Gjithëkundgjendja e dy sloganeve kryesore që mbizotëruan zgjedhjet e fundit, tregon qartë se ethet zgjedhore nuk janë larguar ende nga politika shqiptare. Sloganet “Për një Shqipëri që ndryshon” i Partisë Socialiste dhe “Eja me ne” i Partisë Demokratike gëzojnë akoma një dukshmëri të theksuar publike. Këto kumte gëlojnë gjithandej, sidomos në sfondet katodike të konferencave për shtyp, nga ku liderat e partive më të mëdha komunikojnë me opinionin publik shqiptar.
Edhe pse dy sloganet e mësipërme janë frymëzuar nga një konceptim modern i politikës, është e vështirë që në Shqipëri të jetësohet një sistem marketingu politik i llojit perëndimor. Pranvera nuk mund të vijë me çeljen e dy luleve, edhe për faktin se kemi të bëjmë me dy “lajmërime” paksa të çuditshme në ligjëratën politike shqiptare. Në fakt nuk duhet intuitë e mprehtë për të kuptuar se dy sloganet e famshme “rrëfejnë” më tepër se ç’tregojnë në pamje të parë. Jo vetëm studimet moderne të komunikimit, por edhe përvoja e thjeshtë thotë se kumtet e “reklamës” politike shpërfaqen si rregull të përgjithshme e të qarta. Përveç kësaj sloganet janë sinteza e një gjuhe që anon ta mënjanojë argumentimin dhe mundësinë për të vazhduar diskutimin. Për këtë arsye sloganet paraqiten në tregjet e ndryshme politike si copëza dogmash të padiskutueshme, që rreken të depozitohen në pavetëdijen e publikut si aksioma të mirëfillta. Trajtat e zakonshme të sloganeve (të shkurtëra, mbresëlënëse, me stil nominal, eliptik, etj.) janë në funksion të efektit bindës të kumtit elektoral.
Ja slogani i Partisë Socialiste “Për një Shqipëri që ndryshon”, ja slogani i Partisë Demokratike “Eja me ne”, mund të kenë shpjegime pak a shumë të kënaqshme nëse shihen pjesërisht të dekontekstualizuara. I pari përpiqet t’i thotë elektoratit shqiptar se duhet votuar për një Shqipëri që transformohet, që nuk rri në vend, i dyti i kërkon votën zgjedhësve duke përshenjuar një siguri që dëshmon se shumica tashmë është nga ana e opozitës. Kuptimi i sloganit të Partisë Demokratike vazhdon në një farë mënyre nëpërmjet dialogut midis elementit verbal (“Eja me ne”) dhe atij pamor (fotografia e të rinjve hareplotë me kapele të hedhura përpjetë) që mund të shprehet edhe kështu: Ejani me ne se do të jeni të lumtur. Ndërsa në sloganin e Partisë Socialiste kumti pamor mungon; anda j tërë peshën semantike e mban fjalia “Për një Shqipëri që ndryshon”. Kjo e fundit dallohet për nga toni refleksiv i ftesës, kurse slogani antagonist i partisë tjetër rezulton më thirrmor e nxitës. Është mëse e qartë se dy partitë kryesore shqiptare janë përpjekur të komunikojnë një lloj imazhi që mëton të përvijohet nga zbërthimi i elementeve kuptimore të sloganeve.
Mirëpo sloganet nuk mund të përfytyrohen jashtë ligjëratës politike në të cilën lindin e përkuptojnë. Madje është konteksti ai që herë ia përçudnon dhe herë ia përshtat brendësinë kuptimore. Pa shkuar në analiza të stërholluara, mund të vëzhgohet lehtë se dy sloganet e mësipërme janë qartësisht mungesore (eliptike). Me fjalë të tjera atyre u mungon një pjesë (fjalë ose togfjalësh) që mund ta bënte më të kuptueshëm e më të kthjellët kumtin e tyre. Në rastin e sloganit “Për një Shqipëri që ndryshon” mund të shtrohet pyetja për mënyrën ose kahun e ndryshimit të supozuar (Si ndryshon e nga ndryshon?). Lidhur me tjetrin, d.m.th. “Eja me ne”, mund të bëhet pyetja: “Për ku? ose Përse?”. Sloganet e ndërtuara me një strukturë të tillë parakuptojnë një situatë ku ekziston një komunikim dialogjik, ku shumë gjëra nënkuptohen nga m arrësi i kumtit. P.sh. slogani i Partisë Socialiste mund të lexohet kështu: “Për një Shqipëri që ndryshon për mirë”, kurse slogani i Partisë Demokratike mund të nënkuptohet në këtë mënyrë: “Eja me ne drejt një shoqërie të mirëqënies”.
Kumte të tilla dialogjike funksionojnë përgjithësisht me atë pjesë të elektoratit që është dakort me idetë e kumtuesit, pra të partisë në rastin tonë. Nga ana tjetër, ndërsa të pavendosurit perceptojnë një paplotësi nënkuptimore të dyshimtë, kundërshtarët “dashakeqas” anojnë t’i interpretojnë së prapthi: “Për një Shqipëri që ndryshon për keq” ose “Eja me ne drejt shkatërrimit”. Nga ky këndvështrim sloganet mund të konsiderohen dështake, sepse ambicjet e tyre komunikuese kanë qenë tepër modeste, meqënëse u janë drejtuar vetëm atyre që janë të bindur ose të bindshëm, duke lënë mënjanë kështu fetën tjetër të elektoratit.
Parë nga lartësitë paszgjedhore dhe të gjithë kontekstit shoqëror, dy sloganet paraqiten si simptoma të një sëkëlldie të brendshme të politikës e të shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga tonet “e sigurta” të një slogani (jemi të sigurtë që Shqipëria ndryshon e do ndryshojë), apo nga marrëdhënia konfidenciale që dëshiron të krijojë tjetri (të ftojmë të vish me ne i dashur), karakteri mangësor i tyre flet më shumë seç do fliste plotësia e tyre. Mjafton një dozë e vogël mosbesimi o çiltërsie – ashtu si tek përralla e veshjes së perandorit – për t’i parë sloganet krejtësisht transparente, boshe, lakuriqe. Tek e fundit “Për një Shqipëri që ndryshon” dhe “Eja me ne” nuk thonë pothuajse asgjë në nivel informacioni; së pari sepse çdo gjë ndryshon me kalimin e kohës, së dyti sepse para se të shkosh me ndokënd duhet të njohësh si personin ashtu edhe vendmbërritjen.
Duket sikur trajta gjysmake, e cunguar, gati e zbrazët e sloganeve është shprehje e një politike që ka frikë t’i thotë gjërat hapur, shkoqur, deri në fund; një politikë që fshihet pas artificeve reklamore, të huazuara nga kontekste të zhvilluara post-moderne, ndërkohë që realiteti shqiptar kërkon pikërisht të kundërtën. Që politika shqiptare është në krizë nuk është diçka e re, por çalimi i disa elementeve të saj si përfaqësimi, legjitimiteti, mirëbesimi, etj. dhe përsosmëria e disa elementeve të tjera si demagogjia, populizmi, mungesa e komunikimit (të njëmendtë) me shtetasit, etj. pikasen ndonjëherë edhe nëpërmjet vogëlsirave komunikative si sloganet; sidomos kur zjarrmia zgjedhore shuhet dhe tisi emotiv davaritet.
Së fundi, pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet vendore, a nuk duhet marrë vallë si përgjigje ndaj sloganeve të politikës shqiptare?
Pishak Zhgaba
[2004]