitetin e tyre, në këtë rast, megjithatë, nuk pengohem të them se ky fenomen te shqiptarët është më i dukshëm se gjithkund tjetër. Pasojë e frustracioneve seksuale të së kaluarës? Për këtë mund të flasim në një rast tjetër.

E vërteta është se kur në vitet ’30 u ndërtuan strukturat e Tiranës së sotme, megjithë frymën autoritariste, vënien në pak të përfaqësisë qeverisëse mbi vizionin civil të së ardhmes, ajo gjithsesi kishte një arkitekturë të hapur, me mundësi të mëdha evolutive, të cilat as nuk u shfrytëzuan e as nuk u shkatërruan plotësisht nga regjimi komunist. Marrëzisht, në vend që të çaheshin akse të reja, menjëherë pas lufte, që do të merrnin parasysh zhvillimet e ardhshme, regjimi, në përputhje me politikën e tij (për të mos lejuar zhvendosjen e masave fshatare në qytet), si një lyparak i vërtetë iu përgjigj kërkesave të ngutshme për strehim duke ndërtuar pallate të shëmtuara përgjatë e duke ua përshtatur rrugicave të shtrembëta e për më keq, duke ngulur banesa po aq të shëmtuara edhe në kopshtet e bukura të familjeve të vjetra tiranase.

Megjithatë, me rënien e komunizmit kishte ende mundësi që mjaft gjëra të korrigjoheshin. Mbeteshin shpresa për të rikonstruktuar akset e brendshme rrugore, që do të zgjeronin frymëmarrjen e qytetit. Kjo nuk ndodhi. Është e panevojshme të thuash se shkaku është inaktiviteti i demokratëve, që ktheheshin të luanin tavëll në zyrat e bashkisë, pasi kishin shitur ndonjë kioskë apo korrupsioni i socialistëve që mbollën i kullat shumëkatëshe si këpurdha helmuese edhe në ato pak hapësira që kishin mbetur.

Si përfundim, përjashto një rreth me diametër 500 m diku aty në qendër të qytetit, Tirana të kujton periferitë e Marrakeshit apo varrezat e Kajros.

Për pasojë, si e vetmja shpresë për t’i zgjatur ekzistencën mbetet ndërtimi i një metroje, një treni urban të nëndheshëm. Për formën e saj, mund të diskutohet pa fund. Mund të ndërtohen nën unazën e sotme me akse që shkojnë drejt qendrës, por nuk është pa interes një metro në formë kryqi me një aks që shkon nga Kinostudioja në Kombinat dhe me një tjetër që mund të fillojë diku në zonën e ish uzinës Dinamo, me zgjatim drejt qendrës, për të shkuar diku nën Bllok e prej aty të zgjatet deri te ajo zona e re te Kopshti Botanik.

Pikërisht te kryqëzimi i dy akseve, nën qendrën e qytetit, mund të ndërtohej një qendër e madhe tregtare, që do të ruante gjallërinë e qytetit edhe në ditët e tij të zymta e të shumta me shi.

Pse të mos flitet edhe për një linjë që të lidhë qendrën me aeroportin e të dekongjestionojë hyrjen e qytetit?

Utopi? Mundet. Por më kujtohet se kur në tetor 1990 ndërsa shëtisja me disa të sapo njohur nëpër rrugët e Romës ata më tregonin se një pjesë e segmenteve të metrosë së Romës ishte ndërtuar mjaft vonë dhe me kënaqësi thonin se punimet nën qytet zgjatën rreth pesë vjet dhe askush nuk e mori vesh se çfarë kishte ndodhur. Gjithçka u kuptua kur u bë përurimi edhe i atyre stacioneve dhe kilometrave të reja të metrosë, që lehtësoi shumë qarkullimin në atë metropol gjigant.

Shkurt, makineritë moderne, sidomos ato frezat ciklopike, që mund të çajnë edhe 20-30 metra në ditë, ato bëjnë mrekulli. Mjafton vullneti popullor dhe ai politik.

Me çfarë mjetesh financiare? Pse mos të përdoret një hua popullore dhe investimet private?

Mbase gjithçka thashë më lart është e pamundur të realizohet edhe për arsye të tjera që unë nuk i njoh, se mund të ketë zgjidhje të tjera ( ku janë?), por kam përshtypjen se këtu është rasti të themi së bashku një requem për shtypin e Tiranës, që ngre probleme nga më fantazistet dhe nuk flet për karcinomën e një qyteti që po vdes. A mund të gjendet një provë më e madhe për të mbrehur në qerre klasën politike, për të vënë në provë aftësitë e saj drejtuese, larg çdo retorike boshe e interaktiviteti pervers midis shtypit e politikës, që është bërë i padurueshëm?

Se, megjithatë, shëlbimi i Tiranës vjen nga metroja.

Pa Komente

  1. Metroja e Tiranës!
    Unë zbrita një stacion mandej Lyss, e bëra fakt të kryer dhe u kujdesa që edhe në këtë fjali të shmang zbritjen në stacionin e fundit, i bindur se zhvillimi dhe koha nuk do të fiksojnë dot fundin ashtu siç do të bëjnë fotografët me buzëqeshjet e përuruesve.
    Për metro të Tiranës kam lexuar në fantashkencat për fëmijë apo dhe në tregime humoristike të shkruara përkatësisht 30-60 vjet përpara. Ideja, besoj, duhet ti lihet, arkitektit të Tiranës, i cili në mos metro, tramevaje kishte në kokën e tij kur priste vijat e terrenit me vizat e rrugëve.
    Mendoj se rivitalizmi Tiranës mund ti vijë nga vijat e terrenit, për të cilat ndryshe nga vizat e rrugëve nuk mund të shprehemi se janë pre e “masakrës urbane” – nuk them se s’kanë qënë. Ndaj mendimin se Tirana e ka të dmd metronë, por nuk them të njëjtën gjë për metronë e nëndheshme, për të cilën s’kam pse të jem kundër.
    Për mua segmenti i parë i metrosë duhet të jetë ai që kalon përmbi Lanë, në gjithë gjatësinë e Bulevardit Bajram Curri e Jean D’Ark, me parafabrikate hekuri, betonarmeje, e stilizuar me qemer, të themi si Ura e Tabakëve.
    Arsyet:
    -Është pronë publike, nuk shkatërrohet gjë, s’ka dëmshpërblime, ul koston e ndërtimit rëndshëm si nga pronësia publike dhe nga mosshkatërrimi
    -Është rruga më e gjatë me kushte të menjëhershme optimale operimi 4-5 km 10-12 stacione
    -Është rruga më e gjërë, largësia më e madhe nga zhurma tek veshi i banorëve
    -Mund të ndjekësh po shtratin e Lanës për ta shtuar në të dy skajet, vazhdim Ali Demit në njërin, drejt QTU në tjetrin
    -Ka mundësinë të pikëtakohet në dy pika me rrjetin hekurudhor, si dhe të degëzohet në drejtime ende me probleme të vogla pronësie
    -Nuk bllokon jetën e bulevardit dhe të udhëkryeqve ndërsa ndërtohet,
    -Koha e ndërtimit-montimit, falë parafabrikimit, është herë më e vogël se ajo e gërmimit
    -Mundëson krjimin njëkohësisht të një megavepre arti dhe të një supersere ngrohur me panele diellore
    -Kalon në zona të populluara, aktivitetesh, punësimi, thuajse periferi-qëndër-periferi
    -Prihet tërthorazi nga artierie të fuqishme rrugore për lidhje urbanesh
    -Lehtësia për ta mirëmbajtur dhe për ta prishur (kur ti vijë dita)
    Ç’duhet bërë?
    -Rrotullosja e planit rregullues të Tiranës a si mund ta ketë emrin, futja në tubet dhe postimi për në Muzeun Historik Kombëtar
    -Themelimi i MT Sh.A. (për këtë duhet shkruar dy herë kaq)
    – shpallja e konkursit për studimin etj, etj.
    -riparja e historisë së trenit elektrik të Nanos, se mos kushedi, rigjejmë partnerë me përvojë
    -një dush për të hequr buzëqeshjen

  2. Duhet guxuar te guxojme. Sipermarrjet e viteve te fundit, sidomos rruga Durres Kukes, me te mirat e te keqijat e saj qe nje kantier gjigand dhe nje pervoje e jashtezakoneshme.

    Nje metro per Tiranen nuk eshte se kerkon me shume aftesi sipemarrese e organizuese.

  3. Jam pro metrose por mendoj se me shume se nje metro ne keto caste Tiranes i duhen me shume rruge. Eshte ndoshta i vetmi kryeqytet ne bote me me pak rruge kryesore per banore.

    Asgje nuk te ben te mendosh se nje projekt i permasave te metrose mund te behet me kete bande politikanesh. Per shembull cili projekt i madh eshte bitisur keto 20 vjet qe te shpresosh se metroja edhe mund te behet? Mjaft te kujtosh se unaza e madhe te Tiranes, per te cilin flitet qe ne fund te viteve 80-te akoma nuk ka nisur. Megjithate flitet perjave per te. Per metrone eshte folur edhe me pare. Ilir Meta, e solli ne te foluren politike disa vite me pare; shkaras e me teper si konsum. Keshtu qe permendja e metrose ne te foluren politike e mediatike nuk do te sillte asgje me teper sesa nje argument tjeter iluzor dhe bosh, te cilin populli i shkrete do ta enderroj dhe politikanet do ta mjelin vazhdimisht.

    Edhe futja e tramvajeve ne perdorim besoj se eshte problematike. Psh, nje tramvaj gjate lanes eshte i realizueshem ne kushtet tona. Por ai do te zgjidhte nje pjese fare te vogel te transportit dhe trafikut. Per me teper futja e tramvajit ne rruget e tjera eshte problematike sepse merr nje pjese te mire te rruges dhe dihet se cfare gjeresie kane rruget tona. Psh, futja e tramvajit ne pjeset e unazes pertej Lanes mendoj se nuk eshte e lehte.

    Ne keto kushte zgjidhja me e mire eshte clirimi i korsive vetem per autobuze (as kjo nuk behet!!!). Kjo eshte e realizueshme ne nje pjese te mire te akseve dhe nuk kerkon as shpenzimet e tramvajeve e as te metrove. Realizimi i ketyre te fundit ne Tirane i takon nje tjeter brumi…

  4. Ne fakt nje ide e tille duhet te dale e perpunohet nga klasa politike dhe jo nga diskutantet e hapsirave internetike. Dhe me siguri kjo do te ndodhe, por vetem se duhet pritur disa vjet sa te gjenden tradhetaret qe kemi ne krye te qeverise.
    Atehere edhe shpirtrat e trazuar do te qetesohet dhe kushtet per te filluar te mendohet nje here per te ardhmen do te jene me te mira. Se deri tani e ardhmja e Shqiperise ka vetem pamjen e pranimit ne BE

  5. Ne fakt kisha degjuar se nje problem i tille eshte prekur, por nuk kam dijeni t’i jete nenshtruar ndonje diskutimi te vertete me synim te sinqerte realizimi. Gjithçka tregon se vetem se eshte perdorur sipas modelit te atij çekut te bardhe.

    E verteta eshte se praktika e metropoleve evropiane nuk i sheh ne kundershti tramvajet me metrote. Kur eshte fjala per levizje miliona njerzish ne dite, secila prej tyre ka vendin e vet.

    Por fatkeqesisht, prej jush mesova se edhe ky problem kaq jetik ka marre trajten e asaj gjethes se lakres, qe fshataret e shkathet e tundin para hundes se nje mushke, qe ta nxisin te terheqe nje barre gjithnje e me te rende (ne fakt deri tani thuhet se numerohen rreth njezet grupime politike).

  6. Një shkrim shumë interesant i autorit, që duhet madje botuar, me redaktimin gjuhësor përkatës sipas përvojës së gjuhës së Sandrit tek Tema…
    Pa dyshim që të gjitha idetë dhe vëzhgimet e autorit, si dhe diskutimet shoqëruese, janë shumë të vlefshme.
    Eshtë ndër shkrimet që i lexon me kënaqësi, ku gjen ide që i mbështet pa hezitim, dhe kur mendon se ke diçka për të shtuar, prapë autori del dhe e shpreh vetë atë që kishe menduar.
    Përgëzime.

  7. Të gjithë ata që banojnë jashtë Shqipërisë, e marrin metronë, apo autobusin për t’iu shmangur trafikut, gjobave apo sorollatjeve me makinë për të gjetur një vend parkimi. Në Paris ka 14 linja metroje, 5 linja trenash interurban të cilët lidhin qendrën me zonat e largëta (deri dhe 1 orë-sa distanca e rrugës Tiranë – Shkodër). Po Parisi është Parisi do thonë disa, ndërsa Tirana është Tirana. Ka 110 vjet që kanë gërmuar tokën në Paris. Ka 150 që Baroni Haussman projektoi bulevardet e gjëra, që i japin “oksigjen” (sot) kryeqytetit francez, por kjo ndodhi shumë kohë më përpara.
    Siç edhe e thotë lyss, në Tiranën partizane të viteve 40, asnjëri nuk e pati idenë t’i jepte qytetit një pamje tjetër. Dhe sot, megjithë egon, mburrjen, mendjmadhësinë, biles dhe fodullëkun e ekipit Rama, askush nuk bëri asnjë studim që t’i futet një projekti utopik, por aq jetik për atë kryeqytet që nga maja e Dajtit, ngjan me një nga tablotë gri të Edi Hilës para 5 vjetësh.

    Në 1996, për të shkuar në shkollë, nga rruga e Durrësit deri tek Liceu, nuk kishe nevojë për më shumë se 10 minuta në këmbë. Në mëngjes, nga ora 07.30, mund ta përshkoje rrugën me qejf duke ndjerë dhe aromën e blirit nga BSH deri tek ish pellgu i kioskave. Mund të shihje tek tuk ndonjë fshirës rrugësh, ndonjë makinë (vetura që edhe pse villnin tym të zi nuk e mohonin aromën e mirë të blirit) dhe pesë gjashtë byrektore apo qebabtore.

    Vitin e kaluar, plot pas 14 vjetësh, po në të njëjtën orë, aroma e blirit nuk ndjehej më. Pluhuri mbyste gjithçka. Pallatet e kthyera në telajo shumë ngjyrëshe ishin kthyer në copa betoni monokron. Veturat ishin shtuar aq shumë sa të detyronin të bëje devijime të mundimshme, njëkohësisht të habitshme.
    Aroma mëngjesore ishte zhdukur për t’i lënë vënd gropave me plehra.
    Byrektoret artizane i kishin lënë vendin sanduicherive plot vaj e majoneze.

    Eshtë zbukuruar Tirana thonë disa. Unë nuk e gjeta të zbukuruar, por të çatrafiluar (nëse mund të shprehem kështu).

    Shpresojmë se Tirana të zhvillohet nën tokë, se mbi tokë s’ka se ç’zhvillohet më tej. Ah po, nëse vjen ndonjë emir nga Dubai dhe e shndërron rrënjësisht atë, pra Tiranën!
    Verën e shkuar, plot

  8. Edhe mua me ndodh qe pavetedijshem ta lidh fillimin e ndertimt te metrove me periudhen e larte (ne kohe) te revolucionit teknologjik, pra me funfin e shek. 19. Eshte gabim. Per kete arsye solla shembullin e disa segmenteve te metrose se Romes, qe kishin perfunduar diçka para se te nderroheshin regjimet ne Lindje. Romanët ishin krenare sepse punimet kishin vazhduar disa vjet nen toke dhe ata nuk kishin degjuar asnje zhurme.

    Mund te numeroj ketu nje numer prej tridhjete qytetesh ne bote ku aktualisht po punohet per metro te reja apo per shtrirjen e atyreve ekzistuese.
    Sot, ne pjesen me te madhe te kohes banoj ne nje metropol treqytetesh dhe qe te tre jane lidhur me metro vetem para nja dymbedhjete vjetesh. Eshte metroja e pare automatike ne bote, pra e telekomanduar, pa shofer, pa asnje zhurme, komode. (Sa per te thene se vertet kemi humbur ne kohe, por egziston mundesia te perfitojme ne teknologji)

    Makinen nuk e perdor prej kohesh ne qytet dhe me dy vajtjeardhjet ne pune, kam fituar aq kohe sa lexoj rreth 20 faqe me shume ne dite (se me vinte siklet tek i shikoja te gjithe duke lexuar rrotull meje:-)).

    Çfare do me shume ky popull, tha nje politikan shqiptar, ndersa priste shiritin e perurimit te segmentit te metrose qe lidh QTU me Saukun, dhe shtoi se po qe se edhe vetem udhetaret aq te shumte (përditarët= pendolarët) do te votonin perseri per partine e tij, ne tre vjetet e ardhshem ai do te ishte perseri para tyre duke prere shiritin e metrose Kinostudio -Kombinat!

    Nje “urrra!!!” e forte ushtoi neper te gjithe ate tunel aq te gjate, pak para se te vagonat e pare te nisnin udhetimin historik. Por… te nesermen, sipas disa personave qe nuk deshen te identifikohen, u muar vesh se venia ne pune e metrose u shty per tre vjet.

    Shkak ishin plasaritjet e betonit mbeshtjelles te tunelit qe erdhen si pasoje e “urrave” entuziaste te popullit trim, puntor e liridashes te Tiranes.

  9. Emisioni LOG, Sali Berisha:

    “Pas një viti unë do të filloj ndërtimin e tramvajit në Tiranë, do t’i jap Tiranës rrjetin më të mirë të transportit publik.”

    1. C.P.
      Mbase duhet shpresuar se së fundi klasa politike shqiptare ka kuptuar se nuk janë debatet shterpë, bllokimet e parlamenti e akuzat e ndërsjella ato që mbesin, por veprat.

      Jam i bindur se që nga fillimi i viteve ’90 Shqipëria ka pasur më shumë liri se Franca. Mjafton të kujtoj se në fillim të viteve ’90 i gjithë shtypi dhe opinioni publik e njihte mirë jetën e dyfishtë të F. Mitterand – it, të dashurën e tij të fshehtë dhe një fëmijë ilegal që kishte me të (Mazarinën) por asnjë gazetë nuk guxonte të hapte gojën nga frika (E përfytyron dot një gjë të tillë në Shqipëri?).

      Për të shkuar më tej, Mitterand-i ishte bërë si një faraon, vendoste arbitrarisht gjithçka dhe korrupsioni ishte frikshëm. Kur një miku i tij deshte të hiqte qafe të shoqen ai i tha ti jepte asaj rreth një milionë euro nga fondet publike me qëllim që ajo të mbyllte gojën. Dhe ashtu u bë. (Procesi ndaj këtij personi filloi vetëm pasi vdiq Mitterand-i). I biri bënte para me trafik influence për të lehtësuar shitjen e armëve në vendet Afrikane, ai vetë urdhëronte arbitrarisht zhvendosjen e disa impianteve të ELF -it në Gjermani me qëllim që të administrohej dhe përfitonte ekonomikisht partia e mikut te tij Kohl, përgjonte telefonat e redaksive të gazetave që nuk i deshte, lejonte financimin e fshehte te partisë se tij, etj, etj.

      Por megjithatë, unë nuk mund të harroj se Mitterand-i po ashtu beri piramidën e Louvre – it, hoqi dënimin me vdekje, lejoi tv private (deri atëherë gjithçka ne ketë fushe ishte si ne Shqipëri, tv kontrollohej nga pushteti) privatizoi bankat publike, ndërtoi Operën e Bastijës, Harkun e madh të Defenses, beri BN (Bibliotekën kombëtare) etj.

      Me kohë gjynahet po i harrohen, por veprat mbesin e identifikohen me atë që ishte në krye të vendit në atë epokë. Ta kenë kuptuar vallë edhe në Shqipëri ? Mbase. Ndërtime të tilla si rruga Durrës Kukës, nuk janë shenjë e keqe…

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading