nga Agron Alibali
Më 25 tetor 1945 një grua e re amerikane, punonjëse e UNRRA-s në Tiranë, do të vizitonte atë që funksiononte si kampi i refugjatëve çamë në Elbasan. Ajo quhej Alice E. Lovely [Alis Lavli], dhe ishte vetëm 30 vjeçe.
E lindur në qytezën e vogël dhe piktoreske të North Kinsgtaun-it [Kinstown] në shtetin Roëd Ajlend [Rhode Island] më 4 shtator 1915, studimet e larta Alice i kreu në Radklajf Kollexh [Radcliffe] sot pjesë e Universitetit të Harvardit, ku u diplomua në vitin 1936, me rezultate të shkëlqyera [magna cum laude], e specializuar për studime në gjuhët dhe letërsinë romanse.[1]
Alice u punësua me UNRRA-n në vitin 1944 dhe shkoi në Shqipëri një vit më vonë. Një nga detyrat e para të saj ishte të hulumtonte për gjendjen e “300” hebreasve të strehuar në Shqipëri.
Njohja me problemin çam
Mirëpo, pa dashur, Alice Lovely u bë dëshmitare e gjendjes së vështirë të refugjatëve çamë në Shqipërinë e pasluftës kur, një mëngjes vjeshte të vitit 1945, ajo pa kushtet e mjerueshme të tyre në Elbasan. Raportin në trajtë “përshtypjesh vetjake” [personal account] ajo ia përcolli menjëherë zyrës qendrore të UNRRA-s në Tiranë.
Zyra e Misionit UNRRA në Shqipëri ishte njohur edhe më përpara me problemin e minoritetit çam të dëbuar nga vatrat e tyre në Greqinë Veriperëndimore dhe të strehuar në Shqipëri. Mirëpo përshkrimet e gjalla dhe grafike të zonjushës Lovely jo vetëm që rritën më tej ndërgjegjësimin e UNRRA-s në Shqipëri, por tronditën dhe vunë në lëvizje madje edhe Qendrën Rajonale Evropiane të UNRRA-s [E.R.O.] në Londër.
“Mendoja se emocionet e mia do të ishin tashmë të kalitura ndaj mjerimit njerëzor” – u shpreh ajo. “…Mirëpo…në Elbasan pata një përvojë të re, shumë herë më të pikëlluar dhe të mjerë”, kur “pashë dhe bisedova me një grup të tërë njerëzish që sot në Shqipëri jetojnë në kushte shumë herë më të dëshpëruara se ç’mund t’i kisha përfytyruar”.[2]
“Jeta e çamëve është përmbysur krejtësisht prej luftës në Greqi”, do ta fillonte Lovely raportin e saj. Dhe në vazhdim ajo do të theksonte këto çështje themelore: (i) kushtet tejet të vështira të jetesës; (ii) dëshira e patundur për riatdhesim, dhe (iii) bashkëpunimin Tiranë – UNRRA për t’u kujdesur për ta.
“Çamët jetojnë sot në kushte shumë më të dëshpëruara nga ato që kam hasur ndonjëherë gjatë viteve të punës sime si punonjëse sociale në Amerikë” [3], do të shprehej ajo qartë dhe me realizëm.
Dhe më tej:
“Megjithatë, ata mezi ç’presin që të kthehen në arat e tyre pjellore në Epir. Ndërkohë, përgjegjësinë për t’u kujdesur për ta e ka qeveria shqiptare, e ndihmuar nga UNRRA”.[4]
Nga raporti kuptojmë se Alice kishte marrë njohuri për vendin, prejardhjen, gjuhën, kombësinë, shtetësinë, si edhe dramën e komuniteti çam.
“Sot në Shqipëri ndodhen rreth 25,000 çamër, shumica gra dhe fëmijë, të shpërndarë nëpër rrethe në mbarë Shqipêrinë – do të shkruante më poshtë ajo.“Para luftës ky popull jetonte në rajonin që përfshin prefekturën shqiptare të Gjirokastrës dhe që shtrihet në territorin mjaft të gjerë në anën greke të kufirit. Gjatë luftës në Greqi fshatrat e tyre u sulmuan, dhe ata të cilët nuk u vranë, u larguan drejt Shqipërisë. Edhe pse flasin të gjithë shqip, çamët kanë shtetësi greke”.[5]
Mirëpo Alice Lovely nuk u mjaftua vetëm me raportimin për tek UNRRA, çka e kishte detyrë funksionale. Ajo iu drejtua edhe bashkësisë akademike të kolegjit të saj të famshëm dhe të pasur, duke e përcjellë raportin në trajtë letre, e cila u botua menjëherë në periodikun e kolegjit, The Radcliffe Qarterly.[6] “Tregimi i saj personal” iu dërgua edhe gazetës “Wickford Standard”, e përjavshme vendore e qytezës së lindjes së Znj. Lovely, një sërë gazetash të tjera të paidentifikuara, si dhe Kryesisë së Shoqatës Çamëria në Hartford, CT.
Më 9 nëntor 1945 gazeta “Hartford Times” në Hartford, CT, botoi një përmbledhje të zgjeruar të raportit të saj. Të njëjtën ditë kryetari i Shoqatës Çamëria në SHBA vizitoi prindërit e zonjës Lovely dhe u tha atyre se, pasi kishte lexuar artikullin, shoqëria kishte vendosur të grumbullonte fonde për çamërit dhe i kishte bërë kërkesë qeverisë amerikane për t’i dërguar këto ndihma në Shqipëri.[7]
Gazeta vendore “Wickford Standard” botoi të plotë edhe një shkrim të znj. Lovely më 27 dhjetor 1945 në formën e një letre që Alice i dërgonte motrës së vet, znj. Lloyd Sherman. Alice Lovely ishte shndërruar kësisoj, në një aktiviste të pashembullt të çështjes çame.[8]
Rreth një muaj para vizitës së Alice në Elbasan, më 21 shtator 1945 qeveria, shqiptare dhe UNRRA kishin lidhur marrëveshje ku UNRRA angazhohej që “të sillte ndihma për 25,000 çamët” [undertake relief for 25,000 Chamerians].[9] Duke patur parasysh nevojat e ngutshme të komunitetit çam, më 26 shtator 1945 rreth 329 ton furnizime iu dorëzuan Këshillit Çam për t’u shpërndarë.[10]
Modalitetet e marrëveshjes së shtatorit 1945 ishin tejet interesante. Së pari, ndihma për çamët do të merrej nga pjesa për qeverinë shqiptare për t’iu kompensuar asaj më vonë nga UNRRA; dhe, së dyti, administrimi dhe shpërndarja e ndihmave do t’i lihej në dorë “Këshillit Çam”.[11]
Pra, kishte atje dy elemente të rëndësishme: e para, emergjenca humanitare, dhe e dyta, trajtimi i veçantë, thuajse ekstra-territorial që i bëhej komunitetit çam, çka del tek angazhimi gati autonom i Këshillit Çam në çështjen e “shpërndarjes” së ndihmave. Roli i veçantë vetë-administrues i këtij të fundit ndofta lidhej me institutin e lashtë të pleqësisë në të drejtën zakonore të Çamërisë.
Gjatë muajit tetor 1945 [1-21 tetor] në Shqipëri kishin mbërritur rreth 4765 ton ndihma me ushqime, veshmbathje, pajisje mjekësore dhe ilaçe, çimento, farna e makineri bujqësore, etj.[12] Gjysma e kësaj sasie, bashkë me 329 tonët, ishin hequr nga llogaria e qeverisë shqiptare me miratimin e saj dhe iu përcollën refugjatëve çamë, ndërkohë që kjo kuotë e munguar do t’i kreditohej Tiranës nga UNRRA në të ardhmen e afërt.[13]
Ndihma prej 329 tonësh përfshinte këto zëra:
(i) miell 250 ton;
(ii) sheqer 10 ton;
(iii) bizele të thata 40 ton;
(iv) qumësht i kondensuar 13 ton;
(v) qumësht pluhur 16 ton.[14]
Mirëpo Misioni i UNRRA-s në Tiranë e gjykoi gjendjen aq të vështirë sa njoftoi me urgjencë edhe Washingtonin. Nga qendra u kërkua përdorimi i materialeve tepricë ushtarake në Kazerta [Caserta], Itali, si dhe ushqime, medikamente dhe sende të tjera për jetimoren e 500 fëmijëve çamë”.[15]
Ndërkohë, në nëntor 1945 Ndihmësi i Posaçëm i Shefit të UNRRA-s në Shqipëri shkoi në Washington për të diskutuar çështje të ndryshme të ndihmave dhe furnizimeve. Ka rëndësi të theksohet se një ndër arësyet e vizitës, e përfshirë edhe në agjendën e takimeve në Washington, ishte edhe “programi i ndihmave për Çamët [the programme of supplies for the Chamerians]”.[16]
Me ndjenjë realizmi dhe humanizmi, Alice Lovely theksonte në Raportin e vet se, “duke patur parasysh nevojën e madhe dhe të ngutshme për ushqim, veshmbathje dhe strehim, si nevojë themelore jetese – kërkesat e paraqitura mund të quhen modeste. Problemi është tejet i thjeshtë – ruajtja e jetës së njerëzve – dhe aty po i përqëndrojmë të gjitha energjitë tona”.[17]
Ruajtja e jetës së njerëzve
Sikurse u përmend mësipër, Alice Lovely ishte mësuar me histori të shumta skamjeje e varfërie në SH.B.A. dhe nga lufta në Evropë. Mirëpo në takimet në Elbasan, historitë e vuajtjeve njerëzore u bënë edhe më të gjalla, të prekshme. Rrëfimet, shkruante ajo “transformohen në njerëz që duhet të mbijetojnë”; njerëz, që pavarësisht nga brengat, humbjet dhe vuajtjet, ruanin dinjitetin dhe zakonet e tyre, aq sa “kur i takon … ata të përshëndesim me një “tungjatjeta” dhe të ftojnë në shtëpitë e tyre”. [18]
Lovely na jep një përshkrim thuajse fotografik të refugjatëve çamë të Elbasanit, të strehuar në dy kampe. Sipas saj, ata jetonin në skamje të plotë. Megjithatë, ndryshe nga çamët e zhvendosur tjetërkund, çamët e Elbasanit “ishin relativisht me fat, sepse ishin strehuar në [dy] ndërtesa të qëndrueshme [well-constructed buildings], që edhe pse të konsumuara, të paktën kishin mure, çati dhe dysheme”.[19] Njëra nga ndërtesat ishte ish-Fabrika e Cigareve.
Kushtet e strehimit ishin të pazakonta dhe të vështira. Rregulli i pashkruar ishte “dy familje për dhomë, gjithsejt 11-12 persona në çdo dhomë, përfshirë të sëmurë e të moshuar. Të vetmet orendi ishin një shtroje e hollë kallamash, që ndahej në mes nga një rrip i zbuluar dyshemeje rreth një këmbë i gjerë, që shërbente si sinor midis dy familjeve. Nëpër qoshe ishin të renditura bukur jorganë dhe batanije. Në dhomë binte në sy edhe një tigan i rastit për përdorim të gjerë, dhe që nevojitej për të gatuar ushqimin e pakët”.[20]
Për shkak të mungesës së transportit, furnizimet e UNRRA-s ende nuk kishin mbërritur në Elbasan. Përshkrimi i Alice-s bëhet gjithnjë e më dramatik, dhe në fund merr nuanca tragjike.
“Tek njëri kamp, fëmijë dhe të moshuar ushqeheshin për javë të tëra vetëm me bukë të thatë dhe vetëm një vakt në ditë. Tek një kamp tjetër, refugjatët kishin qëlluar me më shumë fat: në mes të oborrit të kampit kishin një kazan që zinte supë të hollë përmbi një zjarr të hapur. Supa ishte thjesht qull, ose miell me ujë, ku futeshin edhe disa erëza për aromë. Në mungesë të qumështit, një njomzak vetëm pesë muajsh ushqehej me qull të përbërë vetëm nga miell dhe ujë. Në anën tjetër të dhomês rrinin dy burra, të rinj në moshë por të moçëm në trup, që bënë çmos të ngriheshin në këmbë për të na përshëndetur, mirëpo u rrëzuan mbrapsht të dobësuar nga sëmundja. Në dhomën ngjiturazi, që ishte “shtëpi” për dy familje të tjera, pashë të shtrirë përdhé një djalë të ri, të mbështjellë me batanije dhe me sytë filxhan që tregonin frikë, dhe ankthin e dhimbjes dhe urisë: ndërkohë që po na shikonte, gjyshja e tij na tregoi se ai ishte jetim – i jati ishte vrarë në luftën në Greqi. [21]
Këto mbresa tashmë janë shlyer nga kujtesa e brezave, dhe pikërisht tek ngulitja dhe përcjellja për brezat e ardhshëm qëndron njëra prej vlerave të punës së znj. Lovely. Siç do të shpjegohet më vonë, ajo pati marrë edhe foto gjatë kësaj vizite, të cilat ende nuk i kemi gjetur.
Rezultate të vizitës
Raporti i Alice Lovely-t për refugjatët çamë në Elbasan krijoi një gjendje të re dhe të papritur tek zyrat e UNRRA-s në Tiranë. Menjëherë, shefi i Misionit Okli-Hill [Oakley-Hill) vuri në dispozicion të Këshillit Çam tre kamionë të UNRRA-s për të shpërndarë ndihmat që sapo kishin mbërritur në Durrës. Kamioni i parë me furnizime mbërriti në Elbasan ditën e Dielë, me 28 tetor 1945, pra vetëm tri ditë pas kthimit të Znj. Lovely.[22]
Në Raport Alice Lovely afishonte edhe nevojat përparësore të refugjatëve: (i) ushqimi; (ii) veshmbathja; (iii) strehimi. Nevoja më e ngutshme ishte ushqimi i shëndetshëm dhe i plotë [wholesome and nutritious food]. “Të gjithë çamët, theksonte znj. Lavli, vuajnë nga mungesa e ushqimit” [undernourishment]. Sigurimi i veshmbathjeve të ngrohta në prag të dimrit ishte përparësia a dytë. Strehimi ishte nevoja e tretë e ngutshme. Në kampe të tjera përtej Elbasanit refugjatët çamë “jetonin në barraka dhe kasolle të keq-ndërtuara [poorly constructed] ku i ftohti dhe shiu hynin lirisht gjatë dimrit.”
Për të ardhmen, Alice sugjeronte furnizime me ushqime, medikamente, basme, sigurimin e 200 ton ndihma me veshmbathje, këpucë, lëndë riparimi, çadra dhe pajisje kampingu, si dhe mjete transporti. Veç, ajo theksonte se “programi, po qe se miratohej, do të mbulonte vetëm nevojat themelore dhe do të lehtësonte gjendjen e dëshpëruar”.
Duke e botuar Raportin edhe tek revista e universitetit të saj [shkurt 1946], si dhe në shtypin amerikan [nëntor 1945], Alice Lovely në një farë mase e kishte ndërkombëtarizuar problemin çam si emergjencë e pashembullt humanitare. “Më shumë ndihma dhe furnizime do të nevojiten në të ardhmen”, theksonte ajo, si batanije, veshmbathje, lesh, ushqim për fëmijë, duke u bërë thirrje në fund mbarë lexuesve që të mobilizoheshin për të ndihmuar refugjatët çamë.[23]
Zyra e UNRRA-s në Tiranë e përcolli Raportin e znj. Lovely menjëherë, d.m.th. me datë 27 tetor, për Qendrën në Londër dhe në Washington “bashkë me fotografitë” [24]..
Ndërkohë, reagimet midis refugjatëve çamë për përfshirjen e UNRRA-s ishin mëse pozitive. Mbërritja e furnizimeve për “refugjatët nga Çamëria” në portin e Durrësit “ishte biseda ditore për të gjithë çamët, të zhytur në vuajtje të pafund dhe që mezi siguronin bukën e gojës”. [25]
Çamët i përcillnin falenderime të ngrohta qeverisë shqiptare dhe Misionit të UNRRA-s dhe shprehnin besimin se kjo e fundit, “si një organizatë ndërkombëtare që ndihmon në rehabilitimin e popujve të dëmtuar nga fashizmi, është gjithmonë gati të mbajë parasysh rëndësinë e problemit të çamëve (Çamerians), të cilët po jetojnë si refugjatë larg shtëpive dhe pronave të tyre”.[26] Ky është tjetër shembull i vizionit dhe largpamësisë së udhëheqësve të komunitetit çam që, edhe atëhere, zgjidhjen e shikonin në ndërkombëtarizimin e problemit dhe në përfshirjen e Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saj për zgjidhjen e tij.
Gjendja e përgjithshme dhe shpërndarja e çamëve në tetor 1945
Gjendja e çamëve të Elbasanit ishte veç një pamje e tablosë së përgjithshme të vuajtjeve dhe mjerimit çam. Sipas dokumenteve të UNRRA-s, në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1945 ndodheshin rreth 25,000 refugjatë çamë me statusin e Personave të shpërngulur nga lufta. Ata ishin shpërndarë në 15 “qendra”, kushtet e të cilave nuk ishin aspak të mira. Gati gjysma e tyra, më saktë 40% ishin fëmijë dhe të mitur. Rreth 1/3, d.m.th. 32% ishin gra. Pjesa tjetër, d.m.th. 28 % ishin burra dhe pleq. “Shumica e tyre ishin të moshuar, të sëmurë dhe të paaftë për punë”.[27]
Në tetor 1945 ishin regjistruar me Komitetin Antifashist Çam rreth 22,115 refugjatë, të shpërndarë në moshë/gjini sipas përqindjeve të mësipërme. Sa u takon ngulimit, çamët ishin shpërndarë në këto vendbanime kryesore:
- Vlorë: 4990;
- Fier 2180;
- Lushnje 1880;
- Konispol 1770;
- Kavajë 1723;
- Berat 1440;
- Durrës 1425;
- Delvinë 1120;
- Sarandë 1050;
- Tiranë 1000;
- Krujë 990;
- Shijak 915;
- Peqin 830;
- Gostimë 820;
- Elbasan 735;
- Shkodër 200.[28]
Sipas një Memorandumi të Zyrës së UNRRA-s për Shqipërinë:
“Ata nuk kishin as para, as tokë dhe as bagëti të tyret…Ata kishin nevojë për sendet më elementare të jetesës, për ushqim, për veshmbathje për strehë dhe për medikamente…Ata ishin në gjendje të tillë kritike të mungesave ushqimore [under-nourished] sa kishin nevojë për riaftësim ushqimor [building up] nëse duhet të mbijetojnë. Sidomos fëmijët, nëse do të duam të bëhen një brez i dobishëm në të ardhmen, duhet të ushqehen në mënyrë të përshtatshme”.[29]
Një komunitet i vetëqeverisur
Nga dokumentet e UNRRA-s, por edhe nga dokumente të tjera arkivore, kuptojmë që refugjatët çamë në Shqipëri u vetëorganizuan menjëherë dhe – me sa ua lejonin rrethanat – u vetëqeverisën, kryesisht sipas normave të lashta të së drejtës së pashkruar çame. Në emergjencë dhe lëvizje të përhershme, fillimisht instinkti i vetëruajtjes i shtyu që të grumbulloheshin rreth bërthamave familjare, fisnore dhe sipas prejardhjes vendore, që shërbenin si njësi vetëqeverisjeje.
Përfaqësuesit më në zë bënin pjesë në Komitetin Antifashist Çam, i cili ishte organi më i lartë ekzekutiv i komunitetit të refugjatëve çamë në Shqipëri. Në dokumente del edhe një Këshill Antifashist Çam, që mund të jetë emërtim tjetër i Komitetit. Ndërsa organi më i lartë ishte Kuvendi apo Kongresi Çam.
Lidhur me vetëqeverisjen e çamëve flasin edhe dokumentet e UNRRA-s:
“Çamët janë të organizuar dhe kanë udhëheqësit e tyre. Ata kanë një Këshill Qendror si dhe Këshilla Vendorë në çdo qendër.“[30]
Komiteti Antifashist Çam kishte si objektiv themelor ruajtjen dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve, sigurimin e kushteve emergjente për strehim, ushqim e mbijetesë të masës së grave, fëmijëve e pleqve. Detyra e tij ishte, kuptueshëm, jashtëzakonisht e vështirë. Një masë e madhe njerëzish të shpërngulur dhunshëm nga shëpitë e tyre gjatë muajve të fundit të Luftës II Botërore ndodheshin në Shqipërinë fillimisht ende nën pushtimin gjerman, dhe më pas të çliruar dhe nën qeverisjen e forcave komuniste. Duhet theksuar se gjendja ekonomike në Shqipërinë e pasluftës, sidomos në Shqipërinë e Jugut, ku u strehua masa dërrmuese e refugjatëve çamë, ishte shumë e vështirë. Shqipëria e Jugut e v. 1945 ishte vend i djegur, tokë e rrënuar, si pasojë operacioneve ushtarake gjermane në dimrin 1943-1944 dhe qershor 1944.
Shpëtimi i jetëve njerëzore duhet të ketë qenë thuajse i pamundur gjatë muajve të dimrit 1944-1945, sidomos në Sarandë, pranë kufirit me Greqinë. Dihet se atje u shpërngul një masë e madhe refugjatësh, sidomos nga rrethet e Filatit dhe veriut të Çamërisë, të cilët prisnin të ktheheshin në shtëpitë e tyre me t’u qetësuar gjendja. Varrezat e Kllogjerit janë sot dëshmi e kalvarit të papërshkrueshëm, por edhe e sfidave e vështirësive që përballuan drejtuesit e komunitetit çam, si dhe organet e pushtetit vendor në rajon.
Me stabilizimin e gjendjes në Shqipëri, detyra themelore përpara Komitetit Çam ishte sigurimi i kushteve minimale të mbijetesës, dhe këtu del në pah roli i jashtëzakonshëm i UNRRA-s.
Komiteti Çam, në kuadrin e autonomisë së vet, kishte tagër të diskutonte sasinë e ndihmave me UNRRA-n, të propozonte kategoritë e tyre, dhe t’i shpërndante ato. Komiteti Çam botonte gazetën “Zëri i Çamërisë”[31], si organ i tij, dhe merrej edhe me regjistrimin e refugjatëve çamë.
Si organi më i lartë i komunitetit çam, Kuvendi Çam, nga ana tjetër, përcaktonte politikat kryesore dhe objektivat strategjike të refugjatëve çamë. Kryet e vendit aty e zinte riatdhesimi. Po ashtu, ka rëndësi të theksohet se Kuvendi apo Kongresi i Dytë Çam i Vlorës deklaroi pa kurrfarë mëdyshje mbështetjen e e palëkundur për Aleatët e Mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Sovjetik, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
Edhe pse s’kemi të dhëna të drejtpërdrejta, besojmë se e drejta që zbatohej brenda njësive të bashkësisë çame ishin ligjet e pashkruara apo e drejta e lashtë zakonore e Çamërisë. Aty do të përmblidheshin institutet e besës, të mikpritjes, të ndores, të të drejtës zakonore familjare, të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me pajtim, të vendosjes së sanksioneve për shkelje të theksuara, për rolin e gruas në familje, për rolin e kryeplakut në komunitet dhe të pleqësisë, etj. Si individë që parashihej se do të qëndronin vetëm përkohësisht në shtetin pritës, refugjatët çamë ishin të detyuar të zbatonin legjislacionin e Shqipërisë.
Me shpërndarjen e refugjatëve në mbarë territorin e Shqipërisë, puna e Komitetit Çam dhe e të gjitha strukturave vetëqeverisëse kapilare çame filloi të zbehej deri në shuarjen e plotë. Lufta Civile Greke, ngrirja e marrëdhënieve Greqi-Shqipëri dhe rrethanat e Luftës së Ftohtë, sollën integrimin e detyrueshëm, jovullnetar, përgjithësisht të pamiratuar prej tyre, të refugjatëve çamë në shoqërinë dhe strukturat administrative të shtetit shqiptar.
Alice Lovely pas Shqipërisë
Alice Lovely qëndroi dy vjet në Shqipëri.[32] Më pas u tërhoq nga shërbimi civil ndërkombëtar. Në vitin 1948 ajo iu kthye studimeve pasuniversitare dhe u diplomua për marrëdhëniet ndërkombëtare sërish në Radcliffe. Ajo ishte e para femër që mori diplomë të tillë pasuniversitare në atë shkollë.
Më pas ajo jetoi në kryeqytetin amerikan, dhe punoi kryesisht në Ambasadat indoneziane (përreth 7 vjet) dhe franceze. Në vitin 1957 dhe deri sa doli në pension, znj. Lovely punoi si zyrtare, dhe në fund Zv. Drejtoreshë në Programin e Bursave Fullbrajt [Fulbright].
Alice Lovely nuk u martua dhe nuk la fëmijë. Ajo vdiq me 3 nëntor 2000 në qytetin Kanaan [Canaan], të shtetit Konektikat.
Në një shënim për universitetin e vet, të shkruar në vitet e moshes së tretë, Alice do të shprehej se “për mua ka qenë privilegj i madh që të njihesha dhe të punoja me njerëz nga vende të ndryshme dhe nga të gjitha fushat e jetës, përfshirë bujq, mjekë dhe zyrtarë qeveritarë në Shqipëri, si dhe udhëheqës intelektualë në shkenca dhe arte nga vende të ndryshme të botës, nga Lindja dhe Perëndimi, të cilët kanë vizituar Shtetet e Bashkuara nën kujdesin e Programit Fulbright-Hayes”.[33]
Natyrisht, një ndër kontributet më të shquara të Alice Lovely-t ishte vëmendja, kujdesi i rrallë dhe ndërgjegjësimi në nivel ndërkombëtar që ajo i bëri çështjes së të drejtave të njeriut të minoritetit çam.
(c) 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Lejohet citimi dhe riprodhimi me kusht që të referohet kjo revistë si vendi i botimit të parë.
[1] Alice E. Lovely, former member Education Council, Obituaries, Standard-Times, North Kingstown, RI, Nov. 9, 2000. Arkiva Radcliffe College. Ka vend të përmendim se 25 vjet më parë, në shkollën ngjitur, kishte studiuar në të njëjtën fushë, por në nivel pasuniversitar, vetë Faik Konica.
[2] The Chamerian Refugeees in Albania, Alice Lovely Report, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[3] UNRRA Takes Emergency Measures, by Alice Lovely, 1946, The Radcliffe Quarterly, February 1946, f. 12.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] UNRRA Albania Mission, III Narrative Report required under Administrative Order a.120, November 1945, f. 6. Arkiva e OKB-së, Fondi UNRRA Shqipëri, S-1009, Kutia 3, Dosja 1.
[8] Telegram i Eirlys Collen, zyra e informimit dhe marrëdhënieve me publikun, UNRRA Shqipëri, për zyrat përkatëse në Londër, Washington dhe Romë, datë 2 nëntor 1945, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3. Aty bëhet fjalë edhe për një dokument të 26 tetorit 1945, që nuk e kemi gjetur.
[9] Ndihma e UNRRA-s për Çamët, Raport tre-faqesh, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[10] “…329 tons of supplies were handed over to the Chamerian Council for distribution”. Po aty.
[11] UNRRA Takes Emergency Measures, by Alice Lovely, 1946, The Radcliffe Quarterly, February 1946, f. 12. Duhet theksuar se marrëveshja ende nuk kishte marrë miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm të UNRRA-s në Washington dhe për sa më sipër do të diskutohej dhe vendosej në Washington
[12] Telegramit i UNRRA Tiranës, drejtuar Londrës dhe Washington-it me 25 tetor 1945. Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[13] Ndihma e UNRRA-s për Çamët, UNRRA Relief for the Çamerians, Raport tre-faqesh, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3. Raporti nuk ka datë. Një shënim në fund të faqes së parë përmend se një kopje iu nis me 4 tetor [1945} z. Fultz, të Misionit “Vëzhgues” amerikan.
[14] Po aty.
[15] Po aty. Për krahasim po sjellim një të dhënë nga Archer: “në nëntor 1948, [kur në Greqi kishte rreth 700,000 refugjatë të rinj nga Lufta Civile] Glen Leet gjeti në magazinat e qeverisë këto pajisje të UNRRA-s të pashpërndara: 5000 çadra, 3000 stufa, 2000 konteinerë 5 gallon me ushqime” dhe shumë sende të tjera. Balkan Tragedy, nga Laird Archer, Introduction by Dr. Julian Archer, MA/AH Publishing, 1983, f. 274, shënim në fund të rrjeshtit.
[16] Supplies for the Chamerians, Raport i UNRRA-s, datë 30 nëntor 1945, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[17] UNRRA Takes Emergency Measures, by Alice Lovely, 1946, The Radcliffe Quarterly, February 1946, f. 12.
[18] Po aty, ff.12-13.
[19] Po aty, f. 13. Sipas një shënimit të fotos së Ristanit, njëra nga godinat ishte ish-fabrika e cigareve.
[20] Po aty. f. 13.
[21] Po aty, f. 13.
[22] Telegrami i UNRRA Tiranës, drejtuar Londrës dhe Washington-it më 25 tetor 1945. Arkivat e UNRRA-s për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3. Raporti nënvizoi edhe sjelljen dhe marrëdhëniet shumë të mira midis përfaqësuesit të qeverisë dhe komunitetit çam në Elbasan.
[23] UNRRA Takes Emergency Measures, by Alice Lovely, 1946, The Radcliffe Quarterly, February 1946, f. 13.
[24] Po aty. Një grumbull fotosh nga fotografi i shquar Jani Ristani ndodhen në Arkivin e UNRRA-s në Nju Jork. Këto i pashë dhe i mora kur hulumtova për këtë studim në vitin 2011. Po atë vit kërkova edhe kopje të digjitalizuara, për efekt botimi, për çka bëra edhe pagesën përkatëse. Zyra e Arkivit, me korrektesë, e kreu porosinë dhe më dërgoi fotot në disk. Fill më pas fotot u bënë publike dhe hodhën në internet. Një vit më vonë këto foto u botuan me sukses nga Robert Elsie në librin e tij “The Cham Albanians of Greece – a Documentary History”. Të vërehet përdorimi i termit “Cham Albanians” në vend të termit “Chamerians”, që haset gjerësisht dhe në mënyrë konsistente në dokumentet e UNRRA-s në anglisht. Qysh nga koha e hulumtimit dhe qasjes me dokumentet e UNRRA-s, i nënshkruar ka parapëlqyer përdorimin e termit të ngulitur nga UNRRA – Chamerians – në të gjitha punimet në anglisht për këtë çështje.
[25] Raport i Komitetit Antifashit Çam, i titulluar Editorial News, U/N/R/R/A and WE, pa datë. Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[26] Po aty.
[27] The Chamerians, Memorandum i Zyrës së Misionit UNRRA në Shqipëri, f. 1. Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[28] Letër e Kasëm Demit, Kryetar i Komitetit Çam, drejtuar Zyrës UNRRA Tiranë, më 5 tetor 1945. Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3. Z. Demi përmend edhe një hartë të ngulimeve çame, që nuk e kemi. Nga dokumenti mësojmë se përpilimi i statistikës nuk kishte qenë aspak i thjeshtë, për shkak se “çamët ishin në lëvizje të vazhdueshme nga një vend në tjetrin”, por se kjo ishte statistika më e saktë e mundshme në rrethanat e jashtëzakonshmë të asaj kohe. Dokumenti gjithashtu tregon se vetë UNRRA ishte e interesuar sidomos për numrin e grave dhe fëmijëve ndër refugjatët çamë.
[29] The Chamerians, Memorandum i Zyrës së Misionit UNRRA në Shqipëri, f. 1. Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3. Dërguar Qendrës në Londër më 16 janar 1946.
[30] Po aty. Nuk kemi kohën e saktë të konstituimit të Komiteti Antifashist Çam, por ai duhet të ketë filluar të funksionojë fill pas ardhjeve të para masive në fund të qershorit dhe korrikut 1944 dhe deri në Kongresin e Parë Çam të Shalësit në shtator 1945.
[31] Letër e Musa Demit dhe Kasëm Demit drejtuar Hajredin Çelos, 29 dhjetor 1945, Arkivat UNRRA për Shqipërinë, U.N. S-1012, Kutia 4, Dosja 3.
[32] Deklaratë e Alice Lovely-t për Radcliffe College.
[33] Dosja e Alice Lovely-t, Radcliffe College.
Më vjen shumë mirë, që gjallëron një problem mjaft dhimbës siç është problemi çam. Shqipëria dhe e gjithë shoqëria jonë nuk duhet ta lerë në heshtje, por duhet të këmbëngulë nga Greqia të lejojë çamët të kthehen në vatrat e tyre. Genocidi grek nga çamëve duhet të dënohet. Nga ana tjetër edhe shoqata e çamëve duhet të gjallërohet. Idrizi e ka uzurpuar me duket vendin e kryetarit për mjaft vite e nuk e kraen detyrën e madhe të mbrojtjes së interesave të çamëve që ka.