Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Politikë

POPULLI SEKRET I SË DJATHTËS SË RE

nga Arbër Zaimi

Që globalizmi laissez-faire do të prodhonte kriza e do ta rriste pabarazinë aq shumë sa të sharronte degën ku qëndronte vetë, kjo është parashikuar në teori qysh herët. Madje më herët se të fillonte kriza financiare globale e vitit 2008 dhe recesioni i madh që e pasoi. Psh. në vitin 2002 ekonomisti neokeynesian, Joseph Stiglitzi, botoi librin «Globalizmi dhe telashet e tij» (Globalism and Its Discontents)[i]. Aty evidenton ndër të tjera dy prej tipareve kryesore të mllefit ndaj globalizmit neoliberal: privimin ekonomik (rritjen e pabarazisë) dhe privimin politik (rrëgjimi i demokracisë liberale – transferimi i vendimmarrjes prej strukturave të zgjedhura demokratikisht nga popujt, drejt strukturave joshtetërore, ndërshtetërore e mbishtetërore që nuk i japin llogari asnjë elektorati). Stiglitzi shkruan nga përvojat e tij si kryekëshilltar ekonomik i presidentit amerikan Clinton e më pas si drejtor i Bankës Botërore përgjatë fundit të viteve ´90, si edhe përdor dijet e përftuara gjatë hulumtimeve të cilat një vit më parë i ishin çmuar me Nobelin e Bankës Mbretërore Suedeze. Ekonomisti amerikan u nobelizua (bashkë me dy të tjerë) për hulumtimin e ndikimit të pabarazisë në efikasitetin e tregjeve. Studimet e tij tregonin se si njëra ndër pabarazitë më të gjithmbarëshme, pabarazia në qasje (dhe në pasje) të informacionit i pengon tregjet që të funksionojnë me efikasitet. Pabarazia, apo asimetria në shpërndarjen e informacionit rrëzon poshtë modelet e «pritshmërisë racionale» mbi të cilat mbështetet besimi se tregjet e lira janë më efikase se qeveritë. E kur pabarazia në informacion bëhet ekstreme, tregu i lirë shndërrohet në riprodhues e në rritës edhe të pabarazive të tjera, në sabotues të ekonomive e të të mirës publike, në të kundërt të asaj që pretendohet nga ekonomistët neoliberalë. Stiglitzi nuk lë pa kritikuar edhe qeverisjen e ekonomive globale nga institucione si Banka Botërore, FMN-ja etj., të cilat kanë pushtet të madh mbi vendimmarrje të rëndësishme, mirëpo nuk kanë asnjë lloj legjitimimi përfaqësues prej ndonjë elektorati, e as nuk mbahen përgjegjës përpara ndonjë trupe politike demokratike. Sa më i vogël legjitimiteti demokratik, aq më i madh pushteti i këtyre institucioneve – e kjo doemos që rrit valë indinjate, sidomos kur sheh se pavarësisht gradave shkencore, paneleve pompoze, raporteve kuartale apo fjalëve të thëna me plot siguri nga ta, shpesh janë të pafuqishëm për të parashikuar, parandaluar apo shëruar krizat, e zhgënjyes në produktin politik (programin ekonomik) që ua imponojnë herë pas here shteteve të vogla e të mëdha.

Sigurisht, këto telashe, kritika, pakënaqësi, nuk mbetën vetëm në kuadër të salloneve akademike, por u shoqëruan edhe nga lëvizje shoqërore, trazira, protesta, që ashpërsoheshin sa herë që ashpërsoheshin krizat. Lëvizjet antiglobaliste arritën një lloj kulmi në fillim të viteve 2000 (p.sh. protestat e mëdha kundër mbledhjes së G8 në Gjenovë të Italisë, në vitin 2001, i paraprinin librit të Stiglitzit). Me përkeqësimin e situatës ekonomike sigurisht këto lëvizje shoqërore u shtuan, psh. «Zapto Wall-Streetin», e lidhur drejtpërdrejt me krizën financiare globale por edhe me pabarazinë në rritje (99% kundër 1%). Dikush mund të priste asokohe që, meqenëse antiglobalizmi kishte nuanca të theksuara të majta, do të reflektohej kjo në të ardhmen edhe në legjislatura e ekzekutivë të vendeve të prekura. Megjithatë institucionet e shtetet vazhduan të drejtoheshin në aspektin socio-ekonomik nga politika neoliberale të nuancave të ndryshme, herë disi më konservatore e herë disi më socialdemokrate, po gjithsesi besimtare të dorës së padukshme të tregut të lirë – dhe kjo qysh herët bëri të dukshme rritjen e pashmangshme të partive e programeve jocentriste, sidomos të atyre me prejardhje nga e djathta jocentriste[ii].

Nga Trump e deri te Meloni, pa lënë anash edhe Orbanin, Bolsonaron, Erdoganin, Modin e Putinin, ndërkohë që Marine Le Pen shënon vazhdimisht rritje e Mbretëria e Bashkuar pësoi Brexitin. Gjithë këto suksese figurash nga e djathta jocentriste, herë herë edhe radikale, që sigurisht, dallojnë prej njëri-tjetrit jo vetëm nga nuancat, por megjithatë kanë të përbashkët shumëçka: ndër të tjera atë që së fundmi po quhet «iliberalizëm». Një lloj miksi i autoritarizmit babaxhan tradicional, politikave sociale konservatore, anti-liberalizmit dhe anti-majtizmit shpesh edhe agresiv. Ndonjëherë përzierja shërbehet e holluar, e zbutur, ndonjëherë më e ashpër. Por është po ajo. Vështirë të gjesh parti të së majtës jocentriste që kanë arritur të kapitalizojnë në mënyrë të tillë prej krizës. (Mandej, edhe kur i fiton zgjedhjet, si në rastin e Syriza-s në Greqi apo ndonjë partie në Amerikën Latine, e majta shpejt e ka humbur përkrahjen e votuesve sepse nuk u ka rezistuar imponimeve të institucioneve globaliste dhe ka braktisur programin e vet, duke kolapsuar thuajse në të njëjtat politika centriste të neoliberalizmit). E majta jocentriste kur vjen në pushtet po bëhet saora konformiste dhe po i pranon si të mirëqena politikat centriste e korrektesën politike, ndërsa e djathta jocentriste shpesh befason, duke ndërmarrë politika shoqërore të forta kur këto janë në shërbim të votuesve të vet[iii]. Kjo aftësi është esenca e funksionit përfaqësues të partisë politike dhe ka ndihmuar që e djathta jocentriste të konfirmohet tashmë si një pol i tretë, aty ku më përpara ekzistonin vetëm dy pole centriste.

Natalia Romé duke vënë re pikërisht këtë fenomen, para do muajsh shtronte pyetjen interesante: A është bërë rebelimi një imazh i djathtizmit?[iv] Mandej kjo shoqërohej nga pyetja ndihmëse: Cilat kondita mundësuan mbrujtjen e një jakobinizmi të djathtë, i cili ia del mbanë të shkelë në të gjitha drejtimet kufijtë e gjithçkaje që deri më aty konsiderohej e mendueshme, apo e thënshme? Romé, profesoreshë e hulumtuese e shkencave sociale, përcjell bindjen se një gjuhë e cila nuk e vë më në pikëpyetje, por e ka brendësuar pabarazinë tashmë është formësuar si një projekt për të ardhmen (pra projekt politik). Ç´do të thotë kjo? Teksa gjatë shek. XIX e deri në fund të viteve ´60 të shek. XX ishte gjuha e emancipimit, e luftës, punës, e sakrificës për t´u bërë të barabartë në një të ardhme, individualisht e kolektivisht, si komb, si racë, si gjini, apo si klasë shoqërore, në pesë dekadat e fundit, nën dominimin e konsensusit neoliberal, pabarazisë i është veshur imazhi i diçkaje të pandryshueshme, e cila madje, po të luftohet mund të prodhojë tmerre të mëdha. Shto këtu mosbesimin e thellë në progres ushqyer nga postmodernizmi: dhe ja ku kemi një recetë për masa të mëdha popullore të painteresuara për politikë, për «kualunkuistë» me sjellje politike të shenjuar nga njëra anë nga oportunizmi: mosvotim ose shitje e votës (votoj atë që më jep diçka konkrete atypëraty mua), meqë të gjithë janë njësoj e meqë e mira publike nuk ekziston por veç ajo individuale – e nga ana tjetër nga një lloj «plebeianizmi globalifobik» siç e quan Romé, shenjuar nga bindja se mirëqenia e të tjerëve, e Tjetrit, është rrezik për mirëqenien time, e nga besimi se politikat globale udhëhiqen prej marionetash fijet e të cilave i ngre tjetërkush, në prapaskenë.

Në vitin jo dhe aq të largët 1907, në një revistë të quajtur «Epoka e Gurit të Ri» (The Neolith), publicisti e shkrimtari anglez Gilbert Keith Chesterton botoi vjershën me titullin «Populli Sekret» (The Secret People)[v]. Një vjershë e cila në dekadat e fundit publikohet fort pak si e tërë (për shkak të një vargu haptazi antisemit) por që megjithatë ka patur histori e impakt, e cituar në të gjitha periudhat nga politikanë të krahëve të ndryshëm të politikës, shumica syresh me prejardhje konservatore, ultrakonservatore, ndonjëherë edhe drejtpërdrejt fashiste[vi]. (Përshembull kushëriri i autorit, polemisti e publicisti Arthur Kenneth Chesterton, aktivist e bashkëpunëtor me ndikim të madh i shumë partive e publikimeve fashiste e neofashiste britanike, përdor vargje nga kjo vjershë për titullin e librit të tij «Sunduesit e rinj fytyrëvrerosur: Një ekspoze e politikës së pushtetit» (1965)[vii], libër që ia dedikon patriotëve të gjithë botës – pa shih pa shih, internacionalizmi i ultranacionalistëve nuk qenka gjë edhe aq e re…!)

Vjersha e G.K.Chestertonit është e rëndësishme për t´u sjellë në vëmendje këtu, sepse ajo përcjell më së miri, thuajse si një manifest programatik, një frymë që shtyn përpara valën e ringjalljes së partive të së djathtës jocentriste sot nëpër botë. Është një adresim i dy shqetësimeve që ngre Stiglitzi, kundër varfërisë si pasojë e pabarazisë, dhe kundër humbjes së peshës politike (vendimmarrjes) si pasojë e menaxherializmit dhe teknokracisë që sundon. Natyrisht, nuk mjafton kjo frymë për të shpjeguar një fenomen aq shumështresor e shumënuancor sa rritja e të djathave jocentriste. Jemi të vetëdijshëm se kriza ekonomike i ka prodhuar kushtet sociale, e kriza intelektuale, ideore e sidomos organizative e së majtës ka prodhuar mungesën e konkurrencës. Mirëpo leximi i aktualitetit të partive djathtiste që mundësohet prej vjershës së Chestertonit, na lejon të shohim së pari se këto fenomene bashkëkohore kanë pararendës, e së dyti se pararendësit e tyre nuk janë edhe aq fashizmat e shekullit XX, siç shpesh pretendohet.

«Populli Sekret» është shkruar para shfaqjes historike të fashizmit në Itali e më pas në Gjermani, Spanjë, Portugali e vende të tjera. Në fakt qysh para Luftës së Parë Botërore. Aty përçohet imazhi i një populli të indinjuar, në prag të rebelimit, kundër pretendimeve të projekteve politike moderniste e iluministe. Haptazi e me rimë të brohoritshme paraqitet skepticizmi popullor ndaj elitizmit dhe teknokracisë, apo menaxherializimit të politikës që e shndërron atë në profesion, duke mos lejuar përfshirjen e amatorëve. Masat të cilat mbesin jashtë politikës për shkak se nuk janë «profesionale» pësojnë një degradim, individi nga qytetar kthehet në nënshtetas. Ai thjesht është i detyruar të zbatojë politika, por nuk ka fuqi t´i ndryshojë a vendosë ato: këtë e bëjnë specialistët.

Autori i poezisë ishte një ndër intelektualët më në zë britanikë. Në periudhën e kapërcimit të shekujve XIX e XX polemikat ironike therëse mes tij dhe George Bernard Shawit ishin tharmi i publicistikës londineze. G.K. Chestertoni ishte mik me G.B. Shawin, por debatet e tyre nuk ishin thjesht sportsmanship. Ata mishëronin anë të ndryshme të spektrit politik, një përballje jo thjesht mes të djathtës dhe të majtës, më shumë mes tradicionalizmit dhe modernizmit. Chestertoni, thellësisht religjioz (në frymë nëse jo në praktikë), konservator e nacionalist, i përkiste një tradicionalizmi skeptik ndaj politikës: njeriu duhet lënë të jetojë qysh ka jetuar jetë e mot, traditat janë distilimi epokal i rregullave më të përshtatshme për shoqërinë. Ndërsa Shawi, eksperimentues me marksizmin, socializmin e shoqatat fabiane, besonte në emancipim, në progres, antiracist e feminist, dhe qe mjaftueshëm nietzchean sa të dëshironte «njeriun e ri». Po të shtrohej pyetja në ndonjë quiz televiziv, se cili prej të dyve do të përfundonte ndonjë herë si mbështetës i regjimit hitlerian, pakkush do ta gjente se mbështetësi qe nobelisti Shaw (edhe pse duhet thënë, ai nuk e mbështeti Hitlerin si nazist apo për nazizmin). Nietzscheanizmi i Shawit qe tregues i bindjeve elitariste, përbuzëse për masën, gjë që përkthehej drejtpërdrejt edhe në mosbesim të thellë ndaj demokracisë. G.B. Shaw qe kritik i madh i korrupsionit, i vonesave, i pafuqive, i shtyrjeve të proceseve deri në harresë, që vinin si rezultat i politikave parlamentare. Kështu që, në vitet ´30 (pra para se të fillonin luftërat e të bëhej e ditur botërisht kafshëria nazi-fashiste), ai publikisht lëvdoi stalinizmin e fashizmin, si forma qeverisëse ku të paktën merreshin vendime dhe kryheshin punë. «Jo fjalë, vepra»: parim që shpiket e rishpiket paprà prej elitistëve që mendojnë se fjala me peshë (pra ajo e fundit) është gjithnjë e tyrja, ndërsa të tjerët, masat, mediokrit, sa herë që mendohen apo flasin, veç lënë ndonjë punë pa bërë.

Shawi në fakt as që ishte i djathtë. Ai i përkiste një të majte jomarksiste e jokonvencionale. E majta me fashizmin janë esencialisht të ndryshme madje përjashtuese të njëra-tjetrës, në botëkuptim e në praktikë, në konceptin për njeriun e shoqërinë, në atë për shtetin e ekonominë, e kështu me radhë. Megjithatë, të dyja ishin pjellë të modernizmit dhe prej një pikëpamjeje antimoderniste, si ajo në vjershën e Chestertonit, është fare e lehtë të denoncohen të dyja në bllok si «e njëjta gjë». Chestertoni ishte refuzues i weltanschauung-ëve iluministë e modernistë që asociohen rëndom me progresizëm, teleologji, futurizëm e avantgardë, ai ishte antielitist në një mënyrë shumë të ngjashme me këtë «plebeianizmin» e kohëve tona që vë re N. Romé. Prandaj fryma në disa vepra të Chestertonit u përngjan shumë forcave të djathtizmit jocentrist që po rritet sot kur modernizmi as që mbahet mend më.

Autorë të ndryshëm e kanë vajtuar dominimin e një kulture të re, kryesisht cinike e mosbesuese, pa projekt, siç paraqitet postmodernizmi, me perëndimin e modernizmit. Tek «Transparenca e së Keqes» (1990)[viii] Jean Baudrillard me pezm e jep këtë diagnozë të kësaj bashkëkohësie:

Nuk ka më ndonjë avantgardë, politike, seksuale apo artistike, që do të mishëronte një aftësi për paraprirje; prandaj mundësia për një kritikë radikale – qoftë në emër të dëshirës, të revolucionit apo të çlirimit të formave- nuk ekziston më. Ditët e atij momenti revolucionar kanë përfunduar. Marshimi krenar i modernitetit nuk na çoi drejt transformimit të çdo vlere, siç besuam dikur, por drejt tretjes e përhumbjes së vlerave, që na lë në konfuzion total – drejt pamundësisë për të kuptuar çdo lloj principi përcaktues, qoftë ai i llojit estetik, seksual a politik.

Është kjo tredhje që pamundëson në fakt rishfaqjen e projekteve politike që besojnë në progres, qofshin ato të majta apo të djathta. E meqë e majta joprogresiste nuk është shpikur ende, lulëzon sot varianti i djathtë.

Të djathtat bashkëkohore diku diku mbase edhe rrjedhin nga linja gjenealogjike që kanë pikëtakime edhe me fashizmat e neofashizmat historikë, por votuesi i tyre, për pasojë edhe struktura e tyre organizative, nuk i përngjet edhe aq fashizmit të Mussolinit e nazizmit të Hitlerit. Nuk shenjohen këto të sotmet nga ndonjë elitizëm modernist e radikal, ndonjë vizion i avancimit të dhunshëm shoqëror drejt një ideali (njeriu i ri fashist, arian-nordicist), nga fetishizimi i teknologjisë e i shkencës, nga imponimi i disiplinës dhe i një etosi heroik për shoqërinë (që kërkon luftën deri në flijim për një ideal pavarësisht mungesës së gjasave për t´ia dalë mbanë). Përkundrazi, identiteti i votuesve të sotëm të së djathtës jocentriste, që kanë sjellë në skenë të madhe politikanë të paparashikuar, nga Trump e deri te Meloni, është mjaftueshëm heterogjen në terma gjinorë, krahinorë e racorë, i përket shtresave të ndryshme shoqërore, nuk ka ndonjë prirje të madhe për disiplinim, as ndonjë dëshirë të madhe për vetësakrifikim altruist e heroizëm. Këta votues nuk duket se duan luftën heroike, përkundrazi, për arsye tërësisht egoiste duan të shpenzohen sa më pak para për ushtritë e për vektorët gjeopolitikë (gjë që i intereson drejtpërsëdrejti psh. presidentit Putin të Rusisë, i cili dihet se është angazhuar për nxitjen e rrethanave të favorshme për lulëzimin e këtyre politikave[ix]). Elementi kryesor karakterizues për votuesit e këtyre partive e politikanëve të së djathtës jocentriste, kudo, është frika prej humbjes së sigurisë, identitetit, mirëqenies apo privilegjeve, si pasojë e ardhjes së mërgimtarëve nga vende të tjera – gjë që i çon në mbështetje të policisë më shumë se sa të ushtrisë. Ndërsa tipar i përgjithshëm është paranoja, dyshimi i thellë se politikanët nuk veprojnë në interesin e zgjedhësve, por të komanduar nga qarqe sekrete, prej Sorosit e deri te hardhuca aliene antropomorfe. Dyshimi jo rrallë shtrihet edhe te shkenca e cila shihet po ashtu si skenë e manipuluar nga interesa të fshehta. Kjo prodhon te votuesit e së djathtës jocentriste të sotme fenomene të cilat kanë qenë të pamendueshme për regjimet mussoliniane e hitleriane, si refuzimi i vaksinave, i klimatologjisë, i rrumbullakësisë e tokës apo i uljes së njeriut në hënë. Duhet bërë pra dallimi mes të djathtave jocentriste bashkëkohore, që shpërfaqin një lloj plebeianizmi anti-ndryshim, dhe të djathtave jocentriste të shek. XX të cilat ishin avantgardiste, futuriste e elitiste.

Chestertoni në vjershë përshkruan një popull të padorëzuar (anglez, por do të mund ta përvetësonte thirrjen secili popull me pak përshtatje), të patrishtuar, të zemëruar, me barkun e uritur, por megjithatë me sy të qeshur. Një vitalizëm bujqish që jetojnë nga stina në stinë, që më shumë janë të vjedhur se sa të varfër, të cilëve mbi të gjitha u mungon zëri se sa fjala, të cilët ndoshta nuk janë aq të pasur sa bujqit francezë, por e ngrenë dollinë me shumë më tepër gëzim e më pak vramendje se ta. Një popull që sunduesit e vet e përbuzin, ia marrin votën, ia paguajnë rrogën apo pensionin, e pastaj e harrojnë, por një popull që kushedi se ç´fsheh, meqenëse deri më tash kurrë s´ka folur. Ende.

Trupi i vjershës përmban një lexim poetik të historisë së sundimtarëve nga pikëvështrimi i popullit. Sundimtarë shpesh të huaj, që as nuk e kanë folur gjuhën e popullit (normanët në Angli), por edhe kur kanë qenë vendas, e kanë lënë pas dore atë gjuhë të joshur nga gjuhë «më elegante». Sundimtarë që (sipas këndit chestertonian) popullin e kanë përdorur vetëm si mish për top në luftërat e veta, ose e kanë shtrydhur me taksa për të financuar thesaret. Chestertoni ishte anti-elitist por ishte edhe monarkist, ndaj kujdeset që të mos i fajësojë drejtpërdrejt monarkët. Atyre më tepër ai ua kritikon oborrin, byrokracinë, administratën, (And the face of the King´s Servants grew greater than the King / He tricked them, and they trapped him, and stood round him in a ring) që me t´u bërë e pushtetshme bëhet dhe abuzuese e popullit (fryma autokratike kërkon shfajësimin e monarkut përmes fajësimit të oborrtarëve të tij, siç e do edhe ajo batuta shqiptare «s´besoj që di gjë Enveri, do ketë vepruar Kadriu/Hysniu/Mehmeti a tjetri me kokë të vet»). Mandej Chestertoni përshkruan fenomenin esencial kulturor të kombformimit modern anglez, pra Reformën Fetare, klerin e ri anglikan e protestant, disa si të dlirë e disa si të poshtër, e megjithatë të gjithë elitistë e askujt s´i bëhej vonë për popullin.

Kjo kritikë e pakënaqësi me teknokratët e administratës, akademisë, ndonjëherë dhe klerit (nuk kemi nevojë për ndërmjetës mes nesh e Perëndisë…!) dihet është fenomen i përhapur te votuesit e indinjuar që në kohët tona shkojnë kah e djathta jocentriste. Teknokrati është byrokrat që ushtron pushtet politik në emër të shkencës (të diplomës apo të universitetit). Pak a shumë ngjashëm dhe teokrati, byrokrat që ushtron pushtet politik në emër të fesë. Meqenëse publiku mbi të cilin e ndërtojnë pushtetin nuk është as shkencëtar e as teolog, teknokrati e teokrati e ndërtojnë pushtetin mbi besimin dhe rregullimin e besimit. Teknokrati (i quajtur edhe ekspert a specialist) që flet prej pozitës shtetërore, por siç e pamë më lart me Stiglitz-in, edhe prej pozitës së institucioneve ndërkombëtare me fuqi mbishtetërore, e përdor shkencën si autoritet që i jep fund debatit duke pretenduar se “kështu thotë shkenca” dhe kjo është e vërteta e mbrame e cila as që mund të votohet apo të vihet në pikëpyetje. Pra teknokrati heq tema prej debatit publik, zvogëlon hapësirën e së diskutueshmes popullore-qytetare, hapësirën e lirisë politike. Nuk mund të diskutosh më për këtë ligj, për këto taksa, për këtë rregullim ambiental, sepse shkenca e përcakton këtë gjë, e jo vota…! Ky lloj i të menduarit shpesh është abuziv, jo vetëm për shkak se diktumi «shkencor» i institucioneve rezulton i pasaktë sapo vjen kriza më e parë, por edhe sepse shkenca të vërtetat e saj i njeh vetëm nëse ekziston mundësia logjike që të kundërshtohen, apo të dëshmohen si të gabuara, pra të vërtetat e pakundërshtueshme nuk janë të vërteta shkencore; dhe të gjitha të vërtetat shkencore herët a vonë dëshmohen si të gabuara e zëvendësohen nga të vërteta të tjera shkencore, jo gradualisht por në mënyrë revolucionare. Kanë qenë autorë të rëndësishëm për liberalët ata që ia kanë mësuar botës këto të vërteta mbi shkencën, Karl Popperi mbi parimin e falsifikueshmërisë, dhe Thomas Kuhni për ndryshimin e paradigmave dhe revolucionin shkencor. Siç duket teknokratët e pushtetshëm të fazës menaxheriale të liberalizmit, nuk i praktikojnë këta autorë.

Prej një konceptimi linear të logjikës, të realitetit e të historisë, pra prej një mendjelehtësie të tillë të proklamuar si arsye, teknokrati ndërton përjashtimin e politikës nga qeverisja, në emër të “racionalizimit”. E vërteta është një, dhe unë e kam studiuar në shkollë, thotë teknokrati – teksa “shkencizimi i politikës” shndërrohet në dogmë dhe rrënon besimin te përfshirja politike (pra edhe besimin te institucionet, te shteti, te demokracia). Këtë gjë e kuptonte mirë edhe njëri nga baballarët e liberalizmit modern, Max Weberi, i cili bash te “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit” shpalos konceptin e “Kafazit të Hekurt” të racionalizimit. Weberi e quan byrokratizimin e rendit shoqëror si “natë polare errësire të akullt” teksa e mbyll librin e vet me një frymë tragjike pesimizmi, sa i përket ngërçit që has demokracia liberale teksa teknokratizohet e teksa degjeneron drejt një bote: “specialistësh pa shpirt, sensualistësh pa zemër; këtyre asgjëhiçave që imagjinojnë sikur kanë arritur një nivel qytetërimi të papërjetuar kurrë më parë[x]. Kundër tyre ndërtohet indinjata në poezinë e Chestertonit, por edhe ajo e votuesit kualunkuist bashkëkohor.

Në dy strofat e fundit, aty ku Chestertoni nuk merret më me historinë, por me aktualitetin, ai ngjan sikur të jetë duke folur me termat weberianë, për specialistët pa shpirt dhe sensualistët pa zemër. Ai shkruan se si, pasi u kthyen nga betejat fitimtarë anglezët e thjeshtë mbetën sërish të zhgënjyer, teksa vunë re se tokat e tyre po i merrnin disa sundimtarë të rinj që ai i quan «new unhappy lords»:

They have given us into the hand of new unhappy lords,
Lords without anger or honour, who dare not carry their swords.
They fight by shuffling papers; they have bright dead alien eyes;
They look at our labour and laughter as a tired man looks at flies.
And the load of their loveless pity is worse than the ancient wrongs,
Their doors are shut in the evening; and they know no songs.

Byrokratët e kapitalizmit, sundimtarët fytyrëvrerosur që luftojnë me letra e jo me shpatë, që s´njohin pasion e as nder, janë figura që shoqëron «jahudinë kurnac» të cilin e përmend Chestertoni në një strofë më përpara kësaj. Përbuzja e tyre për popullin në varg del si nënvlerësim maksimal për punën, identitetin e gëzimin e atij populli. Prej këtyre sundimtarëve të rinj që nuk dinë asnjë këngë Chestertoni «në emër të popullit» refuzon qoftë edhe mëshirën, sepse mëshira e tyre nuk ka brenda dashuri andaj është edhe më e rëndë edhe se padrejtësitë e së shkuarës.

Strofa e fundit bëhet profetike, ndoshta edhe apokaliptike. Sundimtarët e rinj fytyrëvrerosur që flasin për ligje të reja, të forta e të mira e të ëmbla, njësoj si mbretërit e huaj të shekujve të shkuar, flasin një gjuhë që nuk është e popullit. E ka fjalën për zhargonin e administratës, teknokratikishten e ekspertëve e të specialistëve, të cilët edhe pse trajtojnë politika me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e popullit, tingëllojnë panevojshëm të komplikuar, a thua se qëllimisht nuk dëshirojnë të merren vesh nga masat. Aty Chestertoni kërcënon, e thotë se populli i tij (i imagjinuar, por edhe i mbrujtur si elektorat real sot në shumë vende të botës) do të ngrihet në revolucion i fundit (aty ku francezët u ngritën të parët), e meqenëse mllefi i tyre do të shprehet edhe më vonë se ai i Rusisë (e ka fjalën për revolucionin e 1905), ai mllef do të jetë edhe më i furishëm. Një revolucion popullor-tradicionalist-konservator, për të përmbyllur atë çka nisën francezët, me një brutalitet edhe më të madh se ai i rusëve. Kështu të indinjuarit e Chestertonit do të bëheshin një lloj «fshikulli hyjnor» për elitat, nëse i linin për një çast birrat. Chestertoni nuk ishte kundër birrave, përkundrazi, ai mendonte se shpirti popullor i anglezëve që ai e lëvdonte aq shumë, gjendej më së shpeshti te birraritë dhe hanet, të famshmet pubs dhe inns. Poeti u gëmushet byrokratëve të kapitalit e të shtetit modern, që synonin ta nxirrnin njeriun e thjeshtë nga birraria e ta çonin në fabrikë, duke thënë: mjerë ju po e lëshoi birrën prej dore anglezi i zakonshëm:

We hear men speaking for us of new laws strong and sweet,
Yet is there no man speaketh as we speak in the street.
It may be we shall rise the last as Frenchmen rose the first,
Our wrath come after Russia’s wrath and our wrath be the worst.
It may be we are meant to mark with our riot and our rest
God’s scorn for all men governing. It may be beer is best.
But we are the people of England; and we have not spoken yet.
Smile at us, pay us, pass us. But do not quite forget.

Mund të diskutohet shumë qëndrueshmëria apo jo e «historisë» chestertoniane përballë interpretimeve të historianëve profesionistë. Chestertoni nuk ishte injorant për historinë, larg asaj, por kjo poezi më tepër është politike se sa historiografike, për vetë forcën simbolike që vargjet përcjellin, lehtësisht të shndërrueshme në slogane. Shumë trope të së djathtës jocentriste të sotme gjenden aty, aq sa vjersha po të analizohet mirë ngjan si manual për zbërthimin dhe kuptimin më të mirë të kësaj ideologjie të suksesshme aktuale.

Sa i përket së majtës, a do ta kuptojë ajo sensin e këtij post-postmodernizmi? A do të jetë ajo e aftë të përtërijë vetveten dhe konceptin e saj të progresit, siç këshillon psh. Walter Benjamini në të parën prej tezave mbi historinë[xi]? A do të kuptojë e majta se kapitalizmi teksa është global vazhdimisht nyjëtohet e problematizohet lokalisht, gjë që vazhdimisht e suksesshëm po e kupton e djathta jocentriste? A do të mbërrijë e majta të tejkalojë simbolizmin e protestave dekoruese dhe të ndërtojë praktika të demokratizimit dhe de-teknicizimit dhe de-ekonomizimit të politikës, pra të zgjidhë problemin e mospërfshirjes përmes zgjerimit dhe de-formalizimit të demokracisë? Apo do të rrijë të presë si spektatore deri sa «Populli Sekret» të flasë? Askush nuk e di, por këto tema ndoshta i trajtojmë në një tjetër shkrim.

© 2022 Arbër Zaimi dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Image by Gerd Altmann from Pixabay


[i] https://www.amazon.com/Globalization-Its-Discontents-Norton-Paperback/dp/0393324397

[ii] https://rreth.wordpress.com/2014/09/11/variacione-te-se-djathes-ekstreme/

[iii] https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/01402382.2021.1902115

[iv] https://www.philosophy-world-democracy.org/articles-1/what-if-our-spectres-were-right-wing

[v] http://www.gkc.org.uk/gkc/books/secret-people.html

[vi] https://www.theguardian.com/books/2005/apr/09/britishidentity.society

[vii] https://archive.org/details/ChestertonArthurKennethTheNewUnhappyLords

[viii] https://www.versobooks.com/books/414-the-transparency-of-evil

[ix] https://www.newstatesman.com/world/americas/north-america/us/2022/03/why-parts-of-the-us-right-cant-quit-putin

[x] https://www.marxists.org/reference/archive/weber/protestant-ethic/

[xi] https://folk.uib.no/hlils/TBLR-B/Benjamin-History.pdf

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin