nga Rael Hoxha
“Vexilla regis prodeunt inferni, verso di noi; però dinanzi mira”
“Po afrohen flamujt e mbretit të ferrit, drejt nesh; por ti shiko përpara”
(Komedia Hyjnore – Ferri, kënga XXXIV, terceti i parë – Dante Alighieri)
Shiu, shndërrimi i ajrit në ujë, çliron shpirtin e materies. Asfalti në qytet, merr aromë ndryshku të lagur me uthull molle, shpëlarë në dëborë. Për hundën është një shije tjetër nga ajo e aromës së barit dhe bajgave kur njomen prej reshjeve. Ato janë të ndryshme, nuk do të thotë që janë të kundërta, por të dyja ndezin një shil në zemër. Këto dy aroma nuk ngjajnë në përbërje dhe ndjesi, por akti është po ai: qullja prej shiut. Shqisa që përfshihet është e njëjta: nuhatja, ndërsa vendndodhjet e këtyre aktiviteteve janë larg njëra – tjetrës. Asfalti është simboli i zhvillimit industrial të qyteteve, si elektriciteti, hekurudha, motori me naftë, larg shtigjeve me gurë dhe baltë, këngës së gjelit dhe pëllitjes së gomarit. Ndryshe nga asfalti, aroma e barit dhe bajgave është vetë natyra, liria, frymëmarrja, bimësia e harlisur, primitivja, larg urbanes dhe ndotjes, gumëzhimës së turmave frenetike që shkojnë në punë, që ndjekin autobusët, ngasin makinat, përshëndesin me zë të lartë, godasin me matrapik, djegin mbeturina dhe shkarkojnë inerte. Asfalti i lagur, sjell nostalgjinë e trotuarëve, takimet, befasinë e motit, shëtitjet buzë liqenit artificial. Ndërsa era e barit dhe bajgave sjell emocion, zgjon majmunin brenda nesh, poetin, piktorin, thyen akullin.
Kundërmimi i qytetit më çoi larg, në fshat, dhe papritur u bëra i ndjeshëm. Dikur qyteti ishte kërthiza e fshatit, ishin pikërisht kodrat, lulet, shkurret, bari, dhe plehu, që e rrethonin kërthizën në një përqafim aromash natyrale, të cilat u zëvendësuan me erën e smogut të patretshëm që pluskon në ajrin e rëndë të zhvillimit teknologjik, që vetëm logjikë duket se s’ka. Është e ditur që zhvillimi nuk ka mëshirë, ai e sundon natyrën me ashpërsi, duke zëvendësuar të vjetrën me të renë. Është një lojë metafizike, e lashtë sa vetë universi. Për çdo akt të ri që luhet, ai paraardhës tjetërsohet, vjetrohet, harrohet, vdes. Edhe kaosi, si ligj universal, pjell të renë në çdo rast, me çdo kusht. Çdo molekulë, atom, subatom, kuant, dhe realitete të tjera, apo dimensione, krijojnë të renë në çast. Vdekja, kalbja, fundi, edhe këto janë vepra të reja. Përqafimi gjeografik i aromave mes qytetit dhe fshatit ka banorë të përhershëm, që dikur ishin të pandarë. Majmunët e qytetit dhe fshatit ndryshojnë, në një farë mënyre, por njerëzit dhe majmunët janë njësoj, edhe pse të shkëputur prej kohësh. Ata nuk janë të kundërt, por vetëm të ndarë. Apo të kundërt dhe të pandashëm…
Ishin mendime që fluturonin si hiri në ajër, si retë që treten pas shiut me një puhizë.
Ndjeva papritur mall për shtratin e pyllit, agorën e parë të majmunëve politikë. Sheshi në qendër të kryeqytetit, ngritur e rrëzuar sipas regjimeve kalimtare, ishte e vetmja hapësirë që mbijetonte rrugëve të historisë duke u përshtatur, shndërruar, herë dhunshëm e herë paligjshëm, sipas vizioneve partiake. Një ndërtesë e lartë, si kulla e Babelit, i bënte hije kujtimit tim fëmijëror të shatërvanit, kopshteve, pishave e bredhave, kodrave, barit, luleve, karrocave, bajgave, që rrethonin kërthizën, shtratit të pyllit. Në çdo hap ndihej zhvatja e kujtimit, teksa këmba e majmunit, veshur me këpucë të reja, hidhej përpara në asfaltin politik, shtruar mbi asfaltin politik. Ai njeri, fantazmë nga kohë të vdekura, kthehej vazhdimisht pas në kërkim të shtëpisë së tij me qerpiç dhe nuk mund ta gjente. Kështu endej në pafundësi, i patretshëm, i pandriçueshëm, përjetësisht endacak. Kisha dëgjuar se Njeriu jetoi në shpellë, por ishte një pretendim i tepruar, sepse në shpellë s’kisha parë kurrë asgjë. Ndoshta, njerëzit e parë i përdornin shpellat si tempuj ose nevojtore, ndërsa banesat ku jetonin, gjuanin, luanin, mësonin; ishin pyjet, kreshtat e pemëve, kodrat, shkurret, zgavrat, xhunglat. Kështu mund të shpjegohej edhe lidhja emocionale me bimësinë, me ngjyrat, me lulet, me diellin. Por pylli është i frikshëm, plot rrezik, mbushur me kafshë, kurthe. Përveç zhvillimit anormal dhe konkurrencës së fortë në zinxhirin ushqimor, kurora e pyllit nuk e lejonte të shihte qiellin qartësisht. Mos vallë ai jetoi mbi majat e pemëve? – Atje ishte më i sigurt, ashtu siç bëjnë disa primatë edhe sot. Por kupola e natës është më e pastër në fushë, në mal, mbi shkëmbinjtë e thatë. Mbase majmuni do ketë jetuar kudo, ashtu si sot, në bregdet, në mal, në shpellë, në fushë, në thellësi të pyllit, afër lumit, mbi kodra, mbi pemë. Se ku nisi, si u ndanë, si mbijetuan, është e ende e pashpjegueshme, përveç teorive që lidhin copëza enësh balte me farkëtimin e armëve dhe me fabrikimin e avionëve, brenda pak shekujsh. Ajo që lindi nga këto broçkulla trunore, ishte ideja e zotit singular. Po si lindi, si u shpërnda, si i mposhti gjithë zotat e tjerë? – E sqaron disi historia e qytetërimeve. Hyjnitë e para zunë pyjet, malet, liqenet, detet, shpellat, nëntokën dhe qiellin. Ky inflacion perëndish, ndër qindra-mijëra kultura, përmes qindra-mijëra shekujsh, sundoi tokën me prepotencë, duke mbjellë farën e politikës që do përfaqësonte njeriun si akt hyjnor. Ata që zunë yjet, duke krijuar një distancë të pakapërcyeshme largësie dhe pushteti, u bënë kryezotër, duke marrë pozita të papërmbysshme. Në të njëjtën kohë, edhe majmuni prodhoi të renë e tij, zotin e thjeshtë, atë që mëshiron, që fal, që pranon, që të pret me krahët hapur në anën tjetër të vdekjes tokësore, dhe për sa kohë luftoi e ngriti flamujt e sundimit, duke privatizuar parajsën, ky majmun i zgjuar, u kthye në njeri. Çfarë mund të mbartte majmuni nga e shkuara e tij pa flamuj? Gjithçka: liri, mbijetesë, bashkëjetesë, gjuhë, sjellje, planifikim, dhunë, manipulim, dije. Gjëra që mësohen edhe në shkollë, pikërisht përmes historisë së njerëzimit dhe qytetërimeve. Si i kishte ruajtur – nuk e kisha idenë – por komunikimi do ketë qenë thelbësor. Vlera e diturisë me doemos duhej të ishte më e shtrenjtë se posedimi material, edhe pse historikisht vlera e arit e tejkalon vlerën e moralit. Majmuni do ta ketë kuptuar natyrën kalimtare të materies, por edhe forcën e saj sunduese. Ndërsa dija ishte e lëvizshme, ajo mund të krijonte pasuri kudo, dhe përcillej, trashëgohej. Pasuria e bënte të pashkatërrueshme. Kështu, majmuni erdhi deri sot, me një vizion, me një plan të madh, si njeri me synim pasurimin, për ta bërë parajsën të tijën.
Kultet e para do kenë qenë plot zhgënjim, fantazi absurde, në kushte vizatimore, abstrakte. Akti i parë i manipulimit të masave, do ketë qenë “shpelltosja”, futja në inkubatorin e maktheve, nga ku njerëzit do kenë dalë të shushatur, të llahtarisur në palcë prej zotit që ka promovuar shpellari. Por gjithsesi kjo e konvencionalizon evolucionin, veprimtaria e majmunit politik u bë përçarëse dhe luftarake, zotëruese, vrastare. Nënndërgjegjja, instinktet e majmunit, duhet të kenë qenë të ndotura me idenë e pushtetit që në fillim, shprehur si “ego”, zotërim, zot. Në mungesë të llogaridhënies dhe reflektimit, vetëdijes, logjikës dhe arsyes, ai zgjodhi të ngrinte perandorinë e tij duke u vetëshpallur, që më pas sundoi tokën post-majmun, pre-njeri. Kështu lindi motivi i majmunit për t’u bërë njeri, si shfaqja më e keqe e një plani për pushtim. Këtu merr kuptim edhe shprehja: “Tokë pa zot”, për sa kohë që askush nuk ia ka vënë syrin.
Mes këtyre mendimeve, zoti m’u kthye papritur në një kompjuter gjigant, memoria e të cilit ishte i gjithë universi, dhe unë isha brenda tij, bashkë me majmunin. Ne ishim përllogaritje, forma të rendit numerik. Ndërsa miku i vjetër i kompjuterit, duhet të ketë qenë “virusi”, që dikur i bindej formulës, por e korruptojë parajsën në heshtje. Nëse kishte lindur njeriu nga kaosi apo rendi, shpella apo pylli, zoti apo djalli, kjo nuk kishte pikë rëndësie. Ajo që ishte vendimtare për veprimtarinë e njeriut-majmun, apo majmunit-njeri, qe mbartja e informacionit pushtues që nga fillesat, dhe trashëgimi deri në ditët tona të kaosit politik dhe sundimit publik. Banorët e këtij planeti kishin squfurin në gojë dhe akullin në zemër, teksa luftonin për të ndarë tokën si i vetmi motiv për të lëshuar rrënjë pushteti, për të ngritur kultin personal, për të sunduar të tjerët. Kjo qenie nuk arriti të veçonte marrëzinë nga mençuria, njeriun nga majmuni, e as zotin nga djalli, apo politikën nga lufta. Për këtë arsye akti i tij i parë me ndërgjegje, nuk ishte fjala, por tradhtia. Dualiteti e kishte shoqëruar dhe udhëhequr gjatë gjithë ekzistencës së tij, nga majmuni – në njeri. Edhe tranzicioni në kopshtin e Edenit, ishte inskenuar për të prodhuar një akt politik, si vjedhja e mollës, që në fakt është një goditje tradhtie. Dituria që grumbulloi më pas vjedhësi, ishte eksperienca në fushën e iluzioneve, mirazheve, magjive, trukeve, dogmave, bindjeve, shtypjeve, kurtheve, ku sunduan përjetë kastat ushtarake, faraonët, mbretërit, feudalët, politikanët, perënditë dhe gjakatarët. Gjithë kjo çmenduri, ngjante sikur majmuni kish krijuar zotin, ndërsa njeriu shpiku djallin. Kjo ishte edhe lindja e politikës: tradhtia, frika, adhurimi, ndëshkimi, borxhi, dhuna, zhvatja, vrasja, sundimi.
U shfaq befas Ferri, rrethi i nëntë, brezi i katërt, ku qëndronin tradhtarët e kombit. Ata ishin xhelatët e njerëzimit, i vetmi mëkat që vlente të hidhej në qendrën e akullnajës, aty ku qëndronte mendueshëm për aktin e tij, vetë Luciferi, i ngrirë përjetësisht. Pendimi nën zero, akulli i patretshëm, ishin simbolika të forta për aktin e ftohtë të tradhtisë ndaj njerëzve. Dantja e kishte përçuar vullnetin e tij larg të resë që zëvendësonte gjithçka, duke krijuar një vepër të përjetshme. Ai lëshoi një shigjetë drite nga përtej ferrit dhe akullit, përmes zjarrit dhe zemrës së gjithkujt që do kishte guximin të lexonte, të kuptonte, të reagonte, edhe shekuj më pas. Kështu ishin justifikuar edhe luftërat në emër të zotit, në emër të drejtësisë, përmes akteve të djallit, përmes vrasjes dhe vjedhjes, abuzimit dhe sundimit. Ishte një bashkëpunim i kahershëm i njeriut dhe ligësisë së tij, plot tradhti, xhelozi, intrigë, hakmarrje dhe mllef. Ata që sundonin, ata që shtypnin, rrëmbenin, vrisnin, por mbi të gjitha shisnin atë që u përket të gjithëve. Në këtë delirium, askush nuk kishte shpëtim, as ata që sundoheshin, e as ata që nuk luftonin kundër tiranisë, as asnjanësit dhe as gjarpërinjtë. Ligji i vetëm ishte: “ha ose haju”. Dhe e gjithë kjo marrëzi terroriste, ishte ngritur, forcuar, mirëmbajtur, për një pushtet të përkohshëm, aq sa vdekja lejon.
Qielli lëshoi befas një shkreptimë. Më ngjau ngushëlluese. Dola i heshtur nga mendimet e mia, si një ushtar i plagosur prej një arme në distancë, pa fytyrë, pa emër. Hapa sytë përreth, pashë pasqyrimin tim në fasadën e xhamtë të një banke. Në posterin e vendosur në dritare, ishte fotografia e një personi me para në dorë që buzëqeshte i lumtur për borxhin që sapo kishte marrë. Kredimarrja e kishte përshpejtuar procesin e “ascensionit”, të shpirtit në drejtim të parajsës. Kokat na u shkëmbyen, paratë kaluan në duart e mia, dhe burri në afishe u venit. Ky individ i ri, i së ardhmes, ishte vrasësi i vetvetes në të shkuarën. Paratë e bënin më të thjeshtë këtë eliminim personal. Ishte një tranzicion nga majmuni “homo sapiens”, në majmunin “homo argentum”, i cili nuk e kishte të vështirë tregtimin e shpirtit. Kështu ishte shitur edhe Juda Eskarioti. Po përse duhej një kredi për të jetuar diçka natyrale si familja, shpella, pylli, apo aroma e barit dhe bajgave pas shiut? Nuk e dija dhe as nuk doja ta dija. Asgjë nuk më detyronte të isha ai njeri, të banoja në këtë vend, të bëja atë jetë. Ashtu si vilat, rrugicat, dyqanet dhe parqet e kryeqytetit që ishin zhdukur, duke lënë pas vetëm hije e fantazma, unë po shikoja pasqyrimin e indoktrinuar të një borxhliu politik. Po kujt ia kishim këtë borxh? Dikush lart, ose poshtë, ishte në pritje të rrëzimit tonë. Ishte punuar e thurur me shekuj kjo grackë, kjo pusi gjakatare, që askush mos të dilte i gjallë.
Vazhdova rrugën kokulur, duke parë pllakat e reja, tullat e reja, gropat e reja, tubacionet e reja, shtresat e vjetra të dheut të kuq, dhe disa pika gjaku prej dashit që po flijohej në themelet e një pallati të ri. E kërkova me sy gjurmën time, kujtimin e një dite në vegjëli, kur shëtisja me prindërit. Nuk ishte nostalgji, por një thirrje e lirisë së majmunit për të shëruar atë që isha dikur, diçka e ngjashme me melankolinë. U mundova të përfytyroja ku shiteshin arançatat dhe pastat, lodrat, veshjet, librat, ku ishin kafeteritë dhe stacionet. Në vend të tyre u mblodhën disa mbetje urbane që u bashkuan në një absurd, si pikturë monstruoze me zigzage dhe ngjyra kuturu, një surealizëm i shpërfytyruar.
Këmba e gurtë e një ure, lidhej me një pallat të rrënuar rus, e cila dilte prej bazamentit të ish-shatërvanit italian, shoqëruar nga një gojë që dukej si tunel treni kinez, ndërsa një tufë me rroba doku të varura komunistësh, lidheshin me kokën e stërmadhe të një pëllumbi kaslyc të gjakosur, që rrinte mbi çatinë me tjegulla të një shtëpie me qerpiç, teksa degë të rënda ftonjsh të djegur, zbrisnin në një bahçe shtruar me plloçe, mbushur me fruta të rrëzuara. Sfondi i asaj mase amorfe, mbulohej nga një perde me pamje qefini, që mbante të shtypur imazhin e një minatori me tollon në dorë.
Ishte ikonostasi i vullnetit qytetar të munguar, kumtesë e një jete me autorizim, ndër fabrika të vjetruara, mbushur me gaz helmues. Ajo shformë çalonte si një i pastrehë në rrugët e pazarit të vjetër, qytetit të ri, parkut të zhdukur, ku lindën dhe rilindën tradhtarët. Një ndjenjë e pashpjegueshme, një amulli e rëndë më zuri prej gryke. Ndjeva një neveri të fortë prej mjedisit ku po jetoja. Si në një shtëllungë duhani, po më zhdukej zemra nga marrëzia e tokës që trashëgoja. Jo vetëm memoria, por edhe koha, po luanin me gjurmët e majmunit. Nuk arrija të kujtoja se kur dhe çfarë kishte ndodhur. Një pemë, një trotuar, një portë e drunjtë, disa mure pa suvatim. Bodrumet e shtëpive, avllitë, lulet buzë shkallëve, gjyshërit dhe veshjet e tyre, dita e parë e shkollës, gjithçka u kthye në pluhur. Nisën të veniteshin njerëzit, qentë, macet, zogjtë, oborret, puset, oxhaqet, ecjet, pritjet, stolat, fotografitë pas monumentit, sahatet publike, tabelat e hekurta të parqeve, edhe fëmijët me karrocat e tyre prej druri dhe kushineta. Kjo nuk ishte amnezi, por akti i politikës që kishte pushtuar tokën time. S’ishte ëndërr e së shkuarës, por makthi i së ardhmes që nuk do të shpaguhej kurrë.
E dëgjova goditjen e kambanës së kishës, më pas u ndez zëri i hoxhës në minaret, televizioni ndillte shtete të reja, dhe një kamion ndërtimi goditi ajrin me bori, si thirrje për ushtarët që hidhen në luftë drejt masakrës. Kuptova që po kërkoja diçka të vdekur, ta ngjallja dhe ta mbaja për ca kohë me vete, aq sa për të krijuar disa fotografi të reja, të cilat do t’më shërbenin si rindezje të ndjenjave të fikura. Ishte një përpjekje e kotë. Kujtesa më qe varrosur përgjithmonë nën qytetin e harruar. Zhurmat u heshtën, lëvizjet ndalën, gjithçka nisi të tretej në mjegull. Hapësira dhe koha u zgjeruan, duke lënë pas një njollë të madhe urine mbi platenë ku dikur qëndronin këmbët e diktatorit të vjetër. Një monument arkitekturor, në formën e një koke, po zëvendësonte tashmë ndjesinë e sovranitetit publik që reflektonte dikur busti i rrëzuar. Një lajm i ngjethshëm parashikoi një ringjallje nga penxherja politike, një kushtetutë bektashie, dhe një plan afatgjatë regjimi social. Dikush u shpall Messiah i rizgjedhjeve, dikush u deklarua Perandor i rizhvatjeve, dhe parlamenti ushtarak shtoi një karrige me rrota. Klerikët e politikës u shtruan në gosti për nder të Sodomës, e sakaq, shiu acid vaditi tokën e shkretuar. Prej andej bleruan shenjtorët e zinj, shërbëtorët e natës që do sillte paqen e re. Ata u përqafuan nga populli si heronj, u ngjitën mbi agorat e lashta, pozuan si butafori groteske, dhe luajtën drama epike. Verbëria e qytetarëve u ndriçua prej projektorëve të spektaklit, dhe njerëzit kokëboshë e bishtpërpjetë nisën të jetonin si barngrënës, me shpresën se do ngrihen një ditë nga varri, e do t’i hipin sërish fatit, për të udhëtuar nëpër univers, përmes asgjëkundit dhe zotit. Pa kuptuar se ishin ngjarje pa drejtim, lodra të lojtarëve, kope të kasapëve. Shpirtrat e tyre, të gatitur me lejekalimi dhe tesera partie, të eksituar masivisht, u nisën drejt përjetësisë, urdhëruar nga flamurtarë partish që dhurojnë bileta për spektaklin provincial të idiotit të radhës, që konkurron për një llokmë pushtet të prishur, në një province të humbur të perandorisë. Në këtë akt vetëflijues, ai do t’i bashkëlidhej triumfit të vdekatarëve, me shpresën se ata do respektonin ligjin hyjnor të përuljes, që ishte caktuar nga zoti dora vetë. Një shfaqe mediokre, plot me skllavërim dhe poshtërim. Shfrytëzuar nga injorantë, suksesi i të cilëve përdorej për prodhimin e injorantëve të tjerë si ata, duke krijuar një zinxhir injorance në infinit.
Disa njerëz shohin mrekulli inxhinierike në ndërtimin e piramidave, art dhe shkencë, vullnet dhe lavdi, madje shohin burimin e gjuhës, prejardhjen hyjnore, alienë dhe zota që fluturojnë me tava prej llamarine, e martesa nga përtej galaktikave. Edhe pse duket qartë se trashëgimia materiale që ata lanë pas, është dëshmi e një pushteti gjakatar të dalë duarsh, shoqëruar nga lumenj jetësh të shkuara dëm, mes bindjes dhe korrjes, si pasojë e narcisizmit frenetik që sundoi mbi gjithçka, kohë e hapësirë, fjalë dhe liri, njerëz e kafshë. Fati i qytetërimeve të lashta, ishte tregues i abuzimit, babëzisë dhe luftës për pushtet. Monumentet e tyre ishin si kronika që rrëfenin tmerret kundër njerëzimit. Por ky fat nuk kishte kryer ende punë me njerëzit. Edhe sot po jetojmë në kohën e këtyre zotave artificialë, që lahen duke blerë përjetësinë përmes pasurisë, dhe as nuk e kanë idenë se Anubi i drejtë po i pret në anën tjetër me një peshore dhe një pupël në dorë.
Sa qesharake ishte e gjitha kjo. Mbeta pa fjalë, me sytë e ngulur në asgjë, me duart e varura, gojën e hapur dhe zemrën e thyer. Ishte një vepër çnjerëzore, nga një dorë idiotësh, ngecur në rrethin e nëntë të tradhtarëve, atje ku pllakosen njerëz të padenjë, në infinitin e liqenit të ngrirë, prej nga ku të mjerët presin shpagimin, ringjalljen, si zogj pa kokë, në tokën e re prej akulli. Flladi vjeshtak solli edhe njëherë kundërmimin e fushatave, kryqëzatave, plejadave, karnavaleve. Me sytë e dëshirës, e pashë zjarrin të kacavirrej në fasadën e bibliotekës, mbi çatinë e parlamentit, nën skutat e ministrive, si një shumëkëmbësh asgjësues. Më pas flaka mori pemët, stolat, çatitë, minaren, sahatin… Nxehtësia detyroi ujin të largohej prej asfaltit, duke e afruar me retë, për ta kthyer sërish në shi. Në vend të aromës së lulevileve, u mbush ajri me fije metali dhe pluhur qelqi, shtëllunga bloze dhe aromë fekalesh. Qyteti shpërtheu në vaj. Njerëzit vraponin kuturu, disa përpiheshin nga toka që çahej nën këmbët e tyre, e disa rrokulliseshin përdhe nga sulmet e shpendëve të çmendur prej kataklizmës. Mbi fytyrë më fluturoi një gazetë me kryetitullin: “Vota është e shenjtë”. E hapa faqen e parë dhe pashë fotografinë e një majmuni me kostum, shoqëruar nga një numër rendor. Kafsha politike e kishte kryer misionin e saj, duke na hedhur në një xhungël primatësh fjalimtarë. Oratorë kokash të prera e thikash pas shpine. Fati ynë ishte parashkruar prej buxheteve që miratoheshin në emër të zotit, progresit, lirisë, demokracisë, socializmit, spiritualizmit, transhendentalizmit. Ne do të përndiqeshim, përgjoheshim, gjunjëzoheshim, gllabëroheshim, poshtëroheshim sistematikisht. E gjitha kjo vinte në formë kurbani, për një jetë më të mirë, të cilën nuk do ta gëzonim dot, por që e votonim periodikisht. Nga nadiri në zenit, njerëzit ishin dëshmitarë të shtangur në aktin final të hiçit. Rimishërimi ynë i shumëpritur u kthye edhe një herë në gjendjen fillestare, dhe si ndëshkim na i flaku shpirtrat në pusin e asgjësë për mos t’u ringjallur më kurrë. Nata ra, dritat u shuan, shiu pushoi, zjarri u mpak, qielli u pastrua dhe yjet dolën një e nga një.
“E quindi uscimmo a rivedere le stelle – Dhe kështu dolëm për të kundruar yjet”
Dante Alligeri, Komedia Hyjnore, Ferri, vargu i fundit.
© 2024 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.