Nga Burri i tezes
Është më shumë se “batutë filmash”. Tema është shumë më e gjerë dhe përfshin kulturën e bashkëpërjetimit, si kusht bazë për komunikim. Ky është një problem që e ndeshin sidomos artistët shqiptarë në emigracion, pasi në auditorin e vet, ata nuk i gjejnë kushtet ku t’u hyjë në punë nënteksti, si një nga mjetet kryesore të komunikimit, me të cilin janë mësuar ata.
Më qëlloi një herë të jem në Cleveland në një party me këngëtarë dhe aktorë të humorit. Koço Devole vinte atje pas marrje së pafajësisë në Itali pas një tetëmuajshi të gjatë prapa hekurave, për shkak të asaj ngatërresës me transport droge, ku u përfshi nga policia edhe Devolja që u ndodh pasagjer në makinën e zënë në faj.
Në party-n e Cleveland-it, Xhevo Zeneli e thirri Koçon para publikut dhe zhvilloi me të një bisedë mirëseardhjeje, përpara se Koçoja të niste show-n e tij. Biseda ishte kjo: Xh: “Kemi vite pa u parë” – K: “Kemi” – Xh: “Lëvizim shumë, tani. Shyqyr që na erdhën këto ditë. Ti, Koço, në cilat vende të Europës, ke dhënë shfaqje?” – K: “Po kam dhënë kudo: në Francë, Zvicër, Gjermani, Finlandë, Spanjë…” – Xh: “Dhe në Itali, me siguri, ëh?” – K: (me një farë ngutje) “Po dhe në Itali… Pa kam qenë në Turqi, Maqedoni, Holandë…” – Xh: “Vende të bukura që i ëndërronim.” – K: “Shumë të bukura! Zvicra , p.sh., është fantastike! Po Spanja? Një mrekulli. Holanda është e bukur, Gjermania, Franca…” – Xh: (e ndërpreu) Dhe Italia e bukur është!” – K: (pa u ndalur shumë) “Dhe Italia është… po Norvegjia? Hajde Norvegji, hajde!”
Publiku që në ndërprerjen e parë të Xhevos që desh t’i fuste shokut në listë Italinë, kish filluar të qeshte, por këtu e qeshura e u bë e plotë. Dhe këtë mekanizëm Xhevo Zeneli e përdori edhe më pas nja 3-4 herë të tjera, duke ia futur pykë Italinë dhe ndërsa publiku pat hyrë në lojë dhe qeshte me të madhe, Devolja e ndali dialogun dhe pyeti: “E ti, Xhevo, që na përmend Italinë, ku kërkon të dalësh?” Xhevoja ia priti: “ Atje ku hyre ti!”
Një grup amerikanësh që merrnin pjesë në party pyesnin të hutuar për shkakun e këtij reagimi zhurmëmadh. Por për ta qe më shumë i nevojshëm një përkthim i gjendjes dhe i “kulturës së përjetimit” se sa përkthimi strikt i dialogut, që po të mos dije aq sa dinin shqiptarët e atjeshëm: pra, që Devolja vinte nga burgjet e Italisë e media shqiptare e kish pasqyruar shumë këtë, ishte i thatë.
Në fushën e humorit kjo paranjohuri është jetike. Spektatorët nëpër shfaqje preferojnë të jenë aktivë, të jenë partnerë të krijimit të atmosferës dhe kontributi i tyre me ilaritet është i domosdoshëm për ritmin, për frymëzimin e aktorëve dhe për atë lloj ndikimi që sjell e qeshura e bujshme për t’i shkundur dhe ata që venë buzën në gaz vetëm duke parë të tjerët që qeshin.
Kultura e bashkëpërjetimit ndikon dhe në fusha të tjera të komunikimit.
Në vitin 1991 zbritën në Tiranë dy gazetarë të “Le Monde Diplomatique” dhe dukej që shkelnin për herë të parë në këtë vend të porsahapur me botën. Takuan shumë njerëz nëpër Shqipëri. Në Francë, pastaj, bënë ca raporte të hollësishëm në revistën e tyre. Në një nga ditët e qëndrimit në Tiranë, zoti Seiti, pedagog i frëngjishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe shoqërues i tyre, më paraqiti dhe mua tek ata dhe meqenëse edhe unë kisha një njohje dhe një farë praktike në botën e satirës dhe humorit, m’u lut t’u tregoja atyre mbi fushën. Me takt ai më vuri në dijeni se në këtë bisedë ai vetë do të mungonte, pasi ata e merrnin për njeri që i raportonte Sigurimit (ende gjallë) dhe unë mund të mos isha aq i lirë në të treguar. Zoti Seiti ua krijoi atyre këtë komoditet.
Shkurt, ne lamë një takim për të nesërmen dhe dy gazetarët francezë më shfaqën dëshirën t’u tregoja se në ç’mënyrë satira jonë i zbërthente brinjët diktaturës(!!!). I hoqa iluzionin se do të dëgjonin ndonjë thagmë në këtë drejtim dhe ia bëra të qartë kontratën që kishim ne me regjimin dhe në cilat pika ne ishim aleatë me të, për të përcaktuar objektet që do të “bombardonim”. U tregova se ne ishim të terrorizuar nga mendimi i burgut po të guxonim më shumë. U fola për gjuhën e largët alegorike dhe për ilustrim u tregova shkurt thelbin e dy-tre subjekteve që kolegë të mi dhe unë patëm bërë për televizionin dhe i quanim ato si kushërirat më pak të largëta me satirën kundër burokracisë komuniste. Ata reagonin mjaft bukur dhe pozitivisht në rrëfimin tim. E kapnin thelbin dhe unë në tregim e sipër lumturohesha që gjuha frënge që kisha pasur frikë se mund të më pengonte ritmin e tregimit, atë ditë, si për çudi, ishte devotërisht me mua.
Për në fund u pata lënë një subjekt, ku këtë radhë isha vetë autor dhe që e mendoja si më të spikaturin, në të cilin shtjellohej ideja e mplakjes, e sklerotizimit të administratës shtetërore dhe partiake. Me dy fjalë: një çift i porsamartuar vuan nga një intrigë që i ka lënë pa një apartament që u takonte atyre në ndërtimet e reja shumë të bukura në qytet. Gjendet zgjidhja: çiftin më në fund pranoi ta presë e t’ia dëgjojë ankesën shoku X, autoritet mjaft i lartë, kompetent për zgjidhje dhe njeri babaxhan e zemërmirë. Bëhet takimi në zyrën e tij. Sekretarja del dhe i le vetëm që ata të shpjegojnë hallin. Burri flet. Gruaja ndjek e korrigjon të shoqin me ndërhyrje të lehta, por… Por në një pikë të ekspozesë gruaja ve re me tmerr, se shokun X, babaxhanin, zemërmirin me flokë të bardha e ka zënë gjumi! Burrë e grua ata bëjnë çmos me takt që të krijojnë zhurma, rrëzojnë vizoret, lëvizin karriget që i zoti i zyrës të zgjohet… Por, aha!
Duke treguar këtë unë vija re, se megjithëqë isha i rrjedhshëm në gjuhë, dy gazetarët e huaj nuk dhanë asnjë shenjë që vranësia do t’u ikte dhe qielli i buzëqeshjeve do të ndriste… E tregova subjektin deri në fund dhe u ndala. Ata panë njëri tjetrin dhe më bënë një pyetje, që më rrëzonte themelin e komedijzës: “Përse duhet ata të shkonin në shtet, te shoku X, për shtëpi?!” E kuptova që atë çast ne ishim vite drite larg në komunikim. Është e tmerrshme të mendosh se sa mundim duhet që të ndalesh në çdo tregim e të shpjegosh, në çdo faqe libri e të shpjegosh, në çdo frazë dhe të shpjegosh.
Sikur të më kish ndihmuar zonja Hoxha, e veja e diktatorit, me letrën që i kish ruajtur Kadaresë dhe që ia publikoi për ta poshtëruar shkrimtarin. Në atë letër, ai i shkruan asaj me përunjësi “..më besoni nuk e kam pasur të lehtë t’ju shkruaj këtë letër, aq më tepër tani që ju jeni me pushime, por më shtyu një arsye e fortë. … Është fjala përsëri për apartamentin e ri,. … Ju e dini shoqja Nexhmije se edhe njëherë tjetër ka ndodhur e njëjta histori, e cila më ka detyruar të vij tek ju.…” Në këtë letër ndodheshin personazhet e mi, çifti i ri dhe shoku X, por Kadareja që kish kohë në Francë, i detyruar i gjori të ndalet e të shpjegojë, nuk pat arritur te ky shpjegim. Ajo letër do të ndihmonte, që gazetarët e “Le Monde-it” ta rroknin të plotë atë mynxyrë ku shkrimtari më i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit e ndoshta i Europës, i lutet gruas më pa vlerë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe ndoshta Europës, për një shtëpi për të futur kokën!
Megjithëse letra e kërkesës së Ismailit ka atraksionin e ndritshëm të një teme më vete, unë rikthehem edhe një herë në krye të këtij shkrimi dhe theksoj se me të drejtë Xha Xhai, në një ndërhyrje më parë, nuk e kufizonte komunikimin ngushtësisht te batutat e filmave dhe spektakleve. Unë u mundova ta zgjeroj edhe ca, deri te kultura e bashkëpërjetimit, por them se tema duhet elaboruar akoma më gjerë e më shembuj më madhorë. Se mjafton të dëgjosh daç në Tiranë e daç në Chicago një shqiptar që t’i thotë shokut “e a derëbardhë se nuk po zihemi se kur doli gjermani i fundit nga Shqipëria”, ta ndjesh se fraza kërkon akoma më shumë. Ajo kërkon një natë dimri, ku të rrëfesh se si erdhi pluralizmi; e se si u ndanë partitë; e se si nuk kanë asnjë dallim në programe; e se si u ndeshën për ato ditët e fundit të 1944; e se si njëra do që të duket më shumë ballisto-nacionaliste e se si tjetra do që të theksojë që ka në ballë idealet partizane… E të tregosh se si asnjërit nuk i plas se kur dolën gjermanët nga trau i kufirit e se çfarë idealesh të tjera të përbashkëta këto parti të mëdha kanë, fare ndryshe nga ato që përmenda.
Por Tezja nuk më le të shtyhem më tej…
Uau! Burri i Tezes, shume faleminderit.
Ne Kosove paskan nje shprehje “me la pa text” qe pak shume do te thote “me la pa fjale.” Ky shkrim me la pa text vertete.
Faleminderit, edhe nje here! Te fala Tezes.
Jam dakord me Burrin e Tezes. Ne fakt, kur po diskutohej per batutat e filmave, mendova pikerisht sesa te paperkthyeshme jane shprehje te tilla brenda cfaredo teksti te thjeshte per ata qe “kuptojne” ate lloj kulture. Une personalisht do t’I rrija jete larg nje perkthimi me shume elemente qe bazohen ne informacionin qe rrjedh nga “bashkeperjetimi”. Me duket deshtim I sigurte. Para pak vjetesh ne nje vizite ne Itali, u cudita kur pashe se sa fort po qeshnin disa miq italiane (qe nuk kishin qene ende ne Amerike dhe kete te fundit e njihnin shume pak e vec nepermjet stereotipeve) qe po ndiqnin disa pjese nga Late show e David Letterman. Pastaj folem dhe e pashe se nuk e kishin idene se perse po qeshnin. Dhe ishte krejt e natyrshme dhe e shpjegueshme pse nuk mund te kuptonin ate qe thuhej apo aludohej. Mendova te njejten gje mbreme kur shihja The Colbert Report… dhe ne fakt sapo kisha lexuar pjesen e fundit ne Peizazhet e Fjales. Steven do ishte absolutisht patetik dhe “flat”per nje njeri qe nuk e njeh kulturen, jeten, historine, kulturen pop amerikane.
Ne nje koment para pak ditesh thoja pikerisht se nuk jane vec batutat e filmave qe kane kete “magji”, por gjithcka e ngritur ne rrafshin e nje domethenieje me komplekse e me simbolike (sidomos disashkalleshe), sesa lidhja e thjeshte shenje-objekt (qe, ne fakt, e thjeshte nuk eshte kurre).
Fjala denoton pjeserisht, por shpesh edhe konoton. Ne rastin e batutave te filmave apo te perdorimeve te shprehjeve te tipit “muzike xhEz”, fjaleve e shprehjeve te ngarkuara te nje epoke si fjala vjen “fleterrufe” apo “fatos”, u mbetet nje konotacion I forte, e shpesh perdoren vec per hi rte ketij te dytit. Kush do ta perdorte fjalen “pionier” sot ne menyre denotative? Ndoshta ndonje gjyshe ish-komuniste e kripur, kur shihte te nipin pispilluq t’I kthehej nga shkolla me faqe te kuqe e I paster e I rregullt, mund t’I thoshte: “Dukesh nje pionier I vertete, bir I gjyshes!” (dhe nipi pa dyshim nuk do ta kishte idene se c’llafoste sot e gjyshja). Perndryshe e vetmja mundesi perdorimi eshte ajo qe aktivizon konotacionin e fjales. Dhe denotacioni eshte ndoshta ajo pjesa e perkthyeshme, por konotacionin, sidomos kur eshte shumefish e shumecepesh si ne rastin e batutave filmike, nuk mund ta perkthesh. Eshte kjo arsyeja qe shpesh qeshim me vete kur na vjen ne maje te gjuhes nje battue apo barcelete, por s’ka shqiptare rrotull dhe e mbajme gojen mbyllur me ndjesine qe nje energji qe mund te shnderrohej ne baze per gaz apo per veprim mendor, vdes qetesisht.
Por ceshtja e “bashkeperjetimit” nuk eshte vec ceshtje qe ndan njerez te gjuheve e kombesive te ndryshme, por eshte ceshtje brezazh, grupesh shoqerore, familjesh. Nje tjeter moment po I javeve te fundit me vjen nder mend: ne nje provim italishteje ne ShBA ku studentet duhet te analizonin nje tekst te titulluar “Via dal vento” qe propagandonte kunder perdorimit te energjise se eres ne Itali, studenteve u behej pyetja te interpretonin ne anglisht cfare donte te thoshte titulli I tekstit, pasi u behej koka corbe me paralelizmat mes “via col vento” dhe “Gone with the wind” e ndoshta ata as e kane pare e as lexuar, madje as e kane degjuar ndonjehere. Mendoni qe kjo u drejtohej amerikaneve te moshave 17-22 vjec. Profesorati ngeli shume keq qe vec nja dy student e “kishin kapur” lidhjen, dhe sidomos qe keta ted y ishin nga me te papriturit q eta kapnin….
Pikerisht sepse ne thelb te vet ka nje te perjetuar bashkarisht te dickaje (edhe kur “bashkarisht” nuk ka kuptim te drejperdrejte fizik por mund t’u takoje hapesirave dhe koheve te ndryshme), ai sherben per te krijuar “kohezion social” per te cilin fliste xhaxhai pra ca ditesh. Perdorimi I ketyre shprehjeve kerkon te rimaterializoje e te beje real nje kohezion ekzistues te imagjinuar ose te shpresuar.
Dhe se fundi, shume nga emrat e pjesemarresve ne kete blog (blogisteve), a nuk jane te bazuar pikerisht ne aktivizimin e ketyre eksperiancave tona te bashke-ndjera, te bashke-perjetuara e te bashke-ringjallura? Provojeni t’ia shpjegoni kujt (jo shqiptar) perse “Pishak Zhgaba” si emer te ben menjehere te buzeqeshesh, ose perse “Burri I tezes” nuk do te thote thjesht cfaredo lloj bashkeshorti I cfaredo lloj motre te mamase… por eshte shume me inderlikuar se aq…nete te gjata dimri nuk do mjaftonin ta tregonin kete histori
Një shkrim i përkryer që me një thjeshtësi të habitshme të njeh me një nga mekanizmat më të ndërlikuar e më të diskutueshëm të teatrit, të paktën prej një dy mijë vjetësh. Nëse do të hartohej një tekst magjistral bashkëkohor me dhjetë leksionet më të mira për teatrin, unë pa dyshim që do të shihja brenda tij edhe këtë tekst të Burrit të tezes.
Cela dit do të thoja se më shumë se për « kulturë » bashkëpërjetimi këtu, kam përshtypjen, se është fjala për «aktin » e bashkëpërjetimit, ndërkohë që vetë «bashkëpërjetimin» në formën që është paraqitur këtu, unë do të shihja si pjesë përbërëse të asaj që në teatër njihet si humor qe rrjedh nga nje «rrethanë » e caktuar. Natyrisht, është e tepër të sjellim këtu debatin e vjetër të ndryshimit të dramaturgjisë që mbështetet te batuta dhe të asaj që operon nëpërmjet rrethanës dhe kjo për të vetmen arsye se unë ka të ngjarë të mos jem i pozicionuar në mënyrë aq të favorshme sa autori i këtij shkrimi.
Gjithsesi, bëhet më e qartë se është fjala për një « akt » thelbësor me shumë se sa për një kulturë bashkëpërjetimi, po qe se gjithçka do ta shohim nga këndi i grupit të amerikanëve që u ndodhën të pranishëm në dialogun (në dukje absurd) midis Xhevos dhe Devoles. Këtyre spektatorëve, se të tillë janë në këtë rast, nuk është se u mungon një kulturë e caktuar në njohjen e teatrit (flas apriori), ata vetëm se nuk njihnin rrethanën jashtë teatrale që Xhevo ruante në xhep . Dhe kjo e gjitha për mua është thjesht çështje informacioni, edhe pse jam i vetëdijshëm se kur flet për kulturë autori ka parasysh diçka tjetër më shumë se kultura librore. Por, nëse dikush para se të hynin në sallë do t’u kishte shpjeguar diçka për atë aventure aq të pakëndshme që i kishte ndodhur Koços, edhe ata do të mbanin barkun me dorë, sikundër të tjerët. Pra do të ishin brenda aktit të përjetimit,do të bashkëpërjetonin edhe ata.
Gjithë kjo zgjatje pra, për të mbështetur idenë time të vogël se përjetimi, ne rastin e dhene, është një akt i caktuar që rrjedh nga një lloj kontrapunkti skenik.
Nejse, ky ishte një mendim personal, tha, që duket se rrjedh nga bindja se përballë shkrimesh të tillë ke gjithnjë dëshirë të diskutosh më shumë se sa të mjaftohesh duke thënë se e autori e ka mirë apo e ka gabim, tha edhe një herë në fund fare dhe iu kujtua se :
Duhet të ketë qenë dikur në muajt e fundit të lëngatës së regjimit të vjetër, kur në sallën e Teatrit kombëtar në Tiranë po zhvillohej një konkurs teatrosh profesionistë. Ishte nata kur u ngjit në skenë teatri i Fierit me një pjesë që gjithsesi nuk ishte e Burrit të Tezes. Si mik i drejtorit që isha ai më kishte dhënë çelësat e njërës prej lozhave dhe unë po e ndiqja pjesën lart, diku në krah të lozhës së udhëheqjes, ku atë natë ndodhej midis të tjerëve edhe Foto Çami.
Pjesa bënte fjalë për konfuzionin politik në muajt e fundit të luftës dhe shqetësimin e qeveritarëve të kohës për të gjetur një mundësi që të iknin. Ikja ishte kryefjalë e asaj skene. Flitej për ikje nga deti, toka ajri, lumenjtë. Gjysma e sallës poshtë, kryesisht të rinj, nisi të qeshë, sepse gjithçka përkonte me çka po ndodhte ato ditë në Shqipëri, kur nuk flitej për gjë tjetër përveçse për ikjen e shqiptarëve nga të gjitha anët, për arratisjen me trape, për kalimin e Bunës me not etj.. Gjysma tjetër e sallës, kryesisht të ftuar të institucioneve, ata nuk qeshnin. Të shqetësuar, ata kthenin herë pas here kokën nga lozha qeveritare dhe përpiqeshin të kuptonin çfarë po bënte Foto Çami. Ky i fundit, ishte përqendruar te batutat e aktorëve dhe dikur nisi të buzëqeshë me konfuzionin që kishte pushtuar personazhet “negative”në skenë.
Dhe atëherë ndodhi mrekullia më e veçantë teatrale që kam përjetuar në jetën time. Me të parë shokun Foto që po qeshte, edhe gjysma funksionare e sallës, nisi të qeshë.
Aty te qoshja e lozhës sime, mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse të përjetoj i vetëm rrethanën surrealiste, ku gjysma e spektatorëve qeshte për një arsye dhe gjysma për një arsye tjetër.