Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

JETË QENI

Divjakën e përshoqërojmë zakonisht me idenë e argëtimit (pyjet, gjuetia, turizmi, deti, mjedisi), ndonjëherë edhe me historinë e zbarkimit të Xhevdet Mustafës në vitin 1982. Si rrjedhim, lajmi për fëmijët që punojnë në vend të zagarëve, na befason deri diku.

Mediat na njoftojnë se në këtë periudhë gjuetie (sezoni i laureshave) vijnë shumë gjahtarë të huaj, kryesisht italianë, të cilët vërdallosen nga fshatrat në perëndim të Lushnjës. Gjuetarët përdorin fëmijët e fshatrave përreth për kapjen e gjahut. Praktikisht, të miturit bëjnë punën e qenit, në këmbim të ndonjë euroje, panineje ose fisheku. Artikullin dhe videon përkatëse mund ta shihni këtu.

Që tema ka rëndësi parësore për shoqërinë shqiptare nuk ka diskutim. Ka rëndësi edhe për shoqërinë italiane në veçanti e perëndimore në përgjithësi. Në fakt mediat italiane, me të drejtë, e quajtën të arsyeshme t’i kushtonin vëmendje dukurisë, natyrisht nga pikëvështrimi i tyre (La Repubblica, 5.12.2009, P. Coppola e I. Cami).

Fillimisht dy janë gjërat që desha të nënvizoj. E para ka lidhje me indiferencën që u prit nga publiku dhe politika lajmi i mësipërm. Nuk vërejta ndonjë indinjatë qytetare kundër shfrytëzimit të fëmijëve, as pashë ndonjë tubim që të shkonte përtej mitingjeve rozë e blu karakteristike të kësaj periudhe të trazuar. Opinioni publik shqiptar duket si i mpirë dhe nuk reagon ndaj fenomeneve të tilla të papranueshme për një vend – për ta thënë me klishetë e politikës – që ka hyrë në Nato dhe mëton të bëjë pjesë në BE. Kam përshtypjen se simpoziumet rituale që bëhen nga Ojq-të shqiptare me fondet e Ojq-ve perëndimore, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen brenda natës në parlament, ligjet e kopjuara në bllok (edhe pse me përkthim të diskutueshëm) nga vendet kampione të të drejtave të njeriut, rrahjet e gjoksit për arritjet socio-ekonomike dhe europianësinë kulturore të vendit, sikur kanë pasur një efekt anestetik ndaj vetëdijes qytetare. Përndryshe, nuk ka se si shpjegohet heshtja relative që e rrethon këtë dukuri të shëmtuar e rreptësisht të dënueshme, që me siguri nuk shfaqet e vetmuar.

Shënimi tjetër ka të bëjë me etnizimin e dukurisë. Pa ia hequr meritat e denoncimit, lajmi i raportuar nga mediat shqiptare sikur e tepron me cilësimet e përkatësisë etnike të viktimave (fëmijët shqiptarë) dhe të keqbërësve (gjuetarët italianë). Fenomeni i përgjithshëm i shfrytëzimit të të miturve shkon përtej ngjyrës së pasaportës dhe duhet dënuar pa rezerva përtej shtetësisë së autorëve. Sot u kapën italianët, por nesër mund të kapen qytetarë nga shtete të tjera, madje edhe gjuetarë shqiptarë, me prejardhje nga shtresa e re e të kamurve. Përkatësia kombëtare edhe mund të jepet si informacion, por pa e stigmatizuar, sepse i nënshtrohet lehtë procesit të manipulimit. Jo për gjë, por nesër a pasnesër, na del që gjahtari është minoritar dhe fëmija shqiptar, ose e kundërta, dhe kush i dëgjon altoparlantët e kombëtaristëve të të gjitha ngjyrave.

Nga ana tjetër, konstatoj pa të keq se fëmijët e vendeve të varfëra po shndërrohen në kafshë, ndërkohë që vetëdija e publikut perëndimor në favor të të drejtave të qenve dhe maceve jo vetëm po rritet, por po blindohet me nisma ligjore nga më garantueset. Batutën eventuale sipas së cilës gjahtarët e huaj e bëjnë këtë për hir të zagarëve, për të respektuar të drejtat e tyre, nuk po e konsideroj më absurde se ajo sipas së cilës “po respektohen zakonet e vendit” ndaj edhe përdoren fëmijë gjatë gjuetisë. Simbolikisht, nuk di si duhet parë ky transferim jashtë shtetit dhe jashtë  species i dhunës njerëzore.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shfrytëzim të punës së fëmijëve, që natyrisht përbën një nga dhunimet më të rënda të të drejtave themelore në punë. Këtu luhet me dinjitetin njerëzor të fëmijëve, subjektet më të brishta të shoqërisë, që detyrohen të bëjnë punë të rënda e poshtëruese. Meqë ky lloj shfrytëzimi, në thelb, nuk është shumë larg nga pedofilia e urryeshme, duhet thënë se aspekti ligjor, pra i dënueshmërisë së ashpër me ligj, është vetëm një anë e medaljes. Faqja tjetër pasqyron një kulturë që e sheh fëmijën si objekt a mjet për të kënaqur nevojat më të diskutueshme, kurse punën e të miturve e trajton si diçka normale. Këtu duhen parë, përtej shfajësimeve të rastit, edhe përgjegjësitë e shoqërisë dhe familjes. Gjithsesi, etiketat etnike nuk na ndihmojnë në luftën kundër kësaj plage shoqërore të patolerueshme, që për fat të keq nuk njeh kufij.

Pa Komente

  1. “Këtu duhen parë, përtej shfajësimeve të rastit, edhe përgjegjësitë e shoqërisë dhe familjes.”

    Ore po kjo eshte me e qelbura nga te gjitha. Nje nga ata femijet thote se prinderit i paskan thene shko ne shkolle e mos u be zagar i italianeve? A thua se eshte ne dore te femijes. Nuk ka pleqesi fare aty? Nuk ka pese familje, dhjete burra e gra te mblidhen e t’a pleqerojne kete pune? Turpi, nese ka turp kjo histori, eshte ne rradhe te pare ketu, e jo tek shoqatat qe nuk ngrihen, tek protesta qytetare e me the te thashe.

  2. Deshmite e femijeve tregojne ne radhe te pare nje turp kombetar, keshtu qe kjo ceshtja e etnizimit te dukurise nuk me duket aspak e kritikueshme.
    Gjahtaret italiane te laureshave jane akuzuar edhe vjet tek Topi per perdorim te mjeteve te palejuara te gjuestise( thirrje te regjistruara laureshash) dhe vrasje shpendesh pertej kuotes se lejueshme nga ligji,po shume pertej…..

    Keta, dmth pikerisht gjuetaret italiane te laureshave vijne te tallin leshte e bejne si u do qejfi, po fajin e ka vertet qeveria qe nuk i merr ti fuse ne burg urgjentisht.
    Fajin e kane edhe femijet qe su thone vellezerve apo baballareve per keto ‘ngacmime humoristike’, qe ti fusin marrin e ti hedhin ne det lakuriq e tu djegin rrobat….per te mos thene ndonje gje tjeter.

    Ketu kemi nje problem me gjahtaret italiane te laureshave qe mesa duket terheqin njeri-tjetrin meqe ne Shqiperi eshte bere deti kos.

    Pastaj mund te flasim per nje problem te pergjithshem, pasi ta kemi shquar problemin per ate qe eshte.

  3. ””’A thua se eshte ne dore te femijes. Nuk ka pleqesi fare aty?””’

    Duket qe nuk e njeh fshatin fare dhe qe ske qene ndonjehere ne gjueti apo ambjent gjuetaresh. Femija i fshatit rritet ne gjendje relativisht te lire dhe nese femija merret ne gjueti atehere vete femija ka qejf ta marre gjahun e plagosur apo te vrare si cdo femije tjeter normal, se nuk e sheh si pune po si loje argetuese .

    Por kjo loje behet midis familjarit dhe femijes, kur rastis te merret femija me vete.
    Prandaj ka njefare tolerance ne mendesine e fshatit, sdo mblidhen burrat fshatce per lojrat e kalamajve. Kur teprohet atehere thuhet llafi, por nuk i rrihet mbi koke, derisa behet dukuri shqetesuese. Femijet ate pjese qe eshte dukuri jo shqetesuese por turp kombetar e fshihnin .
    Nderkaq varferia ben te veten ne kete tolerance.

  4. Jam i bindur se politikanët shqiptarë që aq shumë merakosen për hapjen apo gozhdimin e kutive, nuk janë në dijeni të kësaj mënxyre, e cila përsëritet shpesh dhe pa ndonjë pengesë, duke përfituar nga skamja, injoranca, mungesa e shkollës dhe formimi i brezit të ri (dhe demokracia ka 20 vite që ka mbjellë rrënjë në truallin shqiptar). Se po të ishin vënë në dijeni apo të kishin marrë mundimin t’i bënin ndonjë note proteste ndonje diplomati barkfryrë italian që pi verë Tignanello e ha bërxolla të skuqura mu në mes të Tiranës në shoqërinë e vajzave (zagaresha-luanesha?) shqiptare, do ishte bërë bujë më e madhe e ne do ia kishim degjuar zërin. Do të kishim lexuar më shkoqitur mbi gjahtarët italianë që dikur Coli i shiste le tartarughe. Por, fatkeqsisht, asgjë nuk bëhet dhe indiferenca lejon trupa perverse, gati gati kriminale, të vërshojnë për të plaçkitur atë pak dinjitet që na ka mbetur. Një fëmijë i përdorur në këtë mënyrë (këtu nuk flas vetëm për fëmijët zëvendësues zagarësh, por edhe për ata që shesin paketa, fara dhe çakmakë nëpër baret mondane në Tiranë, të cilat ndodhen jo larg Kryeministrisë apo selisë rozë), mund t’i kushtojë shumë shoqërisë e cila do të ketë nevojë për të, por atëherë do jetë vonë.
    Pishak, juve mirë e thoni se në vendet e varfëra ka më shumë shfrytëzim dhe dhunë ndaj fëmijëve, por që kjo të ndodhi në Shqipëri, sot kur politikanët mburren me pashaporta biometrike, me rrugë të çara në dysh që nuk funksionojnë, apo me rrena ndryshimesh, me hyrje në aleanca atlantike, të kujtdo force qofshin ato, kjo është për t’iu rikthyer shumë herë pikturës së fillim shekullit të XX, ku Munch shprehte një forcë të madhe krijuese. Dhe shpresoj se klithma është fotoja më e mirë që mund t’i bëhet këtij realiteti që shqetëson seicilin nga ne, por që asnjëri nuk vepron.

    1. Ra zilja e deres.

      Shtypi i perbuzur i ka lejuar vetes “luksin” e korrekteses, duke cituar ne menyre rigoroze burimin e materialeve. Perhere. Madje edhe te beje sqarime rreth blogut, autoreve dhe arsyes se “vjedhjes” periodike qe me shume sesa nga smira vjen nga Ngasja e cilesise. Ne nje fare menyre jane qare hallet me publikun meqe si lexues i rregullt i shtypit e kam vene re se si shtypi edhe populli ne kete derexhe ku kane rene kane nevoje per nje perkedhelje intelektuale. Dhe me thene te drejten artikujt e ketushem – si lexues e them – e sjellin nje qasje NDRYSHE, pra te nevojshme, pavaresisht sa dakord mund te jete x apo y.

      Natyrisht, kjo nuk zhvesh kerkend nga pergjegjesia (e kush do qe t’i ike ?) edhe pse ankesat, jam dakord qe jane sondazhi i Kohes per Ndryshim.

    2. Për të shmangur çdo keqkuptim: edhe GAZETA edhe PTF kanë shkruar për të njëjtën dukuri, të përcjellë prej lajmeve, në Itali dhe në Shqipëri. Autorë të ndryshëm, shqetësime të përbashkëta.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin