Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fe / Muzikë

KËNGË E KEQKUPTUAR

nga Marelba Fushekati

Kënga në fjalë është “Halleluiah”, e shkruar dhe e kompozuar nga kanadezi Leonard Kohen.

Para disa ditësh, një status i Arben Kallamatës në murin e tij social, ku citohej se Hallelluiah nuk është një këngë fetare që i kushtohet Perëndisë, më solli në kujtesë tekstin e saj. Kallamata kishte shkruar rreth kësaj kënge kohë më parë, (shkrimi këtu) duke iu referuar ndër të tjera edhe komenteve të jurisë së serive “Albanians Got Talent” të vitit 2010 mbi këtë këngë, të interpretuar në atë konkurs nga një këngëtar i bashkësisë së krishterë ungjillore shqiptare.

Është e lehtë të hamendësosh kuptimin e diçkaje nisur nga titulli, në këtë rast misionin e kësaj kënge, pa e kuptuar tekstin e saj, që edhe për shkak të muzikës si të zbritur prej qiellit, të bind se je duke kënduar një himn që i është shtuar kolanës së njohur të himneve kishtare. Dhe kur vazhdon e thellohesh në përfundime të caktuara, pa bërë më parë detyrat e shtëpisë duke mos ditur kuptimin e tekstit të këngës, jep mendime të palidhura dhe del në konkluzione të pavërteta si ato të asaj jurie, komentet e të cilës kanë fuqinë të edukojnë publikun që i ndjek se “Halleluiah” është në të vërtetë një këngë fetare. Në rrafshin personal, besoj se të kaplon një ndjenjë disi përmbysjeje, kur pasi ke kuptuar fjalët e këngës, i ke rënë më të që i ke kënduar diçkaje tjetër. Krejt tjetër. Duke kujtuar këtu edhe shërbimin e gabuar që i bëjmë një vepre kur e komentojmë pa e njohur.

Por a duhet të fajësojmë muzikën e mirë që të bind për diçka, ndërkohë që teksti nënkupton diçka tjetër?

“Populli im vdes për mungesë njohurish” – Testamenti i Vjetër.

Kthehem tek teksti i këngës Halleluiah dhe tek dy fabulat e marra po nga ky Testament dhe që janë përdorur nga Leonard Kohen-i në tekstin e saj.

Strofa e parë e këngës sjell mbretin David, i cili ndërsa është duke kompozuar një nga psalmet e tij, (Davidit i njihet autorësia e 73 psalmeve nga 150 që përmban libri i Psalmeve) sheh një grua duke u larë në një tarracë. Të zhveshur. Është Bathsheba. Gruaja e njërit prej oficerëve të tij. I dorëzuar hirit të bukurisë së gruas, Davidi fle me të. Më pas ia dërgon të shoqin në vijën e parë të luftës. Ku ai vritet. Kështu Davidi martohet me Bathshebën, e cila pret edhe fëmijën e tij.

Strofa e dytë sjell/nënkupton Samsonin, një luftëtar dhe gjykatës izraelit, i bekuar me një forcë fizike të mbinatyrshme.  E bukura Dilajlah, e paguar nga princat filistinë që të zbulojë sekretin e forcës së Samsonit, e josh atë me hire dashurie. Samsoni jepet dhe i tregon sekretin që forca e tij fizike qëndron tek flokët e tij të gjatë e të paprerë, që ishin simbol i përkushtimit të tij ndaj Zotit. I dehur dhe në gjumë, Samsonit i priten flokët nga një i ngarkuar i Dilajlës. I braktisur nga forca e tij fizike, Samsoni pasi verbohet nga filistinët burgoset dhe dënohet të punojë si skllav.

Kënga ka një tjetër referencë, që nuk i përket narrativës biblike, por që është një fakt historik, mbi atë të marshimit të perandorit romak Titus në Jeruzalemin e vitit 70-të pas Krishtit, ushtria e të cilit pasi theu muret e këtij qytetit, shkatërroi tempullin e dytë të tij, duke shaktuar edhe shpërnguljen masive të hebrenjve nëpër botë. Pas fitores, Titusi marshoi triumfues në Romë duke parakaluar plaçkën e gjallë të luftës nëpër rrugët e qytetit. Harku i triumfit të Titusit gjendet edhe sot në Romë, pranë sheshit të Koloseumit. Këtij çasti fitoreje, të dhimbshëm për hebrenjtë, i referohet Leonard Kohen-it, kur shprehet:

And I’ve seen your flag on the marble arch
And love is not a victory march
It’s a cold and it’s a broken Hallelujah

Refreni i këngës është një përsëritje prej katër herësh e fjalës Halleluiah.

Halleluia vjen nga hebraishtja dhe do të thotë “Lëvduar qoftë Zoti”.

Teksti i këngës, me vijën melodike ungjillore, i referohet pasioneve të trupit e të mendjes, forcave të errëta të qenies njerëzore, fuqisë së parezistueshme të seksit, të pushtetit, “lëshimit të fronit” si pasojë e zgjedhjes së mëkatit e për pasojë braktisjes së misioneve të mëdha që na janë ngarkuar, humbjes së vetvetes. Referencat biblike në të përditshmen tonë aplikohen figurativisht, por fuqia e këtyre simbolikave është tejet e madhe, dhe i rri mirë fjalëve të zgjedhura të këngës.

“Halleluiah” nuk është një këngë ungjillore. As himn kishtar. Është këngë pasionesh të errëta dhe lutjesh të dëshpëruara. Sikundër në vargjet e para lexoj:

“A baffled king composing Hallelujah”.

Davidi, ky mbret i shpërqënduar, që i thurur lavde Zotit.

Tekstit i këngës përpos shembujve të lartpërmendur vijon nëpër përpëlitje ndjesish që përplasen e që kërkojnë vendin që iu takon, ku refreni i përsëritur me të vetmen fjalë, Halleluiah, më kujton se edhe në mes të shijes së mirë që ka mëkati, humanët kërkojnë t’i kenë në rregull llogaritë më Atë lart. Duke e lëvduar. Me Halleluiah. Sepse jo çdo fitore është e bukur, dhe se pas perdes gjendet përherë lutja e paplotë, nderimi gjysmak ndaj vetes, ndaj Zotit, tollovia e jetës, shkatërrimi i tempujve për shkak të pasioneve të forta, pendesa, që të servirura me një muzikë të hatashme, të bëjnë të shprehësh nderimin tënd me atë që sipas Kohenit, është një broken Hallelujah ndaj Atij, që duke iu referuar tekstit të këngës, mund të ekzistojë atje lart. Një nderim zemërthyer.

Cilado të kenë qenë arsyet që Kohen-i ka shkruar dhe kompozuar këngën, mendoj që ato arsye janë shekullare, të palidhura me besimin fetar e në rastin e tij me judaizmin, duke konsideruar prejardhjen e tij hebreje. Që të servirura me një gjuhë të pazakontë notash muzikore, është kthyer tashmë në një himn. Jo religjioz.

© 2024 Marelba Fushekati. Të gjitha të drejtat janë të autores. Kopertina realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin