Jam në Potam, ulur në një verandë buzë detit. Është kohë dreke, vapë përvëluese dhe pushuesit familjarë me fëmijët e tyre janë strukur, si unë, poshtë tendës prej kashte të verandës së restorantit. Disa porosisin ushqimin, disa hanë, disa të tjerë presin. Ata që presin, të gjithë pa përjashtim, i kanë ngulur sytë tek ekranet e tyre telefonike.
Një çift, ndoshta në të njëzetat, vajza me flokë të derdhur mbi supet ende të lagura nga deti, veshur me një palë pantallona të shkurtra të punuara me grep prej ku ende duket që ndrin lëkura e saj e nxirë, ka mbështetur bërrylat mbi tavolinë duke mbajtur me dorën e majtë telefonin ndërkohë që me gishtin tregues të dorës së djathtë lëviz nga poshtë lart platformën Facebook. Djali përballë saj me një kapelë me stemën Polo në kokë, syze të errëta në sy, me një këmishë linoje bojëkrem, poshtë këmbëve, në anë të karriges së tij, çantën e partneres së vet, bën të njëjtën gjë. Veçse ekranin e tij nuk e shoh, nuk e di nëse është në Facebook apo shikon diçka tjetër.
Në tavolinën ngjitur tyre, mu në rrëzë të verandës, ku deti të duket, ndërsa e sheh, sikur je në vapor, është një familje me dy fëmijë fare të vegjël. Babai flet me dikë në telefon me zë disi të lartë – kuptoj që fton miq të vijnë dhe ata në Potam. U thotë që deti është valë i ngrohtë (për çudinë time). Mamaja kërkon diçka në telefonin e saj, ndërkaq njëri nga fëmijët e vegjël, një djalë ndoshta 1 vjeç e pak, qan i inatosur me sytë e ngulur në ekranin e telefonit të mamasë së tij. Diçka shfaqet aty dhe fëmija pushon. Dëgjohen, përmes tingujve të muzikës së verandës, tinguj filmash vizatimorë të cilat nuk i dalloj nëse janë shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër. Mamaja drejtohet te fëmija tjetër, një vogëlushe 3-4 vjeçare, të cilën mundohet ta ushqejë duke ia afruar lugën te goja. No, no, no, no, – bërtet vajza në anglisht dhe fytyra i rrudhet e fillon të lëvizë që të ngrihet fare nga karrigia e saj. Mos lëviz! – i kanoset e ëma në shqip dhe e mban të shtrënguar tek shpatullat në ndenjëse duke i kërkuar të shoqit telefonin e tij. Ai, sikur ky të kishte qenë rituali më normal në jetët e tyre, përshëndet mikun e tij nga ana tjetër e telefonit dhe bën një lëvizje të shpejtë duarsh në ekranin e vet. Diçka gjen aty, e mbështet aparatin tek një gotë e mbushur përgjysmë me ujë dhe ia vë së bijës përpara. Janë disi larg që unë të kuptoj se çfarë shikon fëmija. Vogëlushja tani shikon e qetë dhe hap gojën sa herë që mamaja i afron lugën me ushqim.
Hedh sytë përreth. Të gjithë ata që presin, të vegjël e të mëdhenj, janë në ekranet e tyre.
Në fëmijërinë time, më kujtohet që dhe unë kam pasur një aparat që mbushte ditët e mia dhe që më transportonte në një realitet tjetër: librin. Më vjen në mendje shumë mirë se si dhe unë, disi më e madhe se vogëlushja në Potam, nuk i avitesha tryezës së ngrënies pa librin në dorë. Madje shumë herë besoja që aventurat e baronit Mynhauzen ishin shumë më interesante se sa e ngrëna. Kaloja orë të tëra e arratisur në botën e atyre pak librave të mi. Nuk di pse më vjen në mendje veçanërisht një libër që ma pat blerë daja në librarinë e qytetit tonë në një nga vizitat e tij tek ne. Kafshët e botës quhej. Me atë libër në dorë kam bërë udhëtimet e mia të para në botë. Kam shkuar deri në shkretëtirë për të takuar një gjirafë dhe deri në Australi për të parë një krokodil prej vërteti. Nuk kam ndier në asnjë moment që këto arratisje të kenë penguar zhvillimin tim, edhe pse me siguri disa iluzione për botën e vërtetë me siguri i kam peshqesh prej tyre.
Përparësitë e librit dhe të leximit të librave në fëmijërinë e hershme nuk janë më çështje debati në shkencën e zhvillimit të fëmijës. Dihet dhe është diçka që është replikuar në shumë studime me kontekste të ndryshme gjuhësore dhe kulturore që nëse prindërit u lexojnë bebeve libra qysh herët fare, këto bebe kanë fjalor shumë më të zgjeruar se sa bebet të cilëve nuk u lexohet asgjë ose fare pak.[3] Kjo lidhet vetë me natyrën e librave. Librat përmbajnë fjalor më të larmishëm dhe të pasur, fjalë të rralla të cilat në të folmet tona me foshnjat ne si prindër nuk para i përdorim, dhe madje për gjuhët e tjera është vënë re që në libra mund të gjenden edhe fjalë me fonologji a morfologji komplekse[4]. Në një skenografi me libër, fëmijët sillen ndryshe: përgjigjen më gjatë, kanë më shumë kureshtje për botën e përshkruar, përdorin forma më komplekse fjalësh [5]. Ky efekt realizohet në një kontekst që përshkohet nga dinamika e leximit prindër-fëmijë ose edukatorë-fëmijë.
Nga ana tjetër, përfitimet apo dëmtimet që mund t’u vijnë fëmijëve nga koha që kalojnë me ekranet nuk janë dhe aq të qarta për shkencat zhvillimore. Disa studime tregojnë se koha që kalojnë bebet me ekranet u kushton atyre kohë të cilën ata duhet ta shpenzojnë me aktivitete për të pasuruar zhvillimin e tyre gjuhësor dhe kognitiv[6]. Ndërsa studime të tjera rrëfejnë një tjetër panoramë: nëse koha që bebet kalojnë me ekranet është e ndërtuar me programe edukative dhe të mirëstrukturuara, atëherë kjo kohë mund të kthehet në një pasuri të vyer për zhvillimin e tyre[7].
Në pyetje me rëndësi në këtë kontekst është se si ndikohen fëmijët e vegjël në Shqipëri nga koha që kalojnë para ekraneve. Sa kohë rrinë foshnjat në ekrane? Çfarë ndodh me shqipen e tyre si pasojë e këtij angazhimi? A është zhvillimi i tyre gjuhësor i ndikuar nga koha që ata shpenzojnë duke parë programe të ndryshme në rrjet? Po orët që kalojnë duke lexuar a lidhen me zhvillimin e tyre gjuhësor?
Për të pasur një tablo më të qartë rreth kësaj teme (por edhe rreth disa temave të tjera bosht që lidhen me zhvillimin gjuhësor të fëmijëve shqipfolës), bashkë me disa kolegë në Akademinë e Shkencave, Universitetin Mjekësor të Tiranës, Universitetin e Tiranës, si edhe Universitetin e Kaiserslautern-it në Gjermani, kemi ndërmarrë një studim në rang kombëtar, i cili ka fatin të mbështetet jo vetëm nga institucionet tona, por, më së pari, nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Në fazën e parë të pilotimit kemi testuar 95 foshnje nga mosha 16-30 muajsh, përmes bashkëpunimit me Drejtoritë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Shtrojmë pyetjen sa shkencore aq edhe të rëndësishme për arsimin dhe shëndetin publik: Për këto foshnje me moshë 16-30 muajsh anembanë Shqipërisë, a ka lidhje mësimi i gjuhës së tyre amtare me kohën që kalojnë para ekraneve? Po nëse prindërit/gjyshërit/etj u lexojnë libra, çfarë ndikimi ka ky aktivitet në zhvillimin e tyre gjuhësor?
Zhvillimi i gjuhës tek fëmijët është një proces kompleks që ndikohet nga faktorë të shumtë të brendshëm dhe të jashtëm, duke përshirë këtu edhe të dhënat gjuhësore me të cilat përballet fëmija (angl. linguistic input), ndërveprimin social dhe ekspozimin ndaj teknologjisë. Kërkime të fundit, siç u shtjellua edhe më lart, tregojnë se ekspozimi i tejzgjatur para ekranit mund të ndikojë negativisht në zhvillimin morfosintaksor, ndërsa leximi dhe ndërveprimi i pasur verbal kontribuojnë pozitivisht. Studimi ynë hedh dritë mbi këtë dukuri në kontekstin shqiptar, duke u mbështetur në të dhëna nga fëmijët shqipfolës, në kuadër të teorive bashkëkohore të përvetësimit të gjuhës, si edhe duke përcjellë sfidat specifike që paraqet realiteti kulturor dhe institucional i vendit tonë.
Në një epokë ku teknologjia ka depërtuar gjithnjë e më thellë në jetën e përditshme, ndikimi i saj në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve po merr trajta shqetësuese. Në vend të kontaktit të pasur dhe të qëndrueshëm gjuhësor, fëmijët, në masë të madhe, konsumojnë përmbajtje vizuale e audio-vizuale, shpesh të pakontrolluara, dhe jo në shqip. Të dhënat tona, të paraqitura në dy grafikët e mëposhtëm (Figura 1 dhe 2) tregojnë një lidhje të fortë mes uljes së performancës morfosintaksore[8] dhe rritjes së kohës së kaluar para ekranit brenda një dite. Anasjelltas, leximi paraqitet si faktor mbrojtës dhe nxitës i zhvillimit gjuhësor. Pra, sa më shumë orë në ditë u lexohet libra fëmijëve, aq më e pasur është shprehësia e gjuhës së tyre në rrafshet morfologjike dhe sintaksore. Mirëpo, pse janë të rëndësishme këto rezultate?
Fig. 1. Zhvillimi i morfologjisë (vija blu) dhe sintaksës (vija e kuqe) i fëmijëve 16-30 muajsh sipas orëve që ata kalojnë para ekranit gjatë një dite
Fig. 2. Zhvillimi i morfologjisë (vija blu) dhe i sintaksës (vija e kuqe) i fëmijëve 16-30 muajsh sipas orëve që u lexohen në një ditë
Teoritë bashkëkohore të zhvillimit gjuhësor të fëmijëve si, për shembull, Usage-Based Theory[9] theksojnë se gjuha nuk është një sistem që mësohet e gjitha automatikisht, por nxitet e formësohet si sistem përmes përdorimit të vazhdueshëm dhe kontekstual të saj. Përvetësimi gjuhësor varet nga cilësia dhe sasia e kontaktit gjuhësor dhe nga ndërveprimi social. Në këtë hulli, leximi luan një rol të pazëvendësueshëm si burim i pasur gjuhësor sepse rrit kompleksitetin sintaksor[10], zhvillon fjalorin dhe morfologjinë[11], ndihmon në kalimin e strukturave gjuhësore nga format e shkruara tek ato të folura. Përkundrazi, ekspozimi ndaj mediave digjitale lidhet me reduktim të ndërveprimit verbal[12], me vonesa në zhvillimin e fjalorit[13] dhe me ulje të kompleksitetit sintaksor[14]. Realiteti shqiptar, për fat të keq, karakterizohet nga disa kufizime që ndikojnë negativisht në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve. Do të theksoja këtu disa prej tyre, si mungesën e literaturës origjinale cilësore në shqip për fëmijë, mbizotërimin e gjuhëve të huaja në mediat digjitale (anglisht, por edhe gjuhë të tjera, siç kam vënë re rëndom në rrethin tim shoqëror ku bebet shohin materiale audiovizuale nëpër telefona, që nga rusishtja, polonishtja, turqishtja, italishtja etj), si edhe nivelin e ulët të leximit si në familje ashtu edhe në ambientet edukative në çerdhe, kopshte etj. Këta faktorë e vënë fëmijën në pozitë të pafavorshme përballë zhvillimit të qëndrueshëm gjuhësor dhe, më pas, edhe të suksesit të tij akademik. Për këtë arsye do të rekomandoja që shteti të përqendrohej në disa drejtime për të adresuar problemin në fjalë:
- të ndërmarrë fushata kombëtare për promovimin e leximit në moshë të hershme;
- të sigurojë subvencionim për autorët dhe ilustruesit vendas të librave për fëmijë në shqip;
- të interesohet konkretisht për zhvillimin e përmbajtjeve digjitale edukative në gjuhën shqipe për moshat e hershme;
- të mbështesë studime në fushën e zhvillimit gjuhësor të fëmijëve shqiptarë në moshë të hershme, si në vend ashtu edhe në mërgatë;
- të investojë në trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve dhe logopedëve mbi fushën e zhvillimit gjuhësor jo vetëm tek fëmijët në moshat e hershme, por në të gjithë fëmijërinë.
Nëse gjuha është shtëpia e qenies njerëzore, atëherë fëmijët tanë po rriten në një shtëpi gjithnjë e më të rralluar nga fjala, dhe më të dendur nga ekrani. Dhe ky nuk është vetëm një problem pedagogjik apo teknologjik—është një sfidë kulturore, kombëtare, madje edhe ekzistenciale. Sepse një fëmijë që nuk zotëron gjuhën e vet në mënyrë të thelluar, nuk zotëron dot as mendimin, as lidhjen me të tjerët, as ndjeshmërinë ndaj botës që e rrethon. Në fund të fundit, çështja nuk është thjesht sa fjalë di një fëmijë apo sa pikë mori në provimin e sintaksës ose morfologjisë, por çfarë bote mund të krijojë ai me këto fjalë dhe këto struktura gjuhësore që ka përthitur. Në një shoqëri ku gjithçka po bëhet më e shpejtë, më sipërfaqësore dhe më e ekranizuar, aftësia për të ndërtuar fjali të pasura, për të shprehur ndjenja dhe për të kuptuar botën në mënyrë të nuancuar e të larmishme është më shumë se luks kulturor—është nevojë themelore qytetare.
Që të jem e qartë, personalisht, nuk mendoj që ekranet janë armiku. Ato janë thjesht pasqyra e një bote që po ndryshon me shpejtësi. Por nëse nuk e kthejmë gjuhën në një përvojë të përditshme, të prekshme, të dashur—në librin që lexohet para gjumit, në bisedën që ndodh pa nxitim, në lojën që nxit fjalë e jo thjesht klikime, pse jo dhe në momente digjitale të përbashkëta që kthehen në momente dialogimi —atëherë fëmijët do të kenë patjetër në dorë mjetet e reja teknologjike të kohës, por jo gjuhën për t’i kuptuar ato dhe për të imagjinuar të ardhmen e tyre si individë jo thjesht konsumatorë, por si qytetarë krijues, me mendim kritik dhe të vetëdijshëm.
Ka ardhur koha për një politikë kombëtare që të mos e trajtojë zhvillimin gjuhësor si një çështje periferike, por si themel të zhvillimit arsimor, kulturor dhe qytetar. Në këtë sfidë, nuk mjaftojnë më thjesht broshurat me këshilla që përcillen nga projekte të herëpasherëshme. Duhet një lëvizje e projektuar që e vendos librin dhe gjuhën në qendër të jetës publike. Nëse e bëjmë këtë, nuk do të kemi thjesht fëmijë që flasin më mirë shqip. Do të kemi qytetarë që mendojnë më thellë, dëgjojnë më ndjeshëm dhe ndërtojnë një shoqëri më të drejtë.
(c) 2025 Enkeleida Kapia. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me Google Whisk.
[1] Autorja ka shkruar këto rradhë, por studimi është kryer nga një ekip i përbërë nga autorja dhe kolegët e saj, Adelina Çerpja, Shanley Allen, Xhulia Samanta Dule, Antigoni Bullari, Klea Dyrmishi dhe Silva Ruçi pa të cilët fazat e ndryshme të studimit do të qenë të pamundura.
[2] Studimi për të cilin flitet në këtë artikull është mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
[3] Dowdall et al., 2020; Kartushina et al., 2022; Muhinyi & Rowe, 2019; O’Farrelly et al., 2018.
[4] Dawson et al., 2021; Montag et al., 2015;
[5] Ece Demir-Lira et al., 2019; Snow et al., 1976; Tamis-LeMonda et al., 2019.
[6] Brushe et al., 2008; Kartushina et al., 2022.
[7] Madigan et al., 2020, Jing et al., 2023.
[8] Për arsye hapësire, dhe për të respektuar audiencën e PTF-së, nuk jemi futur në detaje të hollësishme, por të interesuarit që duan të dinë më shumë për kuantifikimin sasior të morfologjisë dhe sintaksës në këtë projekt janë të lutur të kontaktojnë direkt me autoren.
[9] Tomasello, M. (2003). Constructing a language: A usage-based theory of language acquisition. Harvard University Press.
[10] Montag, J. L., Jones, M. N., & Smith, L. B. (2015). The words children hear: Picture books and the statistics for language learning. Psychological Science, 26(9), 1489–1496. https://doi.org/10.1177/0956797615594361
[11] Snow, C. E., & Kim, Y.-S. (2007). Large problem spaces: The challenge of vocabulary for English language learners. In R. Wagner, A. Muse, & K. Tannenbaum (Eds.), Vocabulary acquisition: Implications for reading comprehension (pp. 123–139). Guilford Press.
[12] Chonchaiya, W., & Pruksananonda, C. (2008). Screen media exposure in children aged 0–5 years. Journal of the Medical Association of Thailand, 91(4), 548–552.
[13] Zimmerman, F. J., Christakis, D. A., & Meltzoff, A. N. (2007). Associations between media viewing and language development in children under age 2 years. The Journal of Pediatrics, 151(4), 364–368. https://doi.org/10.1016/j.jpeds.2007.04.071
[14] Madigan, S., Browne, D., Racine, N., Mori, C., & Tough, S. (2019). Association between screen time and children’s performance on a developmental screening test. JAMA Pediatrics, 173(3), 244–250. https://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2018.5056
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

