Sa të rrosh, do të rrosh.
“Damnatio ad bestias”, (hidhjani bishave) – është një frazë ligjvënëse, sipas praktikave dënuese që përdoreshin nga romakët, me raste të dokumentuara që në vitin 167, p.K, për kriminelët, armiqtë, dezertorët dhe kriminelët. Kjo masë brutale e dënimit me vdekje, vinte shpesh në formën e argëtimit për spektatorët që merrnin pjesë në lojërat gjakatare të arenave, në kolosetë anembanë Mesdheut, Afrikës Veriore dhe Lindjes së mesme. Të jesh në gojën e bishave, si luanë dhe arinj, ujqër e hiena, e bënte vdekjen të tmerrshme, aq sa të lavdishme. Shën Ignatius, që mban titullin e martirit, i sakrifikuar në Koloseun e Romës ku fjalët e tij u përballën me perandor e bisha dhe jehuan deri në kishat urbane të New York-ut, la pas një ide për martirizimin, për kundërshtimin ndaj autoriteteve dhe vdekjen për idealet në të cilat beson, si një model që u ndoq edhe nga të tjerë.
“Unë jam gruri i zotit, le të bëhem bukë për dhëmbët e bishave”.
Kjo shprehje zuri vend, por edhe vendosi një kriter morali.
Romakët shpesh i mbronin interesat e elitës, sidomos asaj politike, por rastet e korrupsionit nga anëtarë politikë të senatit apo ambasadorë, që u përndoqën prej pushtetit dhe ligjeve, dhanë një shembull gjithashtu për drejtësinë që nuk njeh flamuj por mund të përdoret edhe kundër kundërshtarëve politik. Disa nga dënimet ishin ekzili (syrgjyni), kthimi i pasurisë, gjobëvënia, zhveshja nga autoriteti dhe të drejtat, si dhe prerja e kokës, në raste korrupsioni me pasojë tradhtinë ndaj perandorisë.
Në sloganet “Lufta është paqe, liria është skllavëri, injoranca është forcë”, në romanin distopik 1984, të George Orwell-it, shpalosen fraza paradoksale, që mbartin qëllimin e Partisë Shtet, përmes injeksionit të mendimit të dyfishtë te qytetarët, duke i detyruar këta të pranojnë kontradiktat, për të parandaluar mendimin kritik dhe rritjen personale. Kjo metodë e manipulimit psikologjik, mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe presionit, ka si qëllim përfundimtar mbajtjen e pushtetit, duke fabrikuar realitetin që kontrollohet tërësisht nga strukturat shtetërore. Romani ka në thelb shtypjen e kreativitetit njerëzor, si një tipar subversiv, thelbësor për kontrollin absolut të shtetit. Partia synon të eliminojë individualitetin dhe mendimin e pavarur, duke zëvendësuar revoltën me konformizmin. Sidomos me iniciativa të tipit: Dhoma 101, metodë me të cilën thyerja psikologjike personalizohet, e kthen individin kundër vetes dhe standardizon distopinë politike, duke ushqyer një makth ekzistencial.
Teoria e pesë faktorëve të mëdhenj, e quajtur në anglisht: OCEAN, është një praktikë psikologjike e pranuar gjerësisht që përshkruan personalitetin njerëzor përmes pesë tipareve të përgjithshme: hapja, ndërgjegjja, ekstraversioni, pëlqyeshmëria dhe neuroticizmi. Teoria OCEAN, e sugjeruar fillimisht nga Paul Costa jr. dhe Robert Roger Mc’Care, më tej e zhvilluar nga Lewis Goldberg, pohon se të gjithë njerëzit i zotërojnë këto tipare në shkallë të ndryshme, duke formuar dimensione të qëndrueshme të personalitetit që parashikojnë sjelljen, dhe këto tipare përdoren në kërkime shkencore, në burime njerëzore për punësimin, ndërtimin e prototipit dhe zbërthimin e individëve, si manipulim dhe shfrytëzim nga ana e korporatave private ose politikave shtetërore. Ky kallëp mund të përdoret në çdo fushë të aktivitetit njerëzor, sidomos në sferën publike. Përmes kësaj skeme, individi bëhet i përllogaritshëm, i parashikueshëm, i manipulueshëm dhe i radikalizueshëm në zgjedhjet e tij. Mbi këto parime ecën edhe algoritmi në fushën e aktivitetit artificial, jo si formulë matematikore, por si model grumbullimi për informacionet personale, në krijimin e një profili të detajuar dhe të cenueshëm.
Ora e Kiametit (Doomsday Clock) është një entitet imagjinar, ndërtuar nga Buletini i Shkencëtarëve Atomikë, themeluar në vitin 1945, ku bënin pjesë Albert Einstein dhe Robert Oppenheimer, si pjesë e projektit Manhattan. Kjo orë simbolike që përfaqëson rrezikun bërthamor, ndryshimet klimaterike dhe teknologjitë shkatërruese qëndron 85 sekonda para mesnatës, e cila simbolizon fundin e qytetërimeve, dhe ky moment është më i afërti me vetëshkatërrimin e njerëzimit, në historinë e orës 79-vjeçare. Nga viti 2020, që shënonte disa minuta larg mesnatës, kaluam në vitin 2026 me disa sekonda që na ndajnë nga Lufta e Tretë Botërore, me kërcënimin kryesor që vjen nga armët bërthamore dhe superfuqitë e paekuilibruara, duke pasqyruar një dështim të lidershipit botëror.
Në këtë parashikim, ose përllogaritje të degradimit global, janë të dallueshme shenjat e regresit shoqëror, mjedisor, politik, marrëveshjet e parespektuara ekonomike në përmirësimin e klimës dhe emetimeve të gazrave serë, si dhe rreziqet nga biologjia sintetike, apo lufta me armë inteligjente, dhe realiteti i trishtë i një sistemi të dërrmuar të shëndetësisë botërore, sidomos pas pandemisë. Gjithashtu, një shqetësim konkret mbetet edhe integrimi i parregulluar në jetën publike i inteligjencës artificiale, dhe mungesa e kontrollit mbi vendimet autonome që ajo ekzekuton, mungesa e legjislacionit që kufizon përfshirjen e saj në vendimmarrje të rëndësishme edukative, politike dhe ekonomike të njerëzimit. Nëse do t’i shtonim këtij momenti historik zhvillimet e fundit, gjendjen e tensionit botëror, ndarjen e poleve kontinentale në politikën e vjetruar anti/pro ruse, bëhet e qartë se vetasgjësimi mund të jetë një realitet i afërt. Gjithçka ngjan si skenari i një teorie konspiracioni, dhe me sa duket, veprimet botërore po ngjasojnë me filmat Hollywoodianë.
Shkon gjuha ku dhemb dhëmbi!
Nga apokalipsi që vjen si paralajmërim përtej historisë, lindjes së besimit, shoqërive sekrete, krizës mjedisore, kërcënimit bërthamor dhe luftës kundër inteligjencës artificiale, kthehemi në strofullin tonë të mediokritetit që nuk njeh as fill e as fund. Për sa i përket qytetërimit lokal, shqiptari mesatar është i aftë të flasë për sistemin financiar postkolonial të Kamboxhias, arsyet e sulmeve në Iran dhe pasurimin e uraniumit, por nuk artikulon dot mungesën e demokracisë në vendin e tij.
Nëse lidershipi ka dështuar botërisht, pjesë e kësaj bote jemi edhe ne. Për fat të keq, përmes mjeteve të reja të indoktrinimit dhe trushpëlarjes, aq larg u vendos individi i ri në periferi të qeverisjes, sa që inteligjenca artificiale u shpall ministre shteti, duke e kthyer ëndrrën e Platonit në një psikikë sovjetike me burokraci europiane, si pretendim për të shpëtuar nga përgjegjësia politikanin dhe artistin njëkohësisht. Anija platoniane është mbytur me kohë dhe është e pamundur të ketë reaksion kreativ në një vend ku Ministria e Dashurisë bën çmos që të kontrollojë mendimet dhe të dënojë reagimet e popullatës, si pjesë e krimit mendor, duke përmbysur individualitetin deri në pikën e moskthimit. Nga lëngata e ndarjes së çmimeve për letërsinë, e deri te përmbytjet e paracaktuara nga korrupsioni, qytetari/ spektatori/ besimtari, kthehen në kavie që kanë destinacion vdekjen e mendimit dhe formulën e pamundur: 2+2=5 (referenca nga romani 1984).
Qoka e fundit e Kryeministrit shkrimtar, paketuar në formë manuali dashamirës ndaj iftarit dhe shoqëruesve të kabinetit, eskortave të pushtetit, pa përjashtuar interesat ndërkombëtare, bashkëjetesën fetare dhe konvergjencat historike të momentit, si dhe një puthje dore nga larg për vëllezërit e tij, “Në sofrën e Hënës” i vuri vulën jetës intelektuale të gjysmë shekullit të fundit në Shqipëri. Nga tradita e thellë kanunore, e deri tek irredentizmi ultranacionalist, shqiptari orvatet të kuptojë diçka nga kjo katrahurë, pa patur asnjë intuitë kreative dhe asnjë informacion të brendësuar, fatkeqësisht i mbyllur në enklavën politike që fabrikon realitetin. Me shpresë dhe besim në zot, se sunduesi do të na falë dhe s’do të na presë kryet, do na mbajë në zinxhirë, por do na japë të hamë, pavarësia e individit kthehet në një aplikim formal për ekzistencë, e ngjashme me gaforren.
Aq sa qesharake, kjo shaka e keqe është tregues i pastërtisë së shpirtit shqiptar, ashtu siç universi e ka krijuar njeriun, të egër deri në budallallëk. Kësisoj, shqiptarët u mbijetojnë apokalipseve gjeografike, historike, politike dhe teknologjike. Ky hedonizëm e bën rrugëtimin të lehtë dhe të thjeshtë për këdo, pa patur nevojë të sakrifikohet për vizionin e tij, dhe e ngadalëson zhvillimin shoqëror pa marrë pjesë në të, si një varkë pa rrema, që nuk lufton kundër rrymave dhe erërave.
Vetë bota në të cilën jetojmë, mban gjurmën e krijimit, si akt fillestar. Pa këtë akt, ekzistenca do të ishte e pamundur. Kësisoj, çështja e shqiptarit është një çështje aq sa lokale edhe universale. Sidomos mbijetesa, si faktori më sublim i shqiptarit, e thekson arritjen shekullore kundër pushtuesve që kanë epshin e shfarosjes së sojit tonë, qofshin ata komunistë, islamikë, socialistë, demokristianë, zionistë apo sorosianë, duke e vendosur veten si të barabartë mes të pabarabartëve. Edhe pse historia dhe fqinjët nuk na kanë dashur, sërish nuk jemi kthyer në bisha për t’i ngrënë dhe as në perandorë për t’ua hedhur bishave, duke shfaqur aq sa një anomali të pashëndetshme, aq edhe një apati të shëndetshme, gati në sklerozë të trashëguar beninje, që pjell aleanca të pavullnetshme.
Shqiptari është një çështje që tashmë i përket metafizikës dhe ndërhyrjes hyjnore. Ky qytetërim nuk e arrin dot Zeitgeist-in e tij politik, as me Biblën e as me Kur-an-in, Masonët apo Fasonët, sepse ende vepron sikur bota fillon me të, duke marrë formën e gjithçkaje që e mban gjallë, dhe duke e nisur gjithnjë nga pika më e ulët e historisë, pa mësuar asgjë prej saj. Edhe pse me disa kulminacione individuale, në këtë epokë epike, që po ndryshon marrëdhëniet botërore, shqiptari vazhdon rrugëtimin e tij vetanak, deri sa mos të ketë ngelur më askush dhe asgjë. Ky njeri i pakohë, formuar nga një evolucion që nuk ndodhi kurrë, si një qenie periferike, rrugëton me çdo progres, pranon çdo risi, dhe gjallon si servil i protagonizmit të të tjerëve, fenomenologjikisht subjektiv, duke shkuar drejt fundit të qytetërimeve, si një idiot i pavdekshëm.
(c) 2026 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me AI.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.