Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

GEFINN ÓÐNI: FILOZOFIA E ÇAJIT TË LULEVE

nga Albnor Sejdiu

T’i japësh gjërave të përditshme nderin e tyre është t’i japësh vetes të menduarit me mirëbesim për to. Për të përvetësuar një mendësi të këtillë, – që grekët e lashtë do ta quanin φρόνησῐς [shq. fronesis], – duhet që në pikëpamjen tonë mbi botën, të kemi paragjykimin se tashmë gjithçka që ekziston është e gjallë. Një hap më tej prej kësaj, dhe nga “mendësia” në njëfarë tërë-mendësie, – atë që grekët e lashtë do ta quanin σωφροσύνη [shq. sofrosinë], – dhe kalojmë në një paragjykim akoma më të thellë: se gjithçka që jeton është e shenjtë. Këto gjendje të mendjes nuk janë të panjohura për ne. Ato i gjejmë te besimi Shinto japonez, ku të gjitha gjërat janë të populluara nga kamit (qenie shpirtërore); te besimi inuit se të gjithë gjërat kanë anirniqë (shpirtra); (unë do të argumentoja) te Zana e poemës së Lukë Bogdanit, te poetika e lejlekëve dhe dallëndysheve të Mjedës, dhe te vargjet e William Blake-ut vetë – ku “çdo gjë që jeton është e shenjtë.”1

Në librat tonë të mendimit, ne e njohim këtë tërë-mendësi për t’i dhënë të gjithë gjërave nderin e tyre si “animizëm.” Nëse, patjetër, me nder nënkuptojmë atë që gjithmonë është kuptuar me të, veshjen e gjërave me jetë dhe shenjtëri më vete. Gjersa nga Platoni, nëpërmes letrave të Herr Hegelit vetë, filozofia e njeh këtë gjë më shumë si “anima mundi,” apo ψυχὴ κόσμου [shq. psikë kosmou], që i bie po të përkthehet në shqip afërsisht si “fryma apo mendja e botës.” Dhe sa më pak të thuhet për këtë të fundit, aq më mirë i kemi punët që ta bëjmë gjumin natën pa menduar shumë. Megjithatë, atë çfarë mund të përfundojmë pa humbur gjumë, është se çaji i luleve është një gjë krejt e përditshme. Të bësh filozofi për të, pra të mendosh për çajin e luleve, është ta ngresh dhe ta veçosh në një fushë më të lartë kuptimi bërjen e tij. Kështu duke përfunduar në dhënien e nderit dhe fillimin e të menduarit në mirëbesim për të.

Me fjalë të tjera, tanimë ti nuk i shkel lulet që mund të bëhen çaj; ti e pret me urtësi stinën e tyre; ti i pret me krenari që ato të thahen; dhe ti i pret me gëzim që ato të lëshojnë veten në një mbajtëse uji të nxehtë. Të qenët e luleve të çajit nuk është më aty e humbur në pafundësinë e gjërave që i shpërfillim, ato fillojnë dhe të flasin llojllojshmërinë e tyre ty. Ti, në anën tjetër, e ndjen dhe e përkon jetën tënde me jetën e tyre. Sepse ti nuk harron të lësh të paktën disa fije prej tyre që të dalin sërish vitin e ardhshëm, të krenohesh me shëndetin e tyre edhe në stuhi dhe vapë, dhe t’i ujitësh ato që tashmë kanë dal. Duke e bërë këtë çdo ditë më shumë nga mirënjohja për to, se sa nga “dobia” që ato sjellin (edhe nëse e ke filluar këtë “rutinë” me mendjen te dobia). Nëse vetëm një herë fillon me mirëbesim të dashurosh një gjë, “dobinë” e saj nuk është se e merr më parasysh. Apo ashtu siç shkon e thëna e vjetër – “një bujk i mirë, nuk kujdeset për bagëtinë vetëm sepse mbijeton prej tyre.” Dhe ashtu si çdo person i dashuruar mund ta dëshmojë me gjendjen e mendjes të vetë vetes së vet.

Ndërlidhje të këtilla me gjërat natyrore, Arne Næss, filozofi norvegjez, do t’i quante si bërje më tej e “kualiteteve të treta” – kjo është, e mënyrës se si gjërat na bëjnë të ndihemi, – brenda një njeriu (eko-vetes) në përkim me atë që e quan Ekologji e Thellë.2 Kurse Sir Roger Scruton-i, filozofi britanik, do të thoshte se kjo lloj dashurie i takon ndjenjës së “magjepsjes” që e kemi për shtëpitë tona. Se ne fillojmë dhe i shohim gjërat sikur kanë jetë më vete, dhe i përgjigjemi atyre siç i përgjigjemi njëri tjetrit. Ato pastaj janë po aq “objekte” për ne sa është shtëpia jonë në krahasim me shtëpinë e fqinjit, edhe pse të dyja janë thjesht “objekte.”3

Të ndash kësi lloj nderi për çajin e luleve, është e pritshme nëpër vendet rustike. Në anën e të menduarit, ne më shumë i detyrohemi Daos dhe Shintos të lindjes së largët. Në filozofinë perëndimore, kemi pritur deri te Nietzsche, – i njohur edhe për futjen e fiziologjisë si diçka tejet të rëndësishme në filozofi, – për të thënë diçka mbi çajin në lidhje me të menduarit.

Çaji është i dobishëm vetëm në mëngjes,” shkruan Nietzsche, “pak, por të rëndë; çaji është shumë i dëmshëm dhe të bën të ndihesh keq gjithë ditën nëse është paska shumë i lehtë. Secili ka masën e vet këtu, shpesh midis kufijve më të ngushtë dhe më delikatë. Në një klimë shumë agaçant-e [irrituese] nuk këshillohet të fillosh me çaj (. . .).”4

Okakura Kakuzō, studiuesi japonez, në librin e tij “Libri i Çajit” na sjell akoma më afër me një filozofi për këtë gjë. Studiuesi Kakuzō, duke kujtuar fillimet kineze të çajit dhe bërjen e tij pothuajse në një religjion në Japoni, – me ato dhomat-rituale veçanërisht për pirjen e çajit të quajtura “chadō,” – na kujton se si kjo bërje është:

“(. . .) thelbësisht një adhurim i të Papërsosurës, pasi është një përpjekje e butë për të arritur diçka të mundshme në këtë gjë të pamundur që e njohim si jetë.”5

Duke shtuar më tej se “Filozofia e Çajit nuk është thjesht estetizëm në kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale, pasi ajo shpreh, së bashku me etikën dhe religjionin, të gjithë pikëpamjen tonë rreth njeriut dhe natyrës.”6 Dhe diku tjetër, duke shkruar për ceremoninë brenda dhomave të çajit dhe duke e bashkuar gjuhësisht për atë që janë Chadō [shq. shtegu i çajit] dhe Dao [shq. shtegu] –  Kakuzō përfundon duke shkruar se: “Çajizmi (Chadō) ishte Daoizmi i fshehur.”7 Në motet bashkëkohore, shkrimtari Tony Gebely, ka shkruar dy libra tej mase të mrekullueshëm për çajin – “Tea: A User’s Guide” dhe “The Philosophy of Tea.” Të dy librat na tregojnë shumë kënaqshëm urtësinë dhe përdorimin e çajit.

Por më lejoni të kthehem tani pak më shumë në fjalinë: “Të ndash kësi lloj nderi për çajin e luleve, është e pritshme nëpër vendet rustike.”

Një kopsht i Pranive Hyjnore

Është pothuajse e pamundur të mos kemi mërzi nëse na mungon një kopsht shtëpie, sidomos nëse e kemi pasur një më herët. Scruton-i, me Oikophilia-n (shq. nga gr. dashurinë e shtëpisë) e tij, na tregon se si nën ndikimin e Miltonit, Shaftesburit e të tjerëve – “kopshtarët e pamjes e poetët e natyrës të shekullit të tetëmbëdhjetë nisën të krijonin pamjen e Anglisë si Edenin.”8 Ka diçka njëmend hyjnore nëse ne i kushtojmë vëmendje kopshtit tonë. Këtë duket se e kanë arritur britanikët jo vetëm në shekullin e tetëmbëdhjetë, por kurdoherë që shohim kështjellat e mbuluara me kopshte të gjelbër në ato Brigje të Albionit – për të mos thënë asgjë se si tregimet angleze me të cilat jemi rritur (këtu më vjen në mendje Winnie the Pooh, Alice Adventures in Wonderland, The Secret Garden, The Borrowers etj.) na japim ndjesinë sikur jemi në shtëpi me ndjenjën që na ushqejnë përmes pamjeve të tyre kopshtare.

Bërja e çajit të luleve, ashtu siç na kanë treguar gjyshet dhe gjyshërit tanë, fillon nga kopshti. Nuk mund të kalosh pesë hapa, nëse nuk e ke dhunuar dheun me bar artificial kjo është, për të gjetur gjurmë të luleve të çajit. Pa i mbjellë fare, në kopshtin tonë mund t’i hasim pa vështirësi lulet e kamomilit [ang. German Chamomile, lat. Matricaria chamomilla]; makthit [ang. Yellow sweet clover, lat. Melilotus officinalis]; radhiqes [ang. Chicory, lat. Cichorium intybus]; barit të pezmit [ang. Yarrow, lat. Achillea millefolium] apo edhe ato të sherbelës krejcë [ang. Lilac Sage, lat. Salvia verticillata]. Dhe për bërjen e tyre në çaj, nuk ju duhet më shumë se durimi për t’i pritur të thahen, një kulluese, dhe ujë i nxehtë. Mandej një lexim mbi historinë e këtyre bimëve, apo vetëm një shikim në fjalorin e profesor Lloshit – “Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht latinisht-shqip” – mjafton për të ngjallur magjepsjen e mendjes sonë për gjërat të cilat na rrethojnë. Edhe pse, këshilla e Arne Næss-it akoma qëndron, se është në shkollat tona ku ne duhet të prezantohemi me këto bimë (dhe gjëra të ngjashme) qysh herët.9

S’është pastaj vetëm kopshti ku mund t’i gjejmë ato. Shumica prej nesh vendbanim i kemi banesat urbane pa ndonjë vend për bimët (faji plotësisht i “arkitekturës moderne”). Por një udhëtim në fshat apo në rrethinë na jep mundësinë që t’i hasim ato, qoftë nëse e bëjmë këtë udhëtim vetëm një herë në vit. E gjitha varet nga mendësia dhe tërë-mendësia që kemi ndaj gjërave për t’u dhënë atyre nderin e vet. Unë e kam zgjedhur ta emëroj këtë ese “gefinn Óðni” (shq. nga norv. dhënë Odinit), sepse ashtu si Odini, hyji i veriut të vjetër skandinav, që e jep “veten për veten [e tij]” në poemën Hávamál, duke u kacavarur në një lis për nëntë ditë dhe netë që të marrë runet (shkronjat e shkrimit të vjetër nordik). Ashtu edhe ne duhet të jemi disi të dehur dhe të dhënë ndaj diçkaje, që të japim veten ndaj luleve të çajit. E kam shkruar, njashtu, se duhet të kemi “paragjykime animiste” se të gjithë gjërat janë gjallë dhe kështu të shenjta, këtu nënkuptoj “paragjykime” ashtu siç Edmund Burke-u i nënkuptonte: si “ndjenja të pamësuara” që na duhen për të ruajtur gjëra.10 Dhe neve “paragjykime” të këtilla nuk është se na mungojnë. Ato mund t’i gjejmë te poeti Ndre Mjeda vetë, kur shkruan për shtegtimin e dallëndysheve dhe bilbilave, kujdesin e tij për çerdhet e tyre, dhe pastaj që:

Ndoshta kur t’ktheni,
“Mue vorri m’mba(n),
“E ju kërkoni
“Çerdhet që s’a [s’është]!”11

Për Mjedën, këta shpendë jo vetëm kishin jetë më vete, por jeta e tij dhe e tyre ishin bërë një. Njëjtë edhe me lulet që bëjnë çaj. Jo gjithkush mundet apo duhet të ketë frikën se do të vdesë dhe vitin e ardhshëm ato nuk do të kenë kopsht për t’u kthyer. Por vetëm ata që i japin njëmend nderin, dhe ia mirë-besojnë jetën e tyre jetës së këtyre luleve – vijnë afër për të përjetuar të bukurën e jetës që ato na japin heshtur në këmbim. Ashtu siç shkruan Kakuzō, “vetëm dikush që ka jetuar me të bukurën, mund të vdesë në mënyrë të bukur.”12 T’ia japësh veten tënde dikujt tjetër, qoftë edhe nëse ato janë lulet e kopshtit tënd, është një gjë e ndershme. Por të vdesësh duke u kujdesur për gjërat që i do – është një bukuri e rrallë që vetëm një gjë kaq e “Pamundur” si jeta e bën të mundur.

Nuk ka asgjë gabim të dashurosh dhe të kujdesesh për diçka me gjithë veten tënde: të jesh i akorduar me tingujt e romantikes në shekullin XXI. Nëse je lënduar më parë duke e bërë këtë, apo nuk e ke përjetuar akoma, ende më mirë: këto janë vetëm arsye më shumë për të dashuruar (sërish). Me guximin për të bërë një gjë, gjithmonë vjen frika e dështimit. Ne vetë, tekefundit, zgjedhim nëse jemi të denjë që të vdesim duke u kujdesur për gjërat që i duam apo jo. Kjo është, ne vetë zgjedhim nëse jeta jonë është ajo e dashurisë apo ajo e dështimit. Nëse filozofitë dhe religjionet tona s’na mësojnë të dashurojmë siç duhet, atëherë çështja është e thjeshtë – ato na kanë dështuara.

 

Përgatitja për tharje e makthit (lulet e verdha), radhiqes (lulet vjollce) dhe kamomilit

(c) 2025 Albnor Sejdiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney mbi bazën e një fotoje të autorit.


Shënime dhe Referenca.

1 – Blake, W. (1977). William Blake: The Complete Poems. Penguin Classics: London. F – 195.

2 – Shiko librin Naess, A. (2005). The Selected Works of Arne Naess: vol X – Deep Ecology of Wisdom. Springer: Dordrecht. Pjesët I dhe VIII.

3 – libri në vijim i filozofit e ka si temë e argument kryesor ndjenjën e magjepsjes – Scruton, R. (2000). England: an elegy. Chatto & Windus: London. Për më shumë shiko faqen 13.

4 – Nietzsche, F. (2007). Ecce Homo: How To Become What You Are. (Trans. Large, D). Oxford University Press: New York. F – 21.

5 – Kakuzō, O. (1906). The Book of Tea. G. P. Putnam’s sons: London dhe New York. F – 3-4.

6 – Po aty, f – 4.

7 – Po aty, f – 44.

8 – Scruton, R. (2012). How to Think Seriously About the Planet: The Case for an Environmental Conservatism. Oxford University Press: New York. F – 328.

9 – Naess, A. (2005). The Selected Works of Arne Naess: vol X – Deep Ecology of Wisdom. Springer: Dordrecht. F – 584.

10 – Burke, E. (1865). The Works of the Right Honourable Edmund Burke – (vol. III). Little, Brown, and Company: Boston. F – 346

11 – Mjeda, N. (2022). Ndre Mjeda: vepra 1-2 – vepra 1. Argeta-LMG: Tiranë. F – 114.

12 – Kakuzō, O. (1906). The Book of Tea. G. P. Putnam’s sons: London dhe New York. F – 156.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin