Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Sociologji

VLERA E NJË BRAINSTORM-I (I)

nga Edmond Çata

Nuk e dija se do t’i kthehesha për herë të dytë një shkrimi tim modest. Madje edhe herën e parë, isha në mëdyshje nëse duhet të përpiqesha të saktësoja ca gjëra, nisur nga niveli aspak intelektual dhe mjaft pasionant i tipit “Hyllin”. Më duhet të pohoj se më shumë se ngacmim i brendshëm ndaj reagimeve relativisht të shumta, (blogistët të më falin, sepse nuk dua të fyej askënd, por kurdoherë që në vend të komunikimit racional përballem me sharje e fyerje pasionante, gjithmonë zgjedh të mos merrem me atë kategori komunikuesi), prapa komentit tim shtesë ishte detyrimi që ndieva nga ftesa-thirrje e z. Tan Skëndaj për bërë një sqarim të mëtejshëm.

Por sot më duhet të falenderoj “CYPRINODON DIABOLIS” dhe “J” për mundësinë që më dhanë të reflektoj dhe ”shtrydh” nga truri disa elementë, të cilët besoj se mund të jenë të rëndësishëm jo vetëm për krijimin e një ideje më të qartë rreth pozicionit tim por, ndoshta, dhe kjo mund të ishte akoma edhe më e rëndësishme, mund të ishin me interes reflektimi edhe për njerëz të tjerë brënda e jashtë këtij blogu, të atyre që reagojnë në këtë blog apo thjesht lexojnë c’mund të postohet. Këto elemente i kam patur të qartë edhe më parë. Por në artikullin tek Shekulli, as që do të mund të bëhej fjalë t’i elaboroja për shkak të kushtëzimit “haptësirë rreshtash”.

Nga eksperienca ime mësimdhënëse kam mësuar një gjë interesante: Njeriu, nga pozicioni i mësim-dhënësit, mund të mësojë shumë, më shumë nga c’mund të imagjinojë ndonjëherë nga studentët e tij, po aq so do të pretendonte të mësonte nga pozicioni i të qenit student. Nuk do të doja që ky koment i im i sotmi të përfundonte i tejzgjatur dhe i lodhshëm në të lexuar për ata blogistë që do të ndalonin të lexonin këtë koment (c’ti bësh! Kam “sëmundjen” e të shkruarit gjatë!). Por një shëmbull më i fundit nga kjo eksperiencë mund të ish një ilustrim interesant.

Në lëndën e “Ideologjive Politike” (prej të cilave mund të përmënd këtu liberalizmin, konservatorizmin, marksizmin, fashizmin, ambjentalizmin, fondamentalizmin fetar etj), për t’u dhënë një ide studentëve të mi amerikanë se cfarë duhej të prisnin të kishin të bënin në këtë klasë vendosa t’u vë dy këngë: njëra ishte kënga e Pet Shop Boys “Go West”; tjetra ishte kënga e Michael Jackson “Earth”. (për ata që do të donin të freskonin memorien e tyre për këto këngë, do tju sugjeroja të shkonin tek new.music.yahoo.com dhe thjesht të kërkojnë ose këngën me emër, ose emrin e këngëtarit apo grupit dhe të dyja këngët do ti gjenin të aksesueshme si video)

Ideja ime ishte ti bëja studentët të kuptonin tre gjëra:

E para, që në botë egistojnë ideologji të ndryshme;

E dyta, që midis ideologjive, të definuara si set idesh për përballjen dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet individi dhe shoqëria, ka dallime dhe mbetet në dorë të njerzve (të studentit) të bëjë zgjedhjen se me cilën prej tyre e ndjen veten më afër;

E treta, që fjalën ideologji, dhe vetë klasën, nuk duhet ta merrnin me frikë; fjalën ideologji nuk duhet ta merrnin si një term të rëndë për veshët e tyre por duhet ta shihnin si një dicka që ata, ndonëse mund të mos ju kish shkuar ndonjëherë në mëndje të mendonin për të, në fakt, përballeshin me të, ndoshta pa e kutuar edhe ata vetë, në cdo moment të jetës së tyre të përditshme.

Ishte dita e parë, dhe pyetja e parë që ju bëra ishte: Tani që e dëgjuat, mund të më thoni se cili është kuptimi që ju u jepni këtyre këngëve. A e dini që kam ngelur i shokuar nga komentet e tyre? Në sensin që isha pregatitur të dëgjoja komente nga më të ndryshme, por u gjenda krejt i papregatitur të ndeshja një perceptim që nuk më kish kurrë shkuar ndër mënd se njeriu mund të nxirrte nga dëgjimi i këngës.

Supozoj se blogistët e kanë idenë për mesazhin e “Go West”: Shoqëri komuniste, flakni tutje modelin totalitar të dominimit të mendimit, veprimit, dhe jetës së individit nga partia-individ-shtet sepse ai model ua bën qiellin të kuq dhe përqafoni modelin liberal të lirisë së individit sepse qielli i kësaj bote është blu! Nuk ma merr mëndja se Pet Shop Boys do të ketë harxhuar shumë para për ta bërë këtë këngë. Pjesa që mund t’i ketë kushtuar më shumë, ka qënë ajo e të shkuarës në Moskë, në Sheshin e Kuq; pjesa më e madhe e këngës është realizuar përmes manipulimeve kompiuterike. E vetmja gjë e papërpunuar “kompjuterikisht” është një bazoreliev i madh i Leninit, ku Lenini shfaqet me krahun e shtrirë duke shënuar drejtimin nga duhet të shkojë turma (ah turma, turma!), por që Pet Shop Boys e ka përdorur këtë për t’u thënë rusëve “go West”. Përtej kostos, sidoqoftë, ajo që e bënte këtë këngë interesante dhe adekuate për mua, ishte mesazhi: rruga drejt jetës së lirë (“e verteta”) nuk është “go East” por “go West”! Kënga ka muzikë të bukur por fuqia e saj qëndron tek mesazhi. E shkruar në vitet 90 (konsiderohet kategoria e the 80s-90s), Pet Shop Boys sikur duan të thonë përmes tingullit atë që Fukuyama that shkencërisht përmes “The end of the History and the Last Man”, ndonëse sot, e kemi të qartë, nga faktet e reja që po shfaqen (Kina) se historia nuk ka marrë fund ende.

U zgjata shumë. Ajo që dua tju bëj të ditur këtu është si ma interpretuan studentët amerikanë. Në vënd të thoshnin, sic prisja unë, që e kuptonin këngën si një ftesë që perëndimi i bënte individit socialist të hidhte sytë nga dhe të shkonte drejt perëndimit, më thanë se ata e kuptuan këngën si kërcënim të sovjetikëve ndaj amerikanëve për ti detyruar amerikanët të jetonin ashtu sic jetonin rusët! Pa dyshim që më shtangu një koment i tillë! Por nuk nxitova të bëja sic vepruan shqiptarët ndaj Schmitt, t’ua përplasja atyre dhe thoja dilni nga klasa se s’jeni për këtë klasë; kur nuk arrini të kuptoni një këngë, si do mund të kuptoni gjithë cka vjen pas! Në vënd refuzimit, e inkorporova mesazhin e tyre në qëndrimin tim: dmth, kuptova se sa punë do të më duhej të bëja për t’i tërhequr studentët në një lëndë aq të komplikuar sa ajo e ideologjive politike.

Por njeriu mund të “mësojë” gjithashtu edhe nga komunikimi me të tjerët pavarësisht në c’kanale mund të realizohet ky komunikim: në grup, komunikim fizik, komunikim virtual, komunikim përmes medias vizive apo komunikim përmes të shkruarit. I nisa këto rreshta me falenderimin për “Cyprinondon Diabolis” dhe “J” sepse reagimi i tyre ka ditur të kapë vërtet disa elemente që kanë nevojë të sqarohen. Së paku prej meje. Ato elemente jo vetëm nuk ka qënë e mundur të sqaroheshin më parë, por edhe me të drejtë mund të thuhet se meritojnë të konsiderohen sensitive për reagim nga kushdo dhe, mbi të gjitha i japin një reagimi edhe legjitimitetin e nevojshëm.

Meqë këto rreshta shkuan shumë gjatë, vazhdimin e marrjes me dhe sqarimin e elementëve të tjerë do ta bëj në PJESËN E DYTË.

Kalofshi ditë apo mbrëmje të këndëshme blogistë!

3 Komente

  1. “Supozoj se blogistët e kanë idenë për mesazhin e “Go West”: Shoqëri komuniste, flakni tutje modelin totalitar të dominimit të mendimit, veprimit, dhe jetës së individit nga partia-individ-shtet sepse ai model ua bën qiellin të kuq dhe përqafoni modelin liberal të lirisë së individit sepse qielli i kësaj bote është blu!”

    Po luaj edhe une rolin e nje studenti tuaj zoti Edmond dhe po perpiqem te jap nje version tjeter ( qe perputhet edhe me mendimin tim ) te asaj qe ju e merrni si te mireqene.

    Citoj Wikipedia : Where the original was sincerely idealistic in its depiction of a utopia, the Pet Shop Boys version, characteristic of the band, introduced a layer of subtext — here, sadness and a hopeless optimism, inspired by the aftermath of the AIDS pandemic of the 1980s and how it had affected the supposed utopia of the original version.
    http://en.wikipedia.org/wiki/Go_West_(song)

  2. Me gjithe simpatine qe shfaqni ndaj epistokracise platonike ne lidhje me edukimin, them se anon me teper nga “profesori injorant” i cili perpiqet qe te mesoje nga studentet dhe qe dijen e tij te mos iua transmetoje atyre shabllon. Po pres te lexoj me teper.

  3. Më erdhi për të qeshur ndërkohë që lexoja shkrimin.
    Mu kujtua rasti i këngës “Born in the USA”… ku jo një student amerikan, por vetë Presidenti ( Ronald Reagan) e interpretoi sipas shijes së tij, duke e konsideruar si një kontribut ndaj fushatës së tij elektorale … pa i vajtur ndërmënd për zërin e protestës që ngrinte Springsteen (këngë për veteranët e Vjetnamit).
    Në rastin e mësipërm unë mund të pranoj si pakujdesi të Presidentit (o injorancë, në rastin më të keq). Pranoj edhe që çdokush mund të gabojë, por nëse SHUMICA (qoftë edhe turmë) ka një mendim të unifikuar, unë nuk do të guxoja që t’u dilja përpara dhe t’ju thoja: “Ju jeni idjotë… nuk merrni vesh asgjë”.

    Prandaj, i dashur profesor Çato, nëse keni vendosur që të na ndriçoni më tepër rreth problemit, fokusohuni tek argumentet tuaja ndaj tij (dhe aty mund të diskutojmë nëse mundemi) dhe mos u shpërqëndroni shumë në gjykimet ndaj të drejtës së të tjerëve që ta mendojnë ndryshe… dhe aq më tepër që t’i cilësoni me epitete që janë vulgare po aq sa ato të “turmës” ndaj Shmidit e të tjerëve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin