Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion

IDENTITETE TË DUKSHME DHE TË PADUKSHME

Kur politika e vizibilitetit përcakton politikën e të drejtave në Greqi

Në një periudhë tensionesh të forta shoqërore rreth emigracionit në Greqi (fenomen global gjithashtu), ndryshimi i ministrit në Ministrinë e Emigracionit dhe Azilit merr një peshë të veçantë simbolike dhe politike. Me vendim të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ministrinë e merr përsipër Thanos Plevris, duke zevendësuar Makis Voridis. Nuk bëhet fjalë thjesht për një riformatim qeveritar, por për një deklaratë të qartë politike: linja e ashpër jo vetëm që vazhdon, por konsolidohet institucionalisht.

Të dy politikanët kanë një histori të retorikës dhe aktivitetit të ekstremit të djathtë. Thanos Plevris ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e opinionit publik me deklaratat e tij të ashpra kundër emigrantëve, ndërsa në intervista të mëparshme ka propozuar hapur përdorimin e dhunës vdekjeprurëse në kufi ndaj emigrantëve që hyjnë në mënyrë të parregullt në vend [1]. Në të njëjtën kohë, ai ka qenë përfaqësuesi ligjor i të atit, Konstantinos Plevris, i njohur për shkrimet e tij me përmbajtje naziste dhe raciste, duke këmbëngulur gjatë mbrojtjes ligjore që të minimizohej pesha e ideologjisë së tij [2].

Nga ana tjetër, Makis Voridis ka qenë anëtar i rinisë së EPEN-it, një parti e themeluar nga diktatori Papadhopulos, dhe karriera e tij politike nisi me paraqitje në organizata neofashiste [3]. Së fundmi, ai dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Emigracionit pas përfshirjes në një skandal keqmenaxhimi të fondeve të Bashkimit Evropian, ne kohen qe ishte Ministër i Bujqësisë që solli humbjen e 392 milionë eurove në subvencione dhe nxiti hetime nga Prokuroria Evropiane [3].

Emërimi i këtyre figurave në krye të politikës së emigracionit nuk është rastësi, por përkundrazi një zgjedhje strategjike.

Brenda këtij konteksti, ngjarje si ajo e fundit në Arahthos [4] zbulojnë thelbin e politikës greke për emigracionin: një përjashtim që vihet në lëvizje vetëm kur tragjedia bëhet publike.

Babai i njërit prej fëmijëve që vdiqën, emigrant nga Shqipëria, kërkoi të udhëtonte në atdhe për varrimin e fëmijës së tij. Por ai kishte frikë se nuk do t’i lejohej të kthehej më në Greqi, pasi leja e qëndrimit e tij nuk ishte e siguruar. Për shkak të publicitetit që mori çështja në media, u detyrua të ndërhynte Ministri Voridis (para dorëheqjes) për t’i dhënë një “leje të posaçme për arsye humanitare”. Ajo që duhej të ishte e vetëkuptueshme, u paraqit si një favor – dhe madje, vetëm sepse vdekja e fëmijës së tij u bë e njohur publikisht.

Është poshtëruese të duhet të humbasësh fëmijën tënd, të duhet që humbja jote të tronditë opinionin publik, që të vihet në lëvizje një proces, i cili duhej të ishte kryer që më parë. Nuk bëhet fjalë për një ngurtësi burokratike, por për një politikë përjashtimi të qëllimshme dhe sistematike, që prek të gjithë komunitetin e emigrantëve.

Një mesazh i ngjashëm u dha edhe në rastin e Ledian Gogës, i cili shpëtoi dy fëmijë nga mbytja. Mekanizmi i njohjes selektive u zbulua përmes mënyrës se si u trajtua fillimisht lajmi për aktin e tij solidar. Heroik, po, por pothuajse asnjë media nuk përmendi fillimisht emrin apo prejardhjen e tij.

Ndërkohë që në fillim shumë prej nesh u përqendruam te akti trimëror i solidaritetit, reagimet në rrjetet sociale – sidomos në Twitter – ishin masive për mospërmendjen e origjinës së tij. Shumë komente satirizuan heshtjen rreth emrit dhe origjinës së tij, duke e quajtur këtë si një rast të “vizibilitetit selektiv”.

Një artikull [5] në rubrikën “Mikroprágmata” të LIFO-s e solli çështjen në qendër të vëmendjes, duke mbledhur postime përfaqësuese, ndër të cilat veçohej kjo fjali:
“Po të ishte autor krimi, do të ishte shqiptar. Tani që është HERO, u bë thjesht ‘‘një burrë.”

Kështu, lajmi u shpërnda sërish – këtë herë me emrin e tij dhe me sqarimin se heroi është me origjinë shqiptare. Vetëm pas reagimeve të shprehura në rrjetet sociale qarkulloi gjerësisht emri i tij. Heshtja fillestare është treguese për faktin se, kur veprimi është pozitiv, origjina zhduket ndërsa kur është negativ, vihet në plan të parë. Çuditërisht, kur veprimi është pozitiv “nuk ka rëndësi”, emri i tij eliminohet dhe identiteti është i padukshëm.

Ky vizibilitet selektiv është produkt i dekadave të stigmatizimit, rezultat i diskursit publik që për vite të tëra ka paraqitur emigrantët, sidomos shqiptarët, si problem, si kërcënim, si shkelës të ligjit [6].

Aris Dimokidis, në podcastin e tij për revistën Lifo për Shqiptarët në Greqi [7] (E vërteta e hidhur për Shqiptarët e Greqisë – “Η σκληρή αλήθεια για τους Αλβανούς στην Ελλάδα”), ofron një pasqyrim të gjerë mbi mënyrën se si është ndërtuar imazhi i shqiptarëve që nga vitet ’90 deri më sot – me shembuj që tregojnë se si këto narrativa vazhdojnë të dominohen nga frika, shënjestrimi dhe stereotipa të rrezikshme.

Përmendja e origjinës në një akt pozitiv nuk është një akt i “stigmatizimit të anasjelltë”, siç nxituan të pretendojnë disa grekë por edhe disa shqiptarë – thellësisht të shqetësuar për rrezikun që të krijohen stereotipa pozitivë për një grup të tërë etnik. Përkundrazi, përmendja është e rëndësishme pikërisht sepse kjo origjinë, për dekada të tëra ka qenë objekt përjashtimi.

Të thuash “nuk ka rëndësi origjina” kur një shqiptar shpëton dy fëmijë, do të kishte kuptim vetëm nëse origjina e tij nuk do të ishte portretizuar për dekada si një problem. Por pikërisht sepse identiteti shqiptar është paraqitur njëanshëm, përmes rrëfimeve të kriminalitetit dhe stereotipave negativë, atëherë të kujtohemi se “të gjithë jemi njerëz” vetëm kur veprimi është heroik nuk është objektivitet, por asimetri.

Përmendja e origjinës në shembuj pozitivë nuk bëhet as për të provuar se “ka edhe shqiptarë të mirë”. Ky argument, në thelb, presupozon se “shqiptarët janë problem”, ndaj duhet të përgënjeshtrojmë normën. Por ne nuk kemi nevojë të dëshmojmë një gjë të tillë. Ajo që nevojitet është vizibiliteti. Sepse vizibiliteti është fuqizim, dhe kur unë e shoh identitetin tim të lidhur me guximin, solidaritetin dhe kontributin ndaj shoqërisë, kjo më funksionon si kundërpeshë shëruese ndaj stigmës shumëvjecare.

Për më tepër, identiteti shqiptar është i pranishëm në çdo aspekt të jetës shoqërore bashkëkohore greke: në punë, në arsim, në kulturë dhe po, edhe në akte heroizmi dhe solidariteti. I pranishëm është, i dukshëm nuk është.

Nuk do të ishte e rëndësishme përmendja e origjinës vetëm në rastin kur nuk do të ishte paraqitur sistematikisht prejardhja shqiptare si sinonim i kriminalitetit. Duke marrë parasysh këtë kontekst shoqëror dhe historik, dukja nuk është një lavdërim selektiv, por një akt rehabilitimi shoqëror. Është rehabilitimi i dinjitetit moral të një grupi të tërë, i cili për dekada të tëra është privuar sistematikisht nga e drejta për t’u përfaqësuar në mënyrë njerëzore. Bëhet fjalë për një balancë. të një barre historike dhe është i domosdoshëm. Sepse barazia nuk nënkupton fshehjen e dallimit, veçanërisht kur ai fshihet vetëm në rastet pozitive. Përkundrazi, barazi do të thotë vizibilitet dhe për këtë arsye kërkohet miratimi i tij dhe heqja e stereotipave që e shoqërojnë. Vizibiliteti është hapi i parë për njohjen dhe pranimin shoqëror. Pa të integrimi nuk mund të konsiderohet substancial.

Edhe pse veprimi i Ledian Gogës u njoh publikisht si heroik, propozimi për t’i dhënë atij shtetësi greke si një shpërblim nderi nuk është aspak nder. Sepse Goga jeton prej 24 vitesh në Greqi, punon, ka familje, paguan taksa, dhe megjithatë ende nuk ka shtetësi. Ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë në Greqi që prej mbi tridhjetë vjetësh ndërtojnë jetën e tyre çdo ditë në këtë vend, pa u njohur të drejtat që u takojnë. Fakti që duhej të bëhej hero duke vënë në rrezik edhe jetën e tij, që të vihej në qendër të vëmendjes dhe të flitej për dhënien e shtetësisë është ironik dhe thellësisht fyes për ata emigrantë që për dekada luftojnë ende për atë që u takon si e drejtë dhe që nuk u njihet. Siç më shkroi edhe dikush, me të drejtë i zemëruar:

Pra duhet të hidhemi në lumenj për të shpëtuar fëmijë që të marrim nënshtetësinë greke?

Diskutimi publik për shtetësinë lidhet direkt me atë se kush konsiderohet qytetar me të drejta të barabarta. Rasti i Gogës e tregon këtë qartë, pasi konfirmon se shtetësia e tij mbetet e kushtëzuar. Mundësia që t’i jepet si shpërblim nderi tregon sa thellësisht politike është kjo çështje. Greqia vazhdon t’i trajtojë emigrantët jo si qytetarë potencialë, por si mysafirë të përkohshëm nën një provë të vazhdueshme. Shtetësia trajtohet si medalje që duhet fituar dhe jo si e drejtë themelore. Qëndrimi në vend konsiderohet si bamirësi, jo një e drejtë institucionale, në kundërshtim me atë që parashikon ligji europian. Ashtu si ndodhi me Xhengon, shqiptare e brezit të dytë, deri sa u bë sportiste e nivelit ndërkombëtar, shtetësia e saj greke nuk ishte konsideruar si e natyrshme.

Një shtetësi që duhej të ishte dhënë prej kohësh bazuar në kushtet që plotësojnë mijëra emigrantë në Greqi, si nga brezi i parë ashtu dhe i dytë. Por sistemi ekzistues vepron në mënyrë parandaluese, me vonesa pa arsye, kërkesa absurde për provimet e gjuhës dhe kulturës greke, kritere të vështira financiare dhe procedura pa transparencë. Edhe kur përmbushen të gjitha, vendimi mund të mbetet arbitrar, ndërsa shteti nuk detyrohet të arsyetojë refuzimin.

Shteti njeh emigrantin vetëm kur ai kthehet në simbol dhe dëshmon në një mënyrë apo tjetër se meriton të fitojë shtetësinë. Në raste të tilla, statusi i qytetarit nuk jepet si e drejtë institucionale themelore, por prezantohet si shpërblim nderi. Krijohet kështu përshtypja se shtetësia greke është privilegj që jepet përjashtimisht, dhe jo marrëdhënie ligjore që bazohet në pjesëmarrjen shoqërore dhe praninë e vazhdueshme në vend: një qëndrim i gabuar dhe thellësisht racist që ushqen perceptimin e superioritetit të grekëve ndaj kombësive të tjera. Ky është një mentalitet jo vetëm i prapambetur, por edhe i rrezikshëm, pasi ushqen ideologji ekstremiste dhe nacionaliste dhe forcon një racizëm më të thellë, sistemik, i cili bazohet në pretendimin e një superioriteti kulturor apo moral të “autoktonëve”. Një pikëpamje e tillë përjetëson ndarjet, rrit mosbesimin ndaj “të tjerëve” dhe justifikon përjashtimin politik dhe shoqëror. Në skajet e kësaj mënyre të menduari fshihen rrëfime nacionaliste, që e kthejnë konceptin e përkatësisë në një instrument përjashtimi.

Për më tepër, sipas legjislacionit evropian, shtetësia nuk mund të konsiderohet si shpërblim, as nuk supozohet që dikush duhet të “ndihet” grek apo të ketë “zemër greke”. Politika e nënshtetësisë përcaktohet nga të drejtat themelore dhe ligjet, jo nga imperativët emocionalë. Bashkimi Europian percepton se shtetësia është një e drejtë e garantuar ligjërisht për ata që plotësojnë kriteret ligjore, pa kërkuar “identifikim të brendshëm” me identitetin kombëtar të vendit pritës. Përkundrazi, politikat që lidhin dhënien e shtetësisë me cilësi si “hero” apo ndjenja asimilimi, jo vetëm që shkelin vlerat e Bashkimit Evropian, por edhe thelbin e konceptit të shtetësisë si një e drejtë e barabartë.

Këta raste nuk janë thjesht shembuj të rastësishëm. Ata nxjerrin në pah në mënyrë të qartë kushtet strukturore nën të cilat vizibiliteti shërben si kusht për njohjen e të drejtave. Dhe pikërisht për këtë arsye, theksimi i tyre ka rëndësi të madhe. Qëllimi duhet të jetë rritja e ndërgjegjësimit publik për padrejtësitë institucionale që mbeten të padukshme në diskursin publik në Greqi, sepse vizibiliteti nuk ka të bëjë vetëm me individin, por me mënyrën se si shoqëria dhe shteti menaxhojnë në mënyrë kolektive integrimin, barazinë dhe pranimin. Në rastin e emigracionit, kush merr përsipër menaxhimin e politikës emigrante nuk është detaj, por faktor përcaktues për mënyrën se si do të përcaktohet e drejta e “përkatësisë”. Reagimi – dhe rezistenca – e gjithë shoqërisë ndaj vendosjes së figurave ekstremiste të djathta në pozicione drejtuese është një obligim minimal. Sepse në fund të fundit, përparimi i një shoqërie nuk matet nga rastet e veçanta që nderohen, por nga respekti, institucional dhe shoqëror, që garantohet për të gjithë.

(c) 2025 Pamela Zoe Topalli. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney dhe ChatGPT.


Referencat:

  1. https://www.news247.gr/politiki/otan-o-thanos-plevris-oneirevotan-mia-kolasi-gia-metanastes
  2. https://www.vice.com/en/article/its-ok-to-want-to-exterminate-people-greeces-new-health-minister-once-argued/
  3. https://apnews.com/article/greece-reshuffle-migration-corruption-eu-farm-subsidies-b51934a592604f93ab00931393344d63
  4. https://top-channel.tv/2025/06/11/mrekulli-ne-lumin-e-artes-shqiptari-shpeton-dy-femije-nga-mbytja-ne-greqi/
  5. https://mikropragmata.lifo.gr/zoi/olo-to-internet-apotheonei-ton-alvano-pou-voutikse-na-sosei-ta-paidia-ston-arachtho/
  6. https://peizazhe.com/2025/01/27/shqiptaret-e-greqise-%ce%bf%ce%b9-%ce%b1%ce%bb%ce%b2%ce%b1%ce%bd%ce%bf%ce%af/
  7. https://open.spotify.com/episode/3dOygpf3rTfgrId1q4TUFn?go=1&sp_cid=5b89fa0b01838847093be4a574ae6e54&utm_source=embed_player_p&utm_medium=desktop&nd=1&dlsi=056c1f198b864b8a

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin