Në zhargonin e toksikomanëve shqiptarë, “malli” dhe “mielli” janë tejet të përdorura. Më “specialistët” bëjnë edhe nënndarjet përkatëse: e kuqja (heroina), e bardha (kokaina) dhe bari (hashashi). Ky leksik, përfshirë ngjyresat krahinore, ishte krejtësisht i panjohur në Shqipërinë totalitare, e cila i kishte mbyllur kufijtë jo vetëm për bijtë e vet që të mos arratiseshin, por edhe për “veset” perëndimore. Vitet nëntëdhjetë shënuan edhe suksesin deri diku të pritshëm të drogës në Shqipëri. Po përse vallë konsumi i drogës vazhdon të rritet në vendin tonë progresivisht?
Së pari, duhet thënë se vërtet droga nuk njihej në Shqipërinë komuniste, por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistonte vartësia nga substancat e ndryshme. Këtu fus natyrisht alkoolizmin, që në përhapje ndoshta i kompensonte të gjitha drogat që qarkullonin në Perëndim. Nuk besoj se ka statistika që i referohen asaj kohe, por e di nga përvoja që pijet alkoolike ishin mjaft të përhapura. Po kështu të alkoolizuarit.
Përjashto arsyen madhore të përdorimit të drogës, d.m.th. pamundësinë e qenies njerëzore për t’iu shmangur vartësive, duhen parë, kryesisht në planin social, disa kushte specifike të vendit tonë, që në një mënyrë apo një tjetër e kanë nxitur përhapjen e drogës. Po i rreshtoj pa ndonjë kriter të posaçëm:
Harta pa kufij
Qarkullimi i lirë i njerëzve do të thotë edhe hapje ndaj problemeve që kalojnë nga një vend tek tjetri. Sipas operatorëve të specializuar në Shqipëri, droga hyri fillimisht nëpërmjet fëmijëve të klasës drejtuese dhe të intelektualëve. Me sa duket kjo duhet parë edhe me mundësinë ekonomike të asaj kohe, por mund të shpjegohet edhe në aspektin kulturor.
Tubi që rrjedh
Rritja e kriminalitetit që merret me trafikun e drogës ka krijuar situatën e tubit të naftës. Kur e ke afër, tundimi për t’ia futur rubinetin për të marrë ndonjë litër, është tejet i madh. Siç dihet, edhe vetë Mafia siciliane dështoi në orvatjen e vet për t’ua ndaluar anëtarëve të vet përdorimin e drogës. Andej nga vitet ’70-80, udhëzimi nga “qendra” thoshte se droga duhej shpërndarë, por absolutisht nuk duhej konsumuar. Në Sicili droga u përhap edhe midis mafiozëve vetë. Shenjë se kur pikon tek rubineti, goja shkon vetvetiu.
Oborri bosh
Kur të rinjtë luanin dikur në oborrin e pallatit, nuk ishin vetëm sytë e nënës që i vëzhgonin. Kontrolli social ishte shumë i fortë. Kjo nuk duhet ngatërruar me kontrollin politik, që pa dyshim ia përforconte efektin, por nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta hierarkike. Në qendrat e vogla është gjithnjë më i lehtë ndërveprimi midis personave, çka do të thotë kontakte më të shpeshta brenda bashkësisë. Mirëpo, kontaktet ndërpersonale nuk do të funksiononin si frenues të drogës po të mos vepronin në një fushë magnetike vlerash që e konsideron drogimin si akt negativ. Në Shqipëri oborri i dikurshëm nuk ekziston më. Në kuptimin që sytë e mëhallës nuk shikojnë si dikur, ndërkohë që shokët tymosin gjëra më të rrezikshme se cigarja e vjedhur nga xhepi i babait. Madje duke e quajtur krejtësisht normale edhe në oborrin e shkollës.
Vetmia e mërgimit
Mërgimi i një të tretës së popullsisë shqiptare shtoi kontaktet me kontekste ku droga përdorej prej kohësh. Nga ana tjetër, mërgimi solli shtendosjen e marrëdhënieve sociale tradicionale. Vetë familja u shpërbë, duke e rrokullisur individin në tatëpjetat e rrezikshme të vetmisë. Sot ka plot të rinj shqiptarë që drogohen jashtë shtetit, larg familjeve të tyre në Shqipëri, ose e kundërta, shumë familje emigrantësh, që i lënë fëmijët në Shqipëri të përkunden në krahët lëndëve narkotike. Të dyja modelet dëftojnë pasojat e traumave sociale që kanë pësuar shumë familje nga emigracioni, i jashtëm dhe i brendshëm.
Pothuajse badjava
Nuk dihet nëse është rasti që e bën njeriun hajdut, apo rasti vetëm sa e nxjerr në pah hajdutërinë e fshehur. Sidoqoftë, mundësia për ta pasur drogën është shtysë e fortë për ata që ngushëllohen me të. Fakti që droga kushton pak në Shqipëri, shumë më pak se në vendet perëndimore, e nxit detyrimisht përdorimin e saj. Çmimet e lëndëve narkotike kushtëzohen nga tregu ndërkombëtar, por edhe nga politikat që ndjekin organizatat kriminale. Fillimisht droga jepet falas nga shpërndarësit, pastaj me çmime të arsyeshme, pastaj me çmime normale. Këto të fundit janë më të ulëta në vendin tonë. Arsyen e vërtetë nuk e njoh, por sipas gjasës ka të bëjë me ofertën. Shqipëria është në udhëkryq të trafiqeve, çka mund të shihet “pozitivisht” nga toksikomanët, jo vetëm nga studiuesit e gjeopolitikës.
Ekonomia çirake
Përdoruesit e drogës kanë vetëm një shqetësim: të gjejnë para për të blerë “mallin”. Çohen në mëngjes me këtë fiksim dhe nuk e heqin gozhdën nga koka derisa drogohen. Lëndët narkotike mund të blihen lehtë, por paratë jo gjithnjë gjenden kollaj. Në perëndim toksikomanët bien më shpejt në kurthin e kriminalitetit. Është e vetmja mënyrë për të gjetur para shpejt e shpejt. Në Shqipëri ekonomia është e ndërtuar në mënyrë të tillë (me shumë informalitet) saqë mjafton një punë e përkohshme dhe e rëndomtë çfarëdo, për t’i fituar ato pak para që duhen për “mallin”. Çfarëdolloj pune informale qoftë, ajo nuk e ndihmon individin ta diagnostikojë në kohë problemin që ka, sepse e fut iluzionisht në një situatë normale.
Stili i kafenesë
Endacakëria e toksikomanëve është e njohur nga të gjithë. Gjithë ditën në kërkim të mallit, ose më mirë të parave për mallin. Nga një bar tek tjetri, nga një rrugë tek tjetra, nga bordura në bordurë. Në rastin më të mirë në kërkim të një punë çfarëdo (roje në parking, punëtor krahu në ndërtim, hamall). Nomadizmi urban i toksikomanit shkaktohet nga gjendja e tij. Kjo mënyrë jetese e bën atë të dallohet nga të tjerët dhe si rrjedhim i ndihmon, ta zëmë familjarët, ta pikasin problemin. Në Shqipëri kjo gjë nuk mund të ndodhë, sepse stili i jetesës së narkomanit është i përafërt me pjesën më të madhe të shoqërisë. Nga një kafene tek tjetra, nga një stol tek tjetri, nga moteli në motel. Ky stil jete – me përjashtimet e rastit natyrisht – bëhet edhe nga një nëpunëse çfarëdo. Mirëpo, mimetizimi i përdoruesve të drogës në shoqëri e vonon shërimin e tij, për sa kohë e mbron me guaskën e normalitetit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë përdorimi i drogës duhet konsideruar sëmundje. Të jem i sinqertë, përkufizimi nuk më bind plotësisht. Përveç mëdyshjeve, më ngjall shumë pyetje. Ja një prej tyre: “Nëse toksikomani duhet quajtur i sëmurë, po shoqëria shqiptare si duhet konsideruar?“.
“Semure” duket se vjen nga ‘s’mund’..Shoqeria Shqit-pare ..e pamundur he per he. Diku lexova qe nje zvicerane e ngulur ne fshatrat e Vlores ishte llahtarisur nga lenia e femijeve ne gjendje te ‘lire’ nga aborigjenet lokalet. Pak a shume, e tille eshte situata e kontrollit shoqeror. Mendoj se edhe ka qene, ndoshta me perjashtim te disa lagjeve te Tiranes.
“Ja një prej tyre: “Nëse toksikomani duhet quajtur i sëmurë, po shoqëria shqiptare si duhet konsideruar?“.”
E MALLOSUR!!!!!
Mua personalisht me ka ndodhur qe te tymos gjethe marijuane ne cigare. Kete nuk e kam bere ne vetmi por perkundrazi gjithmone mes njerezish te tjere. Ketu ku jetoj(Itali) opinioni shoqeror e denon kete dukuri. Por çuditerisht kam pare se te pakten mariuanen e pijne gati te gjithe bashkemoshataret e mij dhe diç me tutje(me te medhenj). Ju betohem qe kur e piva per here te pare nuk me dolen briret dhe as me erdhi nder mendje te vrisja kerkend. Diten tjeter nuk kerkova qe te gjeja shitesin e droges. Pra nuk pata asnjelloj problemi. Perkundrazi ne ate moment nje ndjenje ç’tendosje me kaploi mendjen. Asgje me shume!! Por e njejta gje ndodh edhe kur pi nje gote rakie. Eshte e vertete qe fenomeni i varesise eshte problematik…po a nuk krijon varesi edhe duhani? Sa e drejte eshte te godasesh fenomenin e droges duke i ngritur ne sfond skenen e degradimit shoqeror? Por a nuk kemi rrreth e rrotull nje sere gjerash qe na krijojne varesi. Edhe makina(automjeti) krijon varesi dhe i ben dem shoqerise dhe perdoruesit. A eshte perdorimi i droges arsyeja apo rrjedhoja e degradimit te vlerave? A mos valle eshte mosmireqenia nxitesi i degradimit. Sipas meje eshte kjo e fundit qe gerryen individet qe perbejne nje shoqeri dhe i dobeson moralisht dhe menderisht duke i hedhur si tek varesia nga droga ashtu tek makina e ngare me 200 km ne ore apo ne predikimin e sekteve te çuditshme fetare. Shprehje te tilla devijuese nga jeta “normale” jane sinjale qe tregojne nje ndrydhje psikollogjike te individeve qe i jetojne. Mafiozet qe ne vend qe t’a shesin e pijne, shqiptaret qe i qellojne qiellit me kallashnikov apo gjermanet qe vrisnin çifutet duke i konsideruar jonjerez, jane psikoza individuale apo te shoqerive te tera qe devijojne nga sjelljet e ekuilibruara. Si rezultat Une them qe droga eshte rrjedhoje dhe jo arsyeja e degradimit. Shoqeria shqiptare eshte e semure dhe rritja e numrit te personave qe vetvriten, qe kerkojne shpetim tek magjistaret apo qe drogohen eshte shenje e kesaj semundje.