Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

AUTOBUSI PËR TRANZICION

Autobusi i aksidentuar si një metaforë e Shqipërisë në tranzicionin e pafund.

nga Jonida Çunga Sela[1]

Para disa ditësh bëri bujë lajmi mbi aksidentin e ndodhur në Tiranë, ku një autobus i linjës së Unazës përfundoi mbi lumin Lanë në një ngecje të habitshme. Fatmirësisht, nuk pati viktima, dhe kjo shpërqendroi vëmendjen e masës në detaje të tjera mbi këtë aksident.

Duke shfrytëzuar rastin, edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, përmes një sondazhi në Twitter mblodhi mendime dhe doli në vendimin se autobusi do të ruhej si instalacion.

U mendua se fare mirë ky aksident mund të përdoret si një moment sensibilizimi ndaj vëmendjes së munguar gjatë vozitjes, apo për të dhënë mesazhe mbi kujdesin që duhet të kemi në timon. Nga ana tjetër, mund të jetë një atraksion për turistët vendas e të huaj. Por pa dashjen e vet, autobusi elektrik jep edhe mesazhet “Go Green”, “Go Hybrid” duke orvatur një “greenwashing” në mes të Tiranës së ndotur, me lumenj të ndotur, në mes të betonit dhe fiction-it të pyjeve orbitale.

Duke parë vazhdimisht të postuar nga miqtë në rrjetet sociale këtë pamje, ku autobusi qëndron gjysmë në ajër, dhe Lana vërshon përposh, më vinte në mendje metafora e tranzicionit, ku autobusi është Shqipëria në këtë liminalitet të përjetshëm. Dhe m’u kujtua teoria e Turner-it mbi liminalitetin, tranzicionin, një teori e ngritur mbi fenomenin e ritit si moment i shpërfaqjes kulturore të një grupi shoqëror a komuniteti. Riti shihet si një moment i ndarë në tri faza: ndarja, tranzicioni dhe inkorporimi. Faza e dytë, tranzicioni ose “limen” (që në laninisht do të thotë prag) është momenti kur subjektet kalojnë një periudhë dhe gjendje ambiguiteti, një lloj gjendjeje sociale ku gëzohet pak nga atributet e gjendjes së mëparshme dhe pak nga të gjendjes pasardhëse. Ky moment shoqërohet edhe me shkëputje fizike nga komuniteti apo tribuja. Shpesh ky moment përjetohet kur subjektet nuk e prekin tokën dhe janë as në tokë, as në qiell, por në një gjendje të ndërmjetme pa gjendje.

Ndaj, ky autobus as në tokë as në qiell, por i ngecur midis dy brigjesh, në sytë e mi është Shqipëria e mbetur në tentativë progresi për të mbërritur Oksidentin. Me dy rrota në Evropë, por jashtë Evropës. Me politika, ligje e strategji evropiane në letër, por të pazbatuara në realitet.

Ndoshta kjo metaforë e paartikuluar komunikoi në të pavedëdijshmen e votuesve virtualë për të instaluar një ngjarje në kujtesën pa kujtesë të Kryeqytetit të Rinisë 2022.

(c) 2022 Jonida Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kërkuese shkencore në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe lektore në degën e Aktrimit, pranë Universitetit të Arteve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin