Në novelën “Një ndodhi e thjeshtë” (Una storia semplice, 1989), e autorit të mirënjohur italian Leonardo Sciascia, botuar pak muaj para se ky të ndahej nga jeta, krahas fabulës policore gjendet edhe një dialog tejet lakonik dhe njëkohësisht dramatik.
Zhvillohet mes një prokurori dhe një ish-profesorit të tij në gjimnaz, dalë tashmë në pension, i cili merret në pyetje nga i pari pasi njihej paraprakisht me viktimën e vrasjes që trajton novela. Dialogu, të cilin po e përcjell më poshtë, sidoqoftë zhvillohet në një tjetër plan narrativ.
– Më mbani mend? [- pyeti prokurori]
– Patjetër që ju mbaj mend.
– A më jepni lejen t’ju drejtoj një pyetje?… Pastaj do t’ju bëj të tjera, por të tjetër lloji… Në detyrat e gjuhë-letërsisë ju më vinit gjithmonë notën 3, pasi kopjoja. Përveç një here, që më vutë 5. Pse vallë?
– Sepse në atë rast kopjuat dikë më të zgjuar.
Prokurori nuk e mbajti dot gazin.
– Eh, gjuhë-letërsia: isha shumë i dobët në gjuhë-letërsi. Megjithatë, siç mund ta shihni, s’u bë kiamti! Ja tek jam sot: prokuror i Republikës…
– Gjuhë-letërsia s’është gjuhë-letërsi: është vënie e trurit në punë – ia bëri profesori – Me më pak gjuhë-letërsi, kushedi sa më lart do kishit shkuar.
Përgjigjia ishte e hollë, por e pamëshirshme. Prokurori u zverdh. Gjatë marrjes në pyetje ai u tregua veçanërisht i ashpër[1].
***
Hera-herës ndodh të bëjë bujë dhe ndonjë lajm që ka gjuhë-letërsinë në qendër. Siç është ai mbi parodinë tragjike të Provimit të maturës shtetërore 2020, i cili pruri dhe reagime të menjëhershme nga komuniteti i të interesuarve të drejtpërdrejtë[2].
Në qendër të skandalit ishin pyetjet e hartuara prej komisionit ministror për lëndën e letërsisë. Pyetje që, me ç’u tha e ç’qarkulloi, nuk trajtonin dhe aq tematika mësimore të zhvilluara përgjatë viteve shkollore (një Migjen, një Don Kishot, një klasicizëm, romantizëm apo lëvrime të tjera të këtij lloji) – që me ç’duket u gjykuan si të mykura dhe të pavlefshme për një shoqëri manaxheriale si kjo në të cilën jetojmë; por servirën sfida të një tjetër soji, më të përshtatshme për jetën bashkëkohore, të orientuara kah botanikës dhe reklamës (!?). Siç është rasti i pyetjes në foton ilustruese të këtij shkrimi.
Sidoqoftë, zaten të mos flasim për rrufe në qiell të hapur. Mbase më duket mua, por një ndodhi e tillë i shkon aq për shtat ca trendeve të reja që kanë vendosur skeptrin mbi mendësinë kolektive.
Një ndër dokrrat më të shpeshta të këtyre kohëve tona mjerane është ngritja në përmendore e togfjalëshit “shkollë e jetës”, që po zë gjithmonë e më shumë vëmendje dhe përmendje ndër biseda dhe vetëkrekosje. Ka edhe versionin e vet, si të thuash, rrjetsocials, rrethanë ku shpaloset sipas lokucionit anglofon University of Life. E si në një gjuhë apo një tjetër, kuptimi mbetet i njëjtë: ai mëton të nxisë përballje mes dy rrethanash të cilat nuk kanë pse të gjenden në ring – shkolla dhe jeta, pikërisht.
Duke ndjekur këtë mbrapshti, që synon të përligjë asgjë më shumë se mungesën e arsimimit tek disa, i është hapur drita jeshile mufkave pasuese. Siç është, fjala vjen “shkolla e rrugës”, rezultat mekanik dhe i së cilës është raporti jetë = rrugë. Të shumëfishuara dhe të bombarduara në mënyrë shpesh ledhatuese nëpër media dhe sishoqe – “Kam bërë shkollën e jetës (me demek, jam self-made man) që më përgatiti të përballem me shumë sfida” – të tilla broçkulla shkojnë dhe gjejnë vend si fishekë në arsenalin e çdokujt që jetën e sheh (e shpesh e shet) si pistë për të vrapuar a si rast për të gjëmuar; në të cilën nuk ka kohë për t’u ulur e për të menduar.
Në të vërtetë, çka është duke u gozhduar në trurin e mefshtë të qytetarisë është ideja lebetitëse se shkolla nuk ka lidhje me jetën e vërtetë, se gjithë ç’zhvillohet jashtë klasave jo vetëm nuk përkon me librat shkollorë (në mos me librat në përgjithësi), por se shkolla është një hark (humbës)kohor që dikush, dikur, diku… e ka imponuar mbi jetët tona dhe se kryerja e saj nuk i sjell ndonjë përfitim real jetës reale.
Përndryshe, shumëçka çon ujë në mullirin e atyre promovimeve publike që sjellin në vëmendje nevojën për figura të reja, për të rinj në drejtim, në zhvillim, në politikë etj. Aq të rinj sa nuk është e udhës që të rrinë akoma duke u plakur nëpër bankat e shkollave, pasi në forume, parlament e ministri mund të shërbejnë më mirë.
Gjithë këta shembuj olimpikë, të cilët janë shumuar kaq me vrik vitet e fundit sa kanë prekur skajin e anonimitetit, janë lehtësisht të dallueshëm përsa i përket defiçitit shkollor që vuajnë – mjafton t’u dëgjosh një prononcim publik në të cilin lakimi apo/dhe kuptimi i ngjan një gromësire, apo drejtshkrimi i një status virtual vuan nga skleroza dhe/apo ejakulacioni i parakohëshëm.
Duke lënë mënjanë tragji-komizmat, mbase nuk është kurrë vonë për të kuptuar se shkolla dhe jeta nuk i hakërrehen njëra-tjetrës por janë plotësuese mes tyre; se shkolla është pjesë e jetës dhe se ushqimi i saj i përditshëm, librat, janë mënyra më e mirë për ta shijuar jetën.
Njëkohësisht, lypet të marrë fund – apo më saktë, të ndreqet – ky PR-i i sëmurë i “shkollës që bëhet për të gjetur punë”. Shkolla të ndihmon për të gjetur punë, patjetër, por jo vetëm; pasi qëllimi i saj primar është gjetja e vetvetes – meqë dhe jetën, secili prej shkollarëve, mbi vetvete do ta ngarkojë. Për sa e çuditëshme mund të duket, gjithçka që përftohet (kur përftohet për së mbari) në shkollë është e rëndësishme: një jetë në të cilën di apo mban mend sesi zgjidhet një integral, si tingëllon një notë diagrami, si i hyri Dantja rrugës së Ferrit, si është e formuar molekula e hidrogjenit, si ndryshon përvit statusi (planetor) i Plutonit, si ngeli pa tokë Gjoni mbreti i Anglisë, si i ra molla mbi kokë Njutonit, etj. etj. etj. një jetë e tillë me si dhe sesi pra, vlen shumë më tepër për t’u jetuar. Dhe zgjat, si e begatë, ca më shumë se makutëria e rrugës. Siç dëshmon kush rrugën nuk e zgjodhi por i ra për hise.
[1] Fragmenti është përkthyer nga unë [botimi: Leonardo Sciascia, Una storia semplice, Alephi, 2001]. Në origjinal, gjuha dhe letërsia, që në shkollat e mesme italiane studiohen si një disiplinë e vetme, jepen sipas emërtimit zyrtar që ka lënda: italiano.
[2] http://www.portalishkollor.al/news/provimi-i-gjuhe-letersise-maturantet-shprehen-te-zhgenjyer-teza-ishte-absurde-hodhi-poshte-mundin-tone?fbclid=IwAR0eo2t0CqxKtgEDJd9a8jxFf_cRNywQ74gvYBLX_hp22BhDEd4I_BjPD9E
Po i bie me qysqi vezes me kete shembull. Eshte nje tekst me siguri i perkthyer. Dhe sic e sheh formati i testit eshte machine readable, pra kam idene se po perdoret nje lloj item response theory si metode per hartimin e testeve, i ngjashem me shume teste te vleresimeve te arritjeve ne bote. Te kalojme te shembulli: eshte nje pyetje qe vlereson shume aftesi njeherazi: interpretuese, klasifikimin, kontekstualizimin e te tjera ne lidhje me funksionet e teksteve e imazheve ne jeten e perditshme.
Arjan Gjikola ka perkthyer edhe nje liber qe u diskutua ketu mbi shkollen dhe standardizimin. Eshte interesante mungesa e koherences e se majtes: se si luftohet e njekohesisht synohet standardizimi, krijimi i barazive ne proceset dhe rezultatet e dijes e vleresimit te tyre ne lidhje me praktiken e perditshme, e lidhjes se shkolles me jeten e revolucionarizimin e shkolles sic metohej nga Lenini dhe John Dewey qe i sherbeu si frymezim, ashtu si edhe fabrikat e managerialismi fordist, apo qasje te njejta mekanike te filozofise se dijes.
Shkurt, eshte nje kritike polemike, pa thelb.
Përshëndetje,
Nuk e di se cila është lidhja e kësaj polemike, siç thoni ju, me mëtimin, të cilën përsëri e thoni ju, që ka e majta për fushën e arsimit. Ç’hyn e majta apo e djathta këtu xhanëm.
Po flasim për provimin e maturës në lëndën e letërsisë, jo për një testim mbi aftësitë psycho-attitudinal. Një provim i cili pretendohet se bazohet edhe mbi orientime të caktuara paraprakisht. Është provim mature, jo intervistim për punësim në sektorin e marketingut të ndonjë bashkie cool.
Eshte gjuhe-letersi dhe kurrikula tanime eshte e integruar. Shihni objektivat e programit lendor qe flasin per aftesi e rezultate te te nxenurit, vleresuar per te dy llojet e teksteve, letrare e joletrare.
E majta e re perben bazen e ideve ne premisat e kritikes suaj. Shkolla sipas revizionisteve duhet ti sherbeje individit. A thua se shoqeria ka kohe e burime te merret me robin derisa te gjeje veten. Robi eshte bullon, qe po nuk e ngule gjekundi ku duhet, do bej dem atje ku do veje vete. Ose thene me mire, te ngelet rryp pa transmision.
Lexova artikullin te Birn, ku intervistohej dhe nje peizazhiere, qe dukej me e balancuar. Shume zhurme per asgje. AKP thote qe ka perdorur metoda statistikore per te siguruar validitetin dhe besueshmerine e testit, hartimi permbajtesor eshte ne perputhje me programin. Se injorantet ne fakultetin e UT, qe i njoh nga pervoja ime, duan ende qe nxenesi te interpretoje e mesoje bagetine e bujqesine nga kendveshtrimi i socrealizmit duke mbushur faqet me idiotesira e patetizma, medet per ta.
Ky lloj pragmatizmi me te cilin po ushqehet rinia, si keqperdorimi i protestes (njera ne artikull habitej qe provimi i letersise ishte me i veshtire se i anglishtes,) nuk eshte pasoje vetem e shkolles, e mesuesve qe instruktojne per provimin standard, por edhe i prinderve qe nuk kane tjeter ide nga shkolla vec diplomes si bilete. Andaj per kete qendrim i jap te drejte kritikes se esese ketu.
Me duket se profesori te dialogu do te ishte dakord me pyetjen e testit te shembulli i sjelle, dhe prokuri, ne fakt, do te ishte dikush qe mendon se librat jane nje menyre per te shijuar jeten.
Kete e them sepse profesori e konsideron gjuhe-letersine si venie e trurit ne pune (ne koherence me pyetjen qe, me duket mua, synon te testoje mendimin krititk) dhe prokurori e konsideren gjuhe-letersine si informacion per t’u kopjuar (ne koherence me memorizimin (riprodhim informacioni/ kopjim ne kujtese) i fakteve arbitrare te jetes si, per shembull, renia e nje molle ne koken e dikujt dikur). Per mua, vetem dikush qe mendon se te qenit ne nje funksion te rendesishem publik eshte shijim i jetes (si prokuri ne kete rast), do te mendonte njekohesisht se recitimi si papagall i ketij apo atij fakti do te ishte gjithashtu shijim jete. Kjo, sepse ky hamendeson qe reklamimi i erudicionit, ashtu si dhe i te qenit prokuror, ndersa audienca i mban ison e i kreh bishtin, eshte dicka e lakmuar. Keshtu ndjen kenaqesi nga nje “me katolik se papa attitude” meqe di permendsh, fjala bie, masen e berthames se Heliumit, dhe, ne fund te fundit, ndoshta kete kenaqesi kupton me shijim jete. Por kjo nuk nenkupton automatikisht qe nje jete, pa libra, e shpenzuar nderkaq duke luajtur basketboll ose qeruar patate, eshte me pak e vlefshme.
Përkundrazi Kleopatra. Të shpjegohem.
Dialogu në incipit ka për personazh një pedagog i cili përfaqëson, pavarësisht se nuk ravijëzohet me detaje (jo në këtë pasazh), stereotipin e mësuesit të liceut klasik italian (ekuivalent i Gymnasium-it në Gjermani) – që është mbase tipologjia më e njohur e institutit të arsimit të mesëm ku zhvillohen ato që, njëherë e një kohë, titulloheshin “shtatë artet liberale”. Kësisoj, në këto shkolla, me profilizim të dukshëm në lëndët humaniste, mësohet greqishtja e lashtë dhe latinishtja, shqyrtohet një fluturim pindarik, apo zgjedhohen me rigorozitet trajta foljore arkaike të italishtes, studiohet filozofia skolastike dhe mekanizmi kartezian, historia e Rinascimento-s apo arti barok, etj. Të gjitha ato lëme shkollore që, në kohën tonë, do të klasifikoheshin pa shumë mund të dijet mnemonike, por që mbështetësit e kësaj ngrehine arsimore sot e mbrojnë me shumë konservatorizëm pikërisht se dhe në Itali është tundimi për ta reformuar një shkollë të tillë; gjithnjë me arsyetimin se mësimi i gjuhëve të vdekura, apo shtrydhja e trurit mbi një tercinë danteske, apo një postulat kantian, së pari, pak lidhet me jetën praktike, e së dyti nuk e zhdërvjelltëson aftësinë psycho-attitudinal të një nxënësi. Argumenti kryesor i atyre që këmbëngulin për vazhdimësinë e këtij profili shkollor është pikërisht e kundërta. Se aftësimi në labirinthet e zgjedhimeve latine, shkathtësimi në leximin e greqishtes politonale, zotërimi i arsyes kritike kantiane apo zbërthimi i një poezie leopardiane shërbejnë për ato rrudhat proverbiale të trurit. Është ky kuptimi i fjalëve të profesorit, se gjuhë-letërsia nuk është (thjesht dhe vetëm, sa për të titull) gjuhë-letërsi, por stërvitje dhe vënie në punë e trurit.
Në këtë kuptim, personazhi i prokurorit është pikërisht e anasjellta: ngase ai përfaqëson atë çka një përgatitje shkollore nuk ka mundur të arrijë. Ai thotë se ka qenë i dobët në shkollë, e se pavarësisht kësaj – falë atyre që mund të konsiderohen si virtyte të çmueshme në “shkollën e jetës” – ka ngjitur shkallët e pozicionimit. Bash në këtë pikë, profesori i thotë se ajo shkollë jete do i kishte kërkuar edhe më pak impenjim në shkollën e zakonshme, pasi me më pak nga kjo e fundit, do ishte ngjitur edhe më lart në atë të jetës. Oksimoron i hapur pra, mes dy kategorive. Në këtë kuptim, Sciascia është dhe më radikal se përcaktimi që i bëra unë marrëdhënies shkollë-jetë.
Nuk është rasti i parë, gjithsesi, që Sciascia vë në qendër të një vepre të tij një mësues të liceut klasik (e ka bërë, për shembull, tek Ciascuno il suo), e pothuajse gjithmonë është personazh që përplaset me prirjet “praktike” të jetës në modernitet – të klasifikuara këto të fundit përmes simbolikës së “mafies”, aq të pranishme në veprat e tij.
Ndjesë për këtë ecejake filologjike të gjatë, por një tekst nuk mund të shpjegohet vetëm me atë që ai jep; ka nevojë të shkosh edhe mes rreshtave.
Për sa i përket fjalisë tuaj të fundit, jam plotësisht dakord. Dhe ju shpjegoj përse.
Në radhë të parë, sporti – kalitja fizike – është pjesë përbërëse e edukimit klasik, të cilit ju i kundërvini edukimin “praktik”. Një përmbajtje e tillë rrjedh nga mendësia klasike greke, që e sheh individin e përsosur si dikë që lypet të mbaj në shëndet mendjen dhe trupin. Tek “Republika” platonike dy disiplinat përkatëse ishin muzika dhe gjimnastika (libri II). Ndaj, kundërvënia mes arsimimit dhe jetës praktike nuk është ajo mes dijes mnemonike dhe sportit. Kjo do të ishte një fallacy. Aq më tepër që në qendër të gjithë artikullit tim nuk është përplasja mes jetës dhe shkollës, por bashkërendimi mes tyre. Kjo e ndërton lumturinë – që ka pak të bëjë me atë që ju duket juve, me ç’po kuptoj, se lumturia është kulla e fildishtë e lëvrimit “sokratik” të dijeve.
Është e diskutueshme nëse më e përhapur është përligjja e mungesës së arsimit tek disa nëpërmjet retorikës së “shkollës së jetës”, apo vetëngushëllimi i dështakëve (jo vetëm për sa i përket “garës”, por kryesisht për sa i përket të kuptuarit të jetës dhe kjo e fundit jo patjetër si ideal por qoftë edhe për synimet vetjake) me idenë se kanë bërë shkollë e përpirë libra. Të dish informacione si ato që përmend më lart, ndoshta mund ta bëjnë më interesante jetën (e diskutueshme edhe kjo, siç është edhe ideja se librat janë mënyra më e mirë për ta shijuar jetën, në mos me “libra” në fakt do të thuash dija ose kuptimi, prej të cilave nuk janë të privuar as analfabetët) por kam përshtypjen se më shumë shërbejnë për t’u krijuar bylmezave me shkollë iluzionin e dijes, çka do të thoja se në fakt është pikërisht një nga funksionet kryesore të shkollës, si e projektuar për të krijuar bylmeza dhe për t’u mbushur mendjen se dinë shumë.
Nuk e kuptoj pse i quan “me defiçit shkollor” ata që i quan, duke qenë se ndër ta, si dhe në “kohët tona mjerane” në përgjithësi, të rrallë janë ata me më pak se 12 vite shkollë dhe aspak të rrallë ata me 16 e kusur vite, çka besoj se duhet ta bëjë këdo të dyshojë për një raport të drejtë dhe lidhje shkakësore në përgjithësi mes shkollimit dhe paaftësisë për t’u shprehur. E nëse do themi se shkolla s’paskësh qenë për ta apo ata për shkollë, atëherë a nuk i bie që këta kanë të drejtë në gjykimin e tyre, që niveli i tyre gjuhësor është në fakt dëshmia më e mirë se dikush u ka rënë në qafë duke i detyruar t’i nënshtrohen për vite me radhë këtij burgu dhe zbori si dhe atyre që kanë qenë për shkollë por kanë nxënë shumë më pak se ç’mund të nxinin për shkak se të parët doemos e kanë degraduar sistemin dhe procesin në nivelin e tyre? (Me këtë të fundit nuk dua të them se përndryshe sistemi i sotëm arsimor (parauniversitar) është teorikisht i mirë për njerëzit e prirur për dije, por po argumentoj brenda logjikës së synimeve të tij të deklaruara.)
Fjalën “shkollë” e përdor në një kuptim universal, gati kozmik, kur në fakt bëhet fjalë për paradigmën arsimore moderne, e cila s’ka asgjë universale dhe aq më pak kozmike, përveç diabolikes në të. Arsimi modern masiv dhe i detyruar nuk është detyrimisht, dhe as realisht, sinonim i dijes apo i mësimit. Mund të arsyetoj gjatë e hollësisht për këtë, por për shkurt guxoj të them se kushdo që ka përsiatur ndonjëherë seriozisht për dijen dhe njeriun e ka shumë të qartë se dija s’mund të jetë as masive dhe as e detyruar dhe se çfarëdo që bart këto dy tipare në emër të saj s’mund të jetë veçse antidije.
Nuk do t’me shqitet tere jeten nga mendja pyetja qe me beri drejtoresha e shkolles private ku jepja mesim si mesues i jashtem, rreth nje muaj pasi kisha filluar pune: ” Si shkon puna? C’fare thone nxenesit, ke krijuar ndonje pershtypje per ta? Thellesish i mallengjyer dhe pothuaj me syte gati te mbushur me lote, i thashe: ” Nxenesit i kemi vertete te mire drejtoreshe. Lavdi Zotit, deri tani akoma nuk na kane rrahur.”
Te gjithe e dine, prinder dhe mesues,se aktualisht oret e mesimit ne shkolla ngjajne si dy pika uji me seancat e sherbeses fetare qe kapelani Oto Kaci jepte per te burgosurit e garnizonit. Nuk do e teproja aspak po te thosha, se shkollat dhe sidomos ato private, duken si vatha te mbushura me dhi te zgjebosura. Universitetet duket sikur per mision nuk kane asgje tjeter, vec pasi kapin bishtin e ketyre dhive te zgjebosura, ua ngrehin perpjete dhe me anen e nje furce te ngjyer ne llak, bejne qe t’u ngrije e qendroi kurdohere perpjete.
Sinqerisht, mallkim me te madh se nje situate e tille, zor se mund te kete!
Leonardo Sciascia ka dashur te tregoje qe kultura e pergjitheshme nuk po vlersohet si me pare. Kjo po ndodh ne te gjithe boten. Jo vetem gjuhe-letersia por cdo lende ve trurin ne levizje. Por, ne tregimin e tij, autori do te nenvizoje rendesine e kultures se pergjitheshme.
Eh, sa larg edhte kjo qe ndodh ne kete tregim, me cfare perballet shkolla dhe shoqeria shqiptare. Ne Shqiperi, zor te gjesh nje profesor si ne kete tregim. Dhe, zor te gjesh nje prokuror si ky me lart. Ketu, te pakten, te prokurori mungon te pakten vec nje dege e kultures se pergjitheshme, kurse ne Shqiperi i kemi prokurore & gjyqtare me shkolle plepash…
Te shtoj dhe dicka tjeter. Mendoj qe nuk ka anologji midis ketij tregimi dhe “shkolles se jetes”.
Sic e thashe dhe me pare, shkrimtari meshon dhimbjen e tij per indiferencen ndaj kultures se pergjitheshme si nje forme e eperme e dijes njerezore. Ja pra, edhe pa kulture te pergjitheshme, kemi profesioniste shume te zot. S’e mohojme dot kete. Por magjia qe vjen nga kultura e pergjitheshme, bashkebisedimi i eperm njerezor po venitet. Kete vuan autori.
Kultura e përgjithshme – për të cilën jam dakord me ju që qendron në zemër të fragmentit – është në thelb të shkollës si gjithësi institucionale. Shkolla ekziston si e tillë, në trajtën e vet të kulluar, pikërisht për të ushqyer kulturën e përgjithshme. E nëse këtë e shenjojmë si postulat, logjika dialektike na shpie në përfundimin se aty ku shkolla pëson zvjerdhje – siç mund të jetë një ambient shoqëror në të cilin fryhet ajo që unë quaj “shkollë e jetës” – rezultati do të jetë që tërësia e drejtuesëve “ambientalë” të jenë të mangët në kulturë të përgjithshme – që do të thotë se arsimimi i tyre do të lërë për të dëshiruar. Arsye për të cilën unë shoh përballjen profesor-prokuror si shkollë klasike-shkollë e jetës.