Peizazhe të fjalës mirëpret kontribute nga të gjithë, me kusht që këto t’i përshtaten natyrës së revistës dhe plotësojnë disa kritere minimale të cilësisë.
Natyra e revistës
Është mirë që ata autorë që duan të nxjerrin shkrime në Peizazhe të fjalës të jenë familjarizuar ndërkohë me natyrën e faqes dhe tonin e përgjithshëm të shkrimeve dhe të eseve të këtushme. Lexoni më shumë rreth nesh këtu.
Gjithë duke mbetur të hapur ndaj çdo tematike me interes publik, parapëlqejmë kontribute në ato fusha që i kanë paguar më shtrenjtë transformimet teknologjike dhe sociale të viteve të fundit dhe efektet shkatërrimtare të faktorit pará në kultivimin e mendimit shqip.
Botuesit ruajnë të drejtën për të porositur shkrime, për të organizuar konkurse dhe kolana, dhe për të refuzuar shkrime të propozuara, pa asnjë detyrim për të dhënë shpjegime publikisht.
Edhe pse Peizazhe të fjalës orientohet gjerësisht nga eseistika dhe komenti, në raste të veçanta mund të botojmë edhe reportazhe ose tekste eksperimentale, gjithë duke ruajtur konceptin e përgjithshëm editorial.
Nuk botojmë tregime të formatit klasik.
Me kërkesë të autorëve dhe sidomos për tema me natyrë delikate ose që ekspozojnë ndaj një rreziku çfarëdo, kontributet mund të botohen me pseudonim dhe në këtë rast fshehtësia e autorit është e garantuar.
Nuk na interesojnë materiale me natyrë haptazi propagandistike, të përpunuara në zyrat e informacionit të partive politike; por jemi veçanërisht të hapur për kontribute nga shoqëria civile dhe nga grupe interesash që nuk identifikohen me partitë politike dhe hegjemoninë partitokratike në politikë.
Brenda mundësive, nuk do të lejojmë që faqja të përdoret nga grupe, organizata dhe individë për arsyet, qëllimet dhe fushatat e tyre; madje edhe sikur t’i kemi përkrahur dhe mbështetur këto arsye, qëllime dhe fushata gjetiu.
Nga ana tjetër, Peizazhe të fjalës nuk ka natyrë ngushtësisht akademike, por kërkon që gjithnjë ta ruajë dhe ta kultivojë kontaktin me lexuesin e paspecializuar: publikimet tek ne nuk do të shërbejnë për karrierë dhe as për të plotësuar kritere të “kualifikimit” akademik: në fakt, nuk duam të kemi gjë të përbashkët me ato revista dhe botime që, për arsye gjithfarësh, janë vënë në shërbim të riprodhimit të paaftësisë dhe të shterpësisë mendore dhe të prodhimit në seri të “intelektualëve.”
Synimi ynë kryesor është të kultivojmë zhanrin e eseistikës, përfshi esenë letrare.
Na kontaktoni
Shkrime ose propozime për shkrime mund të dërgohen në adresën e redaksisë: peizazhe at gmail.com. Luteni të përfshini një hyrje biografike për veten nëse na kontaktoni për herë të parë.
Shkrimet që pranohen për botim duhet të plotësojnë disa kritere minimale të cilësisë, mes të cilave:
- detyrimin për të shkruar një shqipe të rregullt, me të 36 shkronjat e alfabetit (përfshi ë-të dhe ç-të) dhe pa gabime drejtshkrimore dhe gramatikore. Rekomandojmë të përdorni këtë aplikacion për një korrektim paraprak.
- kërkesën që shkrimet e sjella këtu për publikim të mos kenë dalë ndërkohë gjetiu online ose në shtypin e shkruar.
- detyrimin tjetër për t’i mbështetur me citime dhe links thëniet dhe informacionin për ngjarjet dhe bëmat e referuara, veçanërisht në kontekste me natyrë polemike
- nevojën për të ruajtur klasin e të shkruarit, në kontekstin e një faqeje që dëshiron të përcjellë mirësjellje dhe politesë në komunikimin me lexuesin
Në rast se stafi editorial vëren se shkrimi i propozuar nuk i kënaq kriteret e mësipërme, sidomos kriterin gjuhësor, atëherë propozimi juaj do të refuzohet menjëherë (nuk i kemi mundësitë financiare për të marrë në punë një korrektor teknik).
Copyright
Copyright-i për shkrimet është gjithnjë i autorëve dhe, nëse specifikohet, edhe i faqes “Peizazhe të fjalës”. Mediave komerciale u ndalohet prerazi të marrin prej nesh materiale pa leje; dhe ruajmë të drejtën që t’i paditim këto media penalisht, nëse e shohim të arsyeshme dhe në interesin tonë. Ribotimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse merret leje paraprake nga botuesi.
Komentet
Komentet janë të hapura, por jo të lira.
Art, Ilustrime dhe Fotografi
Ftojmë artistë, ilustrues dhe fotografë të dërgojnë punimet e tyre për ti botuar krahas shkrimeve në çdo kohë.