Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

INSTITUTI ALBANOLOGJIK PËRBALLË MONOPOLIT ADMINISTRATIV-BUROKRATIK TË SHTETIT

Hyrje

“Programi për racionalizimin e agjencive” të Qeverisë së Kosovës, i paraqitur në emër të “efikasitetit”, ngre një çështje që tejkalon dukshëm riorganizimin formal të administratës shtetërore. Në thelb, ai prek marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe dijes, ndërmjet pushtetit politik dhe autonomisë shkencore, si dhe ndërmjet administrimit burokratik dhe institucioneve që kanë ndërtuar kujtesën intelektuale e historike të shoqërisë. Në këtë “Program…”, Instituti Albanologjik trajtohet si njësi e zakonshme administrative, jashtë dimensionit historik, misionit, identitetit dhe vazhdimësisë së veçantë shkencore të tij. Instituti Albanologjik nuk mund të trajtohet si agjenci e varur nga një ministri apo si strukturë potencialisht e absorbueshme nga Universiteti i Prishtinës, sepse ekzistenca e tij është rezultat i një procesi të gjatë institucional, intelektual dhe kombëtar, të ndërtuar përmes punës shkencore dhe qëndresës së punonjësve të tij.

Problemi themelor i “Programit për racionalizimin…” qëndron në faktin se efikasiteti administrativ shndërrohet në ideologji të centralizimit: gjithçka që nuk përshtatet me skemën burokratike të shtetit duhet të riorganizohet, bashkohet, vartësohet ose absorbohet. Kjo logjikë është veçanërisht problematike kur zbatohet mbi institucionet shkencore, sepse ato nuk janë krijuar për t’i shërbyer komoditetit të administratës, por për të prodhuar dije, për të ruajtur kujtesën dhe për të ushtruar mendim kritik, përfshirë edhe kritikën ndaj vetë pushtetit. Prandaj, çështja nuk është thjesht se ku duhet të vendoset Instituti Albanologjik në skemën organizative të shtetit. Çështja është nëse Qeveria, në emër të racionalizimit, e cenon autonominë, identitetin dhe vazhdimësinë e një institucioni historik të dijes, siç është Instituti Albanologjik.

Instituti Albanologjik: pararendës i infrastrukturës shkencore shqiptare në Kosovë

Instituti Albanologjik i Prishtinës u themelua për herë të parë më 1 qershor 1953, por u mbyll më 25 dhjetor 1955. Pas një ndërprerjeje dymbëdhjetëvjeçare, ai u rithemelua më 28 shkurt 1967, ndërsa veprimtarinë shkencore e rifilloi në shtator të po atij viti. Kjo kronologji dëshmon se Instituti Albanologjik i paraprin themelimit të Universitetit të Prishtinës më 1970 dhe themelimit të Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 1975, e cila më 1978 u shndërrua në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kjo përparësi historike nuk është thjesht çështje kronologjike, por dëshmi e rolit pararendës të Institutit në ndërtimin e infrastrukturës moderne të dijes dhe të institucioneve shkencore shqiptare në Kosovë.

Misioni i tij ka qenë studimi, dokumentimi dhe interpretimi shkencor i gjuhës, letërsisë, historisë, folklorit, etnologjisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Deri në vitet nëntëdhjetë, Instituti ka funksionuar nën autoritetin e Kuvendit të Kosovës. Ky raport historik dëshmon karakterin e tij të veçantë publik dhe institucional. Ai nuk ishte njësi universitare dhe as strukturë e zakonshme e administratës arsimore, por institucion i specializuar kërkimor-shkencor, me mision dhe përgjegjësi që tejkalonin kufijtë e një institucioni të vetëm të arsimit të lartë. Prandaj, kërkesa për rikthimin e tij nën autoritetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes një ligji të posaçëm, nuk është kërkesë për privilegj apo imunitet institucional. Është kërkesë për njohjen e identitetit historik dhe vendosjen e një raporti juridik e institucional që garanton autonominë dhe pavarësinë e tij shkencore. Një institucion që i paraprin historikisht Universitetit dhe Akademisë nuk mund të trajtohet sikur të ishte njësi periferike apo strukturë vartëse e institucioneve të krijuara më vonë. Kjo nuk nënkupton vendosjen e një hierarkie historike ndërmjet institucioneve, por njohjen e dallimeve në mision, identitet, kompetenca dhe vazhdimësi institucionale.

Mbrojtja e identitetit institucional: nga dhuna politike te presioni administrativ

Historia e Institutit Albanologjik nuk mund të kuptohet pa periudhën e regjimit të Millosheviqit, kur institucionet shqiptare në Kosovë u përballën me përjashtim, dhunë dhe presion sistematik politik. Së bashku me Radio Televizionin e Prishtinës, Instituti Albanologjik zë një vend të veçantë në historinë e qëndresës institucionale shqiptare. Punonjësit e tij refuzuan të braktisnin vendet e punës përballë kërcënimeve dhe presioneve të regjimit, duke mbrojtur jo vetëm ekzistencën e institucionit, por edhe të drejtën për punë, dinjitetin profesional dhe vazhdimësinë e veprimtarisë shkencore shqiptare. Kjo përballje u shoqërua edhe me dhunë fizike dhe lëndime të rënda të punonjësve shkencorë të Institutit. Kjo histori përbën një kapital të veçantë moral dhe institucional, që nuk mund të reduktohet në një shënim administrativ. Instituti nuk e ka ruajtur ekzistencën vetëm përmes dispozitave ligjore dhe financimit publik, por edhe përmes qëndresës së njerëzve që refuzuan t’i nënshtroheshin një pushteti që synonte ndërprerjen e vazhdimësisë së institucioneve shqiptare.

Pas vendosjes së administrimit ndërkombëtar në Kosovë, nën administrimin e UNMIK-ut, Instituti Albanologjik kaloi nën përgjegjësinë e strukturave të administratës arsimore, përkatësisht të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ky ndryshim shënoi largimin nga raporti juridik-historik me Kuvendin e Kosovës dhe vendosjen e institucionit në një marrëdhënie vartësie ministrore. Përtej këtij ndryshimi administrativ, gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe ide për transformimin e Institutit nga një institucion me mision të përcaktuar kombëtar albanologjik në një institucion multietnik. Punonjësit e tij e kundërshtuan këtë qasje, duke vlerësuar se ndryshimi i imponuar do të cenonte misionin dhe identitetin historik të Institutit Albanologjik.

Këto dy periudha historike, megjithëse të ndryshme në natyrën dhe format e presionit, dëshmojnë për një vijimësi të së njëjtës përpjekje: mbrojtjen e autonomisë, identitetit dhe vazhdimësisë institucionale të Institutit Albanologjik. Në vitet nëntëdhjetë, kjo qëndresë u shfaq përballë dhunës fizike, përjashtimit dhe represionit politik; gjatë administrimit ndërkombëtar, ajo u shfaq përballë ndërhyrjeve administrative dhe përpjekjeve për riformësimin e identitetit institucional. Prandaj, është paradoksale që një institucion që i mbijetoi përpjekjeve për shkatërrim politik të përballet sot me rrezikun e humbjes së identitetit përmes centralizimit administrativ. Një institucion mund të shkatërrohet përmes dhunës, por mund të çinstitucionalizohet edhe përmes burokratizimit, centralizimit dhe absorbimit administrativ.

Kundër monopolit të jashtëm dhe monopolit të brendshëm

Domosdoshmëria e mbrojtjes së autonomisë së Institutit Albanologjik nuk duhet kuptuar si mbrojtje jokritike e strukturave ekzistuese të tij. Autonomia nuk është privilegj i drejtuesve, as pronë e një grupi punonjësish dhe as licencë për mbyllje institucionale. Edhe brenda Institutit janë instaluar forma monopoliste të vendimmarrjes, përqendrim i kompetencave, hierarki të ngurta. Pikërisht për këtë arsye, kritika ndaj projektit qeveritar të centralizimit është pjesë integrale e kritikës ndaj çdo forme të centralizimit të brendshëm.

Në një mbledhje të Këshillit Shkencor, të organizuar nga ministri i MASHT-it, Hajrullah Çeku, kam kundërshtuar logjikën centralizuese të organizimit të brendshëm dhe kam vënë në pikëpyetje përdorimin e shumicës së votave si kriter përcaktues për zgjedhjen e drejtorit të Institutit. Kam argumentuar se shumica numerike nuk mund të jetë kriter i legjitimitetit për drejtimin e një institucioni kërkimor-shkencor. Kriter i parësor duhet të jetë kriteri i meritokracisë, i integritetit shkencor, përvoja kërkimore, kompetenca profesionale dhe aftësitë udhëheqëse. Demokracia institucionale nuk mund të reduktohet në aritmetikë votash. As shumica numerike nuk është domosdoshmërisht shumicë e meritës, as pozita drejtuese nuk duhet të shndërrohet në rezultat të pazareve dhe koalicioneve të brendshme. Instituti shkencor duhet të jetë hapësirë e konkurrencës së ideve, jo territor i administrimit të privilegjeve. Prandaj, qëndrimi im është i dyfishtë: 1) kundër centralizimit të jashtëm, që synon ta vendosë institucionin nën kontrollin e ministrive, qeverisë apo strukturave të tjera burokratike; dhe 2) kundër centralizimit të brendshëm, që krijon monopole drejtuese duke zëvendësuar meritën me shumicën numerike dhe besnikërinë ndaj grupeve dominuese.

Monopoli i brendshëm nuk mund të korrigjohet duke u zëvendësuar me monopolin e jashtëm të shtetit.

Monopoli burokratik si armik i zhvillimit shkencor

Monopoli nuk përcaktohet vetëm nga madhësia e institucionit që ushtron pushtet, por nga shkalla e përqendrimit të vendimmarrjes dhe mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit e kundërshtimit. Ai mund të ekzistojë brenda një instituti të vogël, por edhe në një ministri, universitet apo strukturë të centralizuar shtetërore. Në të dyja rastet, rezultati është i ngjashëm: hierarkia administrative mbizotëron mbi kompetencën, bindja mbi kritikën, interesi i strukturës mbi interesin publik dhe procedura burokratike mbi krijimtarinë shkencore.

Burokracia bëhet veçanërisht problematike kur merr përsipër të përcaktojë mënyrën e administrimit të një institucioni pa konsultuar punonjësit e tij. Ky përbën hapin e parë drejt një procesi në të cilin studiuesi, gradualisht, detyrohet t’u përshtatet pritshmërive të strukturës drejtuese; avancimi profesional fillon të varet nga afërsia me pushtetin, ndërsa vendimmarrja përqendrohet në duart e mekanizmave monopolistë. Në këtë pikë, institucioni nis ta humbasë funksionin e tij thelbësor shkencor.

Një reformë serioze duhet të bëjë pikërisht të kundërtën e centralizimit: të shpërndajë përgjegjësitë, të hapë institucionin ndaj konkurrencës profesionale, të garantojë transparencën dhe të mbrojë meritën nga arbitrariteti. Nuk na duhet një burokraci më e madhe për të kontrolluar një burokraci më të vogël. Na duhet më pak pushtet arbitrar, më shumë autonomi profesionale dhe më shumë përgjegjësi publike.

Integrimi në Universitetin e Prishtinës: absorbimi i identitetit të Institutit Albanologjik

Propozimi për vendosjen e Institutit Albanologjik nën ombrellën administrative të Universitetit të Prishtinës përbën një nga rreziqet më serioze për autonominë institucionale dhe, veçanërisht, për ruajtjen e identitetit të tij. Universiteti dhe Instituti kanë misione, funksione dhe përgjegjësi të ndryshme. Universiteti ka për mision organizimin e arsimit të lartë, përgatitjen e kuadrove dhe zhvillimin e veprimtarisë akademike. Ndërkaq, Instituti është institucion i specializuar kërkimor-shkencor, i formësuar nga një histori e veçantë institucionale, me arkiva, biblioteka, fonde dokumentare, botime dhe traditë të konsoliduar profesionale. Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm. Megjithatë, bashkëpunimi nuk nënkupton vartësi administrative, as kërkon shkrirjen e një institucioni në strukturën e tjetrit. Integrimi nuk është sinonim i bashkëpunimit, sikurse bashkimi organizativ nuk përbën domosdoshmërisht racionalizim institucional. Përkundrazi, ekziston rreziku real që, nën petkun e koordinimit apo të “efikasitetit administrativ”, të krijohet një strukturë më e madhe, më e ngurtë dhe më monopoliste, brenda së cilës Instituti Albanologjik do të humbiste gradualisht autonominë, kompetencat dhe veçantinë e tij institucionale.

Programi qeveritar për racionalizimin e agjencive pranon se institutet kërkimore-shkencore nuk përputhen plotësisht me tipologjitë e agjencive rregullatore, ekzekutive dhe të administratës së shërbimeve publike të përcaktuara në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura (Shih. Programi për racionalizimin e agjencive, fq. 38). Ky konstatim duhej të shërbente si bazë për krijimin e një modeli të posaçëm juridik e institucional për shkencën. Në vend të kësaj, Instituti Albanologjik dhe ai i Historisë futen në një proces të përgjithshëm racionalizimi, në të cilin trajtohen si struktura të zakonshme administrative. Këtu shkenca vlerësohet përmes logjikës së administratës.

Nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Instituti Albanologjik rrezikon të shndërrohet në njësi periferike universitare, duke humbur aftësinë për të përcaktuar në mënyrë të pavarur prioritetet kërkimore, politikat e botimit, organizimin shkencor dhe administrimin e trashëgimisë së vet. Fakti që Instituti është themeluar përpara Universitetit e përforcon domosdoshmërinë e respektimit të identitetit të tij historik. Nëse racionalizimi përdoret për të centralizuar buxhetin, personelin, prokurimin, planifikimin dhe vendimmarrjen në struktura të largëta nga institucionet shkencore, atëherë ai nuk është thjesht reformë administrative. Ai shndërrohet në mekanizëm kontrolli mbi vetë kushtet e prodhimit të dijes.

Prandaj, qëndrimi im është kundër integrimit administrativ të Institutit në Universitetin e Prishtinës. Bashkëpunimi duhet të ndërtohet përmes marrëveshjeve institucionale, projekteve të përbashkëta, programeve kërkimore dhe shkëmbimit akademik, jo përmes vartësisë dhe humbjes së personalitetit juridik. Shteti duhet ta financojë shkencën, jo ta monopolizojë atë; duhet ta mbikëqyrë ligjshmërinë, jo ta kontrollojë mendimin.

Kundër reduktimit të politikës në administrim

Alain Badiou, në veprën Metapolitics, zhvillon një konceptim të politikës që e kundërshton reduktimin e saj në administrimin e rendit ekzistues dhe në menaxhimin e strukturave të institucionalizuara të pushtetit. Për Badiou-në, politika nuk është thjesht një mekanizëm i qeverisjes, një teknikë e administrimit të shoqërisë apo një sistem procedurash për menaxhimin e interesave të institucionalizuara. Ajo është, para së gjithash, një formë e mendimit dhe e veprimit kolektiv që krijon mundësinë e shfaqjes së të resë dhe të vënies në pikëpyetje të rendit ekzistues. Badiou bën një dallim domethënës ndërmjet politikës dhe administrimit. Sipas tij, administrimi funksionon brenda logjikës së shtetit dhe merret me pjesët përbërëse të një rendi të caktuar, ndërsa politika e mirëfilltë mbështetet në aftësinë e njerëzve për të menduar, për të vepruar kolektivisht dhe për të prodhuar mundësi të reja politike. (Alain Badiou, Metapolitics, “Verso”, London & New York, 2005.fq. 73-74). Politika nuk mund të reduktohet në menaxhimin teknik të institucioneve dhe në mirëmbajtjen e strukturave ekzistuese të pushtetit. E njëjta vlen edhe për shkencën. Një institucion shkencor nuk ekziston për të prodhuar vetëm rezultate që përputhen me pritshmëritë e administratës. Kur administrimi bëhet parim absolut, mendimi kritik shndërrohet në pengesë, ndërsa institucionet fillojnë të maten me aftësinë e tyre për t’iu përshtatur hierarkisë.

Në vend që të shtrojë pyetjen se si mund të forcohen kapacitetet kërkimore dhe autonomia institucionale, “Programi…” i jep përparësi riorganizimit të strukturave administrative dhe forcimit të mekanizmave të kontrollit e koordinimit. Max Weberi, në analizën e tij mbi burokracinë dhe racionalizimin modern, ka dëshmuar se burokracia, ndonëse e aftë të prodhojë rend, parashikueshmëri dhe efikasitet, mund të shndërrohet njëkohësisht në mekanizëm dominimi, përmes të cilit individët dhe institucionet i nënshtrohen gjithnjë e më shumë logjikës së rregullave, hierarkisë dhe procedurave (Max Weber, Economy and Society: An Outline of Interpretive Sociology, University of California Press, 1978, fq. 987–993). Ky paralajmërim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e institucioneve shkencore të Kosovës. Kur procedura merr përparësi ndaj përmbajtjes, raportimi administrativ ndaj cilësisë së kërkimit shkencor dhe varësia hierarkike ndaj gjykimit profesional, atëherë jemi përballë një procesi të mirëfilltë të burokratizimit të dijes. Në rrethana të tilla, institucioni mund të bëhet më i strukturuar dhe më i kontrolluar nga pikëpamja administrative, por njëkohësisht më pak autonom në veprimtarinë e tij shkencore dhe gjithnjë e më pak i aftë për të përmbushur misionin e vet themelor: prodhimin e dijes shkencore.

Kërkesat për një model autonom, demokratik dhe jomonopolist

Në vend të absorbimit administrativ, Instituti Albanologjik ka nevojë për një model të veçantë juridik dhe organizativ, që ndërthur autonominë me llogaridhënien dhe meritokracinë. Kjo kërkon: 1) ligj të veçantë për Institutin Albanologjik, që njeh personalitetin juridik, historinë, misionin dhe autonominë e tij; 2) rikthimin e raportit institucional me Kuvendin e Kosovës, në përputhje me historinë e themelimit, përmes mekanizmave demokratikë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies; 3) përjashtimin kategorik të idesë për varësi administrative universitare, duke e zhvilluar bashkëpunimin me Universitetin përmes marrëveshjeve dhe projekteve; 4) demokratizim të brendshëm dhe çmontim të monopoleve drejtuese, përmes shpërndarjes së kompetencave, transparencës dhe kontrollit institucional; 5) meritokraci reale në zgjedhjen e drejtuesve, duke mos e reduktuar legjitimitetin në shumicën numerike, por duke e lidhur atë me integritetin, përvojën dhe kompetencën shkencore; dhe 6) përfshirje reale të komunitetit shkencor në vendimmarrje, duke përjashtuar konsultimet formale që vetëm legjitimojnë vendime të marra paraprakisht.

Përfundim

Çështja e Institutit Albanologjik është shumë më e rëndësishme sesa një debat për riorganizimin e agjencive qeveritare. Ajo është provë e mënyrës se si Republika e Kosovës e kupton raportin ndërmjet shtetit, dijes, autonomisë dhe pushtetit. Instituti ka mbijetuar përballë dhunës politike, përjashtimit dhe përpjekjeve për cenimin e identitetit të tij. Mbrojtja e Institutit Albanologjik nuk mund të jetë mbrojtje e status quo-së. Nuk duhet të mbrojmë monopolin e brendshëm në emër të autonomisë, sikurse nuk duhet të pranojmë monopolin e jashtëm në emër të efikasitetit. Instituti duhet të çlirohet nga të dyja format e përqendrimit të pushtetit: nga kontrolli burokratik i shtetit dhe nga mbyllja monopoliste e strukturave të veta drejtuese.

Kemi nevojë për një Institut Albanologjik autonom, por jo të mbyllur; demokratik, por jo të reduktuar në aritmetikë votash; të pavarur, por plotësisht të përgjegjshëm për përdorimin e parasë publike; të hapur ndaj bashkëpunimit, por i palëkundur në identitetin dhe misionin e vet shkencor. Kërkesa për rikthimin e raportit institucional me Kuvendin e Kosovës dhe miratimin e një ligji të veçantë nuk është nostalgji administrative. Është kërkesë për një model të ri institucional, në të cilin autonomia mbrohet nga arbitrariteti, meritokracia nga monopoli dhe shkenca nga instrumentalizimi politik.

Një shtet demokratik nuk dëshmon forcën e tij duke i centralizuar të gjitha institucionet, por duke ditur se ku duhet të ndalet pushteti i tij.Nuk na duhet një shtet që i administron të gjitha format e dijes, por një shtet që garanton kushtet për zhvillimin e tyre të lirë. Nuk na duhet një burokraci që vendos mbi shkencën, por institucione shkencore që kanë guximin ta kritikojnë edhe vetë burokracinë.

Instituti Albanologjik duhet të jetë institucion i prodhimit të dijes, jo objekt i administrimit të saj; hapësirë e mendimit kritik, jo instrument i monopolit institucional.

(c) 2026 Arben Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading