nga Gentiana Minga
Ndoshta dhe vjen një ditë kur qytetarët italianë të zbresin prej autobusëve të linjës tek Via Adelina Sejdini, apo të përtypin një Orecchiette alla barese tek Piazza Adelina Sejdini. Mundet që kjo të ndodhë shumë shpejt (i), në qytetin e Barit, ku emri e saj do të përfaqësojë një rrugë, një shëtitore apo një shesh. Kjo më ngazëllen përgjysmë. Me Adelinën kemi shkëmbyer dy-tri mesazhe përmes postës elektronike diku nga 2005-a, kur i lypa t’i jepte një dorë familjes së një vajze të humbur në Itali që prej 8 marsit të dy viteve më parë. Asokohe nuk na erdhi dot në ndihmë. Në vijim i humbëm lidhjet. Më tutje, diku nga fundi i dhjetorit të 2021-shit, mikja e autorja Pina Piccolo, këmbënguli të shkruaja diçka për të, për llogari të revistës Macchina Sognante. Kjo në jerm të polemikave të kërleshura mes shoqatave të grave, të panumërta në Itali, pas vdekjes së saj të përzishme, një natë të ftohtë nëntori, kur mori e u hodh prej Urës Garibaldi në Romë, mbi lumin Tevere. Në shënimet e mia të para u përpoqa pa masë të isha e ftohtë, për të mos rënë peng e rrungajave të zymta. Por këto orvatje rezultuan të kota, ndaj dhe iu dorëzova instinktit për t’i zbrazur të tëra në çanak, pa i kaluar forcërisht në sitë, pa u përpjekur në rreshtime kohore e në logjika të paracaktuara. Këtu janë të përziera ndodhitë, përsiatjet, hamendjet, duhmat, e kështu me radhë. Të llangosura, merret me mend, edhe prej një damari vreri të pashmangshëm. Asgjë (njerëzore) nuk mund ta sjellë tanimë në jetë, e asgjë (njerëzore) nuk mund t’ia zbutë plagët e ta shpëlajë nga fëlliqësira që i është dashur të mbartë në të gjallë. Për këtë, që mundësia e një rruge në emër të saj apo një sheshi a shëtitoreje, në Itali, më ngazëllejnë përgjysmë. E ky gjysmëngazëllim përgjysmohet edhe më, kur mendoj, se si në Shqipëri, prej nga nisi ky telash i saj i paanë e i koklavitur, kjo duket të mos ndodhë kurrë.
***
Al posto tuo”, program televiziv i RaiUno-s, në vitin 2000, gëzonte një numër të pamasë teleshikuesish. Aty e kam parë Adelinën për herë të parë. Ulur si mbi gjemba në divanin mitik të Ada D’Eusani-t. Fytyrëgjatë me vijëzime të çrregullta, lëkurë e pastër si tyl. Buzë të përdredhura, por të këndshme, e sy të mëdhenj e të hutuar, si të një kafshe të zbutur. Rrekej të komunikonte me një italishte të çalë e timbër të gjallë. Një ditë, tregonte, u nis të blinte bukë. Ishte një nga gjashtë fëmijët e një familjeje nevojtare, prindër me mendësi të vjetër, shpjegon. Mundet, ashtu si në çdo lagje në Durrës e gjetkë, furra e bukës të kishte qenë jo fort larg nga shtëpia e saj. Nuk di të ketë thënë, në ishte në vajtje apo në kthim, nuk di pra, të ketë patur qesen e bukës në dorë, kur furgoni i zi i është avitur brinjazi e krahë mashkullorë e kanë tërhequr vrullshëm duke e plasur brenda. Akoma nuk ishte bërë natë, belbëzon. Shton edhe se si i ishte dukur e pamundur që askush të mos ishte gjendur atypari e të mos u kishte vënë veshin britmave të saja. Pas kësaj, Adelina ishte dërguar në një nga bunkerët në anë të bregut të detit, në Durrës. Diku nga Kampi i Punëtorëve, Kampi i Tmerreve sipas saj. Nxitoj t’iu bëj të ditur, gjë e pohuar disa herë nga ajo, se Adelina nuk kishte asnjë plan për të lënë vendin, asnjë rremendje që të mund ta bënte prè të ndonjë intrige. I gazmohej jetës së thjeshtë, çasteve kur i vihej pas motrës së madhe për të psonisur. I pëlqente madje edhe noti. Bënte pjesë në një nga skuadrat e notit në Durrës, e shkonte sa herë që i jepej mundësia në pishinën e vetme në të majtë të Vollgës. Në fëmijëri qëllonte me gurë pa iu dridhur qerpiku këdo që, nga rruga, i lëshonte ndonjë romuz të pahijshëm. Vajza, deri në atë ditë të kobshme, ishte rritur e druajtur, si shumë prej nesh. E kur e kish parë veten brenda bunkerit të zymtë, me shumë djem që prisnin në radhë, ishte velenisur nga paniku. Ma ha mendja që pak do të ketë prej brezit tonë që të mos e dinë se si ishte i bërë një bunker nga brenda. Të gjithëve duhet t’u ketë rastisur të futen brenda një të tilli kur ushtroheshin në lëndën ushtarake. Një lloj kërmilli i ftohtë prej çimentoje, i ulët e i ngushtë. Në këtë guaskë pra, gri e të zhveshur, Adelinën e përdhunuan dhe e torturuan me orë të tëra. Ende i kishte të dukshme vragat e gërshërës në mishrat e brendshme të kofshës së djathtë. Pak më të zbehta njollat e cigareve mbi gjinjtë. E gjitha kjo ndërsa përpëlitej mes lotësh, rrethuar me gjithfarë plehrash e cofëtina kafshësh. Në vijim, jeta e Adelinës ngjan të ketë qenë së pari, një merr-e-hedh i vazhdueshëm nga një shtëpi e panjohur në tjetrën, në shërbim të klientëve shqiptarë, formë kjo e domosdoshme stazhi. Natyrisht që në këto spostime të vazhdueshme asnjë nga fqinjët rrotull nuk do t’i ketë dëgjuar vajtimet e rënkimet e saj. Ç’është e vërteta, kjo është vetëm një nga shumë histori të tilla që kutërbojnë tepër gjak të mpiksur, urinë e jashtëqitje, për të imagjinuar të panatyrshmen të natyrshme. Por se: “Hë se vetë u pëlqeu atyre…” shkoqit mendimin e saj një zonjë. Statusi i saj është i mjaftueshëm për të kallur krupën: grua, nënë, motër. Pronare hoteli.
***
Siç e thamë më sipër, pak para se të dërgohej në Itali, Adelina Sejdini u degdis nga një vendbanim i panjohur në tjetrin. Prej ballkonit të katit të dytë të njërit prej tyre, diku në hyrje të Shijakut, u hodh pa ngurruar sapo iu dha mundësia. Ngjan të ketë gjymtuar këmbën apo krahun. Ndoshta edhe të dyja. Gjithsesi, ka bërë të pamundurën për të mbërritur përpara Komisariatit të Policisë së Shijakut, herë duke ngarë e herë duke çaluar. E vetëm brenda kësaj ndërtesë të rëndë është ndier më në fund e sigurt. Kështu që, nga një dëshmi në tjetrën, nga një ngashërim në tjetrin, ka kërkuar me ngulmim të fliste me familjen, që të vinin për ta marrë. Dikush prej policëve i është drejtuar me nxitim telefonit. I ka rënë numrit dhe ka pritur përgjigjen nga ana tjetër e receptorit. Këtu, ju sjell të përkthyer pjesë të një interviste dhënë gjatë përurimit të librit shkruar prej saj: “Libera dal racket della prostituzione”(ii):
“Përfundimisht, prindërit nuk pranuan të vinin … I kisha turpëruar e më kishin mohuar….atë mbrëmje, në komisariat, edhe policët më përdhunuan…”
Gjithmonë sipas dëshmisë së Adelinës, po këta nëpunës të komisariatit e kanë kaluar tek një tjetër grup me një çmim më të kripur. Ditë më pas, me vajza të tjera, të dëshpëruara si ajo, gjendet në breg të detit, shoqëruar nga burra me kapuça e nga persona me uniforma të forcave të rendit. Janë gatitur të gjitha për t’i nisur për në Brindisi. Me të mbërritur atje, vajzat ngjishen me dhjetëra në një apartament të vogël, ku shpesh vizitohen nga gra që mbartin na çanta shufra hekuri, për të sistemuar shtatzëni të papritura, jep detaje Adelina, dhe kujton me hidhërim një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, thuajse fëmijë, shitur prej familjarëve.
Pas pesë vitesh shfrytëzimi e përdhunimesh, më në fund ia del të shpëtojë, falë bashkëpunimit me forcat e rendit italian. Kallëzon dhjetëra e dhjetëra trafikantë, shpëton, me sa mundet, vajza shqiptare nga trafikimi. Krijon shoqata e merr pjesë në tubime. Nuk ka mundur të shkollohet, por është gati për t’u përtërirë e për të përpirë çdo gjë. Shpesh, me apo pa dashje, rëndon me penelata peizazhet e kobshme. Rrekje foshnjore e viktimës për të ngjyer me më të zezë atë që është vetvetiu katran, e për të bërë më të ndritshme atë që është vetvetiu rrëzëllore. Kështu, pra, vjen herë-herë e mëdyshtë, e thërrmueshme e në lypje mëshire e mirëkuptimi deri në venitje kur përpiqet të shpërfaqë pa pushim se në ç’mjellmë të bukur është shndërruar. Njëherazi i dorëzohet guximit të marrë kur i vihet pas forcave të rendit në operacione të rrezikshme, kur lëshon intervista e mban fjalime, kur pranon të përfshihet në projekte të shumta e të lodhshme, e dalldisur prej një ndjenje të paepur solidariteti, prej një energjie optimiste ngjitëse. Me të njëjtën energji me të cilën akuzon ashpër gazetarët për mungesë ndjeshmërie në përdorimin pa teklif të termave poshtërues: prostitutë/ ex- prostitutë/ punëtore seksi. Vihet haptazi kundër legalizimit të shtëpive publike e pohon pa rezerva, e ftuar në Asamblenë Kombëtare të organizatës së majtë italiane “Non una di meno”, duke përballuar kundërshtime të egra nga publiku, më prill të 2017:
“Prostitucioni nuk është kurrë një zgjedhje e lirë.(…) territori italian është prej kohësh nën drejtimin e kriminalitetit të organizuar. Ka edhe nga ato që ushtrohen fshehurazi, të shtrënguara nga skamja, sidomos vajzat nëna, por e bëjnë rrallë, e zonat tashmë janë të ndara. Gjithsesi, unë jam e mendimit që të gjitha këto gra meritojnë mundësi më dinjitoze. Klientët shpesh janë bashkëpunëtorë të skllavërimit të tyre. Vijnë prej të gjitha shtresave. Shoqërojnë fëmijët nëpër shkolla e kalojnë ca kohë me ne. Më besoni. (…) Na preknin (Zoti më faltë) edhe burra të palarë, të ndyrë, të pirë. Një ferr i vërtetë!.
Në librin “Yjet nuk vishen kështu”, botuar më pas nga Feltrinelli me titullin “Sole bruciato”, Elvira Donesi është nga autorët e parë, në mos nga të vetmit, që ka përshkruar makthe të tilla. I vetmi modus operandi për të rrëfyer lemerinë që u shkaktoi vajzave tona një pjesë e mirë e botës mashkullore të pas viteve ‘90. Donesi është vënë këmbëkryq me vajza të rrënuara e të sakatosura. Ka mbajtur shënime me zemrën plëng, duke gëlltitur e veremosur çdo gllënjkë lëtyre që kishin për t’i ofruar. Ngase i vinin të gjitha të vërtetat prej gjuhëve të tyre të hidhëta, fare pak i ka hyrë në punë trillimi. Aty pulsonin fort siluetat e të fejuarve, vëllezërve, tezeve e xhaxhallarëve, dasmat e dajret, fustanet e bardha të shqyera.
Në të hyrë të nëntorit të 2021-shit, edhe silueta e Adelinës filloj të shfaqej e mpakët rreth qendrës së Romës, e vetmuar, si në kllapi, e qullur prej shiut që asokohe lëshohej rrëke. Me një celular në dorë shpresonte, e angështuar dhe e mllefosur, të komunikonte me botën. Vërdallisej duke bërtitur me zë të çjerrë e të lartë, me një fjalor banal e plot gabime, me pupila të dëshpëruara si prej maceje të egër. Goja e saj e nxehtë, rrethuar me buzë të lyera fort, si një plagë në fytyrën e zgavërt e të zbehtë prej kimioterapive të gjata kërkonte më kot ç’ka i ishte mohuar pa të drejtë – nënshtetësinë italiane, prej nga të mund të përfitonte një pension të vogël për bukën e gojës. Përndryshe, kanoste në erë, do të vriste veten! Tashmë, apolide e dalë “jashtë mode” gjithmonë e më pak gazetarë e joshnin në sallonet e tyre. Gjysmënjeri edhe për “engjëjt e kaltër”, forcat e rendit, të cilëve u kishte kushtuar jetën për vite të tëra. Ishin nëna, babai, motrat e vëllezërit e saj forcat e rendit. Forcat e rendit dhe Zoti. Deri në nëntorin e 2021-shit.
Unë hamendësoj të ketë ngjarë pak a shumë kështu. Më 5 nëntor të 2021-shit, pas ultimatumeve të saj të shumta e të shpërfillura, sharjeve e mallkimeve mjerane, Adelina, do të jetë ndalur befas në natën e Romës, me flamurin italian rrotull qafës e kapuçin bojë ulliri mbi kokën e lodhur. Diç të dhimbshme do të ketë menduar e do të ketë pyetur veten: “Kjo ishte e gjitha???”
Nën peshën e ligështimit, me gjinjtë e dhembur nga sëmundja, do të ketë sjellë në mend harenë e freskët të dikurshme, kur vihej krahas të tjerëve nëpër mitingje me hap të sigurt e me shpatullat e mbuluara me flamurin tringjyrësh. Ndoshta përjetimi i kësaj e të tjera ndodhive të tilla do ta kenë bërë të vihej drejt Urës Garibaldi e të vërente poshtë, si për të gjetur një vend të përshtatshëm për të vdekur. Do të ketë qenë aty kur e ka ndier më fort se kurrë t’i vinte prej së brendshmi një piskamë përvëluese. Do të ketë qenë kjo piskamë aq e beftë dhe e mprehtë, sa do ta ketë kapluar makthi se po i përbiron mitrën, se po i çan zemrën, se po i ndan përgjysmë gurmazin. E prej andej fill e në kafkë. Kjo, pra, do të ketë qenë ora gënjeshtare kur gati në mesnatë, më 5 nëntor, pak prej Sheshit të Presidencës, ka vendosur të plandoset një herë e mirë prej urës së ftohtë e teposhtë, mbi çimenton buzë lumit të Teverës. Kaq mundi të na rrëfente prej vetes, duke i lëshuar shpejt, një herë e përgjithmonë, perdet e rënda të spektaklit të vet. Po kaq iu dhurua edhe prej Njeriut, në format e veta të llojllojshme e të shumuara. Për sa më përket mua e për fat, besimi më dhuron shpresë. Për këtë unë shpresoj shumë. Ta zëmë, shpresoj që rendja e saj e çmendur drejt vdekjes të mos ketë patur nijet vdekjen, por të ketë qenë një tentativë strabike për t’iu kacavarur trungut të jetës. Shpresoj shumë edhe që gojën ta ketë patur të mbyllur pas grahmës së fundit. Ose që dikush të jetë merakosur për t’ia mbyllur sa më shpejt. Para se të mund t’i turren brenda milingonat:
“Do t’iu them diçka që do t’iu duket budallallëk, po s’kam ç’bëj. Unë kështu jam. Para se të fus drutë në oxhak, i kontrolloj mirë se mos ka milingona. Përndryshe, vdesin të gjorat… ” (iii)
(c) 2023 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Në kopertinë: Adelina Sejdini.
(i) – https://www.youtube.com/watch?v=ze19wbtsUqc
(ii) – https://www.mondadoristore.it/Libera-dal-racket-Adelina/eai978887072697/
(iii)- Cit Adelina Sejdini su: https://vimeo.com/240369404
Pergezime per shkrimin Gentiana.