Para vitit 1998, shumë kohë më para se interneti, përkthyesit online apo inteligjenca artificiale të përkthenin shpejt dhe saktë, në disa degë rajonale policie në Greqi, ai bëhej ende me metoda të vjetruara deri në “arkaike”. Zbulova një dokument të tillë gjatë festave të fundvitit.

Ja një interpretim i përkthimit shqip të dokumentit:
PER ATE SIRAS (sipas) DEKLARATES SE TIJILEHIJET (së tij i lejohet) HYRJA DHE RIKTHIMI NE ATDHE[‘atdhe’ është përkthimi i fjalës ‘Χώρα’, pra ‘Vendi/Shteti’] DERI NE 30 KORRIK, RA KONTROLLE (pa kontrolle) TE TJERA DHE FORMALITETE [Këtu duhet theksuar se në tastierën greke ‘P’ dhe ‘R’ janë bashkë se R-ja në alfabetin grek është ‘Ρ’].
GLATE (gjatë) [edhe këtu L-ja me J-në ndodhen afër në tastierë] KHEMIT (kthimit) E PRANISHMJA DUHET TE JETE VULOSUR NGA KOMISIONI MBIKEQYRESI (mbikëqyrës i ) SEKTORIT TE ZGIEDHJEVE (zgjedhjeve) KUVOTOI (ku votoi).
ZOTERUESII TE PRANISHMES (zotëruesi i të pranishmes) SHOQEROHET EDHE NGA NETARET (anëtarët)[mesa duket nuk u sthyp ‘a’-ja se ndoshta tastiera ka qënë e shumëpërdorur] E FAMILJES OE E RASOJNE [nuk e përktheva dot akoma këtë përveç ‘OE’ që tastiera e vjetëruar ka zhdukur ‘S’-në]:
SHENIM: IPANISURI, GE (që) TE KETE TE DREJTEN F (e) [‘F’-ja me një vizë akoma kthehet kollaj në ‘E’] HYRJES PERSERI, DUHETTE VULOB (duhet të vulosi) VERTETIMIN GE (që) KA MARE (marrë) NGA POLICIA GIATE (gjatë) KOHED (kohës) [‘D’-ja është ngjitur me ‘S’-në] SE DALIE (së daljes) NGA KUFIRI.
Me shumë gjasë, polici merrte dikë në telefon, e dëgjonte mes zhurmave të linjës, dhe pastaj shkruante me përkushtim heroik çdo rrokje që i dukej se kuptonte. Në ato vite kishte dhe përkthyes profesionistë në Greqi. Gjithashtu ata që realizuan këtë SHENIM SHERBIMI në versionin dygjuhësor, mund të gjenin kollaj plot shtetas shqiptarë që flisnin të dyja gjuhët dhe ti shmangëshin metodës “diktim përmes kabllit që kërcet”, si Zana dhe Deda tek filmi “Rrugë të bardha”[1].

Dhe kështu, mes interferencave telefonike, indiferencës ndaj çdo gjë që lidhej me emigrantët shqiptarë, por edhe imagjinatës burokratike, lindnin ato përkthime vërtet “madhështore” të cilat sot mund të vlejnë jo vetëm për “humor” ose reflektim ndaj të kaluarës por ndoshta edhe për studime shkencore: si për shembull ato linguistike.
Ky dokument është lëshuar më 30 qershor 1997, në një periudhë kur Shqipëria përpiqej të dilte nga trazirat e atij viti dhe të organizonte zgjedhje të lira parlamentare. Fatkeqësisht, ai përfaqëson jo vetëm një akt zyrtar, por edhe një dëshmi të mënyrës se si burokracia greke i trajtonte emigrantët shqiptarë, veçanërisht në vitet e para. Legalizimi i parë në Greqi, pajisja me dokumente për emigrantët ndodhi në vitin 1998[2]. Deri atëherë në disa rajone jepeshin këto SHËNIME SHËRBIME nga Policia Greke për t’u lejuar emigrantëve të dilnin dhe të ktheheshin në Greqi brenda një periudhe të caktuar, sidomos gjatë periudhave të festave. Më kujtohen shumë mirë komentet dhe të qeshurat karakteristike të prindërve të mi për versionin në shqip. Megjithatë, asnjë emigrant nuk guxonte t’u bënte vërejtjen më të vogël oficerëve të policisë kur u jepnin Shënimet e Shërbimit të lartpërmendura. Pritja e gjatë, e individëve dhe familjeve të tëra për këtë copë letër, do të kishte qenë e kotë, madje me pasoja serioze, nëse do të kishte shkuar dëm për shkak të një fjale rreth përkthimit qesharak. Vërejtjet nuk imagjinoheshin, dhe çdo veprim që mund të shqetësonte ose irritonte policët duhej shmangur. Fëmijët e vegjël merreshin mënjanë nga një prind derisa të qetësoheshin kur bënim zhurmë. Kjo është arsyeja pse të qeshurat ose komentet nuk u bënë kurrë në prani të policisë, por vetëm kur largoheshim me “kartën e artë” në dorë. Për më tepër, çdo oficer policie që lëshonte këto dokumente, kishte të drejtën të vendoste nëse një emigrant i meritonte apo jo, pavarësisht nga kriteret e kërkuara çdo herë. Megjithatë, sa më shumë emra ortodoksë grekë të kishte dikush (Si Dhimitri i Mihalit në dokumentin në fjalë), aq më e lehtë ishte ta siguronte këtë dokument. Kështu, së bashku me pasaportat që vuloseshin në kufi, emigrantët duhej ta ruanin këtë letër si sytë e ballit, sidomos kur DUHETTE VULOB. Asnjë dokument që kishim në zotërim deri atëherë nuk kishte më shumë vlerë se kjo letra me tre pulla nga policia, siç është komentuar shpesh ato vite.
Ishte akoma ajo kohë kur ende nuk kishte një të drejtë të institucionalizuar dhe të garantuar për emigrantët shqiptarë. Për çdo punë që bënin, pagesa ishte rezultat i një marrëveshjeje me punëdhënësin. Sigurisht, edhe pagat standarde ishin përcaktuar në varësi të punës, shumë më të ulëta se paga bazë ditore, meqë çdo gjë i përkiste tregut të zi. Dhe dokumente si ky shiheshin si një hap drejt legalizimit të plotë të emigrantëve ku mund të vizitonin Shqipërinë pa patur nevojë për një ΥΠΗΡΕΣΙΑΚΟ ΣΗΜΕΙΩΜΑ nga Policia Greke. Ky SHËNIM SHËRBIMI do të ishte dokumenti i parë, për shumë prej nesh, që do të hynte në koleksionin tonë të dokumenteve nga shteti grek. Deri atëherë, kishim shumë certifikata, vërtetime dhe dokumente të tjera nga Shqipëria. Me kalimin e viteve, koleksioni është bërë shumë i madh. Shteti grek u kujdes për këtë, në fund të fundit me ligje migracioni e kërkesa të shumta. Ketë e përshkruan dialogu televiziv i mëposhtëm midis oficerit të policisë dhe emigrantes me origjinë shqiptare në serialin e Lakis Lazopoulos “Δια Ταύτα/Dhja Tafta”[3]:
-Pra, ju jeni Klementini.
-Klemendini.
-Klemendini Pavlamanxhi.
-Pa-vla-ma-xhi.
-Dhe më thoni, znj. Pavlamanxhi, ju jeni me shtetësi shqiptare?
-Po.
-Me letrat… (i keni) të gjitha?
-Sigurisht që i kam letrat! Ndodhem këtu për kaq shumë vite.
-Mund të keni kaq shumë vite këtu, por nuk e di nëse keni edhe kaq shumë letra. Sepse ne u japim letra çdo vendi. Nuk e di nëse ti ke gjithçka.
-Kam. Kam, kam.
-Ke shumë, apo jo?
-Shumë, shumë!
-Sa? Më trego, më trego.
-(Zonja Pavlamanxhi tregon me duar sa shumë letra ka).
-Në rregull, je mirë.


Ka dhe raste, që emigrantit i shtohej një dokument shtesë, ai i pagëzimit[4]. Sepse mesa duket nuk mjaftonte emri i krishter apo pagëzimi në Shqipëri por i duhej të pagëzohej edhe njëherë në Greqi. Ndoshta, edhe kjo lidhet, me vershtirësinë e përkthimeve të asaj kohe.
(c) 2026 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Në [ ] janë komentet e mia.
Piktura “Alo alo, Zana” është realizuar nga Klevis Ibrahimi[5] në kuadër te festivalit të filmit shqiptar në Berlin[6].
Referencat
[1]https://telegrafi.com/rruge-te-bardha-historia-e-ngjarjes-reale-qe-u-film/
[2]https://www.tanea.gr/1998/10/01/greece/oi-80-prwtes-prasines-kartes/
[3]https://youtu.be/QUylyzXrRv0?si=Tn6EPgze7qWgxlrM
[5]https://www.instagram.com/art_by_klevi911?igsh=MTBvNzljMGszZjJibA==
[6]https://acudkino.de/Programm/albanisches_filmfestival_in_berlin/20389
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.